Camus duhet të vdesë – 60 vjet më parë, aksidenti fatal aq shumë i kërkuar nga Moska
Shkrimtar dhe mendimtar pa kompromis, fitues i çmimit Nobel për letërsinë në 1957, ai mbrojti lirinë me koston e marrjes së një qëndrimi kundër Bashkimit Sovjetik. Që është pas fundit të tij dramatik, siç rrëfen më poshtë një studiues i çështjes
Nga Giovanni CATELLI
Ora 13.55, 4 janari 1960. Një Facel Vega po ecën me shpejtësi në Rrugën Nacionale 5 nga Sensi në Paris. Rruga është shumë e gjerë, me tre korsi, asfalt i thatë, dukshmëria ideale. Makina është shumë e shpejtë, kalon një tjetër makinë, është thuajse e vetme nën arteriet e mëdha që mbulohen nga pemët gjigande. Papritmas, fillon të rrëshkasë sa nga njëra në anën tjetër të rrugës, anohet në të majtë dhe godet të parën pemë që has: kërsen në ajër, shpërthen karrexhatën dhe godet nga ana e pasagjerit një pemë të dytë, duke u ndarë më dysh, thuajse e therrmuar plotësisht.
Pasagjeri i asaj makine është Albert Camus, një nga shkrimtarët më të dashur të Nëntëqindës: gazetar militant dhe klandestin në Francën e okupuar nga nazistët, një fitues shumë i ri i çmit Nobel 1957 për letërsinë e më pas protagonisti krenar i një konfrontimi ideal me Jean-Paul Sartre, gjithnjë në mbrojtje të Njeriut, lirisë dhe dinjitetit të tij, përballë diktaturave gjakatare që shënjuan shekullin në vazhdim: guximin e tij civil i dha një prestigj të jashtëzakonshëm moral në mbarë botën, por edhe armiqësinë dhe hakmarrjen e fuqive ekstremisht të rrezikshme. Kur shkrimtari vdiq në atë aksident, shumë miq dhe mbështetës të tij menduan menjëherë për një atentat: që gjatë funeralit të tij në Lourmarin, një fshat në Francën jugore, ku ai tërhiqej në vetmi për të shkruar, thotë me zë të lartë Jean Ballard, drejtori i Cahiers du Sud, se Camus u vra; e konfirmon sot Henri Bonnier, asokohe djalosh i ri dhe mik i Camus, që ishte i pranishëm në funeral.
Bindja se ky nuk bëhej fjalë për një aksident të thjeshtë ka rezistuar prej kohësh, por dominimi i Jean-Paul Sartre dhe ndjekësve të tij në kulturën franceze të kohës përhapi menjëherë një mantel heshtjeje. Vetë filozofi dhe intelektualët afër Partisë Komuniste Franceze, përkrahës të një stalinizmit, e kishin izoluar dhe mënjanuar Camus-in, fajtor që kish’ botuar më 1951 “The Man in Revolt”, një libër në të cilin mohohej besimi ndaj revolucionit si një akt i përgjakshëm, për të mbështetur nga ana tjetër një rebelim jo të dhunshëm, në favor të jetës.
