Anastasia, manaxheri i parë i “Vrasjeve të organizuara”
Si u bë i biri i një bujku kalabrez, që emigroi në Shtetet e Bashkuara në kërkim të fatit, i pasur dhe i fuqishëm, numri 1 i gangsterizmit njujorkez
Antonio Anastasio ishte një njeri i mirë, bujk i ndershëm që banonte në Tropea, në Kalabri. Babai i dymbëdhjetë fëmijëve (nëntë djem dhe tri vajza), kishte, ashtu siç është normale të jetë, si dëshirën e tij më të madhe sistemimin e djemve të tij me një punë të mirë dhe për vajzat një martesë me fat. As nuk i shkonte nëpër mend që njëri prej djemve do të bëhej një ditë i famshëm, i pasur dhe i frikshëm. As në ëndrrat më të çmendura nuk e kishte menduar, por as nuk do ta kishte dëshiruar kurrë një gjë të tillë, nëse do ta kishte ditur se në çfarë mënyrash njëri prej pasardhësve të tij do të çante përpara në jetë.
Kur në vitin 1914 i përndershmi Anastasio ia dorëzoi shpirtin Zotit, sigurisht nuk do ta kishte imagjinuar se djali i tij Umberto do të bëhej “xhaxhai i dashur Albert”, siç e quanin vartësit e tij, apo Albert Anastasia, kapoja i “Shpirtrave Vrasës”: kështu e njihnin FBI-ja dhe zyrtarët e policisë së të paktën njëzetë shteteve të SHBA-ve.
Umberto kishte lindur më 26 nëntor 1902 dhe kishte emigruar në mënyrë klandestine në Amerikë në moshën pak më shumë se gjashtëmbëdhjetë vjeçare, i ndjekur menjëherë nga katër prej vëllezërve të tij. Kur u arrestua për herë të parë deklaroi se quhej Albert Anastasia, në vend të Umberto Anastasio: dhe, si një njeri i ndjeshëm që ishte, dëshironte të punonte sa më shumë për të shpëtuar nderin e familjes. Dhe që atëherë ai mbeti përgjithnjë, për të gjithë, Albert Anastasia.
Kush ishte?
Një kokëgdhë, injorant e rrugaç, i pajisur me një shpirt të pamëshirshëm dhe nga një dëshirë e marrë për t’u dukur. Një njeri i fuqishëm që për një periudhe të caktuar ia arriti të kishte në duart e tij pjesën më të madhe të kriminalitetit në SHBA. Një industrialist i krimit që e pati ngritur zyrën e tij në njërin prej hoteleve më të famshëm të Nju Jorkut. Duke parë jetën e tij, fillimet, karrierën dhe fundin, mund të nxirren shumë përfundime. Por ndoshta më interesanti dhe efikasi është ai që u formulua nga një tip që dinte shumë, një farë Xhon Edgar Huver, asokohe drejtori i FBI: “Kush është Anastasia? Është një kafshë gjakatare, që herët a vonë do të bjerë në ndonjërën prej gropave plot thika që ka ngritur për të hequr qafe të tjerët, nga ndonjë prej të tijëve teksa qëndron i ulur në banjë!”.
Dhe vetëm në një detaj gaboi në profecinë e tij Huveri: Anastasia u hoq qafe në karrigën e berberit dhe jo në banjë. Por mos ta paraprijmë përfundimin.
Le të kthehemi tek rioshi kalabraez, i cili zbarkoi në Shtetet e Bashkuara, me xhepat plot ëndrra dhe me dëshirën e madhe për t’i shpëtuar një rinie plot mangësira dhe sakrifica, një jetë të zymtë e të mjerueshme.
Duhej bërë diçka dhe Umberto, pardon, Albert, sigurisht që nuk është ndonjë zvarranik përtac. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare e ka organizuar tashmë bandën e tij të parë kriminale në Brooklyn, që shquhet sidomos për grabitje. Sigurisht, nuk është ndonjë gjë kushedi se çfarë.
