Antitrusti francez, gjobë Google 220 milion euro për abuzim të pozicioni dominues në sektorin e reklamave online

Google ka pranuar të paguajë një gjobë prej 220 milion euro pas një hetimi të nisur nga Autorité de la Concurrence, antitrusti francez, për abuzimin e pozitës së tij dominuese në sektorin e reklamave në internet. Antitrusti francez e ka akuzuar Google për përfitim nga fakti se zotëron një nga platformat kryesore për ankandet online të reklamës (ADX), si edhe një nga sistemet kryesore të shitjeve të reklamave (DoubleClick for Publishers) për të favorizuar shërbimet e tij dhe për të inkurajuar reklamuesit të blejnë reklama direkt nga Google duke dëmtuar në këtë mënyrë shërbimet rivale. Hetimi filloi pas denoncimit të disa botuesve të mëdhenj, përfshirë Newscorp dhe editorin e Figaro.

Përveç pranimit të gjobës, Google ka premtuar se do të punojë për t’ia bërë më të lehtë përdorimin pikërisht të këtyre instrumenteve konkurrentëve të tij për tre vitet e ardhshme.

Autorité de la Concurrence francez e kishte gjobitur edhe më parë Google me 150 milion euro për konkurrencë të padrejtë më 2019. Gjoba i referohej Google Ads, shërbimit që lejon futjen e hapësirave të reklamave në brendësi të faqeve të kërkimit të Google, në të cilat sipas autoritetit kompania amerikane kishte vepruar në mënyrë të paqartë ndaj reklamuesve. Në veçanti, Google ishte akuzuar se kishte pezulluar ose bllokuar me të padrejtë disa prej tyre, dhe se iu kishte vendosur kushte tepër të pafavorshme.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.