E vërteta dhe takimi në Moskë. Salla e madhe e konferencave
1.
Ka qenë qershori i vitit 2000, kur Umberto Eco erdhi i ftuar për një kurs leksionesh mbi semiotikën në Institutin e Kulturave Europiane të Moskës, ku studioja edhe unë asokohe – i vetmi student shqiptar aty. Në fund të javës qenë vënë afishet në të gjitha mjediset e Universitetit të Shkencave Humanitare se të shtunën, mjeshtri i madh, shkencëtari i famshëm dhe prozatori lavdishëm i postmodernizmit do të jepte një konferencë shtypi. Në mbarë botën letrare, universitare e shkencore të Moskës, ky ishte një “peshk i madh” për kurreshtjen e elitës, duke pasë parasysh dhe faktin që Umberto Eco ishte gjerësisht i njohur dhe i lexuar në Rusi.
E shtuna e shumëpritur erdhi. Në orën 11.30 salla e madhe e konferencave të Universitetit qe mbushur cit dhe rrëketë e njerëzisë që mësynin dyert e sallës u mpiksën aq keq, sa mbeten të ngrira e të palëvizshme, pa asnjë mundësi tjetër për qenë të pranishëm brenda, andaj u sajua një lidhje me qendër zëri, që ta ndiqnin bisedën nga ambientet e jashtme, ajme, pa e prekur me sy aurën e gjallë të idhullit të tyre. Dikur, më vështirësi të mëdha, i rrethuar nga një gardh profesorësh rusë e amazonkash, që ngjanin më tepër me gardianë, ia behu edhe Eco. Për një kohë të gjatë i buzëqeshi vesh me vesh sallës në delir e ovacione, mandej zuri vend në qendër të një tavoline të gjatë, mbushur me një radhë mikrofonash e vazo të mëdha lulesh. Ishte një zagushi e fortë, djersë e ufëm, por edhe qafa të tendosur që zgjateshin të shihnin fytyrën më të zgjuar mjekëroshe të planetit, e cila thuajse kishte humbur pas shkurreve të lulëzuara në tavolinë. Dukej e zhdukej vetëm vizllimi i reflekseve prej syzeve të tij tek shpërndanin mendjemprehtësi e inteligjencë, çka u sillte adhurueve mahni, respekt e përulje. Dikur edhe Eco u këshillua me dy përkthyeset amazona, të cilat nxituan të zhdavarisnin retë e dendura të luleve. Kësodore u shpalua i qartë torsi simpatik i njeriut të madh.
Dhe mjeshtri foli.
2.
Në sallë ra heshtja përdëllyese.
Isha në radhët e para dhe e ndiqja pa vështirësi ligjërimin e tij gjithë batuta të kripura mbi formalizmin rus, strukturalizmin e semiotikën, ndërsa në ije ndjeja herë pas here goditjen e lehtë me bërryl të poetit Danjilla Davidov, krejt të përpirë nga adhurimi (një ditë më pas ai më dha një poezi të shkruar posaçëm me atë rast). Por nuk dua të ndalem në aftësitë oratorike të mjeshtrit të madh. Ai i hipnotizoi dëgjuesit me erudicion, gjetje origjinale plot xixëllima mençurie e sidomos humor të zgjuar paradoksal. Më intereson të kujtoj pjesën e nxehtë të përgjigjeve të tij për pyetjet e panumërta që i bëheshin nga salla.
Ja, në njërën prej pyetjeve do të ndalem edhe për faktin se atë e formuloi miku im poet, pikërisht Danjilla Davidovi:
– Mjeshtër, siç është gjerësisht e njohur, ju jeni një ndër personalitetet më ndikuese të inteligjencies europiane që, personalisht, i përmbaheni pikëpamjeve politike të majta. A ju ka ndodhur, mjeshtër, që bash për shkak të këtyre bindjeve ose frymës së tyre, të jeni ndier i padëshirueshëm në ndonjë ambient, lëvizje intelektuale në Itali, apo kund tjetër jashtë atdheut tuaj?
Pasoi një heshtje gjersa njëra prej amazonave përkthyese ia përcolli pyetjen të plotë rrëzë veshit, ndërkohë që Eco nuk ia ndante sytë atij që kishte bërë pyetjen, teksa tundte ritmikisht kokën e anuar. Mori drejtqendrimin e shpalli:
– Faleminderit për këtë pyetje kaq interesante… a e dini çfarë, zotëri simpatik? Jo… jo, më falni më parë t’ju pyes: ju vetë, çfarë pikëpamjesh ndani?… nëse, sigurisht, nuk përbën ndonjë sekret…
– Politike? – kërkoi të sqarohej miku im.
– O, sigurisht… për atë po flasim…
– E qartë. Ju siguroj, i nderuar mjeshtër, se nuk ka asnjë sekret dhe, nëse më lejoni, bindjet e mia të deritashme janë të djathta, e… në pastë gjë tjetër të rëndësishme, është fakti se këto pikëpamje, po të shprehemi figurativisht, i kam farkëtuar vetë në kudhrën e realitetit tonë.
– Ju kuptova dhe as që e vë në dyshim përgjegjësinë e kërkimit tuaj intelektual, që ju ka sjellë me ndërgjgjeje të lirë në pikëpamjet tuaja të djathta. Por, që të mos i shmangemi pyetjes suaj në fillim, po ju rrëfej një rast të dhunshëm arrogance politike që më ka ngjarë në Shqipëri.
