Për të kuptue se çfarë po ndodh sot në gjuhën shqipe, duhet të shohim pak rrugën që ka ndjekë gjuha jonë në historinë e saj në shekullin 20, qysh prej 1908 kur u mor vendimi për alfabetin, e deri sot që po flasim. Janë 114 vjet shndrrimesh historike, politike, gjeopolitike e po ashtu edhe gjuhësore. Çdo ndryshim i mjeteve të komunikimit, çdo ndryshim social, politik e gjeopotik ka dhanë ndikimin e vet edhe te gjuha, prandaj kjo asht arsyeja pse gjuha shqipe po kapërcen në nji nivel të ri të komunikimit.
Në vitin 1964 e ma vonë edhe në 1968 Komisioni i Prishtinës i kryesuem prej prof. Idriz Ajetit, mbas nji pune dhjetë vjeçare, del me nji punim përfundimtar të rregullave e drejtshkrimit të gjuhës shqipe bazue, në gegnisht 60% e tosknisht 40%. Ky asht rishikimi i fundit që i bahet gjuhës shqipe të variantit të traditës, derisa ishte pa u vendosë ende variati i standardit të 1972. Kjo nuk erdhi vetevetiu, por si nevojë e Kosovës me shkrue gjuhën afër me gjuhën që shkruhej në Shqipni, se ashtu ishte orientue edhe ma parë prej gjuhëtarëve qysh në Komisjen e Shkodrës më 1916 themelue prej Luigj Gurakuqit. Ata të cilët njizani kishin përcaktue elabasanishten si shtratin e përbashkët të bazave të gjuhës shqipe, që ishte edhe kufini ku takohej gegënishtja me toskënishten. Dhe kjo ishte arsyeja që gjuha shqipe ndoqi këtë kurs.
Në Kongresit të Elbasanit u vendos themelimi më 1909, (pra nji vit mbas Kongresit të Manastirit i cili vendosi alfabetin) i shkollës Normale të Elbasanit e cila do të ishte nji qendër arsimore e pedagogjike që do të pregatiste mësuesat e ardhshëm shqiptarë, ku gjysa e nxanësve ishin nga Kosova e Çamëria. Arsyeja ishte pikërisht se shtrati i shqipes së përbashkët e cila do t’i shërbente krejt shqiptarëve si nji kod komunikimi duhej të ishte elbasanishtja. Jo vetëm si territor e as vetëm si gjuhë, por edhe si ide se parimet dhe rregullat gjuhësore të shqipes duhet të ndiqnin nji rrugë të mesme, në mënyrë që çdo trevë shqiptare, mbi e nën Shkumbin, do të sillte në Elbasan ngjyrën e vet, do të njihte trevat e tjera, dhe mbi të gjitha do të mësonte parimet shkencore të ndërtimit, funksionimit dhe zhvillimit të gjuhës shqipe, Kështu gegnishtja dhe tosknishtja do ta rroknin njena tjetrën jo veç në shtratin e përbashkët ku kishte ndodhë ky takim, por edhe si bazë ku do të studiohej në detaje gjetja e nji rruge të mesme mes gegnishtes dhe tosknishtes. Kjo tregon nji pjekuni të naltë dhe vetëdije kombëtare të atyne burrave që farkëtuen ma vonë edhe lindjen e shtetit të ri Shqiptar më 1912.
Por dihet se çka ndodhi vetëm nji vit mbrapa, Kosova iu shkëput Shqipnisë më 1913, Shkodra mbas rrethimit malazez më 1913 deri më 1920 ishte nën status ndërkombëtar, Çamëria ra në territorin grek, Korça e krejt jugu po ashtu u rrethue prej grekëve më 1912, Vlona prej italianëve më 1920. Shqipnia londineze nisi me marrë frymë vetëm mbas Konferencës së Paqes në Paris.
Gjatë viteve 1920 deri më 1939 janë vetëm nantëmbëdhjetë vjet, kohë në të cilën u hapën shkolla dhe sidomos mbas vendosjes e Mbretnisë, u botuen libra dhe në shtypin e kohës lulëzoi gegnishtja e tosknishtja secila në hullinë e vet, gjuha e zyrtare e dokumenteve shtetnore u la varianti i elbasanishtes, po ashtu mësimi i gjuhës në shkolla u ba po në këtë variant. Më 1939 deri më 1944 pati zhvillime interesante në Kosovë edhe Çamëri ku u dërguen mësuesa nga Shqipnia dhe po nga Ernest Koliqi më 1940 u ngrit Instituti i Studimeve Shqiptare.
Mbas 1944 deri në 1972 ishte Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë u mor me studimet gjuhësore, u vazhdue puna me përmirësime e rregulla që dilnin prej studimeve të thellueme të parimeve gjuhësore, gramatikore, fonetike, morfologjike, dhe ortografike, ku punoi edhe prof. Eqerem Çabej.