Në fund të fundit, Alberti varfanjak, nuk ka patur mundësi të studionte në vendlindjen e tij, Kalabri. Mezi di të shkruajë emrin e tij, flet vetëm në dialektin kalabrez, që me kohë do të shndërrohet në zhargonin e Brooklynit. Koefiçenti i tij mendor është sa ai i një gjedhi, por është finok dhe intuitiv. E kupton shpejt që nuk do të mundej kurrë të çante përpara për në shoqërinë e lartë, që të ishte një njeri i kulturës. Nga ana tjetër, për sektorin e biznesit që kishte përqafuar, kultura shërbente më pak se çdo gjë tjetër. Mbi gjithçka do t’i hynin në punë të tjera cilësi, që Albertit nuk i mungonin aspak, përkundrazi, egërsia dhe mizoria, me të cilat do të tejkalojë edhe faktin që i mungonte cilësia e natyrshme e “kapos”, cilësi nëpërmjet të cilës dolën në pah gangsterë të tjerë në atdheun e zhurmshëm dhe të dhunshëm të dollarit.
Aktiviteti i Albert Anastasia preku harkun e një tridhjetë vjeçari të mirë. Nga viti 1921, viti i arrestimit të tij të parë, deri më 1957, vit kur u qëruan hesapet, “xhaxhai i dashur Alberti” u arrestua të paktën edhe dhjetë herë të tjera. Pesë herë me akuzën për pjesëmarrje në vrasje. Por që në procesin e parë Albert demostroi se nga ç‘brumë ishte gatuar dhe se se sa mirë ishte integruar në botën e krimit. I dënuar me karrigën elektrike për vrasjen e një punëtori porti i cili nuk donte t’i nënshtrohej prepotencës së bandës së tij, Anastasia arriti që çështjen ta çonte sërish për rigjykim, në një proces të dytë: ndërkohë, dëshmitarët kryesorë të akuzës ndaj tij kishin firuar. Disa “të bindur” se nuk ishte e nevojshme të insistonin në gënjeshtrat e tyre kundër këtij djali kaq të mirë, të tjerët, ata më kokëfortët, kishte shumë mundësi që kishin shkuar për t’i bërë shoqëri viktimës së parë, nën shoqërinë e ndonjë blloku të madh betoni që i mbante të konservuar mirë në fund të ujrave të errëta të portit të Nju Jorkut. Procesi i dytë bëri që Albert Anastasia të rikthehej sërish në qarkullim.
Ndodh ndonjëherë që njerëzit të gjejnë pikërisht në burg momentin për t’u dhënë pas meditimit dhe refleksioneve të pjekura. Tertuliano, për shembull, e shkruajti në burg veprën e tij “De consolatione philosophiae”. Dhe Albert Anastasia, teksa lëngonte në burg, në pritje të spastrimeve që bashkëpunëtorët e tij i bënin dëshmitarëve, për të cilat folëm më lart, sipas të gjitha gjasave iu dedikua të tjerë sektorëve të mendimit: krimi ofronte një prospektivë të shkëlqyer për të nxjerrë fitime të majme. Por ç‘e do që ishte kjo konkurrenca e mallkuar, ndërsa nga ana tjetër nuk ishte e mundur që t’i dedikohej shumë aktiviteteve njëkohësisht, pasi ekzistonte rreziku që të mos ia dilte mbanë asnjërës. Të vazhdonte me grabitje? Apo me narkotikët? Apo ishte më mirë… Sigurisht që pafundësia e varianteve ishte shumë interesante. Por ishin të gjithën sektorë në të cilët punonin shumë e shumë kolegë të tjerë të tij, dhe kishte rrezik të thyente kokën. Dhe ja, atëherë u shfaq intuita gjeniale: në të gjithë sektorët e krimit ndjehej shpeh nevoja për të eleminuar ndokënd. Dhe, dihet, vrasja gjithmonë është diçka e rëndë. Sepse ka rrezik të mos gjesh njeriun e duhur, atë budallain që pasi vret viktimën e përzgjedhur por më pas i shpëton nga frika dhe fillon të këndojë për policinë apo për “G-Men”-ët, emrin e dërguesit. Pastaj, varet edhe nga është viktima: është ndryshe të heqësh qafe një bashkëpunëtor që është shndrruar në një diçka të tepërt, dhe ndryshe të vrasësh një investigator shumë kurioz. Atëherë, a nuk do të ishte një ide e shkëlqyer t’i ofrohet industrisë së krimit një shërbim vrasjesh të sigurta, profesionale, të garantuara? Në këtë mënyrë gjithësecili do të mund t’i dedikohet qetësisht punës së tij, dhe, në rast nevoje, të ngarkonte “Vrasjet Anonime” për eleminimin e cilido, në çdo cep të Amerikës.
Ideja rezultoj vërtetë gjeniale: organizata e Xhaxha Albertit zgjidhte shumë probleme. Ishte gjithashtu diçka e mirëorganizuar: tarifa preçize, fshehtësi, përpikmëri.
Organizatës “Vrasjet Anonime” i atribuohen qindra vrasje, nga të cilat tetëdhjetë e pesë të vërtetuara. Killerat ishin të gjithë profesionistë, seriozë, dhe Anastasia merrej personalisht me stërvitjen e tyre. Rroga e tyre mund të varionte nga dyqind dollarë në muaj (për një fillestar) deri në një mijë dollarë (jo keq për atë kohë) për ata më të mirët.
“Anonimja…” punonte aq mirë saqë mes klientëve të saj arriti të kishte madje edhe Al Kaponen.
Pra, mund të thuhet se intuita e Albert Anastasia për krijimin e një “shërbimi të përqëndruar” suksesi i të cilës u demostrua menjëherë, doli se ishte një nga idetë më brilante të kohës.
Por kishte edhe një arësye tjetër që e shtynte Anastasian të preferonte vrasjet. Këtë e zbulon Abe “Kid Twist” Reles, një bashkëpunëtor i tij që në një farë momenti u bë llafazan (shumë llafazan, aq e vërtetë është kjo saqë në një moment të caktuar i rastisi të fluturonte nga dritarja e katit të gjashtë të një hoteli, në vend që të zbriste me ashensor): “Alberti vret për të ndjerë kënaqësinë e vrasjes. Në çdo punë të re ai përdor një teknikë të rë, i stërvit personalisht vrasësit, ka fiksimin e vrasjes perfekte…”. Pra, me pak fjalë: një i çmendur, një maniak vrasës, por me ndjenjën e biznesit.
Bashkëpunëtor i ngushtë i Anastasias ishte Joe Adonis, alias Giuseppe Doto, i predispozuar sidomos për kontakte politike dhe përgjithësisht “për marrëdhëniet e rëndësishme”. Ndryshe nga Reles, Giuseppe Doto ishte një njeri i heshtur që e ruante sekretin; nuk e tradhëtoi kurrë kapon e tij dhe ia hodhi, pas shuarjes së yllit të Anastasias, me një dekret dëbimi nga SHBA-të. Amerikanët e rikthyen në Itali dhe për shumë kohë jetoi si pensionist në Milano.
Duke ecur më tej nëpër historinë tonë, le të ndalojmë paksa në një moment ngatërrese mjaft të përhapur ndër studiuesit e kronikave të kohës: shpesh bëhet një ngatërresë e madhe midis Sindikatës së Krimit dhe “Vrasjeve Anonime”. Në fakt bëhet fjalë për dy organizata krejt të ndryshme nga njëra-tjetra.
Sindikata e Krimit (themelimi i së cilës nga disa i atribuohet gangsterit të Chicago-s, Xhon Torrio dhe nga të tjerë Al Kapones) ishte një organizatë që mund të përkufizohet si profesionale: qëllimi kryesor i saj ishte harmonizimi i aktivitetit të bandave të ndryshme dhe të sektorëve të ndryshëm të krimit, për të evituar me sa të ishte e mundur ndërhyrjet në punët e njëri-tjetrit midis kolegëve. Amerika është e madhe, ka vend për të gjithë ata që kanë vullnet të mirë, mjaft të përdoren kriteret. Kështu, Sindikata, në krye të së cilës vepronte një “Këshill Administrativ” në të cilin bënin pjesë gangsterët më të rëndësishëm, i garantonte çdo kapobande autonomitetin e tij, ndërsa ky i fundit ishte i detyruar që të kërkonte autorizimin e Sindikatës për të kryer krime veçanërisht të rënda, që mund të sillnin si pasojë reagimin e policisë, që mund t’i prekte të gjithë. Sindikata dinte të mbante disiplinën, siç u vërejt në rastin e Arthur “Dutch” Schultz, njërit prej gangsterëve më të fuqishëm të Nju Jorkut, i cili kishte vendosur, kundër vendimit të Sindikatës, eleminimin e prokurorit Thomas Dewey, një akuzues i egër i malavitës. Dewey në fakt nuk u vra, përkundrazi, më 30 tetor 1935, një karikator automatiku këpuste në mes karrierën brilante të Schultz, që kafshoi asfaltin bashkë me tre rojat dhe bashkëpunëtorët e tij. Mjeku ligjor numëroi në trupat e katër viktimave një total prej dyzetë e dy vrimash. Disiplina duhej mbajtur edhe për faktin se organizata e centralizuar lejonte dhe kundërvënien ndaj forcave të rendit në shumë mënyrë me efikase sesa mund ta bënin bandat e izoluara në luftë të vazhdueshme ndaj njëra-tjetrës.
