GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Asimetria defaktorizuese e shqiptarëve në Ballkan

Nga Altin HOXHAJ

Ramë-kryeministri i shtetit-amë të mbarë shqiptarëve në Ballkan, tashmë është shndërruar thjesht në “pjeshkë” dhe “velinë” polifotosh me sllavët Vuçiç dhe Zajev&co, që shpërndahen nëpër rrjete sociale për të përthithur pëlqime (lajke), teksa pas kuintash personazhet soroistë të sipërcituar “përputhen”, athua se po përsërisin “vëllazërim-bashkimin” titisto-enveristo-gligorovist. Kësisoj, autori i motos “zero probleme me fqinjët”, ka shtyrë në kalenda avancimin e Çeshtjes Kombëtare, për çka mbart detyrimin institucional që ia ngarkon Kushtetuta… 

109 vjetori i shpalljes së Pavarësisë e gjeti dhe e la faktorin shqiptar në Ballkan shumë larg objektivave të realizimit pjesor të të drejtave kombëtare e atyre individuale (të Njeriut), në të gjitha shtetet fqinje ku shqiptarët bëjnë pjesë. Por gjithashtu e gjeti dhe e la sërish shumë larg objektivit të zgjidhjes së plotë të Çështjes Kombëtare dhe konsolidimit si faktor jetik në gadishull.

Kjo gjendje në nivelin e ngrirje-statukuosë së programuar nga fqinjët tanë dhe e ndihur habitshëm nga vetë lidershipet politike shqiptare, ka konturuar qartë dritëhijet e Pafuqisë sonë dhe dështimin e detyrimit të shtetit amë-shqiptar për përmbushjen e aspiratave kombëtare, qysh nga mbrojtja e të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve, e deri tek bashkimi kombëtar, të përcaktuara qartë edhe në preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë.

Në vitin 1991, pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe pavarësimit të shteteve sovrane të Federatës jugosllave, Millosheviçi vikati me të madhe se “ky pavarësim nuk është tjetër veçse instrumenti juridik kriminal për asgjësimin e serbëve dhe të kombit serb në republikat sovrane jugosllave ku ata jetojnë…”, me ç’rast ai dhe banda kriminale që e rrethonte përligjën politikën e shpërbërjes së përgjakshme të Federatës e të konfliktit ndëretnik, me pretekstin “e mbrojtjes së jetëve të rrezikuara të serbëve”!!?

Asokohe faktori ndërkombëtar çuditërisht dhe paturpësisht heshti, megjithëse “Plani i Paqes për pavarësimin paqësor të kombeve e shteteve përbërëse të Federatës Jugosllave konform Kartës së Atlantikut dhe asaj të OKB për të Drejtën e Vetëvendosjes së Popujve deri në Shkëputje”, formuluar dhe prezantuar nga lordi Kerrington – u bë copë e çikë në terrenin jugosllav, duke sjellë, bashkë me dështimin, edhe fillimin e konfliktit të përgjakshëm ndëretnik.

Por platforma ultranacionaliste serbe e artikuluar prerazi nga Millosheviçi, dëshmonte gjithashtu se ishte e kalkuluar mjaft qartë dhe saktë, teksa megjithë humbjen e Kosovës në fund të dekadës – definoi një bilanc pozitiv të faktorit serb në Ballkan. Bilanc që u kurorëzua me konsolidimin e faktorit serb si pjestar tejet i rëndësishëm tryezash vendimmarrëse, deri edhe me përdorimin e tij si mjet adekuat shantazhi politiko-diplomatiko-ushtarak për të përfituar me çdo kusht dhe mënyrë financim-investime strategjike, kredi të buta dhe avantazhe politiko-diplomatike për rimëkëmbjen ekonomike, zhvillimin dhe integrimin sa më parë të Serbisë në BE.

