ÇERNOBILI / 33 vjet më vonë: Efektet që ndjehen edhe sot e kësaj dite
Një seri televizive e kohëve të fundit ka riadresuar vëmendjen në Çernobil ku në 1986 ndodhi katastrofa më e rëndë bërthamore në histori: 65 vdekje të menjëhershme dhe 4,000 të vlerësuara menjëherë më pas. Deri më sot, “zona e kuqe” nuk është e banueshme dhe ndotja me radiocesium e tokës bujqësore dhe ujit nuk është zhdukur. Për më tepër, mes viktimave që i shpëtuan tragjedisë, mbretëron depresioni, ankthi dhe frikës ndaj sëmundjeve që ende vazhdon
Bilanci zyrtar i tragjedisë u nxorr nga një grup prej mbi 100 shkencëtarësh dhe ekonomistësh të mbledhur në 2003 në Vjenë, në Chernobyl Forumm, të organizuar nga Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) dhe shtatë agjenci të tjera të specializuara të OKB, midis të cilave OBSH dhe FAO. Në 2005 përfundimet e takimit u përmblodhën në raportin Trashëgimia e Çernobilit: Ndikimi shëndetësor, mjedisor dhe socio-ekonomik.
Viktima e konstatuara dhe të ardhshme
Të dhënat e raportit thonë se vdekje që i atribuohen drejtpërdrejt katastrofës janë 65: 3 anëtarë të personelit, 47 likuidatorë (njerëzit që punuan për dekontaminimin e uzinës dhe rrethinës së saj), 15 banorë të zonës që vdiqën prej kancerit të tiroides, ndër të cilët 9 fëmijë. Por ekspertët e Forumit vlerësuan gjithashtu se në mesin e punëtorëve të ekipeve të shpëtimit, midis të të evakuuarve dhe banorët të zonave të kontaminuara – pra për afro 600 mijë njerëz që morën doza më të larta të radioaktivitetit sesa të gjithë të ekspozuarit e tjerë ndaj rrezatimit të Çernobilit – 4.000 mund të kenë vdekur gjatë viteve në vijim. Sidoqoftë, nuk është e lehtë të bësh vlerësime sepse rreth një e katërta e këtyre 600 mijë njerëzve (pak a shumë 150 mijë) mund të vdisnin nga kanceri për shkaqe të tjera që nuk lidhen me Çernobilin ndaj dhe nuk do të jetë e lehtë të vëzhgohet rritja 3% e rasteve të shkaktuara nga rrezatimi, pra e 4,000 vdekjeve të konstatuara.
Vështirë të parashikohet
“Problemi, kur bëhen këto parashikime, ka të bëjë me efektet e rrezatimit, të cilat ndahen në dy kategori: përcaktuese dhe stokastike”, thotë Emilio Santoro, një konsulent fizik bërthamor i ENEA dhe pedagog në Shkollën e Specializimit në Fizikën Mjekësore të Universitetit të Romës Tor Vergata. “Të parat janë efektet në organizëm të lidhura drejtpërdrejt me sasinë e rrezatimit të marrë dhe sëmundjet që rrjedhin prej tij (nëse observohen doza të larta duke nisur nga një prag i caktuar) mund të ndodhin deri në disa muaj pas ekspozimit. Ndërsa efektet stokastike, mund të hasen që në burim, për shembull, të tumoreve deri në disa vjet nga ekspozimi ndaj rrezatimit, madje edhe në doza shumë të ulta”.
Sipas Michael Repacholi, kreu i Programit të Rrezatimit të OBSH: “Efektet e aksidentit në shëndetin publik ishin potencialisht tragjike. Sidoqoftë, në bazë të të dhënave shkencore, nuk kanë qenë aq katastrofike siç mund të pritej”. Vlerësimet e tanishme nuk ndryshojnë në fakt shumë nga ato të shkencëtarëve sovjetikë në vitin 1986. Në Bjellorusi, Rusi dhe Ukrainë, gjatë njëzet viteve pas aksidentit, popullsia në zonat e përfshira thithi midis 10 – 30 miliSievert të rrezatimit, veçanërisht për praninë e ceziumit radioaktiv (radiocesium). “Madje në zona më të vogla, janë tejkaluar edhe 100 miliSievert,” vëzhgon Santoro.
“Të dhënat, sidoqoftë, duhet të krahasohen me fondin e rrezatimit natyror: në disa vende si India, Irani, Brazili dhe Kina, të cilët kanë një burim mëse të lartë të rrezatimit natyror, popullsia mund të thithë midis 100 dhe 200 miliSievert në të njëjtën periudhë njëzet vjeçare”.
Çfarë sëmundjesh?
Punonjësit e ekipeve të shpëtimit që arritën që në minutat e para në vendin e shpërthimit të vdiqën gjithë në ditët dhe muajt pasardjës, të vrarë nga sindroma e rrezatimit akut, sepse kishin thithur një dozë të radioaktivitetit qindra herë më të lartë se nivelet maksimale të përcaktuara si të sigurta. Banorët që hëngrën ushqim të kontaminuar me jod radioaktiv, në ditët menjëherë pas aksidentit, u ngarkuan doza mjaft të larta në tiroide, veçanërisht fëmijët që konsumonin qumësht nga lopët e ushqyera me bar të kontaminuar.
