1946-2020, Kryengritja e Postribës, lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore

Shtatorin e 74 viteve më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri. Rrethi i Shkodrës, kampion i demokracisë të luftës për liri, rreshti i parë në historinë e Shqipërisë kishte filluar organizimin, rezistencën antikomuniste për një kryengritje të madhe popullore.

Në malet e veriut, ku komunizmi nuk kishte shkelur akoma, vazhdonte lufta për liri. Në Kelmend vepronin çetat e Prek Calit, me Ded Lulash Smajlin, Nik Mark Ujkën etj. Në Malësi të Madhe vepronin forcat e Llesh Marashit, Lul Grizhës, Pjetër Gjok Bajraktarit, Caf Smajlit etj., në Kastrat forcat e Nik Gjelosh Gjekës. Në malet e Dukagjinit vepronin forcat e Nik Sokolit, Ndue Palit etj., po kështu në Shllak etj.

Në Postribë situata ishte në shpërthim. Filluan të zhvilloheshin mbledhjet e para, me qëllim pjesëmarrjen sa më të gjerë të fshatrave dhe banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, një mbledhje u mbajt në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër e fshatrat rreth saj.

Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij. Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm, që do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e më gjerë.

Thirrja e djemve ushtarë, më datë 09.09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Në mbledhje morën pjesë Osman Haxhia, Abas Sulejmani, Zyber Cafi, Kasem Rragibi, Jenim Zyberi, Selim Raci, Dervish Nuzi, Ismail Duki, Abdullah Sehiti, Jakup Dani, Muho Fetahi, Myrto Dani, Ali Brahimi, Metush Halili, Ram Fazi, Muho Osja, Haxhin e Idriz Tahiri, si dhe 150 kryengritës. Prijësi Osman Haxhia i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë më 09.09.1946. Më datën 07.09.1946 një autoritet tjetër, qytetar shkodran, organizon mbledhjen në kullën e Man Hotit, për të njoftuar shokët për mbledhjen e Postribës.

Dëshmia e Hamza Kazazit

“Qysh më ’45-ën filloi organizimi i një kryengritjeje të përgjithshme. Qysh kur koloneli Nil i misionit anglez për veriun në Shqipëri, i premtoi Jup Kazazit ndihmën e anglezëve nëse do të ngriheshin e do të organizonin diçka në Shqipëri”, thotë i biri i Jup Kazazit. Sipas tij, është e dokumentuar se Koçi Xoxe e Enver Hoxha kërkonin kapjen me çdo kusht të Jup Kazazit, sepse po organizonte një kryengritje të armatosur. Ai dhe 4 vëllezërit e tij ishin dënuar me vdekje nga Enver Hoxha, edhe pse vetëm 2 prej tyre ishin marrë me politikë. Dhe mes largimit nga Shqipëria e rezistencës, ata zgjodhën këtë të dytën. “Terrori ishte i tmerrshëm. Janë pushkatuar katundarë që u kanë dhënë vetëm një gotë qumësht kryengritësve. Megjithatë, është bërë i mundur komunikimi dhe ishte vendosur që kryengritja të zhvillohet në Shkodër, Mirditë. Madje, krerët e Dibrës po përgatisnin kryengritjen në Dibër e Kosovë. Ishin lidhur edhe me Pukën, madje pjesërisht dhe në Jug. Për fat të keq, prej terrorit të madh ishte jashtëzakonisht i vështirë komunikimi dhe nuk u arrit të organizohej një kryengritje e përgjithshme dhe Postriba, me në krye bajraktarin dhe patriotë të tjerë, pa dallim principesh politike u bënë të gjithë bashkë. Njerëz të thjeshtë të Postribës e Shkodrës u çuan me armë për të luftuar”, tregon Hamza Kazazi, i cili numëron mes njerëzve të tij 9 të vrarë dhe 9 të burgosur, me nga 5-22 vite burg. “Persekutimi ishte i tmerrshëm. Nëna ime, grua e re me dy fëmijë, punoi punëtore krahu nëpër ferma e ndërtim. Gjithë rrethi im, gjithë Kazazët, vajzat e reja kanë punuar në punët më të rënda. Kurse unë kam punuar vetëm në fermë. Time më erdhën ta merrnin teksa dergjej me ethe në shtrat. Do ta merrnin me gjithë dyshek, por i shpëtoi internimit me një raport të doktor Shirokës”, thotë ai, teksa kërkon që të gjitha këto të vërteta të thuhen. “Faktet dhe dokumentet nuk na mungojnë”, thotë ai.

Lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore

Lëvizja e Postribës është lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore. Elita e qytetit të Shkodrës, antikomunistët e vërtetë dhe nacionalistët nga fshatrat e Shkodrës kryesisht nga Postriba e “parashikuan” fatin e vendit tonë dhe e kuptuan se çfarë të ardhme mizore do të kishte Shqipëria komuniste diktatoriale, prandaj me shumë dëshirë dhe të bindur morën pjesë në këtë lëvizje që ka vlera të mëdha në planin lokal, kombëtar, politik dhe gjeopolitik. Marrëveshja e Jaltës, për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar ishte një katastrofë e vërtetë në planin politik, ekonomik dhe shoqëror. I gjithë kombi shqiptar pati konseguenca politike e shoqërore. Kosova u bë pjesë e federatës ish-jugosllave dhe Shqipëria dhe shqiptarët të gënjyen nga klika e ardhur në pushtet, vuajtën për 50 vite një prej diktaturave më të egra të njerëzimit. Intelektualë, nacionalistë, ish-tregtarë, njerëz të pafajshëm, përjetuan diktaturën dhe dhunën më të egër në të gjithë Evropën.

Prandaj lëvizja e Postribës ka vlera të padiskutueshme gjeopolitike, politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte lëvizja e atyre që nuk besuan kurrë tek komunizmi internacionalist shqiptar. Sami Repishti për këtë ngjarje është shprehur: “Ushtarakisht lëvizja e 9 shtatorit 1946 ka kenë një akt i guximshëm i papërgatitun. Lëvizja dëshmonte një politikë kriminale që po zbatohej”. Rasim Gjyrezi, Riza Dani dhe Dulo Kali, Paulin Pali për nacionalistët, ishin pjesë shumë e rëndësishme e lëvizjes krahas grupeve të tjera. Këto nacionalistë dhe qytetarë patën vetëdijen dhe e parashikuan se komunizmi në Shqipëri, do të sillte vetëm varfëri dhe krim, prandaj u lidhën me shumë sinqeritet me këtë lëvizje, për të ndikuar sadopak për pengimin e vendosjes të pushtetit komunist dhe diktaturës sllavo-komuniste. Lëvizja nuk ja arriti qëllimit, por ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit. Shqipëria ishe “përcaktuar” të vuante diktaturën 50-vjeçare, falë edhe qeverisjes diktatoriale të Enver Hoxhës dhe përkrahësve të tij. Prandaj Lëvizja e Postribës duhet të marrë vlerat e saj si në planin politik, historik dhe gjeopolitik. Kryengritja e nacionalistëve, elitës së qytetit të Shkodrës dhe e fshatrave përreth, ishte shkëndija e parë për rezistencën antikomuniste jo vetëm tek ne, por në të gjithë Evropën.

Gjeopolitika në rajon ka pas dhe ka një rëndësi të madhe. Fitorja e forcave aleate e vuri Shqipërinë në krahun e fituesve, gjë që u shfrytëzua në formën më kriminale nga regjimi i Enver Hoxhës, duke vrarë elitën dhe shkatërruar vendin në planin ekonomik, shoqëror dhe shpirtëror. Sipas marrëveshjes së Jaltës, Shqipëria ra nën thundrën komuniste 50-vjeçare, dhe Kosova u la si pjesë e ish-Jugosllavisë. Pikërisht faktori i jashtëm dhe tradhtia që i bëri klika e Enver Hoxhës Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët, duke e shitur Kosovën tek ish-Jugosllavia titiste, e “parashkruan” në njëfarë mënyre fatin e kryengritjes së Postribës dhe të shumë të dënuarve dhe të pushkatuarve në burgjet ish-komuniste.

Gjyqi i parë, Pretenca e prokurorit

Data:               31/1/1948

Vendi:             Shkodër

Viktimat:         Aprovohet ndeshkimi me vdekje i dhënë prej asaj gjykate kundra: Cin Serreqi nga Shkodra, Bilbil Hajni nga katundi Progonat i Kurveleshit, Xhelal Hardolli nga Shkodra, Dulo Kali nga Shkodra, Gjergj Volaj nga Shkodra

Proces verbal- 25 maj 1947; “I pandehuri Gjergj Volaj tha: Sikurse e kam deponuar edhe në Proçes ashtu edhe para gjyqit, në Prill të vitit 1945 Mons. Thaçi më kishte thanë se në Komitetin e Demokristianes bëjnë pjesë edhe shekullarë (civila) si Cin Serreqi, Ndrek Kaçulini dhe Guljelm Suma dhe në gusht kemi ba nji mbledhje me të gjithë antarët që kanë kenë dakort”. Cin Serreqi thotë se: Nuk asht e vertetë. Deshmitarët e tjerë vazhdojnë, si Dom Nikoll Deda, etj. nje mori faqesh te deshmishe, perballjesh e kundershtishe te pafund qe perfundojne dikur me:

Proces-verbal i Prokurorisë: Shkodër me 25.XI 1947 – Prokurori ushtarak Namik Qemali. Vepra e ketyre dy terroristëve Mons. Volaj e Pader Gurashit nuk mund të merret e ndarë nga e gjithë fushata anti -popullore që ka percaktue Kleri katolik si para luftës duke zënë fill që në kohët e lashta e deri pas luftës e mbas çlirimit. Monsinjor Volaj e Padre Gurashi, D. Ndoc Sahatçija, D. Nikoll Deda, Mons. Thaçi, P. Dajani e P.Fausti, P.Gjon Shllaku etj, kanë qenë elitë e të ashtuquajturës Demokristiane dhe njikohësisht drejtues të Klerit. Kështuqë pllanet që do t’hartonte kjo epiqendër fashiste ishin vije dhe moto per të gjithë antarët e tjerë të kësaj organizate terroriste të krijueme në gjirin e klerit katolik. Këta binin në kontakt direkt me Misionin anglo-amerikan. Në mbledhjen e parë për t’ja arrrijtë këtij qellimi kanë marrë pjesë kuadrot udhëheqëse terroriste të Demokristianes dhe delegacioni i Klerit ka qenë perfaqësuar nga Mons.Volaj , Dom Ndoc Deda, etj. Për Ballin e Legalitetin kanë qenë Cin Serreqi, Guljelm Suma, Pjeter Shan Deda, Caf Dragusha e Ragip Gjyrezi; Për intelektualët: Paulin Pali, Myzafer Pipa e Ragip Meta ndërsa të deleguar nga Tirana për Komitetin Qendror të Organizatës terroriste, Riza Dani. Këtu është diskutuar shkrirja e të gjitha grupeve deri atëherë egzistuese në një të vetme. Gjithashtu janë marrë masa që në te, të marrin pjesë edhe vajzat, për këtë ka punuar Donat Kurti e Sami Repishti ku janë futur Neta Cepi, Neta Baba e shumë vajza tjera shkodrane “të cilat ishin të urdhëruara që për hir të këtij qëllimi të vinin në çmim edhe cvirgjërimin e tyre femror dhe të pranonin të skandalizoheshin”

Shoke gjyqtare: Nuk eshte zor të kuptohet se deri ku arrin poshtërsija e njerëzve të kësaj Organizate me principe të shëmtuara dhe të dobëta. Kjo është edukata e këtyre kërmave të qelbëta. Me këte frymë kurvërimi i përgatiste të rijtë dhe të rejat Pater Donat Kurti. Ata deshën ta transformonin vendin tonë në një bordello Musolinjane.

Për 9 të pandehurit – Dulo Kali, Mons.Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Xhelal Hardoli, Cin Serreqi, Ragip Meta, Osman Haxhija, Shaban Abdullahi, Isa Meta- denimin -ME VDEKJE; Për të pandehurit – Padre Gurashi, Abaz Hysi, Myrto Dani, Jakup Dani me burgim të përjetshëm. Për të pandehurit; Syrja Anamali e Nuh Duli me 20 vjet privim lirije. Për të pandehurit: Sami Rrepishti, Hafiz Derguti, Sulo Kurti e Hajdin Tafa me 15 vjet privim lirije.

Vendimi i Gjykatës

Proces verbal i gjykatës…; Prokurorija Ushtarake e Qarkut Shkodër …me akt akuzën e saj N. 469 dt. 11.XI.1947, i solli për gjykim gjykatës … ProcesVerbal: N’EMER TE POPULLIT – Këshilli i Gjykatës Ushtarake Shkodër me Kryetar Kap. I, Misto Blaci dhe Antarë – Pertef Alizoti e Anastas Koroveshi… Në audiencen publike me dt. 27.XI.1947 ora 16, ditë e ejte në Sallën e Kinema Rozafatit Shkodër. Mbi çështjet penale të rregjistruara me Nr. 459 deri 480 të Radhorit Themeltar për vitin 1947 kundra : Taf Osmani , Nuh Cufi, Tom Ejlli , Abaz Mahmetaj , Hajdar Hajdari, Jakup Alija, Abaz Smajli , Osman Haxhija , Myrto Dani , Shaban Alija , Xhelal Hardolli, Bilbil Hajni , Sulo Selmani , Dulo Kali , Hafiz Musa Derguti, Pater Rrok Gurashi , Mons. Gjergj Volaj, Cin Serreqi, Syrja Anamali , Sami Rrepishti , Ragip Meta, Isa Meta.