Megjithë përmbysjen e raporteve shqiptaro-serbe në favor të shqiptarëve pas pavarësimit të Kosovës, Serbia ia arriti të ruajë sovranitetin mbi Bujanovc-Medvegjë-Preshevën, madje realizoi getoizimin e shqiptarëve atje dhe spastrimin etnik të heshur të tyre. Dhe jo vetëm në këto krahina, por edhe në Sanxhak dhe Metohi, duke përmbysur në mënyrë të pakthyeshme raportet demografike në dëm të shqiptarëve.

Por fitorja më e madhe e serbëve ishte dhe mbetet izolim-enklavizimi i Mitrovicës së Veriut nga pjesa tjetër e Kosovës. Ndaj mund të themi pa droje sot, se ky proces e ka shndërruar Mitrovicën e Veriut në detonator nëpërmjet transferimit atje të të gjithë paramilitarëve-kriminelë lufte të ish Jugosllavisë. Dhe kjo nëpërmjet: 1) militarizimit me projekt dhe armatosjes së bandave neoçetnike të stërvitura si krah ushtarak në terren, me detyra luftarake; 2) ngritjes së strukturave paralele alla-pushtet vendor, të financuara dhe drejtuara direkt nga Beogradi; 3) përmbysjes së raporteve etnike, nga 60 % në vitin 1989, në 10 % me shqiptarë sot, në veri të lumit Ibër, duke lejuar përkohësisht atje ndoca dhjetëra shqiptarë, që terrorizohen çdo ditë për t’u larguar me përdhunë, duke krijuar kësisoj një njollë të pastër serbe mbi hartën e enklavizuar të Kosovës dhe duke bërë sërish copë e çikë planin tjetër ndërkombëtar, atë që mban emrin “Ahtisari”.

Fatkeqësisht, më 17 janar 2013 shqiptarët u ulën me imponim në tryezën e Brukselit përballë serbëve, me Konventën e leckosur Europiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe me Planin “Ahtisari” të dështuar – duke e servirur dorën e Thaçit drejtuar Daçiçit thjesht si Atu për integrimin e Serbisë në BE dhe përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të serbëve me penelalat e vetë shqiptarëve “kryeluftëtarë” të UÇK-së.

Dhe fatkeqësisht kjo dhuratë e atëkohshme për serbët u bë pa kurrfarë kushtëzimi politik të Serbisë nga faktori shqiptar, për gjithçka të mbrapshtë të gatuar në kuzhinat antishqiptare të Beogradit dhe kontinentit.

Kësisoj serbët, pavarësisht krimeve të përgjakshme dhe rrënimit të Kosovës, të kryera botërisht para dhe gjatë konfliktit të vitit 1999, me firmën e baroneshës Ashton dhe vulën e Parisit zyrtar, e rehabilituan ndërkombëtarisht mbarë klasën politike serbe (vartëse, apo aleate dhe mbështetëse e Millosheviçit, pavarësisht pozicionit politik: në pozitë apo opozitë). Qysh nga ajo ditë, me ndihmën e Thaçit dhe me slogane demokratike, serbët u vetëshpallën aleatë të Brukselit dhe ia arritën të balanconin pozitat ndërkombëtare në raport me shqiptarët, duke u shndërruar kësisoj: nga xhelatë në “viktima” dhe “bashkëvuajtës nën regjimin e Millosheviçit”.

***

E disfavorshme dhe aspak e avancuar vazhdon të jetë situata edhe në Maqedoni, pas vijimit me kujdes dhe pa ndërprerje të segregacionit dhe aparteidit që maqedonët ushtrojnë ndaj shqiptarëve, pavarësisht nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshje kjo e mbetur pa u zbatuar, teksa tashmë është shndërruar thjesht në një leckë me ndihmën e vetë shqiptarëve, sidomos të atyre që mbllaçisin thërrimet e tryezës së pushtetit politik të koalicioneve shqiptaro-maqedone, në bashkëqeverisjen absurde deri edhe me ultranacionalistët shekullorë të VMRO-DPMNE.