Më 1972 themelohet Akademia e Shkencave vit që përkon edhe me Kongresin e Gjuhës, ku morën pjesë delegatë nga të gjitha trojet, Kongres i cili merr vendime të tjera të randësishme sa i përket parimeve gjuhësore. Por këtu nën atmosferën e nji entuziazmi politik dhe me justifikimin e ndryshimeve shoqnore e politike, arritjeve të mëdha të socializmit, me porosi nga lart, shtrati gjuhësor ndryshon rrjedhë tue marrë si bazë toskërishten juglindore, nga ku doli nji variant gjuhësor në nji raport 95 % tosknisht e 5% gegnisht.
Ngadalë shtypi dhe botimet nuk pranuen ma tekste në gjuhën e “vjetër”, dokumentet shtetnore dhe abetaret e të gjithë librat u shkruen në këtë variant, po ashtu në letërsi ishte e njëjta situatë, shto këtu edhe metodën e realizmit socialist dhe propagandën e sistemit. Ngadalë shqiptarëve si në formë ashtu edhe në përmbajtje po i ofrohej nji variant gjuhësor i standardizuem, i cili jo vetëm përjashtoi paskajoren, por edhe vetë tosknishten tradicionale, i shkëputi shqiptarët nga e rranjët e tyne historike tue i ngulë me forcë ide me anën e nji gjuhe të varfër e pa kulturë, që fliste elita politike komuniste që vinte kryesisht prej jugut të Shqipnisë.
Përpjekjet e patriotëve dhe pionerëve të parë që të shkohej drejt rrugës së mesme të elabasanishtes u braktisën, gjuhëtarët ishin në nji presion dhe para nji detyre që si çdo detyrë e asaj kohe duhej të realizohej padyshim, sepse në të kundërt pasojat diheshin, grup armiqsor dhe burgosje.. Kështu pra në nji klimë aspak të denjë për punë shkencore, përkundrazi në nji klimë të helmueme qysh pa nisë mirë Kongresi realizoi kthimin e shpinës ndaj projektit patriotik të elbasanishtes dhe krijimin e nji standardi të ri, simbas dëshirës së diktatorit, i cili donte me lanë gjurmën e tij në gjuhën e re të shqiptarëve, por në fakt ai me arrogancë la mbrapa nji problem të madh, dy të tretave të shqiptarëve iu “pre” gjuha (ndër ma të vjetrat në botë), dhe iu qep me dhunë gjuha e re socialiste.
Anipse shumica e gegve nga trojet heshtnin për hatër të unitetit e ata të Shqipnisë prej frikës nga nji prej diktaturave ma të egra në në botë, ku nuk lejohej me pa shtrembët as patatet e lene ma me vue në diskutim gjuhën e shtetit, kjo manovër e trashë e paperspektivë domosdo do të sillte ma vonë nji pështjellimme e pasoja jo vetëm gjuhësore të cilat janë të pranishme edhe sot.
Në vitin 1990 rezultoi se gegët e njihnin mirë tosknishten, nga ana tjetër toskëve padrejtësisht iu mohue njohja me gegnishten dhe problemi i madh qe se humbja e shtratit të elbasanishtes e ndau artificialisht gjuhën shqipe në në dy fortesa Gegnisht dhe Standard. Gegët nisën ta braktisin standardin tue nisë me shkrue në gegnisht, ndërkohë që pjesa tjetër po e shihte këtë si “tradhëti” të unitetit, vetë politika asnjiherë nuk u shpreh drejtpërdrejtë, por indirekt me anë të instituteve, individëve të veçantë vazhdoi me mbështetë standardin, sikur të ishte nji fe dogma e së cilës nuk mund të prekej prej asnji diskutimi, e lene ma reformimi.
Në shtyp fillojnë debatet e para në lidhje me këtë fenomen, që sigurisht kishin karakter emocional, në vend që me folë e me shkrue, bisedue se si mund ta hapim diafragmen e gjuhës, u ra në kurthin e përlamjeve e shamjeve, pështymjeve, denigrimeve dhe kërcënimeve. Ky tension tregon pa dyshim se klima e dikurshme e 1972 kishte qenë tejet e sforcueme politikisht. Argumentat që dolën prej mbrojtësve të gegnishtes ishin se gegnishtja padrejtësisht u përjashtue nga kongresi i 1972, gegët ndihen të papërfaqsuem gjuhësisht gja e cila çon edhe në përjashtime të niveleve të tjera psikologjike, karahinore, politike dhe ekonomike. Argumentat e mbrojtësve të standardit ishin se gjuha shqipe, pra standardi i 1972, nuk mund të preket se ajo asht shenja e unitetit kombëtar, vendimet e Kongresit ishin marrë prej të gjithë delegatëve nga të gjitha trojet, dhe arritjet e këtij kongresi gjuhësor janë shkencore dhe jo politike. Debatet u kthyen në personale, krahinore, shpesh njerëz pa kampetencë dhe qorrazi, i hidhnin benzinë zjarrit kot, e kështu debati qe i lodhshëm për ndigjuesit e lexuesit sepse mbas të gjithë argumentave fshihej nji rreshtim tifozash në dy frontet.