Raporti i Forumit të Çernobil raporton një rritje të mprehtë të kancerit të tiroides, një lloj kanceri i kurueshëm dhe rrallë herë fatal. Nuk janë regjistruar rritje të veçantë të keqformimeve kongjenitale apo rritje të rasteve të infertilitetit. Shumë studime të fundit zbulojnë edhe për një rritje të lehtë të incidencës së leuçemisë midis punonjësve të ekipeve të shpëtimit që punuan më tej në vendin e katastrofës, por jo midis fëmijëve as të të rriturve që banojnë në zona të kontaminuara.
Në rritje u shfaqën edhe tumoret e ngurta dhe sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut: por, sipas ekspertëve, në këto sëmundje mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt faktorë të tjerë si abuzimi me duhanin ose alkoolin, shumë të përhapur tek ato popullsi, një mënyrë jetese jo e shëndetshme dhe mbi të gjitha stresi.
Shqetësimet e psikikës
Janë pikërisht ankthi, depresioni dhe stresi sot pasojat më të dukshme të Çernobilit. Personat që jetuan në zonat e prekura kanë jetuar gjatë gjithë këtyre viteve duke u ndjerë “viktima” dhe “të mbijetuar”: një qëndrim që i ka bërë të ndjehen të pafuqishëm, të dobët dhe pa të ardhme. E gjithë kjo, sipas relatorëve të Forumit të Çernobilit, ka rezultuar ose në kujdesin e ekzagjeruar ndaj shëndetit ndaj individit ose në të kundërt, pra në sjellje të papërgjegjshme që kanë shtuar frikën duke stimuluar në një farë mënyre ngrënien e produkteve nga zonat ende shumë të kontaminuara, abuzimin me alkoolin, duhanin dhe me seks të pambrojtur.
Pasojat në mjedis
Ekosistemet e kontaminuara nga Çernobili janë monitoruar dhe studiuar gjerësisht gjatë dekadave të fundit. Jodi radioaktiv i përthithur nga bari, bimët, foragjeret ka depërtuar deri edhe në qumështin e kafshëve, është shpërndare brenda disa javëve pas shpërthimit të reaktorit. Nuk ka ndodhur kështu me radiocesiumin, i cili dekompozohet ngadalë: kafshët dhe bimësia e pyjeve e zonave malore kanë thithur sasi të mëdha dhe nivelet kanë mbetur të larta tek kërpudhat, manaferrat dhe bimë të tjera. Radiocesiumi gjithashtu ka kontaminuar likenet dhe mishin e kafshëve e shpendëve të ndrëndme në rajonet arktike dhe subarktike të Finlandës, Norvegjisë dhe Suedisë. Në zonat bujqësore të Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës është ende e pranishme në qumësht, mish dhe disa perime, edhe pse përqendrimi sot është jashtë niveleve të sigurisë vetëm në disa zona. Në ujëra është përqendruar vetëm nëpër liqenet e mbyllura pa kontrolle, ku mbeten ende kufizimet për peshkimin. Radioaktiviteti i ajrit mbi zonat urbane është rikthyer në nivelet e natyrale, ndërsa ato të ajrit mbi tokat e pabanuara kanë mbetur të larta.
Zona e kuqe
Çernobili dhe zona brenda një rrezeje prej rreth 30 kilometrash nga ish stacioni nuklear formojnë të ashtuquajturin “zonë e përjashtuar”, një nga vendet më radioaktive në Tokë, jo e banueshme, sipas qeverisë së Ukrainës, për 24 mijë vitet e ardhshme. Edhe pse natyra e ka rifituar zotërimin e saj me bollëk të florës dhe faunës, sigurisht që nuk është “parajsë tokësore”. Studiuesit amerikanë dhe francezë në Louisiana State University, të University of South Carolina dhe të Université Paris-Sud kanë studiuar efektet e rrezatimit te kafshët, duke hasur një frekuencë më të madhe të dëmtimit gjenetik te shpendët, siç janë pendët asimetrike, keqformimet në këmbë dhe madhësia më e vogël e trurit.

25-26 Prill 1986: KRONIKA E KATASTROFËS
25 Prill 1986, Ora 01:00 / Reaktori RBMK i njësisë 4 të centralit bërthamor të Çernobilit duhet të ndalet për mirëmbajtjen rutinore. Inxhinierët vendosin të kryejnë një provë sigurie në pjesën jo-bërthamore të impiantit: duan të kuptojnë nëse, në nevojën për të përballuar një situatë emergjente, turbinat janë në gjendje të prodhojnë energji elektrike për të mbajtur aktive pompat e ftohjes deri sa të nisin të funksionojnë gjeneratorët e urgjencës.
Ora 14:00 Sistemi i ftohjes emergjente është çaktivizuar për të mos ndërhyrë në test, që bëhej për të përmbushur kërkesat e vendit për energji.
Ora 23:10 Vijon testi. Operatorët zëvendësohen me stafin e natës me më pak përvojë.
26 prill, ora 00:28 Fuqia e reaktorit bie shumë më poshtë pragut të sigurisë. Për ta ngritur, vendoset të hiqen shufrat e kontrollit grafite në bërthamën e reaktorit, duke shkelur rregullat e sigurisë. Sistemi i fikjes automatike dhe masat e tjera të sigurisë janë hequr për të shmangur interferencat.
Ora 01:23 Testi fillon. Fuqia e reaktorit rritet shumë. Një operator shtyp butonin e fikjes së urgjencës i cili duhet të rivendosë shufrat e kontrollit dhe ta kthejë reaktorin në nivelet e duhura. Ri-integrimi është i paefektshëm.
Ora 01:23 ’58“ Ndodh shpërthimi i parë, i pasuar nga një i dytë që shpërthejnë mbulesën 1000-ton të reaktorit.