Arthur RIMBAUD – Ofelia (në tre shqipërime)
Me veprat e tij kryesore, “Një stinë në ferr” dhe “Iluminacione”, si dhe mjaft prej poezive të adoleshencës, ku spikasin “Anija e dehur” e “Zanoret”, Arthur Rimbaud (Artur Rembo) mbeti një poet i revoltuar që lëvizjen poetike, e cila ishte nisur nga Baudelaire-i, e çoi deri në pasojat e mbrame, në manifestimet më të vlefshme të surrealizmit, duke u bërë njëri nga themeluesit më përfaqësues të poezisë moderne botërore.
Ofelia
1
Mbi valën murrake, të butë ku flejnë yjet
E bardha Ofeli tundet si zambak,
Tundet ngadalë mbi vellot e gjata dhe pyjet,
Nga sokëllima gjahtarësh, vrungullojnë larg.
Ka më se njëmijë vjet, që e trishta Ofeli
Kalon mbi lumin e murrmë si floçkë e bardhë,
Ka më se njëmijë vjet që netëve me puhi,
Marrëzia e saj murmurit një romancë.
Era i puth gjinjtë dhe kurorë i shpështjell
Në ujin kolovitës vellot e saj,
Harkohet kallami mbi ballin e thellë
Shelgjet ngjethës mbi supe dridhen e qajnë.
Zambakë të ngrysur përreth lëngojnë me shamtinë,
Në shkurret që flejnë, ajo zgjon ndonjëherë
Një fole, ku një krah lëshon një fërgëllimë:
– Dhe yjsitë e arta këndojnë gjithë mister.
2
E bukur si bora, Ofeli e zbehtë!
Po, një lumë të rrëmbeu dhe ti vdiqe fëmijë!
– Se nga grykat norvegjeze ca vrunduj plot erë
Heshtaz të patën folur për të vrazhdën liri,
Se një afsh që vibronte përmbi floknajë,
Në zemër të solli vigma të egra dhe dëgjoi
Këngët e natyrës shpirti yt ëndërrimtar,
Në ofshamën e pemës, në natën që rënkoi.
Se zëri i detrave, gulçim e grahmë,
E theu gjoksin tënd fisnik e të ëmbël shumë,
Sepse një mëngjes prilli një kalorës i marë,
I bukur e i zbehtë, memec t’u ul mbi gjunjë!
Qiell, dashuri, liri! Çfarë ëndrre, e mrrë e mjerë!
Posi bora në flakë u shkrinë gjunjët e tu
Vegimet t’i mbytnin fjalët çdo herë
Dhe infiniti lemeritës frikësoi sytë blu.
3
Poeti thotë se në rreze yjesh të nartë,
Lulet që ti këpute vjen kërkon çdo darkë,
Se ka parë mbi ujë shtrirë mbi vellon e gjatë,
Të bardhën Ofeli që lëkundet si zambak.
Përktheu Çlirim Kokonozi
Ofelia
1
Si zambak i madh lëkundet Ofelia e ngratë,
Mbi detin e zi e të qetë ku flejnë yje,
Lëkundet ngadalë e shtrirë në vellon e gjatë…
– Piskamat e gjahut dëgjohen larg në pyje.
Ka më se njëmijë vjet që Ofelia e trishtë,
Si fantazmë e bardhë kalon lumit të zi,
Ka më se njëmijë vjet që marrëzi e brishtë
Pëshpërit romanca netëve në puhi.
Era i puth gjinjtë e thur kurorë pastaj
Dhe velloja përkundet prej ujit butësisht,
Shelgjet fërgëllitës lotojn’ krahëve të saj,
Mbi fytyrën ëndërrtare përkulen kallamishtet.
Psherëtijnë rreth saj lilakët e rrudhosur,
Verrishteve që flejnë, nganjëherë zgjon
Foletë ku frullimë e flatrës s’ka të sosur:
– Kënga e mistershme yje të arta rrëzon.
2
O e zbehta Ofeli! E bukur si borë!
Në një lumë rrëmbyes ti vdiqe miturake!
– Se ernat e ftohta që nga malet fryjnë prorë
zëultë të kishin folur për lirinë idhnake,
Se ishte një flurim, që flokët t’i shpërthente,
Zhurma të çuditshme të shtinte në mendje,
Se zemra jote këngën e Natyrës ndiente
Në vajtimet e pemëve dhe psherëtimat e netëve,
Se zëri i deteve të çmendur si grahmë e pamatë,
Copëtonte gjirin tënd aq të butë e të mitur,
Një ditë prilli një kalorës i hijshëm e i ngratë,
Një i çmendur i gjorë t’u përgjunj i nemitur!
Qiell! Liri! Çfarë ëndrre, o e marrë!
Si bora në flakë u shkrive krahëve të tij,
Vegimet e gjera të përmbytën çdo fjalë
Dhe syrin blu ta frikësoi e tmerrshmja Pafundësi!
3
– Dhe rrezeve yjore Poeti u thotë ndërkaq
Se natën kërkon lulet që këpute ti,
Dhe se mbi ujë ka parë, shtrirë vellos së gjatë,
Që si zambak lëkundej e bardha Ofeli.
Përktheu Alket Çani
Ofeli
1
Në valën e qetë ku yjet flejnë me natë
Ofelia e bardhë noton si lilak i madh,
Noton ngadalë, e shtrirë në velat e gjatë…
– Në mal gjahtarët iu mbështollën sutës në gardh…
Më se njëmijë vjet Ofeli e pikëlluar
Kalon, vegim i bardhë, nëpër lumin për vaj.
Më se njëmijë vjet marri e trishtuar
N’puhin’ e mbrëmjes pëshpërit romancën e saj.
Era ia puth gjinjt dhe i shpalon kurorë
Velat e mëdhenj që tunden butësisht ndër valë,
Shelgjet dridhen e qajnë në shpatull e dorë,
N’ballin ëndrrimtar përkulet kallami ngadalë.
Rreth saj nenufaret tutëlohen me psherëtimë,
Vérri kotet e kotet ndërsa nga foleja zgjohet,
Të vogël ndonjëherë një dridhje krahësh shqim:
– Nga yjet e artë një këngë misteri dëgjohet.
2
Ofeli e zbehtë, e bukur si dëborë!
Po, ti vdiqe fëmě, shkove më valë nxitur!
– Do erëra që ranë nga malet e larta pror’
Të patën folur të vogël për lirin’e hidhur,
Se një frymë që t’i shpupurishi flokët shqim
Solli zhurmë hata në shpirtin që ëndërronte,
Zemra vuri veshin në të Natyrës këngëtim
Në psherëtimat e natës ku druri rëndonte,
Se zë deti të tërbuar, grahmë e pasosur,
Ta theu at’gjoks fëmije njerëzisht të dalë,
Se në ag prilli, kalorës i gjor’ i marrosur,
I zbehtë, i bukur, t’u ul në prehër pa fjalë!
Qiell! Dashuri! Liri!Çfarë ëndrre e gjorë!
Ti u shkrive në të porsi bora në zjarr,
Vizionet e mëdha mbytën fjalën pror’
– Dhe syn e kaltër tmerroi Pafundsi e parë!
3
Dhe Poeti thotë se në rreze ylli me natë
Lulet që i këpute ti prore vjen e kërkon,
Se ka parë n’ujë, të shtrirë në vela të gjatë,
Ofelinë e bardhë, zambak i madh, si noton.
Përktheu Mensur Raifi