Kjo situatë erdhi sepse u braktis elbasanishtja, për të cilën filluesit e projektit të parë e patën propozue pikërisht që të shmangej kjo situatë përleshjesh të stërzgjatuna gjatë së cilave të bahet gjuha lesh. Ndërkohë reagimi qe i menjihershëm. Ajo që nisi me e u kuptue së pari prej nji grupi shkrimtarësh që njihnin standardin, tosknishten dhe gegnishten, ishte guximi me shkrue gjuhën shqipe me elementet e nevojshëm të të gjitha formave në nji gjuhë të vetme, siç ishte edhe tradita e para kongresit të 1972. Në Shqipni e Kosovë, konkretisht Prishtinë, Shkodër e Tiranë, në shtyp, libra apo tash vonë edhe në rrjete sociale, po shfaqet nji gjuhë shqipe e ndryshme prej standardit, e cila nuk asht gegnisht e mirëfilltë, por që ka elemente të gegnishtes, tosknishtes edhe stadardit. Vihet re rikthimi në këtë gjuhë i paskajores që asht elementi ma i randësihëm i gegnishtes, por aty vihet re edhe shkonja ë paratheksore, pjesorja dhe lidhorja tipike të tosknishtes, po ashtu shihet nji respektim i parimeve bazë teknike të standardit. Rotacizmi i toknishtes asht i pranishëm pjesërisht, e zëvendësohet me n-në e gëgnishtes aty ku asht i natyrshëm. Pra me intuitë, emocion dhe racionalitet shkrimtarët që e njohin traditën e gjuhës në gegnisht e toknisht, po ashtu edhe standardin, kanë nisë të japin shembullin e nji gjuhe të rrjedhshme, të shkathët e të bukur ku dalin në pah arritjet e gjuhës shqipe në të gjitha periudhat. Ka raste kur shfaqen edhe nëndialektet e gegnishtes dhe tosknishtes, të cilat edhe ato janë pjesë e pandashme e e gjuhës shqipe, sepse i japin ngjyrën kontekstuale e të folmeve në të gjitha trevat shqipfolëse.
Ngadalë prej nji çështje debatesh, gegnisht apo standard, ajo që po ndodh asht se po lind nji gjuhë shqipe e cila po merr në trupin e saj elementet që i mungonin, në mënyrë që kjo gjuhë me realizue ma mirë të shprehunin e ideve, ngjarjeve dhe ndjenjave dhe ku ndihen mirë të gjithë shqiptarët. Shkrimtarët janë të vetmit që mund ta marrin këtë nismë, me gjithë gabimet, sepse asht gjuha vetë që kërkon veten, asht vetëdija që kërkon mjetet gjuhësore, për të nxjerrë në pah bukurinë e saj të shumanshme. Meqë politika dhe specialistët vetëm flasin, shkrimtarët po bajnë vepra, ata po shkruejnë letërsi. A nuk ishin shkrimtarët që krijuen Rilindjen Kombëtare, që vuni në lëvizje patriotët dhe çoi në formimin e shtetit Shqiptar! Po prapë i takon patriotëve dhe shkrimtarëve të jenë nismëtarë të rizgjimit të gjuhës shqipe, të mbledhjes së të gjithë elementeve që i duhen gjuhës që me arritë, nji bashkim të ri kombëtar. Ata me gjuhën tonë të bukur, e cila po rikthehet në shpirtin shqiptar, po u japin landën e parë gjuhëtarëve dhe lexuesve mundësinë për të mendue në nji shqipe ma të gjanë.
Në kushtet ku gjindemi e mesmja jonë gjuhësore nuk asht ma Shkumbini, por Drini, ky asht lumi që e ndan Shqipninë mes për mes, siç e shkruen edhe poeti jonë i madh Lasgush Poradeci: “Dyke nisur udhëtimin mes për mes nër Shqipëri, Drini plak e përrallshëm po mburon prej Shëndaumi.” Shtrati i përbashkët i shqipes duhet pa në nji optikë të re, parimet e arrituna dhe të zbulueme deri më tash vazhdojnë të jenë çelësat kyç për vazhdimin e punës me gjuhën, nuk kemi pse nisim gjithçka nga fillimi, por as kemi pse të ndalemi. Standardi i 1972 sot nuk e ka shtatin e duhun me mbajtë peshën e gjallë të gjuhës që flasin krejt shqiptarët, të vitalitetit të saj historik, klasik dhe modern. Prandaj kudo që jeni në Shqipni, Kosovë, trojet etnike apo diasporë, qofshi shkrimtarë, albanologë, studiues, gjuhëtarë, patriotë e mendimtarë, lexues, ne jemi të gjithë përdorues të gjuhës shqipe, dhe të gjithë bashkë duhet të vazhdojmë përpjekjet që gjuhën tonë ta përmirësojmë, ta mbushim me dashuni, dituni dhe bukuri, vetëm kështu do mund t’i bashkojmë shqiptarët, që nuk duen ma të jetojnë ndaras.