Ndërsa “Vrasjet Anonime” ishte një nga ato të cilat sot quhen agjensi shërbimesh: shërbimi që ajo ofronte ishte vrasja në kuptimin e plotë të fjalës, vrasja profesionale, shërbim që ofrohej për të gjithë ata që ishin në gjendje të paguanin tarifat e organizatës së xhaxha Albertit. Madje edhe Sindikata e Krimit pati nevojë për shërbimet e “Anonimes…” e cila nga ana e saj ishte shumë më e disiplinuar se Sindikata.
Ishin dy ente krejt të ndryshme, me dy qëllime shoqërore të ndryshme, që vepronin në “sintoni” me njëra-tjetrën.
Albert Anastasia ecte përpara me sukses, po bëhej shumë i pasur, i respektuar, nga i cili të gjithë kishin frikë. Në fund të fundit, të paktën kështu mendonte ai, këto ishin rezultate të një pune serioze. Djaloshi i varfër nga Tropea, fëmija e një bujku të thjeshtë, emigranti që u nënshtrohej poshtërimeve dhe mjerimit, ishte bërë një njeri që mund t’i lejonte vetes gjithçka, që kishte makina të panumërta, banesa luksoze, femra si t’i donte. Elegant, sipas gustove më të këqia të një kafshe ekzibicioniste, me flokë të zinj dhe baluke të lyera me brilantinë, ai ishte një njeri, emri i të cilit i kallte tmerrin shumë njerëzve dhe që kishte ditur të krijonte rreth vetes një rrjet të shkëlqyer mbrojtës, duke korruptuar politikanë, gjyqtarë, policë. Asnjëra prej akuzave që u bë ndaj tij nuk arriti ta gjunjëzonte. Gjithmonë “Xhaxha Alberti” dilte i pastër.
Midis krimeve të kryera nga njerëzit e “Vrasjeve Anonime”, një prej tyre, që shkaktoi shumë zhurmë, ishte vrasja e gjykatësit Jeremy Caldwell, dekani i gjykatësve të Jacksonville, në Florida. Ai u vra me një injeksion prej një djali të ri, bjond, që shkoi në shtëpinë e tij në tetë pa një çerek të mëngjesit, duke u prezantuar si zëvendësuesi i infermieres e cila çdo mëngjes shkonte në shtëpinë e gjykatësit për t’i bërë injeksionin me vitamina. Disa orë më vonë gjykatësi Caldwell duhej të paraqitej në gjykatë për të mbrojtur akuzën kundër Jack Gusmond, me profesion shfrytëzues femrash, por në këtë rast ishte dërguar në proces për vrasje të dyfishtë. Gjykatësi ishte i sigurtë që do t’ia arrinte të dënonte Gusmond: faktikisht kishte arritur të siguronte një rrëfim epistolar nga një ish-ortak i keqbërësit dhe atë mëngjes do të lexonte letrën e rrëfimit të tij në gjykatë. Jeremy Caldwell nuk arriti kurrë në gjykatë dhe letra-rrëfim u zhduk. Gusmond doli i pafajshëm.
Ishte 2 marsi i vitit 1934: do të ishte një vit i vështirë për gangsterët: më 23 maj, një skuadër e përbërë prej njerëzve të sherifit të Arcadia, në Louisiana, dhe nga agjentë të FBI-së, do të kripte me plumba trupat e Clyde Barrow dhe Bonnie Parker (të njohur masivisht si Boni dhe Klajdi). Disa muaj më pas, më 22 korrik, Xhon Dillinger përfundonte i shtrirë rrugëve të Chicago-s, duke i dhënë fund jetës nën plumbat e revolverëve të njerëzve të FBI-së, të drejtuar nga inspektori Cowley. Malavita e madhe, ajo e viteve të proibicionizmit, filloi të zhdukej nën plumbat e pamëshirshëm të agjentëve të Huver dhe të njerëzve të tjerë kurajozë, si prokurori Dewey apo gjykatësi La Guardia. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dukej se më së fundi po i këpusnin zinxhirët e rëndë që e lidhnin me korrupsionin dhe imoralitetin, nën të cilët fenomeni i gangsterizmit kishte njohur një zhvillim të mahnitshëm.
