1 – Në shërbim të PUSHTETIT
Bota e spiunëve – 2/ Nga “veshët” e faraonëve te “sytë” e madhërisë së saj. Spiunazhit ekziston që nga kohërat e lashta: ja si ka ndryshuar gjatë shekujve
Objektivi: mbrojtja e sigurisë kombëtare.
Aktiviteti: mbledhje informacioni në shkallë të gjerë (alias operacione të inteligjencës) nëpërmjet spiunazhit dhe kundërspiunazhit.
Në sintezë, ky është profili i shërbimeve sekrete në të gjithë botën. Lindja e “agjentëve” të parë humbet nëpër labirinthet e kohës, por në aksentin modern origjina e tyre shkon deri në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, në epokën e konsolidimit të monarkive kombëtare evropiane. Ndërsa shprehja që i përcakton u “shpik” në 1771 nga Giacomo Casanova (që në një letër vetquhej si “agjent sekret”): aventurieri dhe feministi i famshëm, një paraardhës i denjë i James Bond, në fakt iu përkushtua aktiviteteve të inteligjencës dhe spiunazhit, me emrin e koduar Antonio Parolini për llogari të Republikës së Venecias, atdheu i parë i “007” modernë.
Hapat e parë
Nevoja për të mbledhur informacion në një shoqëri – tribu, qytet apo shtet – ka qenë një domosdoshmëri e ndjerë nga njerëzit e pushtetshëm në të gjithë botën, që nga kohërat antike. Ka pasur shumë sovranë dhe ushtarakë që kanë përdorur spiunë dhe informatorë të besuar: që nga faraoni Ramses I (shek. 14-13 para erës sonë) te gjenerali dhe filozofi kinez Sun Tzu (shekulli i 6-të 5 p.e.s), i cili theksoi rëndësinë e njohjes së sekreteve të armikut në traktatin e famshëm të strategjisë ushtarake, që nga të gjithë njihet si Arti i Luftës.
Përdorimi i “agjentëve sekret” është vërejtur gjithashtu edhe në Romë, në kohën e Jul Çazarit (shekulli I p.e.s.). Madje, në kohën e tij, përdorimi i inteligjencës dhe spiunazhit u bë aq sistematik, sa filloi të përdorej edhe një shifrar i veçantë – i quajtur ” Cesare “- për mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm. Ky shembull i parë i kriptografisë parashikonte që çdo shkronjë e një teksti të zëvendësohej me një tjetër në bazë të një çelësi numerik: nëse kjo do të ishte “3”, vijonte ajo që zbriste me tre pozicione (nga “A” bëhej “D”).
Pas rënies së Perandorisë Romake, përdorimi i formave të ndryshme të inteligjencës dhe spiunazhit vazhdoi edhe në Mesjetë, por në epokën moderne, të shënuar nga një bum në aktivitetet diplomatike, historia e shërbimeve sekrete u bë më e gjallë.
Në lagunë – Ndër shtetet e para moderne që adaptoi një sistem të shërbimeve sekrete ishte Venecia, ku spiunazhi u bë një komponent thelbësor i politikës së jashtme dhe strategjive të ekspansionit ekonomiko- tregtar.
Për të koordinuar veprimet e inteligjencës, në 1506 Këshilli i të Dhjetëve – organi suprem i vendimmarrjes – krijoi institucionin e Sekretarit të Shifrave, eksponenti i parë i të cilit ishte Giovanni Soro, “babai” i kriptografisë moderne, i cili brenda pak vjetëve deshifroi shifrarët e mbretërive të gjysmës së Evropës.
Po ashtu, më 1539 u konsolidua edhe gjykata e Inkuizitorëve të Shtetit, figura që suportoheshin nga agjentë të shpërndarë kudo detyra e të cilëve ishte të hetonin çdo armik të mundshëm të Republikës së Serenissima-s (ndonjëherë edhe me “licencë për të vrarë”).
E gjendur në mes të rrugëve tregtare, veçanërisht me Lindjen, Venecia u bë ‘atdheu’ i spiunazhit ndërkombëtar dhe vetë venecianëve iu kërkua të kontribuojnë personalisht duke i futur denoncimet e tyre nëpër kuti apostafat postare të bëra prej guri e të quajtura Boche de Leon, (Gojët e Luanit).
“Sytë” e mbretëreshës
Pas Venedikut, edhe në Britaninë e Madhe u vendos të krijoheshin shërbimet sekrete, falë Sir Francis Walsingham, sekretari i parë i Shtetit i Mbretëreshës Elizabeth I (në fron nga 1558 deri 1603). Përdori një rrjet agjenturor të dislokuar nëpër kryeqytete dhe porte të ndryshme evropiane, qendra të pashmangshme të përhapjes së lajmeve. Përdorte shumë vendasit, si dhe të rinj të diplomuar në Kembrixh dhe Oksford. Struktura e “syve” të mbretëreshës shkatërroi, ndër të tjera, dy komplote që synonin pikërisht eliminimin e saj (komploti Throckmorton i vitit 1584 dhe komploti i Babingtonit i vitit 1586). Në të dy rastet, aftësia e agjentëve britanikë për të deshifruar komunikimet midis komplotistëve ishte vendimtare.
Dhe me matematikanin John Dee (1527-1608), specialist i dekriptimit lidhet edhe një kuriozitet: në mesazhet e rezervuara për Mbretëreshën Elizabeth I, ai shtoi inicialet “007” (zero ishin dy sy, shtatë numër me fat), duke parashikuar para katër shekujsh përdorimin e këtij kodi nga shkrimtari Ian Fleming për James Bond-in e tij.
FRATËT-SPIUNË
Pas Anglisë, edhe Franca e Louis XIII – mbret nga 1610 deri në 1643 – krijoi një shërbim sekret modern. Ishte Armand-Jean du Plessis, i njohur ndryshe edhe si Kardinali Richelieu (1585-1642), i cili organizoi një rrjet informativ si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Në thelb, Richelieu kishte një ushtri të “veshësh” të padyshimtë të cilët, nëpër rrugë, tregje, sallone, teatro, kopshte publike dhe mjedise gjykatash, thithnin çdo informacion, kryesisht pakënaqësinë ndaj mbretit. Mes mijëra agjentëve anonimë kishte edhe kishtarë, si frati kapuçin François Le Clerc du Tremblay (1577-1638), alias Jozefi i Parisit, koordinatori i fuqishëm i një rrjeti fratësh-spiunë.
Një personazh i cili thujase asnjëherë nuk shfaqej në skenë, duke preferuar të qëndrojë prapa kuintave, duke i dhënë rrugë shprehjes “hirësia gri” (nga ngjyra e tavanit të tij), edhe sot e kësaj dite e përdorur për të treguar këshilltarët e njerëzve të pushtetshëm. Ishte éminence grise Richelieu.
STRATEGJITË E NAPOLEONIT
Për të perfeksionuar shërbimet sekrete franceze, mendoi në epokën napoleonike, Joseph Fouché (1759-1820), ministri i policisë, rrjeti i të infiltruarve të të cilit krijoi dosje për një numër të jashtëzakonshëm individësh, duke i përdorur si armë shantazhi politik.
Progres u bë gjithashtu në fushën ushtarake falë hyrjes në lojë të “agjentëve të dyfishtë”, si Karl Schulmeister (1770-1853), një spiun austriak në shërbim të perandorit francez.
Në evolucionin e shërbimeve sekrete kontribuoi edhe Eugène François Vidocq, një mashtrues që e ricikloi veten si informator dhe në 1812 themeloi Sûreté (e riorganizuar në 1813 nga Napoleoni si Sûreté Nationale për të garantuar sigurinë e Shtetit), një brigadë policie e përbërë nga të ish të dënuar në gjendje për t’u infiltruar në mjediset kriminale.
Në 1833 Vidocq kaloi më vete dhe themeloi një nga agjencitë e para të hetimit privat, i famshëm për përdorimin e maskimeve të zgjuara: Bureau de renseignements pour le commerce.
“LOJA” ZGJEROHET
Edhe perandoria Austriake nis të punojë në këtë drejtim. “Më 1811 në Vjenë u aktivizua një zyrë inteligjence me agjentë të futur nëpër konsullata dhe ambasada të ndryshme.
Ndjek Rusia, ku në 1826lindi Seksioni i Tretë, policia sekrete e Car Nicholas I që u shndërrua në 1881në Ochranan, e pamëshirshme në shtypjen e disidencës së brendshme.
Perandoria Ruse, për pjesën më të madhe të Tetëqindës, u përfshi në një “duel diplomatik” rraskapitës me atë britanik, e shtrirë në territoret e Lindjes të kontrolluara nga të dy fuqitë e duke luftuar në vijën e frontit me shërbimet sekrete. Jo rastësisht u fol për ” Lojën e Madhe ” apo “Turneun e Hijeve”.
Ndërkohë, në 1865, Presidenti Abraham Lincoln i jep jetë U.S. Secret Service, një repart special agjentësh sekretë me funksione në inteligjencë, të cilëve iu besua detyra për të luftuar qarkullimin e kartëmonedhave të falsifikuara.
