Abdi BALETA – Vështrim politologjik mbi “Triumfin e Legalitetit”
“Triumfi i Legalitetit” i 24 Dhjetorit të vitit 1924 përfaqëson një ngjarje të veçantë që ka zënë vend në historinë moderne të Shqipërisë me emrin e tij shumë domethënës.
Gjithashtu “Triumfi i Legalitetit” evokon natyrshëm kujtimin e veprës madhore të prijësit të këtij Triumfi: kryetriumfatorit; politikanit djaloshar Ahmet Zogu; Mbretit të ardhëshëm dhe burrë-shtetit më të shquar të shqiptarëve.
Ngjarjet më të mëdha në historinë e kombeve e të shteteve mbeten përjetësisht në kujtesën kombëtare dhe bëhen vazhdimisht objekt studimi dhe reflektimi në epokat e mëvonshme. Këto ngjarje mund të shndërrohen në tabu e të hyjnë në mitologjinë kombëtare, siç ndodh me historinë e bëmat e kohës së Skënderbeut… Ato mund të mbeten për shumë kohë arë, livadh apo fushë beteje e historiografisë, siç ngjet me zhvillimet historike pas luftrave skënderbegiane, por mund të mbeten njëkohësisht objekt pune i historiografisë, politologjisë, madje edhe të politikës e propagandës së përditshme, si zhvillimet që kanë shoqëruar hapat për ngritjen e konsolidimin e shtetit shqiptar qysh nga viti 1912.
Veprimtaria e Ahmet Zogut është ende një objekt studimi për të gjitha disiplinat, por është edhe fushë beteje e luftës së përditshme politike e propagandistike.
Për të gjitha këto është shkruar shumë deri tani, por ende jo sa duhet e si duhet. Më shumë dhe me përgjegjësi e seriozitet më të madh kanë shkruar të huajt, sesa kanë shkruar vetë shqiptarët.
Në botimet shqiptare, krahas librave me vlerësime admiruese, sikurse ato të Kristo Dakos e Terenc Toçit, ka patur edhe shkrime të vlefshme, ku nuk mungojnë mospajtime apo kritika dobiprurëse, sikurse kujtimet e Sejfi Vllamasit e të Eqerem bej Vlorës.
Të huajt si Suajër, Bershtejn dhe Grant kanë bërë punë të madhe për të ndriçuar jo vetëm lexuesit në vendet e tyre, por edhe vetë shqiptarët. Mund të mendohej se pas librit të plotë të Suajërit “Ngritja e një mbretërie”, lexuesve në gjuhën angleze nuk u duhej më libër tjetër. Por nuk ka menduar kështu Bernd J. Fisher, i cili në vitin 1984 ka botuar në SHBA studimin e plotë “Mbreti Zog dhe përpjekjet për stabilitet në Shqipëri”, apo Xheison Toms, që në vitin 2003 ka botuar në Angli një studim gjithashtu të plotë, titulluar “Mbreti Zog që u bë vetë monark i Shqipërisë”.
Në Francë, Zhozefinë Dëdet botoi në vitin 1997 librin “Geraldina – mbretëresha e shqiptarëve”, që është një vepër që na e bën të njohur Mbretin nëpërmjet rrëfimeve të Mbretëreshës, njeriut që askush më mirë se ajo nuk mund t’ua shpjegonte shqiptarëve atë që duhej të dinin.
Libri i titulluar “Mbreti Zog”, është një tjetër libër i botuar vitet e fundit në Francë, dhe ka për autor Patris Najbor-in.
Më defiçitarë janë ende studiuesit tanë, ndaj dhe jo rastësisht shqiptarët mbeten ende nën ndikimin e asaj literature propagandistike shpërfytyruese të realitetit, që është prodhuar pa ndërprerje nga të gjithë kundërshtarët e veprimtarisë së Zogut.
Solemniteti përkujtimor i “Triumfit të Legalitetit” na imponon më shumë një vështrim politologjik sesa një analizë të mirëfilltë politike të kuptimit dhe të rëndësisë që ka për të sotmen trashëgimia politike e vetë “Triumfit të Legalitetit” si ngjarje me rëndësi madhore. Veçse duhet pranuar se është e pamundur të flitet për të pa menduar për zhvillimet aktuale, sepse e shkuara dhe e sotmja jonë nuk formojnë thjesht një kurbë historike me ngjitjet dhe zbritjet e saj, por formojnë sot dy vija paralele për ata që duan të ushtrohen në gjimnastikën politike dhe në zanatin e politologjisë, pra në fushën e studimit të veprimit politik.
Për ta bërë më të besueshëm këtë mendim po i referohem një libri shumë interesant me titull “Vlerësimi psikologjik i udhëheqësve politikë”, shkruar nga një grup studiuesish amerikanë, botuar në SHBA në vitin 2003, ku flitet për hendekun midis bashkësive akademike e politike si për vijën ndarëse midis dijes dhe veprimit.