Por për Albert Anastasian gjërat vazhdonin të rridhnin mirë. Artikulli i tij, vrasja, shitej gjithnjë; madje njohu zhvillim edhe më të madh pas ofensivës së njerëzve të ligjit. Kjo ofensivë shtyu shumë prej bosëve mafiozë t’i drejtoheshin “Anonimes…” për eleminimin e atyre funksionarëve që tek e fundit donin të bënin mirë punën e tyre, apo të atyre qytetarëve të thjeshtë që kishin vendosur të bashkëpunonin me Drejtësinë. Përshembull, sërish në vitin 1939 nën plumbat e “Vrasjeve Anonime” do të binte drejtuesi sindikalist Morris Diamond, që kishte denoncuar Louis Buchalter, një kriminel i specializuar në aktivitete grabitjeje dhe kërcënimesh në “Frontin e Portit”. Vetë Buchalter kishte komisionuar, tri vite më parë, tek “Anonimja…”, vrasjen e Joseph Rosen, një ish-kamionist që s’kishte ndërmend t’i nënshtrohej kërkesave të tij.
Në disa raste “Anonimja…” mund edhe të mos vriste, por të vepronte mbi viktimat e saj në mënyrë akoma dhe më mizore. Si në rastin e Victor Riesel, një kronisti kurajoz që kishte ndërmarrë një fushatë radiofonike dhe gazetareske kundër gangsterizmit, duke mbledhur prova kundër William De Koning e duke ia vënë në dispozicion drejtësisë. Një natë, duke u kthyer në shtëpi nga stacioni i radios në të cilin pak orë më parë e kishte përkufizuar De Koning “një kamorrist dhe shfrytëzues të punonjësve portualë”, Riesen-it i hedhin në fytyrë një masë të madhe acidi sulfurik, duke e shpërfytyruar në mënyrë të tmerrshme dhe duke e lënë përjetësisht të verbër. Victor Riesel ishte një luan i vërtetë, e vazhdoi fushatën e tij. Por sigurisht lënda e hedhur nga gangsterët në fytyrën e tij ishte tmerrësisht e qartë në domethënien e saj për të tjerët.
Ishte viti 1940 kur ngrehina “Anonimes…” filloi të tronditej. Abe Reles, mik i afërt i Anastasias dhe i konsideruar si “Shef i Shtabit të Përgjithshëm” të ushtrisë së vrasësve, bëri një gabim të pafalshëm për një njeri me eksperiencën dhe pozicionin e tij: vrau me dorën e tij një bandit të vogël, ndoshta për çështje femrash, dhe e bëri me kaq budallallëk saqë u arrestua menjëherë nga policia. Në burg diçka u thye brenda tij dhe ky njeri i famshëm për mungesën absolute të mëshirës kundrejt gjithkujt filloi të ndjejë frikë. Sigurisht filloi të kuptojë se, për ndonjë arsye, Anastasia i kishte “dhënë duart”. Asnjëri prej avokatëve, të gjithë në dispozicion të xhaxha Albertit nuk kishte lëvizur për të. I ishte nënshtruar të njejtit regjim si të gjithë të dënuarit e tjerë, askush nuk shqetësohej që t’i jepej, përshembull, një trajtim i veçantë. Anastasia, ato herë të rralla që kishte qenë në burg (për një total prej katër vjetësh në një periudhe prej tridhjetë vjetësh aktiviteti kriminal) gjithmonë i kishte pasur të gjitha komoditetet, përfshirë edhe shoqërinë femërore. Ndërsa Abe Reles numëronte orët, të cilat rridhnin monotone, duke patur si të vetmin “argëtim”, nëse mund të quhet kështu, momentet kur hetuesi i rradhës e merrte në pyetje. Mbeti i çuditur nga sjellja e Anastasias, që do të kishte pasur interes ta nxirrte shpejt “të pastër” nga burgu “Shefin e Shtabit të Përgjithshëm” të tij. Mjetet i kishte, por për arsye misterioze nuk po dëshironte t’i përdorte. Kështu, Abe Reles u gjend përpara dy rrugëve: në fund të rrugës së parë ishte karriga elektrike (ishte gjithnjë i gatshëm një i dënuar për vrasje), në fund të rrugës së dytë ishte bashkëpunimi me drejtësinë, për të shitur pafundësinë e atyre që dinte ai për botën e krimit e të kishte si shpërblim shpëtimin e lëkurës. Dhe Reles, që kishte mbjellë vdekjen e dhjetra njerëzve, kishte një frikë të tmerrshme nga vdekja. Dhe zgjodhi, sigurisht, rrugën e dytë.
