- SPONSOR -






- SPONSOR -

Biden: Duhen 200 milionë dollarë për Kosovën

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka konfirmuar se në kërkesën që iu është adresuar për buxhetin vjetor 2022 nga presidenti i SHBA, Joe Biden, janë edhe 200 milionë të cilat janë parë të nevojshme për shtyerjen përpara të projekteve amerikane në Kosovë.

Në dokumentin Justifikimi i Buxhetit të Kongresit për 2022, të publikuar nga MCC, thuhet për Kosovën se, nëpërmjet zhvillimit të sektorit të gazit dhe burimeve të ripërtërishme, do tentohet të lehtësohet mbështetja e kosovarëve në qymyr.

“MCC dhe Qeveria përfunduan studimet në vitin 2020 për të vlerësuar tre projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave të energjisë për balancimin e sistemit të energjisë dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pas rishikimit të rezultateve të studimeve, Qeveria kërkoi të shkojë përpara me zhvillimin e sektorit të gazit dhe krijimin e rezervave të energjisë me synimin për të lehtësuar integrimin e burimeve të rinovueshme, lehtësimin e varësisë së Kosovës nga qymyri dhe arritjen e qëllimeve të dekarbonizimit”, thuhet në dokument.

Ata i kanë paraparë këto projekte si një formë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, thuhet në dokumentin e arsyetimit buxhetor. Zbatimi i projekteve MCC vjen si rezultat i marrëveshjes për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë.

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit ka thënë se shpreson të bashkëpunojë me qeverinë e re. Megjithatë, skepticizmi drejt një bashkëpunimi mes dy palëve mund të shtohet pasi kryeministri Albin Kurti tha se nuk do ta zbatojë Marrëveshjen e Uashingtonit.

“Nuk besoj që është menduar të implementohet, ka disa elemente pozitive, ndaj duhet parë si grumbull pikash e jo marrëveshje merre ose lere”, pati deklaruar ai.

Ju mund të pëlqeni edhe