GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Asgjë e re nga fronti i Serbisë

Sulejman GJANA

Vizita e Vuçiçit në Shqipëri dhe vulosja e “Ballkanit të Hapur” me 5 marrëveshje të reja, vulosi dhe certifikoi ripërtëritjen e përjetshme të marrëdhënieve midis serbëve dhe serbofilëve të mbarë shqiptarisë

Veglat e Serbisë, serbofilët e vjetër e të rinj, si dhe pacifistët panballkanistë e europeistë të mbarë shqiptarisë, që nuk mund ta kuptojnë Serbinë jashtë Europës dhe Shqipërinë e Europën pa Serbinë, kanë pësuar një goditje shokuese pas refuzimeve të Bosnjes, Malit të Zi dhe Kosovës për t’u bërë pjesë e projektit serbomadh të “Ballkanit të Hapur”. Projekt ky që do të konstituonte dhe vuloste supremacinë e Serbisë në gadishull nëpërmjet shfrytëzimit të 4 lirive, që apologjetët e Serbisë dhe vetë ideatorët beogradas i përmendin orë e çast, si të ishin 10 urdhëresat hyjnore të Krishterimit…

Reagimet e ashpra kundër shqiptarëve “jo-kosovarë” të Tiranës, prej mediave serbe, atyre opozitare dhe atyre pro-pushtetit, pas organizimit të protestës anti-Vuçiç nga gjysma e opozitës dhe pas djegies së 4 flamujve serbë, turbulluan dhe çorientuan takëmin e proserbëve të shqiptarisë. Dhe kjo sepse tashmë, të hutuar, këta nuk po arrijnë ta kuptojnë se si dhe se ku përfunduan e përse u shkërmoqën brenda 24 orësh konsideratat serbe, se “Me shqiptarët e Shqipërisë londineze nuk kemi asgjë, se ata janë ndryshe; se në fund të fundit, Shqipërinë londineze të parët tanë me Pashiqin në krye e pranuan si realitet politik, shtetëror e gjeopolitik, me të cilën edhe mund të bashkëpunojmë; se të gjitha hesapet i kemi me kosovarët terroristë, sidomos me ata që përkrahën dhe përkrahin ende UÇK-në; se këtë dallim midis Kombit Shqiptar dhe Kombit Kosovar, dijnë ta bëjnë të gjithë serbët; se për serbët dhe miqtë e tyre në Ballkan e kudogjetkë, UÇK ka qenë dhe mbetet organizatë terroriste, pavarësisht se NATO e pranoi dhe e shpalli aleate gjatë konfliktit të Kosovës, etj., etj..

Kur para 6 vjetësh Vuçiçi-mik i shef-Ramës erdhi në Elbasan për të parë ndeshjen e përfaqësueseve të futbollit Shqipëri-Serbi, serbofilët tanë, të mallëngjyer i vetëlëvdoheshin njëri-tjetrit se nuk kishin punuar kot dhe se e dinin që do të vinte kjo “ditë e bekuar”, kur dyert e Serbisë dhe Shqipërisë do të hapeshin masivisht dhe do të riktheheshin njëherë e përgjithmonë “kohët fatlume” edhe për bijtë dhe nipërit e tyre. …Kohët kur vetë ata: ishin edukuar me “bashkim-vëllazërimin”; kur kishin mësuar serbisht në shkollat shqiptare gjatë 4 viteve të bekuara të miqësisë dhe vëllazërimit; kur ishin dashuruar dhe ishin martuar me vasha serbe dhe u kishin lindur “viçat” në derë; kur kishin kënduar serbisht, kishin pirë shlivovicë e ishin dehur nga lumturia; kur ishin bërë miq të ngushtë e të besuar të serbëve e të Rankoviçit; kur ishin shpërblyer me dinarë, për detyra…

Pas vitit 1990, të parët që vërshuan drejt “Mekë”-Beogradit ishin gazetarët majtistë me në krye Remzi Lanin e Mollodjozh-Komitet-Qendrorit Komunist të Ramiz Alisë, që e emëruan Drejtor të Përjetshëm të Institutit të Mediave në Shqipëri dhe njërin nga udhëheqësit po të përjetshëm të Fondacionit “Soros-për Shoqërinë e Hapur” në Shqipërinë që po përgatitej për t’u bërë gjithashtu pjesë e “Ballkanit të Hapur”, ideuar nga Qendra e Sorosit në Beograd, dhe zbatuar nga 3 kryeministrat soroistë: Vuçiç, Rama dhe Zajev.

