GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Astrit KOLA – Fejesa e dështuar e Mbretit Zog dhe implikimet politike ballkanike

Pas kryengritjes së Fierit së vitit 1935 dhe zhvillimeve shqetësuese politike brenda vendit, në rajon e më gjerë gjatë vitit 1936, Mbreti Zog vendosi të martohej doemos, por gjithmonë duke patur parasysh përzgjedhjen e një pretendenteje të besimit katolik roman, si dhe të një krushqie me lidhje të forta politike, çka do të mundësonte aleanca në rast të rrezikimit të interesave të vendit dhe të kurorës mbretërore. Në këtë vendim, tashmë të pjekur plotësisht, Mbreti përjashtoi njëherë e përgjithmonë ndarjen e kurorës me pinjolle të familjeve aristokratike italiane, për shkak të implikimeve dhe preteksteve për ndërhyrje të qarqeve politike dhe Italisë në punët e brendshme të shtetit shqiptar, e deri në rrezikim të sovranitetit dhe pavarësisë së vendit.  Ndaj, për këtë arsye, vëmendja e tij u fokusua në përzgjedhjen e kandidateve nga aristokracia e vendeve aleate tradicionale të Shqipërisë, ndër të cilat përparësi kishin ato të aristokracisë së Perandorisë së dikurshme Austro-hungareze, vlerat e padiskutueshme të të cilave Ai i kish njohur nga afër gjatë viteve të qëndrimit të imponuar dy vjeçar në Vjenë (nëntor 1916– nëntor 1918).

Gjatë bisedimeve të zhvilluara në Berlin më 21 tetor 1936, midis ministrit të Jashtëm të Italisë, Kontit Galeaco Çiano dhe ministrit të Jashtëm gjerman, Baronit Kostandin von Neurath, kryediplomati i Rajhut theksoi se qeveria gjermane dëshiron të mësojë opinionin e Italisë rreth dëshirës së shprehur nga Mbreti Zog për hapjen e ambasadës shqiptare në Berlin, për çka ai ishte njoftuar në mënyrë të përsëritur.

Konti Çiano iu përgjigj kolegut se, në parim, qeveria italiane nuk kish asnjë objeksion rreth kësaj kërkese të Mbretit Zog.

Nga dokumentacioni i ministrisë së Jashtme të Italisë, mësohet se qeveria italiane u informua nga agjentët e saj në Budapest se ishin siguruar të dhëna mbi tratativa për një fejesë të mundshme midis Mbretit Zog dhe konteshës hungareze Hanna Mikes, 25 vjeçare, e bija e Kontit Armond Mikes, pinjolle e njërës nga familjet më të njohura të fisnikërisë së Transilvanisë.

Për të mundësuar këtë njohje, kontesha Hanna Mikes vizitoi Tiranën më 28 dhjetor 1936, në shoqërinë e Baronit Frederick Villanyi, ambassador fuqiplotë i Hungarisë në Romë, i akredituar gjithashtu edhe në Tiranë. Por pas kthimit të konteshës Mikes nga Tirana, agjentët informativë nuk mundën të mësojnë se çfarë u bisedua dhe u vendos lidhur me këto tratativa dypalëshe për lidhje serioze martesore.

Por selia “Kixhi” në Romë ishte e bindur se Mbreti Zog kish vendosur që të martohej me ndonjë pinjolle të familjeve të mëdha të aristokracisë perëndimore, vendim ky që lexohej edhe midis rreshtave të deklaratës që Mbreti Zog publikoi para përfaqësuesve më të lartë të shtetit dhe shoqërisë, të ftuar në pritjen tradicionale që Ai dhe Oborri Mbretëror jepnin çdo datë 31 dhjetor, në festimin e Vitit të Ri, e që zhvilloheshin në Pallatin Mbretëror.

Në fjalën e tij të përshëndetjes dhe urimit të të pranishmëve, Mbreti Zog ndër të tjera theksoi: “Ne duhet me shpejtësi të vendosim një lidhje të menjëhershme dhe të përhershme me kulturën dhe qytetërimin perëndimor. Kjo për ne bëhet e domosdoshme jo vetëm nga historia, por edhe nga pozicioni ynë gjeografik dhe politik, si edhe nga vetë karakteri, simpatitë dhe formimi shpirtëror i kombit tonë”.

