Bavari, koronavirusi ndalon edhe tradicionalin Oktoberfest
Edicioni i 187 i Oktoberfest do të zhvillohej në Mynih nga 19 shtator deri në 4 tetor
Autoritetet bavareze kanë njoftuar vendimin për anulimin e Oktoberfest. Kryeministri i Bavarisë Markus Soeder e ka njoftuar këtë masë në një konferencë për shtyp, duke thënë se ”Oktoberfest është festivali më i bukur në botë, por të jetosh me koronavirus do të thotë të jetosh me kujdes dhe nuk mund të mbash distancën apo të punosh me maskë”. Edicioni i 187 i Oktoberfest do të zhvillohej në Mynih nga 19 shtator deri në 4 tetor. ”Është e dhimbshme, sigurisht është e trishtueshme”, shtoi Soeder në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryebashkiakun e Mynihut, Dieter Reiter, duke deklaruar se “rreziku është shumë i madh” dhe “një version i zvogëluar nuk do të kishte kuptim”. Për Reiter, “ky vendim është një pilulë e hidhur”. Të dy shprehën shpresën që Oktoberfest, i cili tërheq çdo vit rreth gjashtë milion njerëz nga e gjithë bota, mund të zhvillohet në 2021. Aktualisht, me emergjencën e shkaktuar nga koronavirusi, nuk do të ishte e mundur të respektohej distanca prej 1,5 metrash e imponuar nga autoritetet gjermane për t’u ruajtur nga infeksionet. Anulimi i ngjarjes është një goditje të rëndë për ekonominë e Mynihut. Jo vetëm për organizatorët, por edhe për industritë e ndërlidhura me të, në veçanti për hotelet dhe të gjithë zinxhirin tregtar bavarez. Në vitin 2019, sipas një raporti të komunës së Mynihut, fitimet kishte qenë 1.23 miliardë euro.