Tashmë nuk ka asnjë dyshim se Marrëveshja e Ohrit nuk e përmirësoi aspak pozitën politike të shqiptarëve, që për afro 25 vjet me radhë pas pavarësimit të Shkupit në vitin 1991, u akuzuan dhe u trajtuan si destabilizues e shpërbërës potencialë të ish-Maqedonisë dhe “pengues të integrimit të saj”. Dhe këto keqtrajtime e akuza pa doganë ndaj shqiptarëve jetësoheshin me projekte shovene dhe jo rastësisht – ndonëse gjuha, kultura, simbolet dhe të drejtat e tyre kombëtare e njerëzore injoroheshin pambarimisht nga institucionet zyrtare, krahas tendencave për spastrimin e tyre etnik me doreza të bardha.

***

E njëjta situatë, por me skema më të sofistikuara zhvillohet në dëm të shqiptarëve në Malin e Zi, teksa qeveritë sllave atje kanë mbajtur nën sekuestro konservative dhe pa kundërshpërblim tokat-pronë të shqiptarëve, të marra me forcën e ligjeve antishqiptare të Jugosllavisë titiste, për gjoja ndërtimin e bazave dhe impianteve ushtarakë për qëllime mbrojtjeje, në Ulqin e Tivar.

Aktualisht, faktori politik shqiptar në Malin e Zi, jo vetëm është fragmentuar e përçarë, por përfaqësohet nga një pakicë aq e vogël parlamentare, sa thua se shqiptarët janë afro 2 % e popullsisë së shtetit liliput me 700 mijë banorë.

Fitorja minimaliste e Tuzit në zgjedhjet vendore dhe përdorimi i “Abazit” shqiptar për “viç” të planifikuar për “skartim në thertoren” e një konflikti të përgjakshëm serbo-malazez me shtysë dhe implikim të egër rus, nuk i faktorizojnë aspak bashkatdhetarët tanë atje.

Defaktorizimi politik dhe shkombëtarizimi e asimilimi i shqiptarëve në Malin e Zi janë kaq të dukshëm, sa thua se Hodo Pashë Sokoli e Jakup Ferri me 20 mijë heronj luftuan jo për shqiptarët e për mbrojtjen e trojeve të tyre etnike, (sikurse e derdhën gjakun lumë për Ulqinin, Tivarin, Rrozhajën, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë), por athua se luftuan për kralët filorusë të Cetinjës dhe për malazezët.

Me ritmet aktuale të asimilimit dhe migrimit të shqiptarëve në këtë republikë, do të vijë një kohë që numri i tyre brenda disa dekadash do të jetë më i vogël se numri i rusëve rezidentë, që do të “braktisin” mëmë-Rusinë për të “jetuar” në brigjet e ngrohta malazeze të Adriatik-Mesdheut.

***

Por nga të gjitha problemet shqiptare të pazgjidhura (përveç Kosovës), Çështja Çame është kryesorja dhe me peshën më të lartë specifike.

Fatkeqësisht, edhe pas tre dekadash, përparimi për zgjidhjen e saj është jo vetëm minimal, por pothuajse i padukshëm, për të mos thënë se është retrograd dhe tejet i rrezikuar.

Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit i vitit 1996 midis Shqipërisë dhe Greqisë, deri më sot jo vetëm nuk i ka shërbyer zgjidhjes graduale të Çështjes Çame, por i ka shërbyer Greqisë si alibi për ta sfumuar atë deri në zhbërje, si dhe për t’i përdorur marrëdhëniet shqiptaro-greke si matricë alla-ballkanike dhe standard ndërshtetëror në fushën e minoriteteve. Matricë dhe standarde që i shërbyen ndërkombëtarisht Athinës për relativizimin dhe justifikimin e shantazhit 28-vjeçar kundër “Maqedonisë” së gjorë, pas suprimimit total të të drejtave politike të pakicave bullgaro-maqedone në Greqi (mbi 500 mijë banorë), dhe atyre shqiptare e turke, pa përfshirë këtu të drejtat pasurore të hebrenjve të spiunuar dhe më pas të spastruar bashkërisht nga greko-fashistët dhe hitlerianët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Madje as aneksi i Traktatit shqiptaro-grek, që zyrtarizon ngritjen e komisioneve të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve respektive, nuk është përfillur dhe nuk është vënë në zbatim për zgjidhjen e ndonjë problemi që i takon si e drejtë palës shqiptare.

Aktualisht nuk gjendet sot asnjë diplomat shqiptar që të dëshmojë se cila nga kërkesat dhe të drejtat që ka parashtruar pala shqiptare, është pranuar nga pala greke dhe është zgjidhur, në favor të palës sonë. Dhe kjo ka ndodhur e ndodh sepse ky traktat “miqësie” është ideuar dhe zbatuar për të avancuar axhendën greke me pëlqimin dhe kontributin e vetë shqiptarëve, si dhe për retushimin e imazhit skandaloz të Greqisë si shteti i vetëm ballkanik që ka mohuar ekzistencën e pakicave etnike (ndonëse ato përbëjnë më shumë se 10 % të popullsisë së saj), duke u vetëshpallur paturpësisht si “shtet etnik i pastër”, e për pasojë pa kurrfarë detyrimesh respektive ndaj minoriteteve!!!

Sot Greqia ka shkuar kaq larg me talljen shtetërore të shtetit shqiptar, sa nga njëra anë pretendon se ka bërë shfuqizimin e Ligjit të Luftës të vitit 1940 me Shqipërinë, ndërsa nga ana tjetër mban në fuqi dispozitat e tij për vendosjen dhe zbatimin e sekuestros konservative mbi pasuritë e shtetit shqiptar, të shtetasve etnikë-shqiptarë me shtetësi shqiptare, pa përfshirë këtu pasuritë e çamëve-shqiptarë etnikë me nënshtetësi greke, të cilët ajo i quante shtetas të saj deri në momentin e deportimit masiv të tyre drejt Shqipërisë, pas masakrave gjenocidale të qershorit 1944 dhe janarit 1945.

Madje në vitin 2004, Greqia i dha të drejtë vetes të miratojë Ligjin për zhbllokimin e sekuestros konservative mbi pasuritë  e ish nënshtetasve të saj çamë, drejt ligjërimit të shitjes së tyre në favor të qytetarëve me kombësi greke?!!

Në këto kushte, miratimi i Rezolutave formale për Çamërinë në Kuvendin e Shqipërisë, propozuar vetëm nga PDIU – mbetet pseudo-kushtëzimi minimal ndaj Greqisë, në përmbushje të detyrimit madhor që vjen nga respektimi i preambulës së Kushtetutës… Dhe kjo ngaqë rezoluta në fjalë thjesht e kushtëzon pakëz moralisht, por nuk e dikton administrativisht aksionin diplomatik të Tiranës për zgjidhjen e Çështjes Çame.

***

Kjo tablo ku dritëhija e dështimit të misionit të faktorit shqiptar në Ballkan ravijëzohet gjithnjë e më fort, thjesht konfirmon thënien e politologut Arbër Xhaferri, “Aty ku shqiptarët luftuan heroikisht për trojet dhe lirinë e tyre gjatë shekullit XX, u shpërblyen… Dhe kjo pasi e bindën botën demokratike për drejtësinë e kauzës së tyre…, duke i siguruar kombit shqiptar aleatët e natyrshëm, çka do të thotë se lirinë e merituam dhe e fituam, kryesisht, me gjakun dhe sakrificat tona”.

Gjetkë, jemi tek “arra e Tares”, nën hije, duke pritur të na bien vetë kokrrat e uruara, mundësisht në gojë…, dhe madje të qëruara.

You might also like