“Ata që bëjnë politikën kanë nevojë për faktorë të veçantë, që t‘i ndihmojnë në marrjen e vendimeve”, thuhet në libër-studimin, ku autorët synojnë që të ngushtohet sa më shumë hendeku midis dijes dhe veprimit. Kuptohet se, sa më shumë të ngushtohet ky hendek, aq më mirë është për politikën.
Nëse politologjia e politika bashkohen në persona konkretë, është edhe më mirë. Por në praktikë kjo nuk është e lehtë.
Referati që mbajti zotëri Bajram Xhafa për “Kushtet historike të Triumfit të Legalitetit”, më çliron mua dhe referuesit e tjerë nga një barrë e rëndë dhe me përgjegjësi profesionale, dhe njëkohësisht e lehtëson shumë punën e dëgjuesit për të vendosur në sfodin dhe kontekstin e duhur e të qartë historik të shtjellimeve në këndvështrim politologjik. Megjithatë mendoj se personalisht nuk i shpëtoj dot nevojës dhe tundimit për të kërkuar ndihmën e historisë edhe në trajtimin politologjik, sepse për të gjetur rrënjët e “Triumfit të Legalitetit” duhet gërmuar thellë në tabanin historik kombëtar, në traditat kombëtare shqiptare dhe në frymën kombëtare. Pa këto nuk do të dilte as ndonjë triumfator sikurse doli Ahmet Zogu, por nuk do të kishte as “Triumf të Legalitetit”.
Pa frymën dhe përvojën politike të Rilindjes Kombëtare nuk do të kishte as Shpallje të Pavarësisë Shqiptare më 1912, as shtet të cunguar shqiptar më 1913, as një rregjistrim të ri të këtij shteti në “regjistrin e gjendjes civile ndërkombëtare” në vitet 1918-1920, dhe as histori të ndërtimit të shtetit shqiptar pas Kongresit të Lushnjës të vitit 1920.
“Triumfi i Legalitetit” duhet parë si një nga ngjarjet më madhore të përpjekjeve të para për vënien e themeleve të shtetit shqiptar.
Termat “Triumfi i Legalitetit” janë vërtetë shumë të goditura për të pasqyruar edhe karakterin e ndodhisë dhe për ta përligjur këtë “Triumf”, por gjithsesi nuk munden ta japin gjithë brendinë e ngjarjes së madhe. Në dhjetor të vitit 1924 nuk ishte fjala vetëm për një vënie në vend të një të drejte të shkelur, pra për një hakmarrje të përligjur të ligjshmërisë mbi paligjshmërinë. Ishte fjala për një veprim politik që duhej bërë për të shpëtuar vendin nga rrëmuja dhe rreziqet që sillte ajo.
Pra “Triumfi i Legalitetit” duhet parë si veprimi që garantoi një të ardhme për shtetin shqiptar. Nuk ishte fjala për një “restaurim burbon”. Ishte, si të themi, “një e keqe e domosdoshme”, por shpëtimtare, që i hapi rrugën të Mirës. Ishte një veprim politik radikal, por shumë i drejtë dhe i ligjshëm, që u imponua nga një veprim politik poaq radikal, por i padrejtë dhe i paligjshëm.
Askush nuk ka arsye të pranueshme që të ngrihet kundër “Triumfit të Legalitetit” në emër të ndonjë parimi që nuk duhet të jetë i vlefshëm për të gjithë. Ata që qëndrojnë vetëm në pozitat se “pushteti duhet të burojë nga populli, i cili duhet të shprehet nëpërmjet votës së lirë”, nuk mund të qortojnë “Triumfin e Legalitetit” pa qortuar më parë “Revolucionin e qershorit”.
Poashtu, ata që ndjekin parimin se “pushteti buron nga gryka e pushkës”, nuk kanë të drejtë të qaraviten për “Triumfin e Legalitetit”, kur kanë bekuar “Revolucionin e qershorit”.
Ndërsa në debatin se cili nga të dy rastet e marrjes së pushtetit sipas parimit “pushteti buron nga gryka e pushkës”, kriter gjykimi duhet të jetë se cila ngjarje ishte në përputhje me logjikën e gjërave, në të Mirën e shtetit shqiptar, si dhe rrjedhojat historike që kanë prodhuar të dyja ngjarjet.
Shpëtimi e konsolidimi i shtetit të cunguar shqiptar doli si shqetësimi kryesor në Kongresin e Lushnjes, në janar të vitit 1920. Pikërisht në këtë Kongres u dallua edhe ai që do të realizonte veprën madhore të “Triumfit të Legalitetit” në vitin 1924, çka shënon njëkohësisht edhe kohën kur u mbushën dhe dolën mbi tokë themelet e dukshëm e të qëndrueshëm të shtetit shqiptar, që deri në atë kohë kishin mbetur si varr i hapur.
Për të karakterizuar atë periudhë të ndërlikuar e të rrezikshme katërvjeçare për ndërtimin e shtetit të parë shqiptar që i parapriu Triumfit të Legalitetit, më mirë t’ua lëmë fjalën atyre që kanë qenë dëshmitarë dhe protagonistë ngjarjesh.
