Në gusht zjarret filluan të kafshojnë Pyjet e shiut të Amazonës dhe, ndërsa gjithnjë e më shumë bimësi tropikale shkatërrohet, lind një pyetje: a do të shndërrohet ekosistemi amazonian në një hapësirë shterpë pa jetë?
Në gusht lajmet për zjarre në Pyjet e shiut Amazonike u përhapën në të gjithë botën: zonave të mëdha iu vu zjarri për t’i hapur rrugë kultivimit të mekanizuar. Shifrat e dhëna bëjnë që t’u ngrihen qimet e flokëve përpjetë të gjithë atyre që kanë në zemër fatin e Planetit: gjatë tetë muajt e parë të 2019-ës, në Brazil ka patur 50 mijë zjarre, 84 përqind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Nëse do të vazhdonin me këtë ritëm, i gjithë ekosistemi i pyjeve të shiut do të rrezikohej. Pylli Amazonik nuk është në gjendje të menaxhojë një situatë të tillë. Në dallim nga ekosistemet e tjera si p.sh. savana afrikane, ku zjarret janë të shpeshta, një pyll shiu është thjesht shumë i lagësht për të mundë të marrë zjarr në një mënyrë natyrale: zjarret në këto vende mund të ndizen vetëm nga dora e njeriut.
Sidoqoftë, jo të gjitha zjarret në Amazon janë të paligjshëm: në disa shtete, pronarët e tokave mund të kërkojnë leje për të pastruar deri në 20 përqind të pronës së tyre për të bërë rrugë për të lashtat, ndërtimet ose minierat. Në këtë rast, prirën një numër pemësh dhe lihen të thahen në diell derisa, pas disa javësh, ato të thahen mjaftueshëm për t’u djegur. Por megjithëse këtë vit disa shtete në Brazil – përfshirë edhe atë të Amazonas – e kanë bërë të paligjshëm këtë metodë të shpyllëzimit, zjarret nuk janë ndalur.
STUHI NË SHKRETËTIRË
Në kohën e shkrimit të kësaj analize, Instituti Kombëtar Brazilian për Kërkime në Hapësirë (INPE) kishte regjistruar 197.386 zjarre në Amerikën e Jugut që nga fillimi i 2019-ës, gjysma e të cilave në Pyllin e Amazonës. Esquivel-Muelbert, një ekolog nga Universiteti i Birmingham i cili studion efektet e ndryshimit të klimës në pyje, veçanërisht në Brazil, vendin e tij të origjinës, thotë se zjarri është përdorur për të nivelizuar plotësisht tokën, duke e zvogëluar atë në një hapësirë boshe ku mund të përdoren me lehtësi makineritë e mëdha bujqësore: “Pylli kërkon disa vjet për tu rikuperuar nga thatësira, edhe pse pemët e reja që zëvendësojnë ato të prera janë ndonjëherë të llojeve të ndryshme me ato të mëparshme. Por, aty ku shkon zjarri, shkatërrimi është total”.
Është një rreth vicioz: sa më shumë pemë shuhen, aq atmosfera rreth e qark bëhet më e ngrohtë dhe më e thatë. “Për momentin, pylli i shiut formon një lloj tende të dendur bimësie,” vazhdon ekologu, “e cili mbron pemët dhe i mban ato nën hije. Kur një pjesë e saj shkatërrohet, hapësira e zbrazët zgjerohet dhe mund të hyjë shumë më shumë drita e diellit, e cila në tropik është shumë e nxehtë”.
Sa më shumë që cikli përsëritet, aq më shumë pylli në shtetin e Amazonas rrezikon të zhduket. Sipas disave, tashmë jemi gjithnjë e më shumë afër “pikës së moskthimit” përtej së cilës pylli do të shndërrohet në mënyrë të pashmangshme në një hapësirë të thatë, një proces që mediat e kanë quajtur “shkretëtirizim”. “Në të vërtetë do të duhej të flasim për savanifikim,” siguron Esquivel-Muelbert. “Nëse shpyllëzimi do të rritet më tej, klima e pyjeve të shiut mund të modifikohet, duke u bërë më pak e favorshme për speciet vegjetale të tropikut dhe më shumë për ato tipike të savanës. Përtej pikës së moskthimit, vetë Amazonia do të shndërrohej në një savanë”.
Nëse kjo do të ndodhte, nuk do të ishte thjesht një humbje tragjike për sa i përket biodiversitetit të kafshëve dhe bimëve: fakti është që një savanaë e shpërndan karbonin në mënyrë shumë më pak efektive sesa një pyll shiu. Pika e moskthimit për të cilën kemi folur është vetëm një hipotezë, saktëson Esquivel-Muelbert, por kërkimet japin sinjale gjithnjë e më pak inkurajuese:
“Jemi duke përjetuar një ndryshim në speciet e pranishme. Thatësira rrit vdekshmërinë midis bimëve që preferojnë kushtet tipike të një pylli shiu, duke favorizuar ato më rezistente ndaj mungesës së ujit, më të përshtatshme për klimën e re”.
Pra, sa mbetet ende për të arritut në këtë “pikë pa kthim”? Fatkeqësisht, është një fakt shkencor që është e vështirë të parashikohet. “Do të varet nga sa mirë do të mund ta mbrojmë pyllin”, vazhdon ekologu. “Është e nevojshme të veprohet menjëherë për të parandaluar shkallët e larta të vdekshmërisë së reshjeve dhe të ndryshohet trajektorja aktuale e ngjarjeve”.
Gjendja e pyllit të shiut është me interes për të gjithë botën, shpjegon Shanan Peter, gjeoshkencëtar i Universitetit të Iscustin-Madison, jo vetëm për oksigjenin që prodhon, por edhe për dioksidin e karbonit që thith: “Përcaktimi i Amazonës si ‘mushkëria e Planetit’ është të paktën pjesërisht mashtruese, sepse në fakt ne mund ta digjnim të gjithë barin dhe bimët e Tokës dhe të mos e mbarojmë oksigjenin edhe për shumë gjenerata njerëzore akoma. Por shkatërruese për ne do të ishte rritja e menjëhershme e dioksidit të karbonit. Historia e asaj që po ndodh tani në Amazonas, nga këndvështrimi im, shihet në mënyrë të përsosur nga ndikimi në dioksidin e karbonit në atmosferë. Zjarret në pyjet e shiut vetëm sa e përkeqësojnë krizën e klimës”.
“Më duket e qartë se zjarret e këtij viti kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me retorikën presidenciale,” konkludon Esquivel-Muelbert duke iu referuar politikave mjedisore të presidentit brazilian Jair Bolsonaro, i cili është akuzuar se nuk e mbron pyllin.
“Megjithatë, në një farë mënyre jemi të gjithë përgjegjës. Edhe ajo që ne bëjmë në Evropë ka ndikim në atë që po ndodh në Amazonë: për ta kuptuar, mjafton të merret parasysh fakti që ajo që ne konsumojmë vjen shpesh nga fermat amazonike… I gjithë komuniteti global duhet të kuptojë se duke ndihmuar në ruajtjen e asaj që mbetet nga pyjet e shiut është detyrë e të gjithëve ”.
Materiali është përgatitur nga stafi i GT