Arma e fshehtë e nazistëve
Arma e fshehtë e nazistëve Miti dhe historia e vërtetë e diskut fluturues të Hitlerit: ishte inxhinieri e lartë apo thjesht propagandë?
Dardan MITROVICA – Në Nju Jork, në dhjetor 1944, papritmas u përhapën thashethemet për një sulm të afërt gjerman mbi metropol, të udhëhequr nga disqe fluturuese që mbanin armë atomike. Në të njëjtën kohë New York Times raportoi lajmin për një “sferë misterioze të pezulluar në ajër” dhe publikoi foto të objekteve të paidentifikueshme që shëtisnin me shpejtësi të dukshme, shumë të madhe. Sipas artikullit, disa londinezë i kishin parë që këta disqe duke kaluar ngadalë nën urat e Tamizit. Fantazi e pastër? Jo. Sot dihet se ato frikëra nuk ishin plotësisht të pabazuara. Nazistët po punonin me të vërtetë për armë të reja të fantashkencore. Dhe midis këtyre kishte edhe disqe fluturuese.

ARMËT “V”
Ushtritë aleate kishin zbarkuar në Normandi një vit më parë, Fronti Perëndimor gjerman ishte tashmë shumë afër kolapsit përfundimtar, por, pavarësisht kësaj, amerikanët kishin frikë se gjermanët do të përpiqeshin të shmangnin humbjen e afërt duke përdorur disa armë sekrete mjaft të fuqishme. Makina propagandistike e Joseph Goebbels, ministrit gjerman të Propagandës, synonte të bindte popullsinë gjermane që të besonte në “fitoren përfundimtare” deri në fund.
Por kjo propagandë dukej se kishte zënë vend edhe radhët në radhët e armikut. Për më tepër, a nuk do të kishte nisur Hitleri drejt Londrës raketat legjendare V2, të dizajnuara nga Wernher von Braun (arkitekt i mëvonshëm i aventurave të para në hapësirë të NASA-s), disa muaj më parë, nga shtatori 1944? Ato ishin raketa me efektshmëri të frikshme: duke mos u zbuluar dot nga radarët, e arrinin objektivin në vetëm 5 minuta nga nisja, duke qenë absolutisht i pamundur parandalimi i tyre.
Në propagandën naziste, shkronja “V” e siglës “V2” korrespondonte me inicialin e vergeltung, hakmarrje. Edhe pse në fund të luftës armët e ashtuquajtura “V” (përveç sigurisht V2) nuk do të ishin ende teknikisht të gatshme për t’u përdorur, në disa raste ata kishin një potencial të madh, aq sa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik gjatë viteve në vijim i mbështetën tek ato kërkimet për ndërtimin e raketave ndërkontinentale dhe raketave cruise. Ndërsa armët e tjera “V”, shërbyen që nga fillimi vetëm për të kënaqur fantazitë e shtabit të Führerit. Për këtë qëllim, i ashtuquajturi “Disku fluturues i Reichut të Tretë”, i njohur gjithashtu me akronimin “V7”, luajti një rol të veçantë.

PROPAGANDA
Pas humbjes ajrore në qiejt anglezë në 1940, Hermann Göring, Ministri i Transportit Ajror gjerman, ishte nën presion. Në 1941 thirri në një takim së bashku të gjithë ekspertët e sektorit, duke i nxitur të punojnë më shumë dhe më shpejt në zhvillimet e reja që do të siguronin supremacinë ajrore të Gjermanisë. Dhe pikërisht këtu që lindi miti i diskut fluturues si armë sekrete. Faktikisht, në fazën e projektimit, roli që luajti modeli i një aeroplani me ngritje vertikale nga deti ishte i mjaft rëndësishëm, të cilin konstruktori i ri Andreas Andreas Epp dhe mentori i tij Ernst Udet, asi legjendar i aviacionit gjerman, kishin paraqitur para pak kohësh tek Göringu.
Dy ekipe të veçanta punonin njëkohësisht për idenë: Richard German Miethe, inxhinier aeronautik dhe italiani Giuseppe Belluzzo, specialist i turbinave, në fabrikat e avionëve të Bratislavës dhe Dresdenit. Kolegët Otto Habermohl dhe Rudolf Schriever punonin në fabrikat Skoda në Pragë. Të parët që arritën objektivin ishin ata të grupit të Pragës.

LINDJA E MITIT
Në Mars 1944 ata përfunduan me sukses testin e parë. Mbi fluturimin e parë janë shkruar raporte të ndryshme: sipas disave, avioni kishte fluturuar me mbi 2.000 km në orë; sipas të tjerëve, ai thjesht kishte bërë përpjekje për t’u shkëputur nga toka me disa përpjekje të pasigurta.
E sigurt është që Ministria e Propagandës e ekzaltoi ngjarjen dhe njoftoi zhvillimin e armëve të reja me fuqi të jashtëzakonshme. Dhe kjo ishte hera e fundit që nazistët përmendën projektin “disk fluturues”.

