GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

6 – Të gatshëm për çdo gjë

Shërbimet izraelite janë prej 70 vitesh ndër më të efiçentët në botë. Dhe vetëm 15 nga 5 mijë aspirantë për agjentë kalojnë përzgjedhjen nëpërmjet një trajnimi shumë të ashpër

“Përmes mashtrimit do të bëjmë luftën”: është motoja e Institutit për Inteligjencën dhe Shërbime Speciale (e njohur më mirë si Mossad) që flet shumë për modus operandi të agjensisë së spiunazhit të Shtetit të Izraelit.

Një strukturë aktive që nga viti 1949 dhe e njohur për guximin dhe efikasitetin e operacioneve të saj. Një mbi të gjitha, gjuetia dhe kapja e kriminelit nazist Adolf Eichmann.

U themelua nga “babai i atdheut” David Ben Gurion (1886-1973), me objektivin për të koordinuar punën e sektorëve të ndryshëm të shërbimeve izraelite, Shin Bet (shërbimi sekret i brendshëm) dhe Aman (inteligjenca ushtarake).

Mossad është i ngarkuar për studimin dhe parandalimin e aktiviteteve që mund të komprometojnë sigurinë kombëtare izraelite dhe raporton drejtpërdrejt te kreu i qeverisë, i cili edhe ëmëron drejtorin e shërbimit.

Kjo është edhe një arsye që shpesh përdoret për qëllime politike dhe në shumë raste ka pasur dorë të lirë, përtej çdo kontrolli.

NJË PUNË JO PËR TË GJITHË

Në të kaluarën, për t’u bërë pjesë e Shërbimit Sekret Izraelit, kërkohej aplikimi në një ambasadë izraelite ose amerikane, ose përmes ushtrisë.

Prej disa vitesh, tani metodat e rekrutimit janë thjeshtuar, duke u hapur edhe për rekrutime online dhe përmes Facebook.

Por, nga ana tjetër, nuk kanë ndryshuar teknikat shumë të vështira të stërvitjes, të cilave u nënshtrohen të ashtuquajturit “katsa”, apo agjentë operativë. Por, përpara se të përballen me këtë stërvitje, kandidatët i nënshtrohen testeve psikofizike për të vlerësuar aftësinë e tyre për vetëkontroll, përqëndrim dhe shpejtësi.

Për të njohur sistemin Mossad është e nevojshme që atë ta tregojë dikush i cili e ka provuar atë në lëkurën e vet. Midis këtyre, francezi me origjinë hebraike Nima Zamar, një ish agjent i cili në 2004 shkroi librin-denoncim “Më duhej të vrisja” (Sperling & Kupfer) dhe që atëherë është detyruar të jetojë me një emër të rremë nga frika e pasojave.

Edhe shtatëdhjetë vjeçari Victor Ostrovsky, gjithashtu ish-agjent, kanadez nga një familje hebreje, i cili në vitet Nëntëdhjetë, së bashku me shkrimtaren Claire Hoy, foli për eksperiencën e tij në një libër-rrëfim të famshëm të titulluar “Nëpërmjet mashtrimit”.

Ostrovsky shpjegon se çdo aspirant katsa thirret në një apartament anonim ku është vendosur një bazë klandestine e Shërbimit ku i nënshtrohet për orë të tëra testeve të ndryshme psiko-aftësuese.

Nëse kalojnë këto teste, pasojnë takime të tjera në të cilat kandidati pyetet për eksperiencat e tij familjare, emocionale dhe të punës. Një nga pyetjet kryesore është: ” A ju duket se vrasja e dikujt për Vendin tuaj është një gjë e keqe?”

Takimet zakonisht zhvillohen për katër muaj, një në tre ditë. Pastaj vjen koha e ekzaminimit të përgjithshëm mjekësor: e nëse edhe fiziku rezulton mirë, faza e rekrutimit mund të konsiderohet e përfunduar.

STËRVITJA

Programi stërvitjes së vërtetë zgjat dy vjet dhe zhvillohet brenda Midrasha, akademia Mossad.

“Instruktorët mësojnë se si duhet punuar nën koperturë, domethënë me një identitet të rremë dhe mund të ndodhë që të kihen tre takime të ndryshme gjatë ditës në të cilat duhet ndryshuar identiteti”, shpjegon Ostrovsky.