Nga gazeta antizogiste më e tërbuar, “Tema”, në datën 18 dhjetor 2004 kemi mësuar vlerësimin shumë kuptimplotë të Terenc Toçit: “Kombi shqiptar, i dalë nga pavarësia me një etje të shfrenuar për liri, megjithëse krejt të shpjegueshme, ra në gabimet e paevitueshme të popujve të rinj politikisht dhe u hodh në krahët e parlamentarizmit dhe të një kritike gazetareske të pakufi dhe të një tribunizmi të turpshëm”.
Në këndvështrimin historik këto fjalë janë shpjeguese të faktit pse u bë i pashmangshëm një “Triumf i Legalitetit “ në vitin 1924, ndonëse ishte i padëshirueshëm për rrethanat në të cilat ndodhej Shqipëria. Por nga këndvështrimi politologjik këto fjalë janë thirrje për të kuptuar gjendjen e sotme në Shqipëri.
Pas daljes nga diktatura komuniste si skllavi që lirohet nga zinxhirët e rëndë, shqiptarët për fat të keq u zhytën në një vorbull ujërash të turbullta si ajo që përshkruan Terenc Toçi për vitet që i paraprinë “Triumfit të Legalitetit”. Por, le të dëgjojmë dhe një tjetër dëshmitar të kohës dhe vëzhgues shumë të hollë të ngjarjeve, Eqerem bej Vlorën, i cili në librin “Kujtime”, vëllimi II, ka shkruar për figurën dhe veprën e Ahmet Zogut jo nga pozitat e pasuesit fanatik, por të kritikut të ashpër dashamir.
Eqerem bej Vlora thekson se, pas “Triumfit të Legalitetit”, Asambleja Legjislative e vazhdoi punën dhe brenda dy javësh mundi të hartojë një Kushtetutë, e cila, duke shprehur parimet republikane dhe liberale, bënte njëkohësisht të pamundur rikthimin e shthurësisë masono-demokratike”, (fq,249).
“Triumfi i Legalitetit” nuk duhet të jetë pra thesar politik vetëm i monarkistëve, por edhe i shqiptarëve me ndjenja republikane. Madje shqiptarët me ndjenja republikane, të paktën në këtë aspekt, duhet ta nderojnë e përkujtojnë ngjarjen e “Triumfit të Legalitetit” edhe më shumë sesa monarkistët, që ditë të shenjtë kanë 1 shtatorin e vitit 1928.
“Triumfi i Legalitetit” për herë të parë çoi në eksperimentimin e formës së regjimit republikan, me kushtetutë republikane në Shqipëri, që edhe pse u braktis për një formë më të mirë, nuk doli e dështuar. Por për shkak të armiqësive politike partiake, më vonë shqiptarët republikanë e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë ngjarjen e “Triumfit të Legalitetit” si anën e kundërt të medaljes politike që ata kanë dashur e duan të mbajnë varur në qafë.
Edhe fakti që një jubile i 80 vjetorit të “Triumfit të Legalitetit” përkujtohet më shumë si pasuri e një kampi politik sesa një trashëgimi e përbashkët politiko-historike e mbarë shtetarizmit shqiptar, është dëshmi se ende nuk është kuptuar dhe nuk është çmuar si duhet domethënia historike dhe rëndësia e tanishme e “Triumfit të Legalitetit”, porse edhe kjo ngjarje është futur në kallëpet e kundërshtive dhe kundërvënieve “fitimtar – i mundur” në dy ndeshjet e mëdha të vitit 1924 dhe të vijimësisë së tyre politike dhe ideologjike të derisotshme.
Normale do të ishte që sot ne të mos ishim të ftuar vetëm në një përkujtimore të një partie që mban emrin “Lëvizja e Legalitetit”, por në një ceremoni shtetërore.
Secili e ka të qartë përse nuk ndodh kështu në kohën e pushtetit neo-socialist, i cili në këtë pikë më shumë se në çdo drejtim vazhdon traditën e atij pushteti socialist enverist. Por nuk bën të harrojmë gjithashtu se edhe në kohën kur Shqipëria kishte një pushtet të emërtuar demokratik në vitet 1992-1997, “Triumfi i Legalitetit” nuk është vlerësuar më ndryshe se tani. Madje për fat të keq në vitin 1994 ka ndodhur ajo që nuk duhej të ndodhte: është kremtuar në rrugë shtetërore, me bujë më të madhe e në mënyrë më sfiduese se në kohën e Enverit, bash 70-vjetori i “Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924”.
Presidenti i atëhershëm Berisha, dhe drejtuesit e tjerë të PD-së bënë ceremonira e mbajtën fjalime aq patetike për Revolucionin Nolist të Qershorit athua se kishte ndodhur që ky revolucion, dhe jo “Triumfi i Legalitetit”, të ishin lënë në harresë ose denigruar gjatë gjysëm shekulli nga regjimi komunist.
