O e bukura MORE
Cë kur të lje (lashë)
Më nigjë të pe
Atje ku unë zotin-tatë
Atje kam u mëmën time
Atje ku u tim vëlla
‘O e bukura More
Cë kur të lje (lashë)
Më nigje të pe
Kjo këngë mërgimi, kaq e njohur dhe e dashur jo vetëm për arbëreshët, por edhe për arvanitët e Greqisë dhe shqiptarët e të gjitha trevave, përmban në vetvete pothuajse gjithë sekretin historik të krijimit të fshatrave të arbëreshëve të Italisë.
Por pak e dinë se kujt i kushtohet…!
MORE! –
është një pasthirrmë…?
është një vajzë e bukur…?
Jo!
MORE, – është Peloponezi i sotëm i Greqisë! Një trevë e madhe të cilës grekët i kanë ndryshuar emrin nga MORE në PELOPONEZ, dhe kënga “MOJ E BUKURA MORE”, memorizon kujtesën dhe mallin e një atdheu të humbur, ëhtë një toponim i këtij vendi nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë.
Kjo është ndoshta kënga më e vjetër shqiptare që ka mbetur e gjallë akoma edhe në ditët tona e që vjen të na rrëfejë nostalgjinë e madhe, por edhe sekretin historik të krijimit të komunitetit arbëresh të Italisë.
I vetmi dokument i kësaj kënge për herë të parë është materiali që gjendet në librin e shkruar nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), në vitin 1886.
Në këtë libër është publikuar për herë të parë teksti i kësaj kënge i shkruar në shqip por me alfabet grek.
Teksti burimor-popullor me ritëm tresh është i vetmi version dhe teksti origjinal i “O E BUKURA MORE”, por nuk dihet se cili arbëresh i këndoi për herë të parë këto vargje kaq të thjeshta por që mbetën gjallë dhe këndohen po me të njejtën dhimbje edhe sot.
Botimi i këtij libri u realizua në Itali më 1866 nga shtëpia botuese “F. Albergueti E.C.”. ai ka si titull “Appendice al Saggio di Grammatologia Comprata sulla Lingua Albanese”, i përgatitur me shumë kujdes nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda.
Largimi
Por si dhe pse arbëreshët e sotëm u larguan nga trojet e tyre, nga Moreja (Peloponezi sot) dhe nga Arbëria (Shqipëria sot), si u krijuan fshatrat arbëreshe në Italinë e Jugut?
Me rënien dhe pushtimin e Koronit (1534), kala që ndodhet edhe sot e kësaj dite në More (Peloponezi i sotëm në Greqi) perandori Karli i Tretë i dha urdhër kapitenit Andrea Doria të marrë grekët dhe arvanit-arbërorët nga Moreja e t’i çojë ata në Italinë e Jugut.
Kjo përbën edhe fillimin e krijimit të fshatrave arbëreshë, por edhe greqishtfolës të Italisë së Jugut. Në këto momente të shpërnguljes, arbëreshët kënduan ndoshta për herë të parë këngën “O E BUKURA MORE” me mall dhe vajtim.
Shqiptarët e parë që vinin nga Arbëria-Shqipëria sot – u vendosën në Kalabri dhe në Sicili, pas ftesës së mbretit Alfonso të Aragonës, bëhet fjalë për luftëtarë shqiptarë, të cilët u vendosën përfundimisht dhe me familjet e tyre në Sicili për të ndihmuar përforcimin luftarak të Mbretit Alfonso në përpjekjet e tij për të shuar revoltat dhe lëvizjet e Andegavnonit kundër tij. Pra krijimi i këtyre fshatrave kishte karakter ushtarak.
Skënderbeu
Në vitin 1461, vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Kryezot dhe i Plotfuqishëm i Arbërisë (Shqipërisë sot), me një trupë të madhe dhe të fortë luftëtarësh shqiptarë, do të luftonte në përkrahje të Ferdinandit, djalit të mbretit Alfonso kundër Andegavnonit të Italisë së Jugut dhe princit të Torontos, dhe për këtë ndihmë e përkrahje ushtarake si shpërblim atij ju dhuruan dy feude në Pulje të Italisë.
Kjo popullatë e pasuroi dhe e populloi pjesën e shkretuar të kësaj zone si dhe e rrethoi atë ushtarakisht, duke krijuar në këtë mënyrë një pjesë territoriale të mbrojtur.
Pak para vdekjes së Skënderbeut (1467) por kryesisht pas vdekjes së tij (1468) dhe rënies dhe pushtimit të krujës nga turqit (1478), një numër i madh shqiptarësh, në kushte dramatike, do të largoheshin për në Itali dhe do të vendoseshin në fshatrat tashmë të ngritura shqiptare, duke krijuar njëkohësisht edhe fshatra të reja.
Të tjerë shqiptarë u vendosën në Italinë e Jugut me bekimin e Skënderbeut si dhe të djalit të tij Joanit në dy feudet e Puljas, që i pati dhuruar Ferdinando në Galatina (1845).
Një pjesë tjetër shqiptarësh ndoqën Irini Kastriotin, e cila u martua me princin Bisingano në Kalabri. Numri i kësaj popullate duhet të ketë qenë shumë i madh pasi krijoi një zonë të tërë, të vetme, me një fizionomi gjuhësore, kulturore dhe tradicionale, duke krijuar kështu fshatrat e sotëm arbëreshë të Italisë.
Shqiptarët katolikë të ardhur nga Shqipëria e Veriut, e që u vendosën në Italinë e Jugut, u përshtatën shpejt me gjuhën, kulturën dhe fenë e vendasve italianë, ndërsa shqiptarët që ishin shpërngulur nga Shqipëria e Jugut dhe arvanitët-arbërorë të Moresë, që nuk ishin të besimit katolik, por ortodoks, pavarësisht kundërshtimeve dhe imponimeve të peshkopëve vendas italianë, ruajtën të veçantat e kulturës dhe të zakoneve të tyre, si dhe fenë dhe ritualin ortodoks bizantin, dallimi i të cilëve duket edhe sot e kësaj dite, duke bërë që besimi fetar t’i dallojë ata nga vendasit.
Gjuha
Gjuha e arbëreshëve të Italisë ka shumë ngjyrime dialektike, por si bazë ka dialektin tosk që flitet në Shqipërinë e Jugut dhe me të njejtën ngjashmëri të gjuhës që flasin arvanitët-arbërorë të Greqisë. Prezenca e fjalëve greke ndodh për shkak të kohës së gjatë të bashkëjetesës së tyre me grekët nën perandorinë bizantine.
Shumë prej këngëve arbëreshe përputhet me Morenë dhe shumë toponime të tjera në këto zona sikurse janë Koroni, Nafplio, Korintho…, etj.
Sot, koha dhe ndryshimet e shumta kanë bërë të tyren dhe në mënyrë të pashmangshme ka ecur përpara, por nuk kanë mundur të zhdukin këtë të veçantë që ka ky minoritet shqiptarësh arbëreshë me gjuhën, traditat, kulturën, zakonet dhe legjendat e tyre, duke përbërë kështu një pasuri të çmuar për turizmin laografik të këtyre zonave. / Përgatitur nga Lirio Nushi