Në ato vite ai kishte pushtuar tashmë një hapësirë të veçantë në kulturën evropiane, duke botuar, mes viteve 1942 dhe 1947 tre libra marramendëse: I huaji, Miti i Sizifit dhe Murtaja. Tema e absurdit, afërsia me ekzistencializmin, paralajmërimi për një epidemi të fshehtë që gjithmonë mund të kthehet e të godasë njerëzimin, e kishin vendosur atë ndër autorët francezë më të dashur dhe më të lexuar; ndërkaq, ishte i palodhur me angazhimet civile, së pari nga faqet e gazetës Combat, edhe duke rrezikuar jetën, nën okupimin nazist, dhe më pas në ndërhyrjet e shumta publike, kundër çdo lloj totalitarizmi. Camus, për shembull, i ftuar nga një apel dramatik i shkrimtarëve hungarezë në Budapestin e vitit 1956 të shtypur nga tanket sovjetike, mbështetet me të gjithë autoritetin e tij moral dënimin e pushtimit, që është një tragjedi e vërtetë edhe për shumë militantë komunistë gjithashtu. Në shtypin francez dhe ndërkombëtar, përveç ndërhyrjeve të shumta publike, ai mbron të drejtën e hungarezëve për të vetëvendosur, dhe dënon me ashpërsi ekstreme pushtimin sovjetik. Ishte 15 marsi i vitit 1957 kur, në një fjalim në Salle Wagram në Paris, ai mbajti një fjalim dënues për regjimin e ri të Kadar-it dhe sulmoi frontalisht Ministrin e Jashtëm Sovjetik Šepilov, i cili kishte mbrojtur pushtimin pranë Kombeve të Bashkuara duke bërë deklarata poshtëruese për Perëndimi dhe artin e tij. Ja dhe fjalët e Camus: “Kur Ministri Šepilov, duke u kthyer nga Parisi, guxon të shkruajë se “arti perëndimor është i destinuar të thyejë shpirtin njerëzor dhe të formojë masakrues të çdo lloj specieje”, është koha t’i përgjigjemi se shkrimtarët tanë dhe artistët, të paktën ata, kurrë nuk kanë masakruar askënd dhe kanë bujari të mjaftueshme për të mos akuzuar teorinë e realizmit socialist për masakra të mbuluara apo të porositura nga Šepilov dhe ata që i ngjajnë atij». Fjala do të ribotohet më 18 Mars në revistën Franc-Tireur dhe ndoshta do të shënjojë dënimin e Camus nga regjimi sovjetik. Fushata e tij në shtyp mendohet e patolerueshme, por sovjetikët kanë edhe një shkak tjetër për t’u acaruar: mbështetja e Camus ndaj kandidaturës për Nobel të shkrimtarit Boris Pasternak. Camus tashmë e përmend atë në fjalën e tij të pranimit të Nobel-it të vitit 1957, dhe mbështet më pas kandidaturën në komitetin e çmimeve; kur vitin më pas i jepet Prmimi Nobel autorit të Doktor Zhivago, acarimi i BRSS arrin kulmin e tij: shkrimtari bëhet viktimë e një fushate denigrimi dhe urdhërohet të refuzojë çmimin. Sa i përket Camus, vihet në punë makina e shërbimeve sekrete, KGB, e cila ka një seksion të veçantë kushtuar vrasjeve jashtë vendit, e zbuluar nga agjenti Nikolay Khokhlov në 1954, i cili arratiset në Perëndim, pasi refuzoi të kryente një ekzekutim. Vetë Khokhlov pëson një atentat në 1957 në Frankfurt, kur helmohet me një substancë të panjohur, e cila e çoi atë prag të vdekjes.
Në ato vite janë në krye të KGB-së dy nga burrat më të pamëshirshëm të historisë së saj,: Ivan Serov, deri në vitin 1958, i cili më pas vazhdoi të drejtonte GRU-në, shërbimin sekret ushtarak, dhe Aleksandër Shelepin, të ashtuquajturi “Alexandri i çeliktë”, nga 1958 deri në 1961. Të dy vendosin dhe kryejnë ekzekutime të panumërta të opozitarëve dhe disidentëve, të zbuluara më vonë nga hetimet ose nga të vetë autorët që më vonë u arrastisën nga vendi i tyre.
Më 4 janar 1960, ndodh aksidenti shkatërrues: makina drejtohej nga miku dhe editori i tij Michel Gallimard. Sipas biografit Herbert Lottman, “aksidenti dukej se ishte bërë për shkak të bllokimit të një rrote apo një boshti të thyer, por as ekspertët nuk ishin në gjendje të shpjegonin atë aksident katastrofik në një rrugë të drejtë, e të gjerë nëntë metra thuajse pa trafik fare”. Automobilistë kalimtarë do të dëshmojnë se si makina e shpejtë “hidhte valle”.
Pas disa rrëshqitjes, makina godet me dhunë njërën nga pemët në krah të rrugës, dhe përplaset me një një tjetër, disa metra më tutje, për t’u shpërbërë thuajse plotësisht. Camus, me kafkën e frakturuar dhe me qafën e thyer, vdes menjëherë. Michel Gallimard gjendet i gjakosur dhe i plagosur rëndë përtokë: do të vdesë disa ditë më vonë në spital.