Pas vitit 1997 kur në Tiranë, në fuqi erdhën socialistët, drejt Beogradit Remzi Lani vërsuli gazetarët e të dy krahëve të politikës, kurse pushteti socialist vërsuli mbarë kolektivat e institucioneve të pushtetit socialist tek “vëllezërit” socialistë të Sllobos.

***

Sot serbofilët veteranë të Tiranës u rrëfejnë nipërve e mbesave se edhe po të duan, nuk i lejojnë dhe nuk mund të harronin mbrëmjet e mrekullueshme në Tiranën e pasluftës, të ftuar në ambasadën jugosllave nga Velo Stojniçi, Milan Kupreshanin-i, Josip Gjergja e Savo Zllatiçi, ku këndonin këngë serbe e kujtonin komandantët e lavdishëm Miladin, Dushan e Tempo… Sidomos dy të parët, që i kishin bërë me parti dhe i kishin sjellë në pushtetin e bekuar, ata vetë, fëmijët, nipërit e soj-sorollopin.

Ata asokohe qanë me dhimbje kur mësuan se Miladinin e vrau mësuesi gjakovar, irredentisti Haki Taha, në Prishtinë, më 13 mars 1945. E qanë me kuje Miladin-kryetarin e PKSH, që megjithëse tejet modest për meritat, u vetëdeklarua publikisht i tillë vetëm kur nacionalistët e përzunë nga Konferenca e Pezës, me argumentin se “kuvendi i bashkimit në luftë ishte i shqiptarëve dhe vetëm për shqiptarët”.

Ata asokohe qanë me dhimbje kur mësuan se Savo Zllatiçin, Tito dhe Rankoviçi e dënuan për devijacion prostalinist dhe e burgosën në Goli Otok.

Ata asokohe qanë nga gëzimi kur mësuan se Shqipëria do të bëhej Republikë e Shtatë e Jugosllavisë, dhe sidomos kur qendra në Beograd i informoi se Baba Stalini, personalisht, ia kish sugjeruar këtë ide Milovan Gjilas-it në Moskë, kur i kish thënë: “Gëlltiteni Shqipërinë…”. Dhe jo më kot, sepse në rast bashkimi në Federatë, padyshim që padronët do t’i gradonin në detyrë dhe si njerëzit më besnikë do t’i emëronin në poste kyçe të pushtetit, në republikën shqiptare, apo në Beograd, në organet federative.

Ata në shumicë ndodheshin në Vishegrad, në Sanxhak e në Kosmet, kur mësuan lajmin e gëzuar se në shkurtin e vitit 1945 Baba Stalini dërgoi në Kosovë 29 oficerë ekspertë të NKVD për themelimin e OZNA-s jugosllave, si struktura e bekuar ku ata u emëruan dhe u hierarkuan me detyra sekrete të besuara, që u garantonin të ardhmen.

Ata kontribuan me gëzim për çarmatosjen e shqiptaromëdhenjve “reaksionarë” të Kosovës dhe dorëzimin e tyre në duart e “vëllezërve serbë”. U gëzuan dhe kontribuan personalisht në “Masakrën e Tivarit”, dhe sidomos në spastrimin e mijëra Rusëve të Bardhë, familjarisht, si dhe të mijëra irredentistëve shqiptarë në mbarë Kosovën, në bashkëpunim me kolegët e NKVD (paraardhësja e KGB) dhe të OZNA (paraardhësja e UDB), konform listave të përgatitura, duke e pastruar Kosovën prej tyre brenda pranverës së vitit 1945. Kontribut për të cilin u përgëzuan dhe u hierarkuan si graduatë të shërbimit të fshehtë jugosllav, e ku natyrisht edhe u rekrutuan si agjentë të dyfishtë serbë dhe rusë.