Këto festime i vunë përfundimisht vulën një fermani politik se rivaliteti partiak për pushtet në Shqipërinë paskomuniste zhvillohej kryesisht nën hijen e Nolizmit, shkaktarit dhe antipodit të “Triumfit të Legalitetit” në vitin 1924 e deri më sot. Kështuqë, edhe në spektrin e gjerë partiak që u krijua pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, mbizotërues mbeti Nolizmi, pra ajo rrymë mendimi e veprimi politik që çoi në përplasjet e vitit 1924, prandaj dhe vlera praktike e “Triumfit të Legalitetit” u reduktua më shumë në lejimin dhe shprehjen e nostalgjive për atë ngjarje.
Në njëfarë mase, për shkak të konjukturave që u krijuan në ballafaqimet për pushtet-marrje dhe për pushtet-lënie, edhe nostalgjitë për “Triumfin e Legalitetit” u zbehën dhe rrodhën në një vijë uji për vaditjen e arës politike të Nolizmit në Shqipëri. Prandaj çdo përkujtim për “Triumfin e Legalitetit” nuk mund të dalë jashtë lojës me dritë-hijet që është bërë e bëhet me ngjarjet e vitit 1924 për hir dhe në raport me qëllimett politike aktuale në Shqipëri.
Ballafaqimi midis trashëgimisë politike të “Revolucionit të Qershorit” dhe “Triumfit të Legalitetit”, nuk e ka humbur dinamikën e vet acaruese as në vitin 2004, madje pëplasjet janë me të dy krahët e politikës që pretendojnë për hegjemoni në politikën aktuale shqiptare: pra edhe me të Majtën që përpiqet te jetë edhe pakëz e Djathtë, por edhe me pseudo të Djathtën që përfaqësohet nga “kampi i PD-së”, dhe që mundohet të fshehë majtizmin e saj.
Më mirë se në çdo rast tjetër, këtë dinamikë të karikuar rishtas me shumë inat pas krijimit të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK) të drejtuar nga Mbreti Leka i Parë, e pamë të shpalosur në gazetën berishiane “Tema” në dhjetë shkrime me radhë me titullin provokues “Leka Zogu, karikatura e Simeonit II: forca e tretë, si kolonë pestë”, dhe me një përmbajtje që, përveç perversitetit politik që përhapet nëpërmjet vrasësish me pagesë në publicistikë, nuk ofron asgjë për qytetarin shqiptar.
Ky provokim i kryer në emër të “mbrojtjes të së Djathës” në Shqipëri nga një “kolonë e pestë” zoriste, ka vlerë vetëm për të ilustruar idenë që përplasja e trashëgimisë së “Triumfit të Legalitetit” me Nolizmin është e ashpër.
Është hera e tretë që në historinë e botimeve shqiptare për luftë kundër rolit dhe veprimtarisë së Ahmet Zogu vihen në qarkullim botime kaq banale e të pështira. Unë personalisht, të parën quaj atë broshurën që botoi Koço Tasi në Athinë në mesin e viteve 1930, që u bë njëfarë katalogu, apo doracaku i shpifjeve dhe fyerjeve kundër Ahmet Zogut midis emigrantëve para LDB, dhe i propagandës komuniste pas saj. Të dytën do të quaj shkrimin “Lugati i Legalitetit” i Prof. Dr. Kris Malokit, botuar në mërgim në vitet 1950 dhe ribotuar në revistën e intelektualëve katolikë “Feniks” në Shkodër, në numrat 5-6, në vitin 1998. Përshtypja ime është se ky lloj botimi ka synuar të ripërtërijë atë mllef që ka ekzistuar kundër “Triumfit të Legalitetit” për shkak se, krahas Nolit, në vitin 1924 ka vepruar edhe Luigj Gurakuqi.
Ndërsa sulmi i tretë që është bërë në gazetën “Tema” në shtator-tetor 2004, është një amalgamë e dy lloj sulmeve të mëparshme, por gjithnjë në linjën Noli-Gurakuqi dhe Tasi-Maloki, duke shtuar këtu edhe një shpërthim zemërimi për motive meskine hakmarrjeje politike dhe provokimi politik në frymë komuniste dhe neokomuniste, që gatuhet në shtabet propagandistike që qëndrojnë pas gazetës ‘Tema”.
Ende nuk më takon mua të merrem gjerësisht me këtë kombinim sulmesh, sidomos me poshtërsinë e bërë në gazetën “Tema”, ndonëse kam qenë i detyruar të shkruaj diçka për të mos ia dhënë askujt kënaqësinë e heshtjes për “Intrigat e pigmejve të irrituar nga disniveli i madh i staturës që i dallonte prej Kryeministrit të ri (Ahmet Zogu), të cilët futën mosmarrëveshjet deri në mesin e kabinetit”, (sikurse ka shkruar Terenc Toçi).