Në ditaret intime të Jan Zabrana, poet dhe përkthyes çek nga rusishtja, i cili kishte burime shumë të informuara në Moskë, mund të gjendet edhe tani, kaq vjet pas ngjarjes, një shpjegim për çdo detaj të asaj që ndodhi: «Aksidenti rrugor në të cilin më 1960 vdiq Camus u organizua nga spiunazhi sovjetik. Ata dëmtuan një gomë të makinës dhe një mjet teknik që ndërsa makina ecte me shpejtësi të lartë preu ose shpoi gomën. Thuhet se u deshën tre vjet para se spiunazhi të mund ta përfundonte këtë detyrë. Dhe më në fund ia arritën sukses e në atë mënyrë aq të përsosur saqë bota deri më sot beson se Camus vdiq nga një aksident banal rrugor, siç mund të ndodhë me këdo».
Në vitin 2013, në librin “Camus duhet të vdesë”, rindërtohet e gjithë ngjarja, duke verifikuar konformitetin e ngjarjeve në çdo detaj, në krahasim me atë që dëshmoi Zabrana. Një tjetër element që e bën të besueshëm informacionin jepet nga fakti që shënimi i Zabrana daton në vitin 1980: në Pragë, të mbajtur në grushtin sovjetik pas protestave të Charta 77, në një vend të mbyllur ndaj Perëndimit, madje as edhe një specialist nuk do të kishte mundur, 20 dhe 23 vjet pas ngjarjeve, të kujtojë me një precizion të tillë ndërhyrjen e Camus, datën dhe vendin e saktë të botimit të fjalimit të tij. Kush mund t’i ketë ditur këto fakte, nëse jo dikush i informuar nga burime të caktuara, të lidhura me mjedise të kualifikuara?
Në edicionin e ri të librit, të botuar tani në Francë me një shënim të Paul Auster, ka kapituj të pabotuar, me dëshminë e Zhak Verges, një avokati të famshëm francez të afërt me qarqet komuniste, i cili e bëri atë në vitet gjashtëdhjetë tek avokati Giuliano Spazzali: sipas Vergès incidenti i Camus ishte shkaktuar nga KGB me pëlqimin e heshtur të shërbimeve sekrete franceze.
Pak javë pas aksidentit ndodhi vizita historike në Paris e liderit sovjetik Nikita Hrushov: Franca dhe BRSS po kryenin një afrim historik, i cili bëri që Presidenti De Gaulle të largohej nga NATO në 1966; vizita ishte përgatitur për muaj me radhë nga të dy qeveritë dhe nga PCF në çdo detaj, për t’i treguar opinionit publik fytyrën e qeshur të udhëheqësit Sovjetik. Camus me siguri do të kish kundërshtuar dhe dënuar atë për gjakun e derdhur në Budapest dhe për shtypjen e disidentëve, duke prishur imazhin e Bashkimit Sovjetik në opinionin publik. Të dy qeveritë nuk mund ta lejonin këtë gjë.
Prej kësaj, me siguri, rrjedh edhe pakti që i lejoi sovjetikët të eliminonin Camus. Krahu i armatosur ishin agjentët e STB-së çeke që vepronin në Francë, dhe pak kohë më parë kishin shkaktuar vdekjen e gruas së diplomatit francez André-Marie Trémeaud, nëpërmjet një atentati me dinamit. Qeveria dhe shërbimet franceze ishin infiltruar në nivelin më të lartë nga KGB, aq sa gjenerali Oleg Kalugin u mahnit nga fakti se sa të manipulueshëm dhe të kontrollueshëm ishin ata.
CIA ishte e vetëdijshme për këtë “lejueshmëri”, dhe për të informuar De Gaulle, presidentit Amerikan Kennedy iu desh t’i dërgonte atij një letër të mbyllur që do të dorëzohej më pas vetëm në duart e presidentit francez: për vite me radhë amerikanët i konsideronin shërbimet franceze jo të besueshme. Me siguri që Albert Camus ka mundësi të jetë sakrifikuar në emër të arsyes shtetërore, në funksion të një miqësie midis Francës dhe BRSS-së të çmueshme për të dy vendet. Hrushovi teorizonte: “Franca është unaza që ne duhet të kontrollojmë për të tërhequr drejt nesh pjesën tjetër të zinxhirit evropian.”/ Panorama, 27 dhjetor 2019
Përktheu Edi DELIU/ Materiali është përgatitur nga stafi i GT