Rezulton se…Mons. Gjergj Volaj, i biri i Lazrit dhe i Tones, vj. 43, shqiptar, i vobektë, arësim të lartë, filozofi, teologji, Ipeshkëv, lindur në Shirokë e banues Nënshat, i arrestuar me datën 20.5.1947 i përfaqësuar nga avokat Qemal Shehu akuzuar si inisiator i organizatës Demokristiane që në vjetin 1942 me inisiativen e Klerit katolik reaksionar që kishte udhëzime nga Vatikani e Papa për të bërë ç‘të ishte e mundur që kjo Parti të mobilizonte gjithë Klerin kundër Lëvizjes N.Cl., të grumbullonte dhe organizonte rininë e të gjitha rrethet fetare si Dom Bosko etj…Me inisiativen e Komitetit Qendror të Demokristianes u krijua Komiteti Qarkor me kryetar Mons Thaçin dhe me antarë, Mons.Vinçenc Prendushin, Mons.Bernardin Shllakun, Mons.Frano Gjinin , Mons.Gjergj Volajn, Pater Mati Prendushin, P. Gjovani Fausti, Pjeter Shan Deda, Kel Shan Deda, Ndrek Kaçulini, Zef Haxhija, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Simon Daragjati etj.

Pikë kryesore ishte dështimi i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 duke pasë përfaqesitë e tyre edhe në Kuvendin e Shqipërisë si Riza Dani, Zef Haxhija, Kolë Prela etj…Se ka qenë armik i popullit qyshë në vitin 1930 duke u bërë agjent i fashizmit dhe informator në interesë të Italisë imperialiste për okupacionin e Shqipërisë prej saj…Se okupacionin fashist për të cilin kishte punuar prej kohësh e ka pritur me gëzim të math…Se gjatë luftës N.Cl. ka punuar në favor të fashizmit dhe tradhëtarëve…Se qyshë në vitin 1926 ka qenë një nder figurat me aktivite të Klerit …Se ka qenë inisiator i krijimit dhe organizimit të Partisë Demokristiane të ashtuquajtur Social-Demokrate, një nga antarët më aktiv të Klerit…Se ka ushtruar aktivitet në grumbullimin e forcave reaksionare dhe ka qenë i lidhur ngusht me kriminelët e arratisur…Se si frut i punë së tij u bë i mundur realizimi i perpjekjeve të Llesh Marashit si dhe Lëvizja e 9 Shtatorit…Se është munduar të pengojë reformat e Pushtetit Populor etj…Dhe natyrisht në bazë të gjithë këtyre akuzave:

Vendosi: Dënimin e 8 (tetë) prej tyre Me VDEKJE …

Njoftim: 321/1947 – Gjykatës Ushtarake Shkodër. Gjegje shkreses Suej n. 778 dt,. 10.12.1947- Aprovohet ndeshkimi me vdekje i dhënë prej asaj gjykate kundra: Cin Serreqi nga Shkodra, Bilbil Hajni nga katundi Progonat i Kurveleshit, Xhelal Hardolli nga Shkodra, Dulo Kali nga Shkodra, Gjergj Volaj nga Shkodra…Na njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit – Kryetari Gjykatës Lartë: Major Niko Ceta

Njoftim: Gjykatës së Lartë Ushtarake Tiranë Gjegje shkresës suej N. 264/ 3 ex 47 dt. 30.1.1948…Ju njoftojmë se të dënuarit me vdekje u egzekutuan me datën 3.4.1948, ditën e martë, ora 5.20 paradite dhe fjala e tyre e fundit ka qenë:

Cin Serreqi tha: -Të fala familjes dhe të m’i rrisin fëmijtë.

2-Bilbil Hajni tha: -Ju lutem të m’i jepni të fala Babës, motrës dhe gruas.

Gruaja të vejë te motra në Tiranë. Revolucioni kështu i ka këto punë. Të rrojë Shqipërija!

3-Gjergj Volaj tha: Të m’i thoni shtëpisë se 58 (pesëdhjetetetë) meshët që kam lane pa i thanë të m’i thojnë. Rroftë e përparoftë Shqipnija!

4- Dulo Kali tha: – Rroftë Shqipërija. Dy vajzat të mi martojne dhe fëmijtë të m‘i çojnë në shkollë e mos të bahen si unë budallë.