Pigmejtë e sotëm politikë e propagandistikë, qofshin edhe me tituj shkencorë e në poste të larta partiake, e që në faqet e “Temës” kanë lëshuar helmin e tyre kundër rolit tim të paqenë në Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, janë shumë më mjeranë se pigmejtë për të cilët fliste Terenc Toçi. Dhe kjo jo vetëm për shkak të staturës së tyre politike para nismëtarit të LZHK, por edhe për faktin se mania e tyre për të provokuar gjithandej grindje në politikën shqiptare, i ka bërë tashmë qesharakë.
Për të qenë sa më i qartë në këtë pikë kam bërë një polemikë dashamirëse edhe me kryeredaktorin e “Bota Sot”, Skënder Buçpapa, që ka trajtuar çështjen se “Zogizmi nuk është antiberishizëm”. Duke qenë i një mendjeje me të në këtë pikë, kam parashtruar arsyet e mia se përse mendoj se “Berishizmi është antizogizëm”. Këtë vlerësim e mbështes në radhë të parë në sulmet që Berisha bëri në vitin 1991 kundër Naltmadhnisë Leka i Parë, të cilin e cilësoi si diktatorin që do të vendoste Millosheviçi në Shqipëri, nëse do ta kishte në dorë këtë mundësi!!! Por e mbështes edhe në qëndrimin e pafalshëm të Berishës në vitin 1993, kur trashëgimtari i Fronit (Mbreti Leka i Parë) shkeli për herë të parë në atdhe, si dhe në thirrjen e Berishës drejtuar Kongresit të PLL në vitin 1996, që ky kongres të braktiste trashëgiminë zogiste, të cilën Berisha e gjykonte me frymë të theksuar Noliste.
Por “Tema”, së fundi na ka konfirmuar edhe se Berishizmi mbetet në këto pozita për fat të keq, prandaj kremtimi madhështor e glorifikues i “Revolucionuit të Qershorit” i vitin 1994 nuk ka qenë lajthitje, por politikë e llogaritur. Ndërsa disa kthesa të pjesshme në drejtim të vlerësimit të Zogizmit, kanë qenë taktizime.
Ka edhe tani “intriga pigmejsh” kundër figurës dhe veprës së Ahmet Zogut e të trashëgimtarit të Tij, bash nga ata që Zogizmin sot duan ta shndërrojnë veçse në karburant dhe në rezervë politike për luftën brenda rrymës politike të Nolizmit, që tashmë është degëzuar në të dy krahët e spektrit politik aktual.
Qysh nga viti 1990, në Shqipëri vazhdon e njëjta gjendje si ajo që përshkruan Terenc Toçi për katër vitet 1920-1924. Madje gjatë kësaj periudhe, sidomos pas vitit 1997, në Shqipëri ekziston edhe njëfarë gjendjeje e ngjashme me atë që Eqerem bej Vlora e cilëson “shthurësi masono-demokratike”. A nuk është bërë Shqipëria parcelë për eksperimente ndërkombëtare të “Shoqërisë së Hapur”, që ka çuar në një pseudoshtet të dyerve të shqyera?
Me këtë rast dua të bashkohem me të gjitha paralajmërimet që ka lëshuar me shumë shqetësim Naltmadhnia Leka i Parë, sipas të cilit jemi në prag të humbjes së plotë të fizionomisë së shtetit sovran shqiptar. Madje mendoj se në disa drejtime jemi edhe më keq se në periudhën e “shthurësisë masono-demokratike” që i paraprinte “Triumfit të Legalitetit”.
Këto shqetësime në vijën e politologjisë e të mendimit politik, janë sigurisht të pamjaftueshme deri në çastin kur ato nuk do të konkretizohen me veprim të fuqishëm politik. Dhe kjo shpjegon se përse vlerat historike të “Triumfit të Legalitetit” marrin më shumë kuptim e rëndësi tani.
Në kushtet e “shthurësisë masono-demokratike” të viteve 1920-1924 u kristalizuan dhe vepruan dy prirje kryesore të mendimit dhe veprimit politik: njëra prirje me veshje sociale teatrale dhe e karakterizuar më shumë nga aventurizmi politik, nga përgjegjësia e ulët kombëtare, nga ekzibicionizmi intelektualist, amatorizmi administrativ, perëndimorizmi bosh, si dhe prirja tjetër etatiste, e karakterizuar nga dëshirat për të bërë realpolitikë, për të vënë pushtetin në shërbim të shtetit, për të vënë shtetin në shërbim të nevojave kombëtare dhe jo në shërbim të eksperimenteve sociale, për të vendosur disiplinë në vend të shthurjes anarkiste, etj..
Këto dy prirje u përfshinë asokohe në lojën e ndërlikuar për disa vite me radhe, derisa më në fund sollën zhvillimet dramatike të vitit 1924, teksa sollën suksesin e përkohshëm të atij që është quajtur ”Revolucion Demokratik”, “kryengritje”, apo “Grusht Shteti” në qershor të vitit 1924, dhe “Triumfin e Legalitetit” në 24 Dhjetor të atij viti.
