GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Armando A. Rodrigez – Sulm i dyfishtë

Armando A. Rodrigez

Dy sumbulla vezulluese rrinin dhe vrojtonin në pjesën e sipërme të çatisë; përpara tyre, në dritën e vagëlluar të yjeve, shtrihej sipërfaqja e mbuluar me copëza letrash e gjethe të kalbura nga shirat.

 Macja nuk ia hiqte sytë anës tjetër të pullazit, ku ndodheshin ca dërrasa të vjetra.

Befas, tendosi muskujt; ata u bënë të fortë dhe tashti ishte e gatshme për t’u hedhur në sulm; ia nguli vështrimin një të çare mes dy dërrasash: aty lëvizte koka e miut, që tutej mos i ndodhte gjë. Me sa dukej, durimi i maces po shpërblehej, sepse miu po matej të dilte nga strofulla për të kërkuar ushqim…

– As më thua, e dashur, si shkoi loja që bëtë? – Zëri tingëlloi i fortë; bashkë me të, një vrushkull i verdhë drite u shpërnda nga dritarja e hapur e katit të dytë aty, nën çati; papritur, miu u tërhoq prapa dhe u fut në vrimën e mëparshme. Ndërkaq, muskujt e maces u bënë të flashkët; teksa lëvizte veshët ngadalë, këqyri dritaren.

– Ti e merr me mend si janë ato mbledhje, Ernesto: bëhet një lojë, shtrohet një koktej dhe thashetheme, shumë thashetheme.

– Natyrisht, thashethemet nuk mund të mungonin, ishte mbledhje … grash.

Katërkëndshi i dritares pasqyrohej mbi pullaz i vagullt; atje lart, macja rrinte e ulur qetësisht me muskujt e flashkët dhe sytë e saj shihnin nga katrorja e ndriçuar te cepi i errët i dërrasave.

– Aty ishte gruaja e Albertit, e dashur?”

Kësaj here zëri ishte i thellë e vinte nga larg.

– Izabela? Jo, nuk mundi të vinte.

Pastaj zëri ngulmues, që përsëri u duk sikur vinte nga larg, ushtoi i thellë, si brenda një shpelle; macja ktheu sytë nga dritarja dhe këqyri ngultas.

– Luajtët në shtëpinë e Hulianit?

– Jo, nuk luajtëm në… shtëpinë e Hulianit.

Nga veriu frynte një frullim i lehtë. Në errësirë shkëndijonin sytë e maces, që këqyrnin me durim.

– Po atëherë, në ç’vend luajtët, Maria?

Tani zëri i burrit dëgjohej shkoqur, megjithëse e kishte ulur tonin.

– Në shtëpinë e Amalisë.

Në katërkëndshin e dritares u duk hija e përthyer e burrit; macja shikoi hijen, pastaj siluetën e zezë në dritare dhe u mbështet butësisht, por me padurim në këmbët e pasme.

– Në mos gabohem, më pate thënë se do të shkonit në shtëpinë e Hulianit.

– Po, ashtu e kishim menduar, por hoqëm dorë, parapëlqyem shtëpinë e Amalisë, ishim më rehat aty.

Hija u zgjat edhe më, duke u shkrirë me fasadën ballore të pallatit.

– Sa mirë që nuk keni vajtur në shtëpinë e Hulianit, se…

– Se çfarë?

Macja ngriti kurrizin, duke lëvizur veshët anash; në mes të dërrasave u dëgjua një ciatje.

– Për pak desha të vija atje e të merrja pjesë në mbledhjen tuaj. Mirë që nuk erdha, do ta kisha bërë rrugën kot… Nuk është kështu, e dashur?

Fjalët e gruas mbërritën lart te pullazi, si të shuara e të pasigurta.

– Po, Ernesto… ashtu është.

– Do ta bëja rrugën kot, se ti nuk ishe në shtëpinë e… Hulianit, apo e kam gabim?

Macja e kishte harkuar kurrizin, ndërsa këmbët iu forcuan si kabllo çeliku; sytë i mbante të mbërthyer në cepin ku ndodheshin dërrasat, pasi aty po shfaqej prapë hunda e lagësht e miut, që lëvizte herë andej e herë këtej.

– Jo, ti nuk mund të ishe atje, përderisa… luaje në shtëpinë e Amalisë…

Trupi i maces u ngrit ngadalë mbi putra.

– Mbasi nuk isha i sigurt ku ndodheshe duke luajtur, telefonova në shtëpinë e Amalisë… për të marrë vesh…

Macja eci ngadalë përpara e bëri dy, tre, katër, pesë hapa; dhe miu kishte përshkuar një copë rrugë mes gjetheve të kalbura.

– E di si është puna, Ernesto, s’desha të ta them: nuk vajtëm as të luanim, por hymë në një bar dhe pimë… Po, shkuam në një bar dhe pimë… Gabim bëra që nuk ta thashë, por nuk të kisha marrë leje…

– Po, një marrëzi ke bërë… Megjithatë, vetura jote ndodhej para shtëpisë së Hulianit…

Macja mblodhi kthetrat e bishti i ngriu; miu kishte nuhatur një farëz dhe po i qasej ngadalë.

– Ernesto, nuk besoj se ti mendon që unë…

– Jo, e dashur, është e pamundur të mendosh keq për ty… por unë jam i bindur, plotësisht i bindur se…

Trupi elastik u tërhoq prapa, pa i shkëputur putrat nga vendi.

– Jo, Ernesto, nuk është siç pandeh ti… gabohesh… Çfarë po bën, Ernesto?!..

Hapësirën katërkëndshe të dritës e përshkoi një hije e shpejtë.

-Jo, joooo, të lutem!

Trupi i miut përdridhej i zënë rob; në çastin që u dëgjua piskama, macja ngriti kokën…. bebëzat i vezullonin dhe pasqyronin dritën e dritares.

You might also like