Por, ai u vra menjëherë pas kësaj dhe projekti dështoi, duke u rikthyer në modë në 1901, pas vrasjes së dy presidentëve të tjerë (Garfield dhe McKinley).

EVOLUCIONI TEKNOLOGJIK
Në 1909, lindi në Mbretërinë e Bashkuar një nga shërbimet më të famshme, Secret Intelligence Service (Sis), i njohur më shumë si MI6 (Military Intelligence, Sezione 6). Gjatë dy luftërave botërore, secili komb nxitoi për të forcuar agjencitë e tij. Pas Luftës së Dytë Botërore, shërbimet e shumë vendeve u përforcuan për t’i bërë ballë Luftës së Ftohtë.
Mes agjencive të themeluara pas Luftës së Dytë Botërore, dominonin CIA Amerikane (Central Intelligence Agency, lindur më 1947), Mossad izraelit, i lindur në 1949 dhe KGB-ja sovjetike, e krijuar në 1954 (e shpërbërë në 1991), në kundërpërgjigje të CIA-s.
Lufta e Ftohtë, përsa i përket aktiviteteve jo gjithmonë “legjitime” të këtyre dhe të të tjerave agjenci, ishte një terren i jashtëzakonshëm për evolucionin e teknikave dhe mjeteve të agjentëve sekretë, mes gadget e 007-ave, aeroplanëve dhe satelitë spiunë.
Dhe sot, në epokën e internetit dhe luftës kundër terrorizmit, teknologjia, veçanërisht informatika, është tipari mbizotërues i përdorur edhe për të monitoruar përhapjen dhe lëvizjet e njerëzve në këto kohë të emergjencës shëndetësore. Por, pas të gjithave, mbetet përbërësi thelbësor i çdo shërbimi sekret: zgjuarsia njerëzore.
007-at e botës antike
“Njihe armikun ashtu siç njeh vetveten. Nëse e bë këtë, edhe në mes të njëqind betejave nuk do të jesh kurrë në rrezik”, janë fjalët e Sun Tzu. Ishte shekulli VI para Krishtit dhe gjenerali kinez i kushtonte një kapitull të tërë të traktatit të tij të mirënjohur, Arti i Luftës, “strategjisë së parashikimit”, dhe avantazheve të përdorimit të spiunëve.
Por që nga viti 1500 para Krishtit, Hyskos përdornin stafetat për të komunikuar në kod. Edhe Hanibali, në shekullin e tretë para Krishtit, kishte dërguar fillimisht “agjentët” e tij në Italinë e Veriut përpara se të vinte në zbatim planin e tij të guximshëm për të pushtuar gadishullin.
Ekzistonte pra një traditë e gjatë spiunazhi kur në Romën e lashtë u formua aparati më i strukturuar i inteligjencës. Gjithçka filloi me perandorin paranojak Domitian (shekulli I pas Krishtit), i cili më pas u hoq qafe pikërisht nga një komplot.
Mbreti dyshues në gjithçka kishte krijuar një shërbim sekret me licencë për të vrarë, duke zgjedhur njerëzit nga frumentarius, një organ ushtarak i caktuar për të furnizuar grurë për ushtrinë. Me kalimin e kohës, funksioni i prokurimit u kthye në një koperturë: misioni i vërtetë i kësaj njësie ishte mbledhja e informacionit për çdo lloj kundërshtie. Për këtë arsye termi frumentarius u bë sinonim i informatorit.
Profesionistët
Në Romën perandorake kjo njësi kishte shumë funksione: mbronte sovranin, kontrollonte postën, por sipas rastit njerëzit e tij mund të shndërroheshin edhe në vrasës, veprimi i cili nuk konsiderohej me abuzimin.
Por në kohë lufte këta spiunë ante litteram nuk mjaftonin më: u futën në lojë eksplorues dhe spekullatorë, profesionistë të spiunazhit luftarak të cilët, të pajisur me kuajt më të mirë, i paraprinin ushtrisë për të grumbulluar informacion, duke kapur, burgosur dhe dhe pyetur kë gjenin rrugës për pozicionin dhe forcat e armikut.
Por ishte Diokleciani (shek. III-IV), ai që krijoi të parët agentes in rebus, “agjentët gjenerikë”, të pavarur nga ushtria, që përdoreshin edhe në sferën civile, të cilët drejtoheshin nga një lloj “ministri i informacionit”, i quajtur magister officiorum.
Kjo trupë pati jetë të gjatë dhe nën Theodosius (347-395), perandori që shpalli krishterimin si fenë shtetërore, kishte për detyrë të zbulonte heretikët.
Vijon nga hyrja
Pjesa e dytë