Përveç habisë sime, ndjeva edhe bërrylin e fortë të Davidovit në ije.
– Ka ngjarë kështu, – vazhdoi rrëfimin Umberto Eco. – Në pranverën e vitit 1993, përkthyesja ime e një grup intelektualësh shqiptarë më ftuan në Tiranë me rastin e promovimit të romanit tim “Emri i trëndafilit”. Por sa zbrita në Durrës, pushteti i atëhershëm i djathtë, ai i Partisë Demokratike Shqiptare, më ndaloi dhe më ktheu mbrapsht si “persona nongrata” për shkak të bindjeve të mia të majta, pa arritur të kontaktoja as me grupin e intelektualëve shqiptarë që, sipas fjalës, kishin dalë të më prisnin.
3.
Ndërsa kishte ndërhyrë pyetja tjetër, ashtu i turbulluar nga ky informacion negativ, u rreka të kthjellohem në disa mospërputhje dhe, sapo mbaroi përgjigjen, tashmë e kisha ngritur dorën, derisa m’u dha fjala.
– I nderuar mjeshtër, a jeni i sigurtë se ky incident i papëlqyeshëm me Shqipërinë ju ka ndodhur në pranverën e vitit 1993?
– Po, po, për këtë ju siguroj… është një fakt i veçantë, që nuk mund ta ngatërroj lehtë.
– Atëherë, mjeshtër, kam përshtypjen se logjika juaj ka një plasaritje e nuk përputhet me faktet…
– Continua a raccontare, prego…
– Sepse, mjeshtër, në vitin 1993, me sa di unë, ju keni botuar në Shqipëri vetëm një ese me titull “Tregëtarët e apokalipsit”, në gazetën “Zëri i Rinisë”.
Umberto Eco ngriti të dyja duart lart në shenjë të thellë habie dhe, më shumë se mua, iu drejtua publikut:
– Si duket, po përballemi me një rekord të skrupulozitetit bibliografik! – tha e shtriu dorën me mirësjellje drejt meje, për të më lënë të vazhdoja.
– Jo, i nderuar mjeshtër, është një nder që s’e kam merituar ndonjëherë… thjesht, këtu jam një student shqiptar dhe, asokohe, në vjeshtë 1993 kur është botuar eseja juaj, kam qenë redaktor i kësaj gazete. Ndërsa promovimi i romanit tuaj, për të cilin thatë se ju ftuan më 1993, nuk mund të ndodhte para se të përkthehej. Dhe, siç e dimë mirë të dy, “Emri i trëndafilit” është botuar në vendin tim më 1998; atëherë pra, kishte vend t’ju ftonin në promovimin e tij, nëse një ftesë e tillë ju është bërë… Mirëpo, edhe sikur t’jua kishin bërë një ftesë të tillë në Shqipëri (dhe kjo do të kishte vend vetëm në vitin 1998, jo më parë), prapë na del një mospërputhje e madhe, tashmë e një natyre thelbësore: atëherë në pushtet nuk ka qenë e djathta, që t’ju kthente mbrapsht si “persona nongrata”, për shkak të bindjeve tuaja të majta. Përkundrazi, që nga viti 1997 e deri tani që po flasim, Shqipërinë e qeveris pushteti i së majtës. Ata duhet t’ju kishin dëbuar për shkaqe bindjesh të majta. Po përse ta bënin këtë? Për shkak të bindjeve tuaja të majta?! Kjo do të ishte një oksymoron! Prandaj ju thashë se logjika juaj bart një plasaritje që shkon plot pesë vjet distancë. Me çfarë logjike ta mbushim këtë thellomë, i dashur mjeshtër?
Gjatë gjithë asaj kohe kishte zotëruar një bunacë heshtjeje, por me të mbaruar pyetjen, salla u përmbyt nga mërmërima të sikletshme pakënaqësie, që për mua kishin një domethënie të padyshimtë: “Ja tani dhe ky shqiptar mistrec vjen e na prish festën!”
– Epo, si duket, të nderuar kolegë, – Eco tashmë iu drejtua sallës, jo mua, – qenka dashur të udhëtoj gjer në Moskë për të dyshuar në besnikërinë e kujtesës sime… Eh, njëherë tjetër do t’i jap një përgjigje më të përpiktë kolegut tuaj shqiptar… pa harruar ta falendoroj për një të dhënë me interes të madh për mua, si botimin tim të parë në Shqipëri të esesë “Tregëtarët e apokalipsit”… – Deshi ta mbyllte atë situatë disi të sikletshme, por ndërkohë ishte ngritur më këmbë Danjilla Davidovi:
– Mos ndoshta mjeshtri i madh e ngatërron përvojën nga Shqipëria me ndonjë vend tjetër?
– Ndoshta, ndoshta… nuk e përjashtoj edhe këtë mundësi…
– Ju lutem shumë, – gjëmoi pizgë një zë nervoz prej femre, – ju vajzave moderatore! Mos e drejtoni diskursin në qorrsokaqe të tilla dhe… më falni… në çështje pa pikë interesi për ne… Sepse, më falni, mjeshtrin nuk e kemi ftuar t’i japë hesap kujt!
Pas apelit të saj, salla u shkund e dialogu me Eco-n rinisi i ngrohtë, i gjallë, hokatar, me pyetje të rafinuara për çështje të mëdha e, natyrisht, me përgjigje të zgjuara që i shkojnë për shtat klasit të tij.