***
Filloi të këndojë. E menjëherë u bë e qartë se gjëja më pak interesante e rrëfimeve të tij ishin imtësirat e vrasjeve të cilat ishte i ngarkuar t’i kryente. Për këto, policia dinte, praktikisht, gjithçka. Abe Reles ishte si një lumë i furishëm që shpërthen digat mbrojtëse prej tij: informacionet e tij për aktivitetin e “Vrasjeve Anonime” dhe Sindikatës së Krimit mundësuan arrestimin e dhjetra kriminelëve. Tre prej tyre përfunduan në karrigën elektrike, të tjerë morën dënime mjaft të gjata. Ishte një goditje e tmerrshme për krimin e organizuar, që doli furishëm dhe nga nuk pritej prej “uraganit” Reles. Vetë Anastasia, përgjatë gjithë vitit 1940 dhe vitin pasardhës u zhduk nga qarkullimi. Askush nuk e dinte ku ishte, askush nuk ishte në gjendje të zbatonte urdhër-arrestet që autoritetet nuk kishin si të mos i lëshonin pas rrëfimeve të Abe Reles, jeta e të cilit tashmë, nuk vlente asnjë grosh. E në këtë moment u verifikuan të tjera ngjarje të pashpjegueshme, por që gjithësesi flasin shumë për xhaxha Albertin, i cili edhe në vendin misterioz ku fshihej, ishte i fuqishëm, falë pasurive të pamata të grumbulluara dhe rrjetit të shkëlqyer të bashkëpunëtorëve të tij që kishte ditur të ndërtonte prej vitesh.
Treguam se jeta e Reles nuk vlente më shumë se një dollar. Ndoshta edhe më pak. Një njeri që kishte dhënë kaq shumë informacione duhej, sipas logjikës më elementare, të fshihej në një vend të blinduar. Në ndonjë kazermë marinsash apo në ndonjë komisariat policie. Mirëpo përkundër të gjitha këtyre hamendësive, prokurori vendosi ta mbyllte Abe Reles në hotelin Half Moon di Coney Island. Vendstrehimin e tij, kuptohet e morën vesh shumë nga të interesuarit. Për të mos folur për “xhaxha Albertin”, si më të prekurin e gjithë kësaj zallamahie. Është e vërtetë që dhoma e tij ruhej natë e ditë prej një skuadre policësh. Por deri më sot nuk është sqaruar kurrë se çfarë bënin ata mbrojtës të ligjit natën e 12 nëntorit 1941, kur Abe Reles u përplas me asfaltin, pasi fluturoi nga dritarja e dhomës së tij të hotelit, në katin e gjashtë. Është e dhimbshme të sjellësh në kujtesë atë që, në atë kohë u hipotezua nga kronistët, sipas së cilës, autoritetet që kishin marrë në mbrojtje keqbërësin kishin bërë një llogari cinike: Reles tashmë i kishte dhënë fund të gjitha atyre që dinte. Reles sigurisht meritonte dënimin me vdekje, që i ishte evituar pikërisht për ta bërë që të këndonte. Këshqu që, përse të mos i lihet ish-bashkëpunëtorëve të tij detyra për të stabilizuar ekuilibret, duke eleminuar një njeri, vdekja e të cilit nuk do të qahej prej askujt? Nuk ishte aspak e nevojshme për t’u bërë bashkëpunëtorë me banditët. Mjaftonin pak minuta “mungesë vëmendjeje”, aq sa do të nevojitej për një njeri që të fluturonte nga dritarja, me apo pa dëshirën e tij. Askush nuk na ndalon ta marrim për bazë këtë zë. Gjithësesi fakt është se hetimi për vdekjen e Abe Reles u bë mjaft shpejt, dhe u mbyll po aq shpejt duke arritur në përfundimin se kishim të bënim me një “aksident”: e çuditshme, vërtetë shumë e çuditshme, ashtu siç e çuditshme ishte edhe revokimi i mandatit të arrestit që avokatët e Anastasias arritën të siguronin në fund të vitit 1941.