Më 15 janar 1937, Mbreti Zog refuzoi t’i përgjigjej një deklarate thuajse ultimative, e që dëshmonte nervozizëm dhe shqetësim, dërguar personalisht nga pretendentja për fronin e Shqipërisë, kontesha Hanna Mikes, e ku parashtroheshin edhe konsideratat pothuajse kërcënuese të nënës dhe vëllait të saj, në një letër që ia solli personalisht Mbretit, daja i zonjushës Mikes, ish kryeministri i Hungarisë, Konti Stephen Bethlen.

Më 15 mars të vitit 1937, Mbreti Zog thirri në Pallatin Mbretëror për bisedime shumë të rëndësishme, ambasadorin fuqiplotë të Mbretërisë Serbo-kroato-sllovene të akredituar në Tiranë, Radoje Jankoviç. Në këtë takim Mbreti Zog i shprehu diplomatit jugosllav shqetësimin e tij të thellë lidhur me përmbajtjen dhe mbështetjen nga qarqe politike të Beogradit të Memorandumit famëkeq të 7 Marsit 1937 të profesorit të Universitetit të Beogradit Dr. Vasa Çubrilloviç (i atashuar si ekspert dhe këshilltar pranë qeverisë jugosllave të kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm Milan Stojadinoviç, “për çështjet ndëretnike, të kolonizimit e të politikave demografike”.

Mbreti Zog i theksoi Jankoviçit se e kish të vështirë ta suportonte faktin e tolerimit të habitshëm të tezave dhe qëndrimeve të këshilltarit qeveritar Çubrilloviç nga z.Stojadinoviç dhe kabineti i tij, ndërkohë që në këtë memorandum i kërkohej hapur qeverisë jugosllave që të shpërngulte në mënyrë të organizuar dhe me dhunë shtetërore dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës dhe Metohisë për në Shqipëri dhe Turqi.

Mbreti i konsideroi kërcënuese për marrëdhëniet ndërshtetërore, teza të tilla raciste dhe antishqiptare të Çubrilloviçit, i cili në memorandumin e tij ishte shprehur, ndër të tjera se “Në një kohë kur Gjermania po dëbon dhjetëra mijëra hebrenj dhe Rusia po dëbon gjithashtu dhjetëra milionë njerëz nga një anë e kontinentit në një tjetër, shpërngulja me dëbim e disa dhjetëra mijëra shqiptarëve nuk do të shkaktojë ndonjë luftë botërore”.

Gjithashtu Mbreti Zog i konsideroi të patolerueshme kërkesa të tilla të shprehura në memorandum, adresuar qeverisë dhe shtetit jugosllav, që të përdorte deri ushtrinë për dëbimin me dhunë të shqiptarëve, duke përdorur për këtë qëllim armët kundër çdo reagimi kundërshtues, si dhe për shkatërrimin e pronave të shqiptarëve dhe sekuestrimin e tyre për t’i detyruar ata të pranonin dëbimin e organizuar në këmbim të mos’humbjes së jetës dhe përfundimit të procesit të kolonizimit me kolonë serbë dhe malazezë të Kosovës dhe Metohisë.

Mbreti i theksoi bashkëbiseduesit se Ai dhe qeveria shqiptare kishin vendosur të mos toleronin asnjë ideologji destruktive që i kundërvihej rendit kushtetues dhe marrëdhënieve normale midis dy vendeve fqinjë, sidomos lidhur me pakicat etnike, dhe i kërkoi që këtë ta bënte edhe Mbretëria serbo-kroato-sllovene, në shenjë reciprociteti ndaj trajtimit të shkëlqyer të pakicave etnike në Shqipëri nga ana e shtetit shqiptar. Dhe për të ilustruar këtë filozofi të tijën dhe të qeverisë shqiptare, Mbreti i përqasi bashkëbiseduesit shembullin e mbylljes të organit “Bota e Re”, një muaj më parë, në shkurt 1937, organ që kishte rënë plotësisht nën drejtimin dhe ndikimin e ideve subversive komuniste të Grupit Komunist të Korçës dhe Internacionales III-të Komuniste.

Duke hyrë në detaje Mbreti Zog e sqaroi Jankoviçin se gazeta “Bota e Re” vazhdimisht kishte propaganduar destabilizimin e rendit kushtetues dhe përgatitjen e revolucionit proletar në Shqipëri sipas mësimeve të Kominternit, për çka u drejtohej direkt edhe pakicave etnike në Shqipëri për angazhim në këtë drejtim, nëpërmjet nxitjes tek këta të idesë së keqtrajtimit nga autoritetet shtetërore dhe kundërvënies së hapur ndaj tyre si reagim i natyrshëm. Në vijim të sqarimeve Mbreti theksoi se kjo propagandë bolshevike ishte trillim i kulluar dhe me këtë rast i kërkoi bashkëbiseduesit të shprehte edhe mendimin e tij nëse qeveria jugosllave që ai përfaqësonte kishte ndonjë objeksion konkret lidhur me trajtimin e minoritetit malazez në Shqipëri.