Dallimet e të dyja prirjeve janë dukur qartë në gjithçka, sidomos në programet e tyre dhe në mënyrën sesi vepruan për të ndërtuar shtetin dhe për të drejtuar shoqërinë shqiptare.
Programi megaloman, aspak realist, i mbushur me parulla, me dykuptimësi, me shumë rreziqe politike, ekonomike e shoqërore i “Revolucionit të Qershorit”, është kritikuar rëndë nga vetë hartuesit e tij, (duke përfshirë edhe vetë udhëheqësin Fan Noli), si dhe nga admiruesit e zellshëm të Fanolizmit më vonë në politikën dhe historiografinë enveriste.
Enverizmi e ka akuzuar Nolin më shumë për pavendosmëri revolucionare në përmbushjen e programit, duke harruar se ai program ishte jashtë realitetit shqiptar dhe mundësive të Shqipërisë së atëhershme, prandaj edhe ishte i destinuar të dështonte, sikurse dështoi edhe programi i komunizmit, pavarësisht se kishte në shërbim diktaturën më të egër të proletariatit.
Kurse me programin e “Triumfit të Legalitetit” ndodhi ndryshe, sepse ishte siç e ka karakterizuar Eqerem bej Vlora: “Një program i bukur, i thjeshtë, madje i pakritikueshëm, mund të pohoj, teksa dy pikat kryesore të të cilit mund të përmblidheshin me pak fjalë: organizimi i aparatit shtetëror dhe zgjidhja e problemeve ekonomike të vendit”, (faqe 246).
Pikërisht për një program të tillë të thjeshtë si ai i “Triumfit të Legalitetit” ka nevojë më shumë se kurrë Shqipëria sot në këtë përvjetor të këtij Triumfi.
Programet politike që i janë paraqitur deri më tash Shqipërisë në këto vite të “shthurësisë masono-demokratike”, janë një shartim jo frytdhënës i programeve të Nolizmit e të enverizmit me kalema kapitalizmi që zënë pak. Këto programe u shërbejnë më shumë interesave të një shtrese që aspiron të bëhet borgjezi kompradore, dhe jo borgjezi kombëtare. Madje në disa drejtime, veçanërisht në ato të qëndrimit për pronësinë mbi tokën, programet e deritashme që nuk ndryshojnë shumë, edhepse paraqiten nga parti të ndryshme – janë një shpërfytyrim i programeve noliste dhe enveriste. Ndërsa pas “Triumfit të Legalitetit” u arrit shumë shpejt të bëhej edhe Kushtetuta republikane, edhe Satuti themeltar i Mbretërisë – pas vitit 1991, kur Shqipëria hyri në fazën e “shthurësisë masono-demokratike” të pluralizmit politik paskomunist, për vite me radhë u përdhos procesi i bërjes së një kushtetute të re. Fillimisht u rrëzua me referendum popullor projekti berishian i vitit 1994, ndërsa pas tij dështoi në fakt edhe projekti greko-socialist i vitin 1998. Dhe ngjau kështu ngaqë referendumi nuk i plotësoi parametrat, ndaj dhe Kushtetuta e sotme është shpallur si e miratuar, vetëm e vetëm sepse u bë marifeti që e nxori pjesëmarrjen në referendum 50.7 % të votuesve të regjistruar.
Shqipërisë më shumë se çdo gjë tjetër i duhet sot një pushtet që të organizojë aparatin shtetëror. Le të mbajnë sa të duan leksione ambasadorët e huaj dhe përfaqësuesit e mekanizmave teknokratike europiane këtu në Tiranë, se gjoja “korrupsioni luftohet me zgjedhje të lira”. Korrupsioni mund të luftohet vetëm me një aparat shtetëror të pakorruptuar, efikas, të thjeshtuar, të përbërë nga idealistë, jo nga teknokratë e meritokratë dallkaukë, qelepirxhinj, sahanlëpirës të të huajve që synojnë të kolonizojnë Shqipërinë, që recitojnë papagallçe parulla për integrime europiane e euroatlantike, për globalizëm, për ekonomi tregu dhe për të Drejta Njeriu që nuk i respekton askush.
Por për të arritur këtu duhet në radhë të parë një qeveri e fortë, e përkushtuar. Duhen përzgjedhje cilësore e njerëzve që do të qeverisin dhe rregulla të forta, sipas të cilave: kush keqpërdor pushtetin nuk del i larë me një dorëheqje.
Nga përvoja e pushtetit zogist pas “Triumfit të Legalitetit”, mund të nxirren mësime të vlefshme edhe tani, ndonëse kushtet janë shumë të ndryshme.
Mund të bëhen zgjedhje që të quhen të lira, ndonëse askush nuk është në gjendje të na tregojë se si qenkan këto zgjedhje. Por “zgjedhjet e lira” mund t’u shërbejnë edhe të korruptuarve e korrupsionit, siç kanë shërbyer edhe për vendosje diktaturash si ajo e Hitlerit.