5- Xhelal Hardolli tha: I thoni familjes që fëmijtë të m’i dërgojnë në shkollë dhe t’i edukojnë mirë që të jenë të aftë për Atdheun. RroftëShqipërija!

Kryetar i Gjykatës Ushtarake Shkodër – Kap.I Misto Bllaci

Lista e personave të vrarë në luftime ose të ekzekutuar në kohë pas shtypjes së “Kryengritjes së Postribës”

Reshit Beqiri – Pushkatuar në vend

Halil Dauti……………………………….

Rexhep Idrizi…………………………

Metush Alia…………………………..

Ibrahim Selimi…………………………

Sylo Gjeta……………………………….

Qazim Rroji……………………………

Sadik Mollja…………………………..

Idriz Ibro…………………………………

Halil Meti…………………………………

Avdi Zeqiri………………………………

Muho Fetahu – (mbytur në tortura)

Ymer Beqiri – (hedhur nga dritarja dhe pushkatuar)

Murat Haxhia

Hajdar Dani

Tish Pashuku

Dedë Pashuku

Ndrekë Pashuku (Vdekur në tortura)

Halit Kazazi

Jup Kazazi – Vetëvrarë në rrethim

Sait Kazazi – ………………………………

Rifat Kopliku

Abdulla agë Kazazi

Osman Kazazi

Rasim Kazazi (Vdekur në burg prej torturash)

Kel Deda

Kolec Deda

Dom Nikollë Deda

Gjush Deda

Pjetër Deda (vetëvrarë në rrethim)

Marie Deda (………………………………)

Riza Dani

Riza Gjylbegu

Qazim Bushati

Xhemal Mlika

Riza Resuli

Virtyt Gjylbegu (Vra/vetëvra në Vloçisht)

Muzafer Pipa (Vdekur në tortura)

Fahri Rusi

Cin Serreqi (Pushkatur në bazë të dënimit me vdekje)

Guliem Suma

Fr. Gjon Pentalia

Kolë Zadrima (Vetëvrasje)

Nuh Oroshi (Vdekur në tortura)

Mustafë Dragusha

Dulo Kali

Simon Derragjati (vra/vetëvra, hedhje nga dritarja e burgut)

Rasim Gjyrezi (vra në rrethim)

Paulin Pali

Kolë Prela

Xhemal Juka (vetëvrare në burg)

Abdyl Hardolli (vra në përpjekje)

(Me rastin e inskenimit të armëve në kishë dhe alibinë për t’i përdorur për Postribën)

Imzot Frano Gjini

At’ Mati Prendushi

Dom Nikollë Deda

At’ Çiprian Nika

Pjerin Kçira (ish-oficer i Sigurimit)

Historia e Postribës

Komuna e Postribës shtrihet në pjesën verilindore të qytetit të Shkodrës, me qendër te Ura e Mesit, e përbërë nga 12 fshatra. Populli i kësaj zone, historikisht përmendet për trimëri, besë, bujari dhe punëdashës. Ura e Mesit është një monument i gjallë kulture e ndërtuar në kohë të Bushatllive. Kalaja e Drishtit është ndërtuar në mesjeten e hershme para sundimit të Venedikut. Rrugë të vjetra të shtruara me kalldrëm e lidhin atë me Shkodrën. Një vend të rëndësishëm zënë banorët e Postribës, në historinë e rrethit të Shkodrës dhe të Shqipërisë. Burrat e Postribës morën pjesë në mbrojtjen e Ulqinit, të prirë prej bajraktarit të Boksit, Tahir Bajraktari. Ato luftuan trup me trup, në mbrojtjen e Shkodrës nga malazes 1912-1914, ku u vra Halil Isufi i Drishtit. Më 1920, në luftën e Koplikut, Adem Haxhia i Boksit, u priu 200 luftëtarëve nga Postriba. Në ditët e pushtimit italian 1939, përsëri princi Adem Haxhia me luftëtare postriborë, priti me pushkë në dorë ushtrinë italiane. Në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë, postribasit kanë vendin dhe kontributin e tyre për Çlirimin e Shqipërisë, sepse si patriotë, luftëtarë të lirisë ato kërkonin çlirimin e Shqipërisë dhe ndërtimin e një shteti demokratik. Por shumë shpejt ashtu si gjithë shqiptarët, por pastriborët më parë se të tjerët e kuptuan mashtrimin e madh komunist, natyrën e tyre antinjerëzore, antidemokratike, antifetare, antiperëndimore dhe iu kundërvunë asaj.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.