Alfred LELA – Berisha (III) si produkt i anti-revolucionit
Sali Berisha e shqipton thuajse me nënqeshje termin ‘revolucion’. Jo se ai nuk ia kthen jehonen, por e di se, edhe konservator edhe revolucionar, nuk shkojnë. Gjithaq për faktin se vetë ka qenë prodhim, jo i revolucioneve, por i tre anti-revolucioneve në jetën politike. Në vitin 1990, kur revolucioni proletar marksist-leninist-enverist po jepte shpirt mu në rrënojat e Murit të Berlinit dhe ‘fundit të historisë’, ai u vu në krye të anti-revolucionit. Brenda pak muajve u shndërrua, nga një prej pak intelektualëve me zë të elitës së kryeqytetit, në njërin prej udhëheqësve të opozitës së re, dalë nga krateri socio-politik i Lëvizjes studentore. Karizma dhe energjia mjaftuan për ta nxjerrë nga short list-a në top gun, në partinë e sapoformuar Demokratike. Pjesa tjetër është histori.
Revolucioni shquhet nga zakoni i të përndjekurit të Sali Berishës. Vitit 1997, edhe nëse përllogarit në kaosin e ngjizjes së tij gabimin me lejimin e firmave piramidale, erdhi edhe sikur për të thënë se anti-revolucioni i ‘90-‘92 nuk qe edhe aq i negociuar, siç mëtojnë një pjesë komentatorësh. Komitetet e Shpëtimit Publik, ku strofulluan dhe turfulluan shumë personazhe të ancient regime komunist e rrëzuan Berishën, por njëkohësisht i dhanë edhe një lifeline politik. Ai u vu edhe njëherë në krye të anti-revolucionit, i mbetur i parë në një Parti Demokratike të shkalafitur, që mori pak mbi 20 deputetë në zgjedhjet e ‘97, dhe u bë sanduiç mes një koalicioni laraman, ku bënin pjesë gjithë të mundurit nga ish-presidenti. Tetë vite të gjata anti-revolucion, i braktisur apo tradhtuar nga shumë, por jo nga energjia dhe as karizma, Sali Berisha doli në brigjet e 2005 si alternativa e vetme kundër një kaste socialiste të superkorruptuar. I ndihmuar, sa nga operacioni i rithemelimit të imazhit, por edhe nga përçarja e së majtës, ai u kthye në pushtet për herë të dytë, kësaj radhe si kryeministër. Si i tillë, u mbijetoi dy mandateve, i pari të cilëve mbahet si katërvjeçari më i mirë në qeverisjen e Shqipërisë në tranzicion. Në fund të të dytit, ai humbi aleatin e tij të majtë, Ilir Metën, të cilin nuk e lëshoi pas një skandali përgjimesh. 700 mijë eurot e ‘përgjimit Prifti’, që sollën edhe 21 janarin, pas përpjekjes për revolucion të PS, sot, në dritën e akteve korruptive të ‘qeverisë Rama’ ngjajnë si pare xhepi.
Berisha ra në vitin 2013, me ‘një milion shuplaka’ dhe dha dorëheqjen. Një revolucion në pallatin e drejtësisë, dizajnuar me patos amerikan, sponsorizim të Fondacionit Soros dhe këmbëngulje amerikane, u bë narrativa kryesore e qeverisë dhe kundër-narrativa e Doktorit, që kish dhënë dorëheqjen nga drejtimi i PD, por jo, siç tha ai vetë “nga Sali Berisha”. Përpjekjet e tij për të mbajtur në këmbë një anti-revolucion, jo si skemë kundër reformës, dhe as mospranim të nevojës për të, por si lexim politik të mbikontrollit që do i jepte Ramës kapja e drejtësisë, sollën edhe rikthimin e tij politik. Ashtu si në 97, u desh një dorë e ftohtë amerikane, në përpjekjen për ta neutralizuar politikisht ish-kryeministrin dhe presidentin. Një non grata nga Anthony Blinken u duk se, siç u entuziazmuan disa komentatorë anti-berishistë, do t’i jepte fund tranzicionit të zgjatur shqiptar.
Nuk ndodhi kështu. Tranzicioni vazhdon, por jo për faj të Berishës. Përpjekja për ta marrë Shqipërinë politike dhe kulturore jo me proces, por me revolucion, ka prodhuar gjithmonë shtrembërime. Ndër të tjera, edhe peizazhin politik të tashëm, ku opozita deinvestohet dhe dekurajohet, sa nga brenda aq dhe nga jashtë. Pjesë e saj janë përpjekja për ta simuluar kinseopozita, sa me gjykatë dhe sa me ambasadë.
Rafti i historisë politike të këtyre 30 viteve është plot me skelete opozitash të tilla.
Rikthimi për herë të tretë i Sali Berishës si enfant terrible i tranzicionit dhe të së djathtës, nuk do të thotë automatikisht hakmarrje dhe triumf të anti-revolucionit. Por, një kthim në normalitet është. Me normalitet duhet kuptur gjendja politike e pasimuluar, vetëm sa për të krijuar idenë e dikotomisë, përballjes apo vetë demokracisë.
Ndoshta Sali Berisha nuk e kthen dot kurrë më PD në pushtet, por dikotominë e risjell. Dhe ky është kushti i parë për rinormalizim të procesit politik. Pa harruar faktin se non grata amerikane vjen në kurrizin politik të Sali Berishës me krusmën e një sakrifice. Po aq e mundimshme sa edhe “revolucioni i vonuar demokratik” i vitit 1997. Dhe sakrifica është çka e tërheq popullin kah liderët.