 “Shumë kohë pra harxhohet për të praktikuar koperturën, duke kontribuuar praktikisht në ndërtimin e një personaliteti specifik dhe duke e bërë atë të besueshëm gjatë një bisede të ngushtë me agjentë me përvojë. Pas stërvitjes, rishikohet regjistrimi për të zbuluar gabimet e bëra përmes seancave që i ngjajnë atyre vetë-ndërgjegjësuese”.

Pjesa më e madhe e stërvitjes ka të bëjë me përgatitjen mendore për ta mësuar trupin me dhimbje.

“Mësohesh me rezistencën fizike çuar në ekstrem nëpërmjet një sërë ushtrimesh dhe përmes racionimit ushqimor, duke u mjaftuar me disa filxhanë çaj në ditë”, ka treguar Nima Zamar në biografinë e tij.

“I jemi nënshtruar një larjeje të vërtetë të trurit për të mos qenë në gjendje të ndiejmë asnjë emocion dhe në fund kuptojmë energjinë e jashtzakonshme që ka trupi. Ekzistojnë metoda të ndryshme të kondicionimit fizik dhe psikologjik, me metoda specifike frymëmarrjeje që mundësojnë menaxhimin e frikës dhe dhimbjes dhe të optimizimit e rikuperimit kardiak, derisa të arrihet pragu i rezistencës”.

Mësohen teknikat e manipulimit dhe falsifikimit të dokumenteve, por mbi të gjitha mësohet të përdoren armët.

Rregullat e përdorimit nguliten në mënyrë obsesive dhe ndonjëherë të diskutueshme.

“Kur bëhet fjalë për të shtënë, duhet të qëllosh sa më shumë të shtëna në shenjë”, shton Ostrovsky, “dhe duhet harruar gjithçka që kemi mësuar për drejtësinë. Nuk duhet të shqetësohemi nëse ngatërrohet dikush tjetër edhe pa qenë fajtor “.

Por detyra kryesore që i kërkohet një studenti që dëshiron të bëhet agjent është të mësojë se si të rekrutojë informatorë. Çdo katsa duhet të krijojë rrjetin e tij të informacionit me njerëz të besuar, në shumicën e rasteve duke i “blerë”.

Është e qartë se vetëm një pjesë e vogël e të përzgjedhurve arrin të përfundojë kursin e stërvitjes: agjentë të Mossad bëhen mesatarisht, jo më shumë se 15 nga 5 mijë aspierantë.

AGJENTËT MË TË FAMSHËM

Midis atyre që ia kanë dalë ka personazhe që janë bërë simbole të inteligjencës izraelite. Midis tyre Eli Cohen, agjenti që në vitet Gjashtëdhjetë arriti të siguronte – duke u infiltruar nën një identitet të rremë në grupin që kishte kryer grushtin e shtetit baathist në Siri – dokumente shumë sekrete për ushtrinë siriane.

Ky informacion i bëri të mundur Izraelit të pushtonte Golanin gjatë Luftës Gjashtë Ditore, por përfundoi keq për Cohen: Siria u hakmor duke e varur në 1965 në një shesh në Damask.

Ndërsa filmi i famshëm “Münich” i Steven Spielberg (2005) është frymëzuar nga historia e Michael Harari (1927-2014), agjenti që udhëhoqi hakmarrjen e Mossad (në operacionin e emërtuar Zemërimi i Zotit), kundër terroristëve palestinezë të Shtatorit të Zi .

Kryeministri i atëhershëm Golda Meir i besoi detyrën e hakmarrjes për atletët izraelitë të vrarë në Lojërat Olimpike të Mynihut në 1972. Katër vjet më vonë ishte vetë Harari ai që zhvilloi sulmin nga komandot e Tel Avivit i cili çliroi mbi njëqind pengje në aeroportin e Entebbe, në Uganda.

Një figurë tjetër e shquar ka qenë Meir Dagan (1945-2016), kreu i Mossad nga 2002 në 2011 dhe ithtar i “luftës së pisët” kundër programit bërthamor të Iranit.

Nën komandën e tij, Shërbimi Sekret Izraelit ka përjetuar një sezon intrigash, operacionesh të fshehta jashtë shtetit dhe vrasjesh të shënjestruara, me vdekjet misterioze të shkencëtarëve bërthamorë iranianë dhe gjeneralëve sirianë.

Në fund, ka shumë gra që kanë pasur role thelbësore operacionale brenda Mossad. Midis tyre është Shula Cohen, me emrin e koduar “Perla”, e cila që nga fundi i viteve 1940 ishte protagoniste e një operacioni legjendar që shpëtoi mijëra refugjatë hebrenj sirianë dhe irakianë para shpërthimit të Luftës për Pavarësi të Izraelit.

SUKSESE

Në mbi 70 vjet histori, shërbimi sekret izraelit ka arritur shumë suksese dhe disa gabime të dukshme, por që nuk kanë mundur ta dëmtojnë reputacionin për forcën dhe efikasitetin e tij.

Ndër aksionet më të famshme janë ato që lidhen me ndjekjen e kriminelëve nazistë, nga rrëmbimi i Adolf Eichmann në Argjentinë në 1960 në vrasjen – pesë vjet më vonë – të ish aviatorit Leton Herberts Cukurs, autor i krimeve kundër njerëzimit në dëm të popullit hebre.

Në vitin 1956 Mossad arriti madje të përgjonte edhe fjalimin e fshehtë me të cilin Nikita Hrushovi denoncoi krimet e Stalinit. Pastaj ia kaloi atë Uashingtonit duke provokuar një siklet të kuptueshëm në Moskë.

Në Lindjen e Mesme, lista e aksioneve më të famshme është e pafund, duke filluar me operacionin e lartpërmendur Zemërimi i Zotit e duke vazhduar me sabotimin e programit raketor egjiptian (1962) deri në vrasjen në 1972 të poetit palestinez Ghassan Kanafani, zëdhënës i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, për të marrë hak për masakrën në aeroportin e Lodit, 30 maj 1972. Ai u vra gjatë një sulmi në Bejrut bashkë me vajzën e tij.

Dhe më tej: në Siri vritet më 2008 një nga udhëheqësit e Hezbollahut libanez, Imad Mughniyah, ndërsa tre vjet më parë, në Gaza, agjentët e Mossad vranë Sheik Ahmed Yassin, udhëheqësin shpirtëror i Hamasit.

…POR EDHE DËSHTIME

Në një raport të kohëve të fundit, i brendshëm i Mossad, renditen dështimet më të bujshme nëpër vite.

Një nga më të njohurit është dështimi për të kapur nazistin Josef Mengele, i ndjekur për shumë kohë që shpëtoi për pak nga mbytja në një plazh brazilian.

Në Bolivi dështoi edhe gjuetia për një tjetër ish- nazist, Walter Rauff, inxhinier i cili kishte projektuar dhomat lëvizëse të gazit.

Një tjetër epic fail ishte çështja Lillehammer e vitit 1973, kur agjentët e Mossad vranë kamerierin marok Ahmed Bouchiki, duke e ngatërruar atë për Ali Hassan Salameh, një nga krerët e Shtatorit të Zi.

Identikiti

Mossad e ka qendrën në një ndërtesë gjigante në Tel Aviv dhe vlerësohet të ketë rreth 1.200 të punësuar, të ndarë në tetë departamente, midis të cilëve një i dedikuar posaçërisht për luftën psikologjike.

Departamenti më i famshëm është Special Operation Division (në hebraisht “Metsada”), të cilit i janë besuar misionet më të ndjeshme dhe më sekrete.

Mossadi është zyrtarisht një shërbim “civil” dhe për këtë arsye nuk përdor grada ushtarake, edhe pse për operacionet më të rëndësishme ndonjëherë rekruton anëtarë të zgjedhur të ushtrisë.

Në shërbim të shtetit të ri

1949 – David Ben Gurion themelon Mossadin.

1951 – Mossad bën pjesë në zyrën e kryeministrit izraelit.

1960 – Kapja e kriminelit nazist Adolf Eichmann.

1962 – 64 Sabotimi i programit të raketave Egjiptiane (operacioni Damocles).

1965 – Kapja dhe vrasja e kriminelit të luftës, letonezit Herberts Cukurs.

1972 – Operacioni Zemërimi i Zotit. Do të çojë në vrasjen e udhëheqësve të Shtatorit të Zi.

1973 – Ahmed Bouchiki ngatërrohet me një terrorist dhe vritet.

1977 – Kryeministri Begini urdhëron kapjen e Josef Mengele. Plani dështon.

1986 – Rrëmbimi i Mordechai Vanunu: zbuloi sekretet bërthamore të Izraelit.

2001 – Mossadi paralajmëron CIA dhe FBI për një sulm të afërt (Kullat Binjake).

2018 – Mossad vjedh mijëra dokumente mbi programin bërthamor të Iranit.

Vijon nga pjesa e pestë

Pjesa e shtatë

Ju gjithashtu mund të pëlqeni