Dhe Mbreti u qetësua vetëm kur diplomati Jankoviç pranoi se trajtimi i pakicave sllave në Shqipëri ishte i shkëlqyer dhe se qeveria jugosllave nuk kishte asnjë vërejtje në këtë drejtim, por ai ngurroi të shprehte opinionin e tij lidhur me objeksionet e ashpra të Mbretit në adresë të Memorandumit të Vasa Çubrilloviçit dhe tolerimit të këtij eksperti të lartë të qeverisë serbe për të publikuar teza dhe për t’i rekomanduar asaj masa që Mbreti nuk ngurroi t’i cilësojë “thellësisht antishqiptare dhe të papranueshme” nga Ai personalisht, “nga shteti dhe qeveria shqiptare”.

Në vijim të bashkëbisedimit, Mbreti e bëri me dije Jankoviçin se nuk kishte ndërmend të fejohej dhe martohej me Konteshën Hanna Mikes, sepse, si babai i saj ashtu edhe daja, Konti Bethlen, njiheshin si pretendentë të linjës së ashpër të restaurimit të kurorës së tyre në Transilvaninë që i përkiste tashmë Rumanisë dhe që ishte një rajon që ndodhej nën suzerenitetin e kurorës së Mbretit Karol.

Mbreti Zog i bëri me dije bashkëbiseduesit se do t’i përmbahej me përpikmëri angazhimit politik që buronte nga Pakti ndërballkanik i shteteve monarkiste të gadishullit, duke i lënë të kuptonte diplomatit jugosllav se Ai dhe Mbretëria Shqiptare nuk do të pranonin kurrsesi një martesë me ndonjë pinjolle të familjeve që kishin pretendime për restaurim të kurorave mbretërore në dëm të monarkëve dhe monarkive të vendeve të Ballkanit.

Në vazhdim të bashkëbisedimit, Mbreti Zog i tregoi diplomatit jugosllav se përfaqësuesit e tij zyrtarë, prelatët e lartë të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Kristofor Kisi dhe Josif Kedhi, të cilët Ai i kish dërguar në Stamboll më 29 shkurt 1937 për të negociuar për miratimin përfundimtar të Autoqefalisë së Kishës Orthodokse, i kthyen përgjigje zyrtare nga Stambolli se, më në fund, pas një raundi të gjatë bisedimesh, Sinodi i Shenjtë i Patrikanës Ikumenike të Stambollit e kish njohur dhe miratuar zyrtarisht Statusin e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, dhe se shkresa e nënshkruar pritej të mbërrinte së shpejti.

Mbreti, me durim i shpjegoi Jankoviçit se Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë, më së fundmi, qoftë juridikisht dhe qoftë në mënyrë kanonike, kishte fituar të drejtën e vetëvendosjes për organizimin e saj, për caktimin e peshkopëve e të peshkopatave, për përkthimin e liturgjisë dhe librave të meshës në gjuhën shqipe. Në vijim Mbreti Zog e informoi Jankoviçin se Patrikana e Stambollit nuk kishte asnjë të drejtë tjetër përveçse të ruante të drejtën e shpjegimit e të interpretimit të dogmës ortodokse, dhe se ajo kërkonte vetëm që, ndër të gjithë peshkopët e mundshëm të fronësuar nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, dy prej tyre të kishin, për këtë arsye, formim teologjik orthodoks në shkollat greke dhe të kishin jetuar jashtë vendit, domethënë në Greqi ose në Malin e Shenjtë, për mjaft kohë.

Dhe kur Jankoviçi i dha të kuptonte Mbretit se ishte i habitur për këto sqarime, Ai i tha se jo rastësisht e vinte në dijeni të këtyre zhvillimeve, por që t’ia bënte të ditur edhe shefit të tij në linjë zyrtare, pra ministrit të Jashtëm dhe njëkohësisht kryeministrit Stojadinoviç se, tashmë e tutje, qeveria jugosllave duhet t’i konsideronte përfundimisht të mbyllura pretendimet e dikurshme për ndërhyrje në punët e brendshme të Kishës Orthodokse të Shqipërisë, për të shmangur kësisoj njëherë e mirë precedentët e ngjashëm me incidentin e 15 vjetëve më parë, të shtatorit të vitit 1922, të Shkodrës, kur kisha orthodokse që drejtohej nga një prift serb, që bënte shërbesa për afro 1500 malazezë etnikë të besimit ortodoks, që banonin në Shkodër e rrethina, pa dijeninë e qeverisë shqiptare dhe Sinodit të Shenjtë shqiptar, tentoi të kalonte nën juridiksionin e Kishës orthodokse serbe dhe, drejtpërsëdrejti, të Arqipeshkvisë së Pejës.