Kapoja i “Anonimës” ia arriti të kthehej sërish në qarkullim, i gatshëm më shumë se kurrë për t’iu rikthyer profesionit të tij si vrasës. Dhe e filloi aktivitetin duke hequr qafe pikërisht gangsterin Tony Romeo, njërin prej njerëzve të tij, i dyshuar se bënte lojë të dyfishtë me policinë. Një tjetër fakt që lidhet me të çuditshmen është dhënia e nënshtetësisë amerikane, e cila ndodhi pikërisht gjatë viteve të konfliktit të dytë botëror.
Pra, Albert Anastasia ishte ende shumë i fuqishëm dhe po aq i pasur: mund të kishte gjithfarë dëshironte. Dhe ka mundësi që pikërisht ky të ishte dhe shkaku i shkatërrimit të tij. Një njeri me pak më shumë inteligjencë do ta kishte kuptuar menjëherë që nuk mund të sfidohet fati për vite e vite të tëra dhe të dalësh gjithmonë “i pastër”. Gjërat, do të vinte dita që, do të ndryshonin: cikloni i rrëfimeve të Reles i kishte mundësuar autoriteteve të zhduknin nga qarkullimi kapot e Sindikatës së Krimit dhe malavita kishte rifilluar të ishte një magmë e çorientuar bandash në rivalitet të përhershëm. Gjithashtu, siç ndodh në çdo aktivitet, të rinjtë filluan të ngrinin krye dhe kërkonin që të vjetrit të dilnin në pension. Ndërsa Anastasia ishte tashmë i burgosuri i mitit të tij të të pathyeshmit dhe jepte gjithnjë përshtypjen e një despoti absolut të malavitës. Për vite e vite me rradhë i kishte ecur mirë, ishte i bindur në gjithpushtetshmërinë e tij. Harbuti ishte rishfaqur, kafsha gjysëmanalfabete ishte mbërthyer në fronin që e kishte fituar me egërsinë dhe mizorinë e tij dhe gënjente veten se do të bëhej edhe më i fuqishëm. Kishte interesa edhe nëpër sektorë të tjerë: në rrjetin e shpërndarësve automatikë, nëpër bordello, nëpër grabitje, etj. Tani që shumë “kapo historikë” lëngonin nëpër burgje apo kishin përfunduar dy metra nën tokë, apo prisnin të bënin një udhëtim të shkurtër deri në dhomën e karrigës elektrike, kush më mirë se Xhaxha Alberti mund të bëhej Mbreti i Krimit?
Shumë ishin të bindur për këtë gjë. Por nëse Alberti kërkonte të shfaqej si Al Kapone, do të ishte më mirë të kujtonte se Al Kapone kishte vdekur në shtratin e tij me mendje krejt ndryshe nga ai që kishte qenë për vite me rradhë: e kishte kuptuar që ylli i tij kishte perënduar. Mirëpo Anastasias, në këtë pikë nuk i mungonin kursimet, tashmë nuk punonte më se ishte i detyruar, por vetëm për etjen e përhershme për pushtet. Përse nuk tërhiqej e të kalonte një pleqëri të qetë? As që bëhej fjalë: Xhaxha Alberti tashmë e kishte humbur sensin e racionalitetit, siç e tregoi edhe episodi i “Lullaby Hotel” në Nju Jork. Këtu Anastasia kishte zyrën e tij, ku një mëngjes hyri Ralph Garbo, për t’i raportuar shefit të tij misionin e sapo kryer. Garbo shumë vjet më parë, kur ishte i ri dhe i sapomarrë në punë, kishte treguar cilësitë e tij duke vrarë hetuesin Caldwell: i ftohtë, i besueshëm, i saktë, nuk kishte dështuar kurrë në asnjë mision dhe kishte famën se ishte praktikisht memec. Një killer si pak të tjerë në qarkullim, ndoshta më i miri në absolut i “Anonimes…”. Xhaxha Albert e vështroi ftohtë Garbon: kishte marrë vesh se killeri kishte komunikuar drejtëpërsëdrejti me klientin për të marrë detyrën dhe detajet e operacionit. Kishte bërë kësisoj gabimin e pafalshëm duke i kishte dhënë fytyrë “Vrasjeve Anonime”. E pyeti për mbarëvajtjen e operacionit: “Gjithçka në rregull shef, ju e dini mirë si punoj unë…”. Ndoshta Ralph Garbo do të donte që të kishte shtuar edhe diçka tjetër, por nuk pati kohë. Xhaxha Alberti e ndërpreu me një të shtënë pistolete. Kjo ngjarje bëri bujë në botën e malavitës. “Anastasia po shfaqet si mbret, nuk do të dëgjojë asnjë, nuk konsideron asnjë diskutim dhe tani ka filluar të eleminojë edhe njerëzit e tij më të mirë. A nuk është ora e duhur për t’i përgatitur një akivol të bukur?”, shtronin pyetjen shumë.
Miti i Albert Anastasias ishte tashmë në shurje. Dhe qërimi i hesapeve ndodhi të premten e 25 tetorit 1957. Anastasia kishte shkuar tek berberi. Një njeri si ai nuk mund të shkonte sigurisht tek një berber dosido: pozita e tij sociale i kërkonte sallonin më të mirë të Nju Jorkut, atë në Park Sheraton Hotel. Kaq shumë kishte humbur nëpër iluzionet e tij të supremacisë sa kishte lëvizur pa asnjë truprojë. Pas rruajtjes, Xhaxha Alberti i bënte gjithnjë një masaxh të gjatë fytyrës: babait të tij, bujkut të varfër të Tropeas, kurrë ndonjëherë i kishin masazhuar fytyrën. Por babai i tij ishte një njeri i ndrydhur, i varfër deri në mëshirë. Ndërsa Albert kishte prekur majën e shkallës më të lartë sociale.
Ishte me sy të mbyllur, biles as që i pa dy killerat që kishin hyrë në sallon. I pa berberi, Joseph Bocchino: sapo futën këmbët brenda në lokal, të dy vunë menjëherë nga një kapuç në krye. Më pas me hapa të matur dhe preçozë nxorrën nga brezi pistoletat dhe nisën të qëllojnë. Të shpejtë e të qetë njëkohësisht, si profesionistët e vërtetë të “Vrasjeve Anonime”. Plumbi i parë qëlloi në puls, i dyti në kokë. Berberi, që kishte mbetur si i ngurosur nga frika, e gjeti më së fundi forcën që të shtrihej përtokë, duke u rrasur pas poltronës në të cilën ishte ulur Anastasia, duke bërë kështu një gjysëm rrotullimi bashkë me të, në këtë mënyrë plumbi i tretë i penetroi në shpinë gangsterit. Kapoja i tmerrshëm i “Anonimes…” me shumë mund mblodhi forcat dhe u ngrit në këmbë, duke u mbështetur me gojë të shqyer në pasqyrën e madhe që shërbente për të parë vetveten, si të bëhej gati për të ulëritur. Por një plumb i katër pikërisht në gojën e Xhaxha Albertit shkaktoi një tronditje si të korrentit elektrik tek ai. Më në fudn u shemb përdhe, duke e mbushur hapësirën qark tij me shkumë, vegla të ndryshme rroje dhe shumë gjak. Dy killerat ulën pistoletat, hoqën maskat dhe u larguan me hap të shpejtë, duke u ngatërruar brenda pak çasteve me turmën e madhe të njerëzve jashtë.
Katër plumba, pak gramë barut, e kishin shndërruar njërin prej njerëzve më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një produkt të thjeshtë parfumerie. Polici i parë që erdhi e lëvizi me majën e çizmes dhe u mjaftua të thoshte: “Po, po, është ai ndyrësira, Anastasia…”. Ora shënonte dhjetë e pesëmbëdhjetë. Albert Anastasia ishte vrarë nga killer aq të mirë saqë nuk mund të ishin tjetër veçse ata të shkollës së tij, të “Vrasjeve Anonime”, në të cilën ai vetë personalisht kujdesej për t’i stërvitur.
Askush nuk u kujdes që t’i organizohej ndonjë funeral siç duhej, siç ndodhte zakonisht në botën e gangsterëve. Madje edhe Kisha refuzoi që ta bekonte në momentet e fundit dhe trupi i Albert Anastasias u varros përkohësisht në një tokë jo të shenjtëruar. Vrasësit e tij nuk u zbuluan kurrë. Thuhet se hetuesit e Nju Jorkut dhe ata federalë nuk u morën kurrë me rastin e tij. Madje pati nga ata që i dhanë plotësisht të drejtë, biles edhe dorën./ Përgatiti për gazetatjeter.com, Edi DELIU