Ata e qanë me piskamë prishjen e Baba Stalinit me Xhaxha Titon dhe u ngazëllyen nga lumturia kur Hrushovi u pajtua me Titon, pasi ky pajtim u realizonte dëshirat dhe u konsolidonte ardhmërinë.

Sidomos e paharrueshme për ta do të mbetet dita e fundit e bekuar e festës kombëtare të Jugosllavisë e vitit 1956, pas vizitës së Hrushovit në Beograd, kur të ftuar në ambasadën jugosllave ngritën dolli me shlivovicë, me në krye komandantin Hulusi Spahiu, dhe kënduan këngë serbe me sytë e përlotur, drejtuar nga portreti stërmadh i Titos, të cilin sipas rregullave të dollive me dollibash Hulusiun, e përshëndetën duke rrufitur për nder të tij dollitë e pafundme, bash në sytë e Nexhmijes, Vitos e Fiqiretit, si dhe të mbarë byroistëve.

Ata gjithashtu lumturoheshin e përbetoheshin për besnikëri ndaj Beogradit, ndërkohë që askush nuk i cënonte në karrierë e privilegje, teksa përflisnin nën zë faktin se kishin garanci, sa kohë që Feçorr Shehu, asokohe ish kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Shkodër, drekën e hante në hotel “Rozafa”, ndërsa darkën e hante me udbashët në Ulqin, Tivar e Podgoricë, për t’u paraqitur të nesërmen në krye të detyrës në Shkodër, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, shpesh i shoqëruar nga “tradhtarë të lidhur” e të marrë në dorëzim personalisht, ngaqë ishin kapur nga kufitarët jugosllavë pasi kishin tentuar të arratiseshin.

Ata kishin qarë me lot në vitin 1966 pas plenumit të Brioneve, ku Tito kish dënuar përgjithmonë shef-Rankoviçin në përplasjen finale të luftës për pushtet. Ata ishin të bindur se ishin Kadriu dhe Feçorri garantët e vërtetë proserbë, që i siguronin jetën Enverit në vizitën e bujshme të tij në Tropojë, në vitin 1972, vetëm 5 kilometër në vijë ajrore me kufirin, dhe se garantët nuk mund të ishin aspak ushtarët e batalionit të Diko Zeqos.

Ata e dinin se ishin po Kadriu dhe Feçorri, garantët e Enverit dhe byroistëve në pushimet që këta bënin në Volorekë (Drilon), vetëm 100 metër larg kufirit, dhe nuk ishin aspak Sulo Gradeci e Diko Zeqo.

Ata e kuptonin mirë se e keqja Enverit të tyre dhe byroistëve mund t’i vinte vetëm nga shqiptarët e Tiranës, nga të cilët ruheshin në Bllok prej qindra ushtarë-gardistësh të Diko Zeqos dhe prej kapterave me kobure të Llambi Peçinit dhe Sulo Gradecit.

Ata e dinin mirë se “ashtu ishte loja”, kur mësuan se i gjithë zinxhiri komandues i Divizionit të Peshkopisë, në vitin 1975 u gjykua me dyer të mbyllura dhe u dënua me akuzat: “tradhti ndaj atdheut” dhe si “agjentë serbë”, teksa “zinxhiristët udbashë” për vite e muaj të tërë kalonin kufirin dhe e hanin çdo natë darkën në Dibër të Madhe.

Ata ishin të parët që organizuan dhe udhëhoqën manifestimin e solidaritetit me juntën e gjeneralëve rusë të Ushtrisë së Kuqe dhe KGB, pas Grushtit të Shtetit të gushtit 1991, zhvilluar në bulevardin e Tiranës.

Ata ishin në anën e Millosheviçit gjatë luftërave që shoqëruan shpërbërjen e ish Jugosllavisë, që kish qenë çifligu dhe domeni i miqve dhe padronëve serbë.

Ata u lumturuan kur panë të ngriheshin tre gishtat në Vlorë, gjatë trazirave të vitit 1997, si lartim i simbolit serb në duart e mijëra kallashnikovsave, që mbanin armët e tmerrshme ndonëse ende nuk ishte shpërthyer asnjë depo e ushtrisë shqiptare të kohës. Madje ishin ata që dhanë ekspertizën dhe kontributin e tyre për shkatërrimin e të gjitha llojeve të armatimit luftarak, pasi në shumicë ishin ushtarakë të përgatitur në Jugosllavi, e më pas të specializuar në BS dhe Kinë.