Mbreti ndër të tjera theksoi gjithashtu se, kur kjo arqipeshkvi emëroi atëkohë një prift serb në Shkodër, kreu një akt që përfaqësonte injorimin e hapur të autoritetit të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, të porsakrijuar e shpallur nga Kongresi i Beratit. Në vijim Mbreti e sqaroi bashkëbiseduesin se paskëtaj, personalisht, si iniciues i atëkohshëm i Autoqefalisë, i kish kërkuar Sinodit të Shenjtë shqiptar ndalimin e ushtrimit të shërbesave të këtij prifti, porse kolegu i tij jugosllav, ish kryeministri Pashiq kish reaguar menjëherë duke i dhënë qëllimisht këtij konflikti fetar ngjyra politike bash kur këto zhvillime negative përkonin në kohë me punën e Komisionit Ndërkombëtar të përcaktimit të kufijve politiko-administrativë midis Shqipërisë dhe Mbretërisë SKS.

Mbreti e sqaroi gjithashtu bashkëbiseduesin se, me krijimin dhe agravimin artificial të këtij incidenti, Pashiqi atëkohë synonte të impresiononte qeverinë shqiptare dhe të thyente vullnetin e saj, për të përfituar kësisoj lëshime lidhur me kërkesat e panumërta të Beogradit, si dhe për të kushtëzuar politikisht marrëdhëniet ndërshtetërore me anë të përdorimit të artificeve, të cilat Ai nuk denjonte t’i pranonte dhe se pas këmbënguljes së Tij për të mos e lejuar priftin serb të meshonte, Beogradi u tërhoq duke i komunikuar Tiranës, me një notë të veçantë, konkluzionin se “ky problem nuk është politik por kanonik, çka lidhet me kompetencat e kishave serbe e shqiptare dhe, si i tillë, duhej zgjidhur prej tyre”.

Mbreti i kujtoi bashkëbiseduesit se në kundërpërgjigjen diplomatike Ai i kish bërë të qartë z.Pashiq se “prifti serb nuk ndalohej të kryente ritet fetare në kishën e Shkodrës, për të përmbushur kësisoj edhe nevojat e tij personale, si besimtar i thjeshtë”.

Dhe me këtë sqarim, Mbreti i dha të kuptojë Jankoviçit se kurrë nuk do të pranonte kushtëzime që binin ndesh me interesat e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërshtetërore me Mbretërinë SKS.

Paskëtaj, Mbreti e mbylli bisedën duke i kërkuar Jankoviçit që t’ia transmetonte shefit të tij Stojadinoviç mesazhet e këtij bashkëbisedimi.

Më 25 mars, disa ditë pas bisedës së Mbretit me ambasadorin jugosllav, ministri i Jashtëm italian, Çiano, kreu një vizitë zyrtare dy ditore në Beograd, gjatë së cilës nënshkroi një marrëveshje politike të parapërgatitur me kryeministrin Stojadinoviç, e njohur me emrin “Pakti italo-jugosllav Çiano-Stojadinoviç”.

Gjatë kësaj vizite Stojadinoviçi i deklaroi Çianos se “Ndërkohë që diplomacia europiane e ka izoluar dhe i mban në pozita të disfavorshme Italinë dhe Jugosllavinë, Shqipërisë i jep një rëndësi më të madhe dhe, në këtë kuptim, Shqipëria po përfaqësohet si armë që i është vënë në ije Jugosllavisë, dhe kjo gjë në atmosferën e zhvillimeve aktuale bën të domosdoshëm konsiderimin e ndarjes së Shqipërisë midis dy shteteve tona…”, për çka Çiano u shpreh se ishte plotësisht dakord dhe se për këtë propozim do të informonte menjëherë Duçen.

Çiano dhe Stojadinoviç shkëmbyen nota zyrtare jopublike, përmbajtja e të cilave “garantonte pavarësinë e Shqipërisë” dhe e siguronin shtetin shqiptar për mosndërhyrje të Jugosllavisë në punët e brendshme të tij.