ÇFARË ISHTE E VËRTETË?
Shumica e dokumenteve rreth diskut humbën ose u shkatërruan vitet e fundit kaotikë të luftës, ndërsa 15 muajt misteriozë të fluturimit provë para armëpushimit ishin të mjaftueshme për të përhapur mitin e disqeve fluturues super të shpejtë. Për Peter Pletschacher, historian i aviacionit, bë fakt bëhej fjalë për një “luftë delikate psikologjike”. Shpejtësitë e deklaruara “në atë kohë ishin të pamundura, një budallallëk total”. Sipas Pletschacher, efekti i jashtëzakonshëm që propaganda kishte mbi armiqtë ishte vetëm pasoja e respektit të madh që kishin Aleatët për aftësitë teknike të gjermanëve.

HITLERI NË ANTARKTIDË
Pas luftës miti i disqeve legjendare fluturuese të Reich-ut u zhvillua në mënyrë autonome, duke marrë forma gjithnjë e më të çuditshme. Shumë nga figurat e shquara të regjimit nazist ishin arratisur në Amerikën e Jugut dhe mbase për këtë arsye filluan të qarkullojnë zëra sipas të cilëve Hitleri dhe besnikët e tij kishin shkuar në Antarktidë me avionët a me disqet e tyre. Atje, të fshehur nëpër tunele të thellë të gërmuara nën akull, prisnin të ktheheshin në Gjermani.
Kulmi i komplotit imagjinar u arrit me historinë sipas të cilës Hitleri ishte tërhequr përkohësisht nga ambiciet e tij duke u strehuar në Hënë nëpërmjet disqeve të tij fluturuese dhe atje priste ditën e hakmarrjes. Udhëtimi në hapësirë ishte i mundshëm nga një teknikë e jashtëzakonshme shtytëse e ashtuquajtur “Vril”, e cila mund të arrinte shpejtësi deri në 40,000 km / orë.

LINDIN UFO-t
Fantazia dhe histeria nuk kishin kufij. Më 1947, disa pilotë amerikanë betoheshin se kishin hasur në objekte fluturuese të paidentifikuara: UFO. Edhe aviacioni ushtarak pretendoi se ishte përfshirë në luftime me një disk. Kështu, kur radioja dha lajmin për rrëzimin e një objekti UFO në Roswell, (New Mexico), u përhap paniku. Incidenti i Roswell doli të ishte një mashtrim: kishte rënë vetëm një ballon për motin. Përkrahësve të teorive UFO, megjithatë, as nuk ia ndjeu për këtë njoftime zyrtare dhe qyteti u shndërrua në një vend pelegrinazhi.
UFO NËNDETËSE
Paranoja e UFO-ve në vitet Dyzetë u reflektua në frikën binjake të USO (Unidentified submarine objects), për objektet nëndetëse të paidentifikuara: objekte amfibë në formë disqesh, të cilët niseshin nga nënuji, e duke dalë në sipërfaqe, ngriheshin në fluturim dhe më pas ktheheshin sërisht në det. Gjuetari gjerman i mistereve Lars Fischinger iu përkushtua studimit të fenomenit dhe ka studiuar në imtësi dhjetëra shfaqje të këtyre objekteve gjatë pesëdhjetë viteve të fundit. Për shembull, në Antarktidë, ekuipazhi i një akullthyesi kishte vërejtur disa Uso duke kaluar përmes një shtresë akulli 7 metra të trashë.
Mania e UFO-ve pas Luftës së Dytë Botërore u ushqye nga vetë zhvilluesit e “disqeve fluturues”. Në vitet ’50, Rudolf Schriever, me pompozitet, i thoshte revistës gjermane Der Spiegel për testet e kryera në Pragë: “Disqet fluturuese nuk janë lojë fëmijësh. Ato kanë një rëndësi të madhe për zhvillimin e teknikës së fluturimit”.
Nga ana tjetër, Giuseppe Belluzzo, i cili ishte profesionalisht më i kualifikuar, që në vitin 1944 kishte paralajmëruar se mjetet në formë diskoidale ishte të paqëndrueshëm, me efekt anësore gjithnjë e më të mëdha me rritjen e madhësisë së automjetit. Por historia e Schriever tani kishte patur efekt. Në Kanada u përpoqën të rindërtojnë diskun fluturues të nazistëve. Doli një dështim i bujshëm. Që atëherë, për armën sekrete gjermane nuk është folur më./ Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA