Rotacioni i domosdoshëm i pushtetit kah triumfi i një të Djathte konservatore të premtuar në Shqipëri, natyrshëm do të sillte riformatimin konceptual të rolit dhe kontributit të shtetit në planifikimin e politikave të zhvillimit, si antitezë e mungesës aktuale të këtyre politikave.
Jo rastësisht, ontogjeneza dhe filogjeneza e shtetit si ngrehinë institucionale, ka induktuar në kohëra psikozën e fetishizimit të tij si forma më e lartë e organizimit dhe vetëdrejtimit të shoqërisë njerëzore, mbijetesës dhe zhvillimit të saj brenda “kështjellave” dhe nën “çatitë” institucionale.
Historia e perandorive të mëdha botërore është dëshmia më solide e argumentit dhe faktit të jetëgjatësisë së tyre vetëm për shkak të shkallës së lartë të organizimit institucional dhe koncepteve të qarta për rolin dhe domosdonë e shtetit që qëndronte në themel të tyre.
Aktualisht shoqëria shqiptare përjeton deformimin flagrant të rolit të shtetit në planifikimin dhe kontrollin e zbatimit të politikave zhvillimore, që janë tendenca dhe destinacioni drejt plotësimit të kërkesave të individit-qelizë të shoqërisë së organizuar në ngrehinën-shtet.
Suksesi i gjithëpranuar i modelit gjerman të zhvillimit nuk mund të jetë kurrsesi thjesht sukses i individëve dhe breznive, si shumësi e tyre në kohë. Pra, jo gjithmonë iniciativa e lirë, e paorganizuar, kaotike dhe e pasistemuar, mund të prodhojë rezultate pozitive në zhvillimin shoqëror.
Janë pikërisht politikat e zhvillimit, të tilla si ato ekonomike, sociale, të Mbrojtjes e Sigurimit Kombëtar, kulturore, arsimore, fetare etj., që ideohen dhe formësohen në zyrat e qeverive dhe marrin trajtën e vullneteve sovrane, eprore e të detyrueshme për zbatim, në legjislativet përkatëse.
Dhe kjo do të thotë se janë pikërisht institucionet, origjinueset dhe zbatueset e platformave zhvillimore sipas fushave të caktuara, gjithmonë konform planifikimeve afatmesme e afatgjata, me synime dhe vizione të përcaktuara qartë, atribute dhe detyrime këto të klasave politike, pra të të zgjedhurve, të të emëruarve, gjegjësisht – të të mandatuarve si të tillë.
Parë kësisoj, nuk mund të imagjinohet që, p.sh., qytetari gjerman të bëjë ç’të dojë, e të ushtrojë sipas qejfit një aktivitet ekonomik, shërbimi apo prodhimi, brenda një territori të caktuar e nën një juridiksion rreptësisht të kontrolluar. Dhe kjo sepse shteti atje nuk lejon që të tejkalohen disa norma të paravendosura lidhur me përmbushjen e kërkesave të konsumatorëve për prodhime e shërbime, pavarësisht aftësive të njohura e të sprovuara vet-rregulluese të tregut, nëpërmjet mekanizmit kërkesë-ofertë.
Nëse do të ekzistonin, supozojmë, të tilla mendësi si tonat në Gjermani, Danimarkë e Skandinavi, qytetet do të mbusheshin me kioska, dhe aventurieri i parë që do t’i shkonte në mendje për të mashtruar, do të hapte firma piramidale me interesa marramendëse. Por nuk mund të ndodhë kështu, dhe arsyet dihen. Sepse atje askush nuk e ka të lehtë dhe nuk i lejohet të abuzojë me iniciativën ekonomike etj., në emër gjoja të lirisë së individit dhe tregut të hapur, ngaqë ekzistojnë mekanizma të planifikimit e kontrollit, që shmangin sipërmarrjet aventureske. Pra, thënë ndryshe, ekziston shteti si instrument i kufizimit të lirisë së pakontrolluar, që funksionon sipas ligjit, i cili vendos kufij të qartë hapësinorë, psikologjikë e logjikë, gjithmonë në shërbim të ruajtjes, përcaktimit dhe shenjimit të lirisë së individit që jeton në komunitet.
Ka shumë të drejtë filozofi italian Masimo Kaçiari, kur deklaron se “… liberalizmi priret në të vërtetë të ngatërrohet më tepër sesa duhet me anarkizmin…”.
“Dëshira jo gjithmonë është fuqi për liberalin e vërtetë. Tek individualizmi gjenden edhe liberali i vërtetë, edhe ai i rremë…”, – thotë Hajeku. Dhe, sipas tij, ndaj edhe duhet bërë i qartë dallimi midis tyre. Sepse sërish sipas tij, “… ndërsa individualisti i rremë i koncepton të gjitha institucionet, ngjarjet dhe ndryshimet si përfundime të projekteve të dëshiruara, individualisti i vërtetë është i vetëdijshëm për faktin se pjesa më e madhe e institucioneve janë rrjedhoja, shpesh jo qartas e dëshiruar, e veprimeve njerëzore…”.
“Nëse individualizmi i rremë është fryt i një besimi të tepruar në arsyen, individualizmi i vërtetë është një qëndrim i përulësisë ndaj procesit nëpërmjet të cilit gjinia njerëzore ka arritur gjëra që nuk kanë qenë të kuptuara dhe të planifikuara nga asnjë individ”, – thekson filozofi Alesandro Frixherio.
Jo rastësisht, zhvillimet politiko-shoqërore në shekujt e fundit, nuk kanë ecur gjithmonë sipas recetave liberale që fituan të drejtën e qytetarisë pas Revolucionit francez. Dhe kjo sepse abuzimi me të drejtat dhe liritë universale, pas një intervali kohor dehjeje nga liria e pakufizuar, polli kriza rrënuese kudo, sikundër edhe ato që shqiptarët përjetuan në periudhën 1991-1997, pas shkatërrimit të shtetit në funksion të luftës për rotacion të dhunshëm të pushteteve.
Sipas filozofit francez Mishel Fuko, “Liberalizmi fillestar, gjithmonë në interest të tij, ka gjetur tek tregu një element thelbësor për të kufizuar ndërhyrjen e qeverisë në çështjet private”.
“Njeriu i Liberalizmit të vonë është një subjekt pa ligje, anarkist, që megjithatë është i gatshëm të kërkojë me ngulm rendin dhe ligjin sapo interesat e tij vihen në diskutim”, – thotë Kaçiari. Dhe këtë tendencë ne e pamë tek të gjithë shqiptarët pas anarkisë së viteve 1997-1998.
“Programi i Liberalizmit mund të përmblidhet në një fjalë të vetme: Pronë”, – shkruante mësuesi i madh i Hajekut, dhe teoricieni i shquar i Liberalizmit, Ludvig Fon Mises.
Por pikërisht tek objekti madhor i Liberalizmit (Prona), ndahen konservatorët vërtetë dhe “liberalët” shqiptarë. Dhe kjo sepse, të parët mbrojnë dhe nënkuptojnë pronarët legjitimë, ndërsa të dytët, cilësojnë si të tillë “zotëruesit” aktualë, pavarësisht nga origjina dhe mënyrat e fitimit të “pronësisë”.
Teoricieni i shquar i Liberalizmit, L.Mises, është armiku më i egër i intervencionizmit shtetëror, pra i ndërhyrjes së shtetit në ekonomi dhe planifikim, teksa pohon: “Nëse çdo totalitarizëm çon pashmangësisht në prirje anti-individualiste, në shuarjen e tregut dhe lirisë, është intervencionizmi shtetëror ai, veprimtaria brejtëse e të cilit zapton krejt trupin shoqëror, duke shkaktuar paefektshmëri dhe shkatërrim të burimeve kombëtare, korrupsion dhe mohim të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut”.
Një qasje e tillë ndaj problemit gjendet edhe tek ithtari i tij, Hajek-u, i cili është përfaqësuesi më tipik i individualizmit metodologjik, pra atij të orientuar dhe të sistemuar.
Hajeku konsideron se koncepte të tilla kolektiviste si Shteti, Shoqëria dhe Partitë politike, janë thjesht konvencione dhe marrëveshje, në themel të të cilëve qëndron gjithëherët njeriu, si frymori që mendon dhe arsyeton.
Por apologjeti dhe prekursori mendjendritur i intervencionizmit, Xhon Menard Kejns, kundërshtar i ashpër i Hajekut, në analizën e tij “Synimi i mosndërhyrjes”, (The Aim of the Laissez Faire” (1926), prezantoi dhe argumentoi nevojën dhe domosdoshmërinë e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi (intervencionizmit), quajtur kështu në gjuhën e Liberalizmit pragmatik klasik.
Pikërisht për arsyen e mbrojtjes së ekonomisë nga efektet shkatërrimtare të krizave ekonomike nëpërmjet intervencionizmit, Kejns u cilësua “shpëtimtar i kapitalizmit” (El Salvador of Capitalism).
Gjatë viteve ’30 të shek. XX, ekonomia amerikane, (që zhvillohej nën ndikimin e teorive të Kejnsit, të trupëzuara në “Nju Dill-in” e F.D. Ruzveltit), jo vetëm që nuk pësoi efektet shkatërrimtare si ekonomitë e vendeve të tjera, por ishte në kulmin e ngritjes, ndërkohë që rivalët e industrializuar ndodheshin në agoninë e krizës rrënuese ekonomike mbarëbotërore të viteve 1929-1933. Madje një gjendje të rëndë kaloi edhe ekonomia britanike, për shkak të ndikimit të ideve të Hajekut, që asokohe ndodhej në kulmin e polemikës me Kejnsin.
Aktualisht edhe ekonomia jonë e asfiksuar (jo nga superprodhimi, por nga mosprodhimi dhe keqmenaxhimi), ka nevojë për ndërhyrjen e planifikuar dhe të fuqishme të shtetit, për të filluar rigjallërimin e domosdoshëm. Pra na lipset dhe na bën punë kejnsianizmi ekonomik.
Socialistët tanë, injorantë dhe obskurantë, kontrollin ekonomiko-burokratik të centralizuar e përdorin jo për të forcuar ekonominë dhe për të blinduar kolonat e pushtetit mbi të cilin janë ulur, por për të zhvilluar monopolet e tyre, për të vjedhur fondet publike dhe për të krijuar shtresat e skllevërve, të cilëve mund t’ua blejnë votat në këmbim të koromanes së fëmijëve të uritur.
Në vlagën e polemikave ku ishte përfshirë, Hajeku asokohe u konsiderua i humbur në kundërshtitë ekonomike me Kejnsin, dhe kjo për shkak të efekteve të lexueshme të cikleve të krizave ekonomike, por edhe për shkak të dështimit të rrjedhës së social-demokracisë. Madje fryma filozofike të tij, pabesueshmërisht u konsiderua si një version primitiv i Liberalizmit në ekonomi. Por duke punuar mbi Teorinë e Monedhës dhe Kreditit të Mises, (botuar më 1912), Hajek përpunoi shumë teknika të konceptit të koordinimit të kapitalit, si dhe të detajeve institucionale të politikave të kreditit.
Libri i parë i Hajekut “Teoria monetare dhe ciklet tregtare” (1929), analizonte efektet e zgjerimit dhe kreditimit mbi strukturat e kapitalit dhe ekonominë.
Idetë gjeniale të Hajekut mbi politikat e kreditit, janë një shtrat i domosdoshëm për mbivendosjen dhe jetësimin e skemave të rigjallërimit të ekonomisë sonë nëpërmjet kreditimit të biznesit të vogël dhe të mesëm. Dhe kjo do të thotë se Shqipëria ka nevojë për kombinimin e planifikimit dhe kontrollit të fuqishëm shtetëror (intervencionizmit kejnsian), me kreditimin e tipit Hajekian.
Sipas Masimo Kaçiarit, dëshira e tanishme e individit për afirmim nuk është tjetër veçse një vullnet për t’u shkëputur nga trupi shoqëror, për të refuzuar çdo pushtet dhe çdo lloj autoriteti. Ndërsa autoriteti i diktuar nga shteti, çuditërisht tolerohet prej tij, madje vlerësohet, kur favorizon interesin e tij individual.
Hajeku kurrë nuk rreshti së përpunuari argumentin në favor të Shoqërisë Liberale. Problemet e Socializmit që ai kish vëzhguar në Republikën e Vajmarit më 1923 dhe, më pas, në Gjermaninë naziste, (të cilat kishin filluar edhe në Britaninë e Madhe), e nxitën atë të shkruajë veprën “Rruga e Skllavërisë” (The Ëay of the Servitude, 1944).
Ky libër rreket të forcojë argumentat mbrojtës të socializmit (social-demokracisë), në përballjen me argumentat shtesë përtej teknicizmit të pastër.
Për të kundërshtuar Kejnsin, Hajeku shkruan: “Nëse socializmi kërkon zëvendësimin e tregut me planifikimin e centralizuar, atëherë do të bëhet i domosdoshëm krijimi i një institucioni që do të duhet t’i përgjigjet formulimit të planeve dhe planifikimit të ekonomisë”. Këtë “institucion” Hajeku e quajti “Garë e Planifikimit të Centralizuar”.
“Në synimin për të zbatuar planin dhe për të kontrolluar burimet, ‘Gara…’ në fjalë duhet të zbulojë bollëkun e fuqive të fshehta tek subjektet ekonomike…”, – shkruan Hajeku.
Gjithsesi, kombinimi i intervencionizmit Kejnsian me liberalizmin ekonomik Hajekian, është një variabël që determinohet nga rezultatet dhe treguesit sintetikë të ekonomisë, sepse, sikundër pohon Hajeku, “Gara e Planifikimit të Centralizuar…, nuk siguron çmimet e tregut si rregullatorë dhe udhërrëfyes të tij. Ai gjithashtu nuk mund të na bëjë të ditur se çfarë mundësish produktive arrihen ekonomikisht”.