Të dy palët dhanë gjithashtu edhe garanci të ngjashme në lidhje me problemet ndërkufitare dhe kufijtë shqiptaro-jugosllavë, si dhe për “pengimin e çdo tentative për ndarjen e Shqipërisë!!!”. Çiano në emër të Italisë ra dakord të mos publikojë ndikimin e saj politik mbi Shqipërinë, me qëllim që të garantonte njëfarë “pariteti italo-jugosllav të pozitave dhe avantazheve tregtare të këtyre dy vendeve në raport me Shqipërinë”, për të balancuar kësisoj disavantazhet e deriatëhershme të Jugosllavisë në marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë.

Sidoqoftë Çiano e vuri në dijeni Stojadinoviçin se po përgatitej për një vizitë zyrtare në Shqipëri në javët në vazhdim, vizitë në të cilën synonte të shpallte mbylljen dhe anullimin zyrtar të Aleancës Italo-shqiptare.

Më vonë, nga arkivat serbe, lidhur me Paktin Italo-jugosllav të 25 marsit 1937, u mësua se përmbajtja e tij ishte, “Italia dhe Jugosllavia, duke ndjekur politikë miqësore me njëra-tjetrën, mund të merren vesh në lidhje me Shqipërinë, në këtë bazë: Italia ka interesin e vet jetësor në Vlorë; kjo pjesë e bregdetit shqiptar nuk bën të rrezikohet nga ne (jugosllavët – shën. i A.K), dhe se ne jugosllavët duhet ta kuptojmë këtë interes dhe ta respektojmë. Interesi jetësor i Jugosllavisë është që të mos jetë e rrezikuar në kufirin e Shqipërisë me Serbinë Jugore, as me Kosovën e banuar me shqiptarë, e as me Shkodrën dhe Malin e Zi. Në Protokollin e Paktit të Miqësisë midis dy vendeve tona (pra midis Italisë dhe Mbretërisë SKS), parashikohet dhe përcaktohet qartë se do të ndikohet që me çdo kusht të ndalet fortifikimi i mëtejshëm i terrenit nga qeveria shqiptare, në zonat e Librazhdit e të Milotit… Përsa i përket aksionit ekonomiko-financiar italian në Shqipëri, ne (jugosllavët) nuk kemi as nuk dëshirojmë të rivalizojmë e as të investojmë ndofarë mjetesh të posaçme. Italianët, pra, mbeten pa konkurrencë dhe pa vërejtje nga ana jonë, kuptohet me kusht që të mbeten në kufijtë e obligimit tjetër të fshehtë, sipas të cilit, në pikëpamje politike, ekonomike ose financiare, nuk do të kërkojnë kurrfarë dobish speciale që do ta komprometonin në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose të tërthtortë, pavarësinë e shtetit shqiptar vetëm në interes të tyre”.

Më tej, duke interpretuar thelbin dhe anekset e Marrëveshjes së firmosur nga Çiano dhe Stojadinoviç, ekspertët jugosllavë theksonin: “Në këtë mënyrë, Pakti i Miqësisë i 25 marsit 1937 krijon një ‘modus vivendi’ të durueshëm midis nesh dhe Italisë në terrenin shqiptar, ku, viteve të mëparshme, kishim aq shumë konflikte dhe mosmarrëveshje. Është çeshtje tjetër sesa ky qetësim, në Shqipëri, do të mund t’u bënte ballë sprovave të ndonjë situate më të rëndë e më të ndërlikuar në detin Mesdhe, ose në Ballkan”.

Pavarësisht nga deklaratat e përkora të të dyja palëve dhe vetëpërmbajtjes së shtypit italian e atij jugosllav në trajtimin e kronikave të kësaj marrëveshjeje historike midis dy vendeve, shqetësimi i Tiranës zyrtare dhe personalisht i Mbretit Zog lidhur me qëllimet dhe rezultatet e kësaj vizite të Çianos në Jugosllavi u rritën jashtë mase, dhe jo pa arsye.

Ndonëse në pamundësi për t’u informuar mbi thelbin e Paktit Italo-jugosllav dhe implikimet e mundshme të tij në raport me Shqipërinë, Mbreti Zog konkludoi se asgjë e mirë nuk mund t’i vinte Shqipërisë nga një afrim i mundshëm i dy shteteve dhe qeverive me të cilat shteti shqiptar kishte patur dhe po përjetonte marrëdhënie relativisht të tensionuara, aq më tepër kur midis tyre qëndronin si thika majëmprehta problemet ndërshtetërore e ndëretnike të pazgjidhura, sikundër ato të Triestes, Istrias, Zarës dhe ishujve të bregdetit dalmat.

Koha i vërtetoi dyshimet e themelta të Mbretit Zog lidhur me këtë Pakt antishqiptar.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More