Para se të shpresojmë se zgjedhjet e lira mund të na krijojnë kushte për luftë kundër korrupsionit, duhet të shohim mirë se cilët janë ata që kanë etje të madhe për të dalë fitimtarë në zgjedhje dhe për të marrë pushtetin.
Edhe në librin e fundit që është botuar në Angli në vitin 2003 për Ahmet Zogun, është shkruar një kapitull i titulluar “Triumfi i Legalitetit”. Sa ndryshim ka ky titull nga titulli që ka përdorur historioazhgrafi shqiptar greqishtfolës Paskal Milo për të njëjtat ngjarje, me titullin “Jugosllavia-mamia e kundër-revolucionit zogist” në një libër të tij të botuar në vitin 1992, jo më në kohën e Enverit! Po citoj vetëm një fjali nga më të rëndomtat në spekulimet e Paskalit, ku ai thekson: “Rreth tij (Zogut) u grumbulluan (në Beograd) të gjithë elementët antikombëtarë që kishin emigruar në Jugosllavi”!!!.
Merret me mend sesa vlerë mund të kenë “histori të tilla”, që i shkruan njeriu që mori pjesë në “revolucionin e vonuar demokratik” të vitit 1997, (pra në edicionin e dytë të Revolucionit të Qershorit) si përkthyes i bandave andarte greke që morën pjesë në rebelimin e armatosur në Shqipërinë e Jugut në vitin1997. Për këtë shërbim, përkthyesi i andartëve u bë edhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë për katër vite.
Kurse studiuesi anglez Xheison Toms, që sigurisht nuk është zogist dhe as që mund të merret si vlerësues i pandikuar nga njëfarë antizogizmi shqiptar e britanik – në punimin e tij pikërisht në kapitullin “Triumfi i Legalitetit”, në faqen 71 të librit të tij thekson se përkrahësit e Nolit nuk po e merrnin vesh mirë nëse ai ishte një përçues i komunizmit, apo një imitues i marshimit të Musolinit mbi Romë.
Për Paskal Milon ky duhet quajtur atdhetarizëm shqiptar.
Studiuesi britanik e ka parasysh pozitën e vështirë në të cilën ndodhej Zogu gjatë emigrimit në Beograd, ndaj dhe e vë në dukje se ndërsa Zogu mbante kontakte atje, sekretari i tij, Jak Koçi, vepronte në emër të tij në Romë.
Por historiografia shqiptare deri tani nuk ka dashur, as ka qenë e zonja, të analizojë me vërtetësi këtë kompleks ngjarjesh. Ndaj dhe nga këndvështrimi politologjik duhet të themi se nuk ka fatkeqësi më të madhe se kur politikanët shqiptarë vihen në pozitën që u vu Zogu në vitin 1924, kur u detyrua të shkonte në Jugosllavi për të nisur prej andej “Triumfin e Legalitetit”.
Ngjarjet e mëvonshme kanë dëshmuar se ky “Triumf” u realizua pa lëshime të asaj natyre që do ta bënin Zogun prijës të “mallkuar”. Por sidoqoftë, shqiptarëve u mbetet të nxjerrin mësimin e madh se në grindjet e tyre politike kurrë nuk duhet të krijojnë situata kur rivali vihet në pozita të tilla. Por pyetja shtrohet: a do ta mësojnë ndonjëherë politikanët e skenës sonë politike këtë leksion të shkëlqyer të historisë sonë?!
Xheison Toms, kur analizon “Triumfin e Legalitetit”, thekson: “Zogu ishte i rreptë, por jo hakmarrës. Ai i falte njerëzit të cilëve nuk ua kishte më frikën. Por në fillim të vitit 1925 synimi i tij ishte që ende të shtinte frikë”, (në faqen 75). Pra Toms e tërheq lexuesin në vlerësimin psikologjik të liderit, çka sipas librit amerikan që përmenda, tashmë kjo është shndërruar në fushë të veçantë studimi në ndihmë të politologjisë.
Vlerësimin psikologjik të Ahmet Zogut e kanë bërë dhe vëzhgues të afërt të politikës së tij. Madje edhepse e quan “diktaturë” sundimin e Zogut, Eqerem bej Vlora e quan atë “të vetmin njeri që mund të merrte në dorë fatet e vendit në kalimin nga Shqipëria turkomane drejt Shqipërisë moderne, (në faqen 251), dhe thotë se “ky njeri ishte i pajisur me arsye të shëndoshë dhe me ndjenjën e masës, ndaj dhe përpiqej që vullnetin e tij personal t’ua përshtaste kërkesave dhe ligjeve të vendit e të shtetit”, (në faqen 241).
Një udhëheqës i tillë politik do të bënte edhe tani atë për të cilën ka nevojë Shqipëria. Por…, udhëheqësit që janë hierarkuar në krye të Shqipërisë kur vendi doli nga diktatura komuniste (u çlirua nga vargonjtë dhe hyri në “shthurësinë masono-demokratike”), nuk zotëronin cilësira të tilla.
Qysh nga fillimi i jetës shtetërore të Shqipërisë, kanë drejtuar disa udhëheqës. Nëse marrim si pikë referimi formulën e Xheison Toms se “Zogu ishte i rreptë, por jo hakmarrës”, atëherë tek Fan Noli vetë ky raport ishte i përmbysur, sepse në politikë dhe më vonë në letërsi, ai u tregua hakmarrës, por jo i rreptë në kuptimin e shtetarit që ka përgjegjësi.
Pas Zogut Shqipërinë e sundoi për dekada Enver Hoxha, që u tregua skajshmërisht i rreptë dhe skajshmërisht hakmarrës.
Ramiz Alia ishte i pazoti të krijonte raport të ri midis përbërësve të kësaj formule dhe mbeti në dilemën e vazhdimit të rreptësisë e të hakmarrjes dhe të heqjes dorë prej tyre, deri në çastet kur ngjarjet i dolën krejt jashtë kontrollit.
Berisha gjatë viteve të sundimit ka qenë rob i xhelozisë dhe i hakmarrjes, por nuk ka qenë i aftë të tregojë rreptësinë e pushtetarit. Më hapur kjo u duk kur atij iu shemb para syve shteti e pushteti në vitin 1997, bash me një Revolucion të Dytë të Qershorit. Dhe kësisoj Shqipëria e pagoi shumë shtrenjtë këtë sjellje të Berishës që, për paradoks, binte erë “Fanolizëm”.
Fatos Nano nuk i ngjan Zogut, as në rreptësinë prej pushtetari me ndjenjë të lartë përgjegjësie, as në hakmarrjen vetëm në dobi të shtetit. Nano më shumë englediset sesa qeveris.
Rebelimi i vitit 1997 kishte shumë nga tiparet e rebelimit të vitit 1924. Edhe një herë në Shqipëri pushteti u ndërrua me dhunë, pra vazhdon të zbatohet formula “pushteti buron nga gryka e pushkës”.
Dëmet ishin shumë më të mëdha. Pasojat nuk zgjatën vetëm 6 muaj… “Triumf të Legalitetit” nuk pati dhe është zor të ketë, madje mendoj se është e padëshirueshme të ketë në formën klasike.
Të mundurit gjatë Rebelimit komunist të vitit 1997 e kishin të drejtën për “Triumf të Legalitetit”, madje patën një shans jo të vogël në shtator të vitit 1998. Por nuk kishin qartësinë dhe as forcën dhe vullnetin e duhur, as organizimin e duhur. Shkurt, mungonte një prijës si Ahmet Zogu.
Por duhet pranuar se edhe konjuktura ndërkombëtare nuk i favorizonte.
Tani për çudi, për zgjidhje si ajo e vitit 1997 flasin më shumë ata që bënë trazirat e atëhershme. “Socialistët integrimsa” po përdorin parullën se “pushtetarët nuk largohen nga pushteti i korruptuar me vullnet dhe me zgjedhje të lira”. Por këtë e thonë ata që nuk kanë asnjë motiv të vlefshëm moral dhe politik për të folur kështu.
Nga ana tjetër, në krahun politik që në vitin 1997 legjitimohej për të ndjekur rrugën e “Triumfit të Legalitetit”, tashmë kanë shkuar të japin mend e të marrin flamurin si udhëheqës disa nga ata që bënë Rebelimin e vitit 1997. Kjo është njësoj sikur eksponentë të tillë kryesorë të “Revolucionit të Qershorit” të vitit 1924 sikurse Luigj Gurakuqi apo Riza Cerova, pak ditë pas Revolucionit të kalonin në anën tjetër e të pretendonin se bashkë me Zogun do të luftonin për “Triumfin e Legalitetit”.
Faktorët ndërkombëtarë që sot mund të jenë të gatshëm të nxisin e të mbështesin imitime të këqija të “Triumfit të Legalitetit”, janë armiqtë më të rrezikshëm të Shqipërisë. Pra, kur flasim për paralelizmat midis situatave kur “Triumfoi Legaliteti” në të mirë të Shqipërisë, dhe situatave të sotme që kërkojnë të zbatohen disa nga mësimet që vijnë nga “Triumfi i Legalitetit” – nuk mund të biem në gabimin që të urojmë përsëritje mekanike dhe imitime të verbëra.
Nuk do të jetë punë e lehtë, as rrugë e shkurtër, që mësimet pozitive nga “Triumfi i Legalitetit” të krijojnë faktorin e domosdoshëm për të ndryshuar rrënjësisht gjendjen në Shqipëri.
Iluzionet paguhen me diziluzione.
“Triumfin e Legalittetit” e përgatiti dhe e arriti me sukses realpolitika e Ahmet Zogut, që ishte gjithmonë e vendosur, e llogaritur, por larg aventurizmave politike.
Një politikë e tillë duhet kultivuar dhe shtrirë masivisht në Shqipëri, që të rriten shpresat se ligjshmëria e pushtetit do të bëhet realitet dhe thelbi i pushtetit do të jetë Shtetarizmi Modern.