GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Boll se na i shpifët!

Bamirësia bëhet edhe në heshtje, nevojtarët e thyejnë urinë dhe e vijojnë jetën edhe pa u treguar se u është shpënë një thes me miell dhe u është hedhur si një qese me plehra në pragun e derës.

“Bamirësia nuk të varfëron”, është motoja e Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, e tanimë është bërë kandari matës i dhurimit në vendin tonë, pasi dhe vetë shteti kërkon të ndjekë shembullin e tyre. Me qese në duar, thesin me miell mbi sup, pakot me oriz nëpër xhepa dhe me fotografë, kameramanë e aktorë figurantë, politikanët kanë nisur një fushatë “bamirësie”. Sot shprehja “Bamirësia nuk të varfëron”, duhet ndryshuar e të bëhet “Bamirësia nuk të pasuron”, pasi nuk pasuron as njerëzit në nevojë që marrin një pako me ushqime, për të shtyrë dhe 1 apo 2 ditë jetë, duke luftuar urinë, e mos t’ua marrë mendje se mund se mund të pasurojë politikanët, t’i lajë ato vjedhje, akuza, mungesa e integritetit e të përkthehet në vota.

Pas një fushate të shëmtuar bamierësie pas tërmetit kur çdo mëkatar lau gjynahet duke ekspozuar varfërinë si të metë, politikanët shkuan edhe më tej. Pas nëpërkëmbjes së 2019-ës, ku qytetarëve të mbetur pa shtepi u jepej ushqim me baltës e pisllëkut, e jo shtëpi por çadra, telebamirësit i përdorën për shok emocional mileti emigranto fejzbukjan. Sot, në këto ditë virusi, kur të gjithë janë mbyllur në shtëpi, e presin të ikë sa më shpejt virusi (që mjekët e quajnë tinëzar) e të dalin të punojnë, politikanët me qese në duar u shkojnë derë më derë dhe thonë se po i ndihmojnë.

Gjatë këtyre ditëve, funksionarët shtetëror nga jugu në veri, e nga lindja në perëndim trokasin në dyert e nevojtarëve e me fotografë, kameramanë, e figurantë të tjerë (të tregojnë se i gjithë shteti është në këmbë) u lënë tek pragu i derës një qese me disa ushqime (Që vrasin urinë për 1 apo 2 ditë). Deputetë, kryebashkiakë anëtarë keshillash e lloj e soj Zyloje (Personazhi i Dritëro Agollit), e kemi në Facebook me një qese në dorë. Për të qarë e për të qeshur kur sheh Blerina Gjylametin që kutive që dhuron iu vë sipër emrin e saj, a thua se është Caritas…

E nëse ndonjë nga ata që marrin ndihma, guxon e ankohet bëhet rezil nga i pari i qeverisë. (Po po vetë Kryeministri Edi Rama), i cili përmbahet e nuk u thotë “Mos u ngopshi o të pangopur!” se një qytetari i tha që e kishte ndihmuar dy herë (Pritet që tani ai të internohet bashkë me familjen e si punë të detyruar do ngre thasët me miell që po shpërndahen në çdo cep të së bukurës Shipëri).

Nga i pari tek i fundit, të gjithë shpëtimtarët e Fejzbukit, ku çdo kokërr orizi e çdo gram mielli, e çdo pikë vaji duhet ta promovojnë në mediat sociale, e pse jo me mediat masive, bëjnë të njëjtin gabim, ekspozojnë atë, të ndihmuarin. E nxjerrin atë para kamerave, si të ishte një VIP dhe nisin ta fotografojnë. E përdhosin, e poshtërojnë dhe në fund e shajnë, i thonë: Të kemi ndihmuar dy herë.

Prej një muaji, ky është realiteti që po shfaqet nga zyrtarët e shtetit, ku askush prej atyre që marrin malet me qese në duar nuk e bëjnë se u dhimbsen ata; fukarenjtë që duan të mposhtin urinë, por vetja e tyre, për të larë shpirtin e për të siguruar favore nesër.

Se çdo luftë ka heronj… Që nesër kur lufta ndaj COVID-19 ata të thirren si shpëtimtarët e tyre, e nevojtarët t’u puthin duart (E sërish këto foto do publikohen në Facebook, se kështu e do tradita). Do jepen dekorata e kështu me radhë…

E kjo s’do ndryshojë as pas këtij shkrimi, po më së paku ju lutemi kurseni portretet e drobitura të atyre që ndihmohen!

Shënim: Bamirësia bëhet edhe në heshtje, nevojtarët e thyejnë urinë dhe e vijojnë jetën edhe pa u treguar se u është shpënë një thes me miell dhe u është hedhur si një qese me plehra në pragun e derës.

You might also like