Ata tashmë përjetojnë tronditje psikike qysh nga 14 tetori i vitit 2014 në Beograd, kur 30 mijë tifozët serbë shpërthyen në kore raciste në drejtim të të gjithë shqiptarëve, pa dallim, pra edhe në adresë të tyre, duke kërkuar “vdekjen e gjithë shqiptarëve, aq më tepër që janë vëllezër të kroatëve…”.

Ata tashmë e kuptojnë se kanë mbetur në minorancë të papërfillshme brenda shqiptarisë, dhe mundi e djersa e proserbizmës u janë bjerrë dhe kanë shkuar për dhjamë qeni.

Ata tashmë e kanë të vështirë të justifikohen para padronëve, pasi ndikimi i tyre tek shqiptarët është minimizuar skajshëm.

Ata e ndjejnë se kauza e tyre pothuajse po asgjësohet, pasi paskëtaj nuk mund të mbeten aq lehtë “garantët” e serbofilisë në mbarë trojet shqiptare.

Ata e dinin se panjugosllavizmi kishte marrë fund bashkë me shpërbërjen e Federatës, dhe këtë e kishin pranuar edhe shefat në Beograd, kur u kishin komunikuar “strategjinë e re, në kushtet e reja…”.

Ata u lumturuan kur mësuan se në paradat e përbashkëta serbo-ruse të Beogradit çdo vit parakalojnë bashkërisht mijëra trupa të përziera, serbe e ruse, dhe demonstrohen forca, teknika dhe teknologjia e fundit, e sjellë nga “Rusia-mëmë, aleate strategjike e serbëve”..

Tashmë ata ndjehen të sigurtë, teksa shtiren sikur janë pro NATO-s. E përse të mos shtiren dhe t’i marrin pagat dhe pensionet e rritura si ushtarakë aktivë dhe rezervistë të një “vendi anëtar të NATO-s”, duke bërë njëkohësisht edhe detyrën e ngarkuar prej shefave. Ashtu siç bënë dikur, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur nga njëra anë ngjireshin se ishin aleatë të “Aleatëve të Mëdhenj: Rusisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve”, ndërsa nga ana tjetër punonin me serbët e rusët, për interesat sllave dhe për pushtetin. Ashtu sikurse kishin vepruar bashkë me UDB-në për minimin e Kanalit të Korfuzit dhe dëmtimin e luftanijeve britanike, me ç’rast lanë kokën edhe 44 marinarë.

Ata e dijnë se mund të shërbejnë duke qenë njerëzit e besuar të Serbisë dhe të Rusisë brenda NATO-s.

Ata e kuptojnë se, në thelb, në Serbi e Rusi nuk ka ndryshuar asgjë. Madje mund të thuhet me plot gojën se Beogradi dhe Moska janë në rrugën e vazhdimësisë.

Për ta nuk ka rëndësi fasada, por thelbi. Për ta ideologjia komuniste dhe “lufta çlirimtare” ishin instrumente për grabitjen me dhunë e me “ligj” të pasurive të shqiptarëve, sidomos pasurive të mëdha të kundërshtarëve. Në këtë skemë, ideologjia dhe “lufta çlirimtare” ishin instrumente për marrjen e pushtetit, që është qëllimi fundor, sikurse thoshte edhe Lenini: “I gjithë pushteti, sovjetëve…”. Pra pushteti dhe vetëm pushteti, që të siguron gjithçka…

Ata e dijnë mirë dhe janë të bindur se, në kushtet e reja, Beogradi dhe Moska ua kanë sërish nevojën dhe do t’i thërrasin sërish në apel… Ndaj ata janë të gatshëm…, në pritje, si rekrutë dhe ushtarë të përjetshëm, që presin zërin e borisë, urdhërin për betejat e reja.

Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe, sa kohë që nën urat e Lanës së Tiranës, Savës, Zdravës, Danubit dhe Vardarit të Serbisë dhe RMV rrjedhin të njëjtat ujëra të ndotura të Serbofilisë…

You might also like