GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Albert Müller – E zeza me ngjyra

Një udhëtim alternativ përmes artit të Nëntëqindës, drejt rizbulimit të artistëve të mëdhenj, vepra dhe histori shpesh të harruara

Jemi në Zvicër dhe lëvizim përgjatë një aksi që bashkon pjesën veriore, gjermanishtfolëse, me komunitetin italishtfolës të Kantonit Ticino, në çerekun e parë të Nëntëqindës.

Albert Müller lindi në Bazel në 1897. Është një nxënës artizan, por në ekspozitën e Krishtëlindjeve në 1919 në Kunsthalle (gjithnjë në Bazel) prezantohet, për herë të parë, si një artist.

Kjo është një histori miqësie, projektesh të përbashkëta dhe shpresash. Është historia e një mjeshtri dhe dishepujve të tij, e tradhtive dhe zhgënjimeve, pastaj e vdekjes. Si bora e dimrit që kthehet në ujë të ndotur pas shkrirjes, gjithçka mbaron. Aty, ku shtrihej një lëndinë ëndrrash naive, në fund mbetet vetëm humbëtirë me gurë të mprehtë dhe thepa.

Në karrierën e tij të shkurtër ai do të lëvizë nga piktura në skulpturë, nga gdhendja në artin e qelqit. Zbret në Itali dhe bashkëpunon me një tjetër piktor të madh të harruar si Niklaus Stoecklin. Në shkurt të vitit 1921 vendosi të jetojë në Kantonin e Ticinos, u martua me Anna Hübscher dhe një vit më vonë, me lindjen e binjakëve Judith dhe Kaspar, u transferua në Obino- Castel San Pietro, ku krijoi një partneritet profesional me artistë të tjerë të rinj nga Bazeli. Ajo që e bëri të dallohet është mbërritja e një miti ekspresionist si Ernst Ludwig Kirchner. I traumatizuar nga Lufta e Madhe, në të cilën ka marrë pjesë, gjatë shërbimit ushtarak nga i cili më pas largohet për shkak të çrregullimeve mendore, ai është në kërkim të paqes dhe qetësisë. Prandaj shkon në Davos ku do të rikthehet edhe për disa herë të tjera.

Në njërin prej këtyre qëndrimeve njihet me një djemsh djemsh të çmendur pas artit: Hermann Scherer, Paul Camenisch dhe, në pikërisht, Albert Müller. Është si një rrufe në qiell të hapur.

Nga ai moment, për Albertin dhe të tjerët, Kirchner bëhet fanaru që ndezi jetën dhe artin e tyre të ngjyrave të paeksploruar kurrë më parë, gjë që i projektoi ato në qendër të Evropës dhe i jep kuptim projektit të tyre për të reformuar pikturën në emër të gjuhës ekspresioniste. Në vazhdën e atij shkarkimi energjik, natën e San Silvestre-s, 1924, tre djemtë (të cilëve do t’ju bashkohej më vonë edhe Werner Neuhaus) themeluan grupin Rot-Blau, një emër i frymëzuar nga flamuri i Kantonit Ticino (kuq-blu).

Nga puna e grupit, marrin formë peizazhet dhe portretet e shënjuara nga dhembja dhe ndjeshmëria ekstreme. Mali, bëhet një projeksion i botës së brendshme, dhe jo më “tërhiq e mos këput” ngushëlluese. Kirchner bëhet zoti i një komune nga e cila mishëron frymëzimin hyjnor. Ai e do izolimin e malit, por vuan, sepse ka frikë të humbasë kontaktin me skenën e artit. Në fund të fundit, ata djem ai i përdor. Është përditshmëria që përbëhet nga momente bashkëjetuese: darkëra, diskutime, pije, seanca të përbashkëta pune. Por zgjat vetëm në harkun e një vere. Të rinjtë përzgjedhin dhe prodhojnë me shpejtësi të madhe dhe mësuesi duhet të ngrejë zërin sepse po përpiqen ta kapërcejnë, dhe atij do t’i duhet të ritheksojë herë pas here që ai është “ai dhe vetëm ai” novatori …

Miqësia shndërrohet në rivalitet. Mjeshtri akuzon nxënësit se e kanë kopjuar atë, që janë përfitues të gatshëm për t’i vjedhur idetë njëri-tjetrit. Idealizmi fillestar bëhet konkurrencë. Müller, i mbështetur nga mësuesi, vendos të largohet nga grupi. Kirchner kaloi kështu verën dhe fillimin e vjeshtës së vitit 1925 me gruan e tij Erma së bashku me familjen Müller në Frauenkirch, duke i folur miqve të tij për djaloshin si një nga shpresat e artit modern. Kirchner do ta marrë Albertin me vete në Dresden, duke i paguar rrugën, për të vizituar Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit: një eksperiencë kjo të cilën djaloshi e përjeton si një ëndërr.

Një vit më pas Albert u sëmur nga ethet tifoide. Brenda një kohe të shkurtër, shëndeti i tij përkeqësohet. Vdes në 14 dhjetor në moshën njëzet e nëntë vjeç në shtëpinë e tij në Obino. Edhe gruaja e tij Anna, që e ndihmoi deri në fund, preket nga sëmundja dhe do të vdesë në 7 janar, njëzet e shtatë vjeçe, binjakët shpëtojnë mrekullisht.

Kirchner hap një ekspozitë për nder të tij në Kunsthalle të Bazelit, aty ku filloi gjithçka, dhe krijon një ksilografi, portret druri, me figurën e mikut të tij. Edhe Hermann Scherer do të vdesë në po të njëjtin vit nga një infeksion streptokoku. Ëndrra ka marrë fund.

Është prekës portreti që Alberti i ka bërë Anna-s në 1924. Një vajzë e brishtë, depresive, që sapo ka lindur dy binjakë.

Kanavaca ndjehet se është e ndikuar nga piktura Marzella e Kirchner (1909-1910). Anna jo më si një grua në kulmin e rinisë së saj, por thuajse si një e burgosur. Përmes linjave diagonale, Müller nxjerr në pah një strukturë të ngurtë në të cilën trupi ngjan i mbyllur si në një kafaz. Ngjyrat e dhunshme – blu, e kuqe, jeshile -, me kënde akute që përforcojnë format, ndihmojnë për të përcjellë shqetësimin që përshkon mjedisin dhe “portretin e brendshëm”.

Ka dritë, por jo gëzim. Edhe dritarja nuk hapet për një të ardhme më të mirë, ajo është e mbyllur dhe e shtyp protagonistin. E mbyllur në vetvete, me fytyrën pa shprehje, me duart e braktisura në prehërin e saj, Anna bëhet një figurë gjeometrike e dorëzuar ndaj fatit të saj: nga njëra anë një pikturë (arti i të shoqit), nga ana tjetër dritarja (jeta). Në një grimcë të së tashmes që nuk do të kthehet më.

Materiali është përgatitur nga stafi i GT

You might also like