GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Çfarë thuhet për kandidaturën e Kamala Harris

Për Biden ishte një zgjedhje historike dhe njëkohësisht e sigurtë, dhe kjo tregon sesi ka ndryshuar politika amerikane

Vendimi i Joe Biden për të zgjedhur senatoren Kamala Harris si kandidate për zëvendëspresidente të SHBA është përshkruar pak a shumë kudo si historike dhe njëkohësisht më pak e rrezikshmja. Për Partinë Demokratike të Shteteve të Bashkuara të vitit 2020, në fakt, zgjedhja e një gruaje jo të bardhë, e para që ka kandiduar ndonjëherë për njërin nga dy pozicionet më të rëndësishme të politikës amerikane, nuk gjykohet si një lëvizje e guximshme, por si një lëvizje që mund të pajtojë sa më shumë bazën e partisë së tij, duke iu përgjigjur kërkesave për përfaqësim të identiteteve dhe ndjeshmërive të ndryshme politike që janë bërë qendrore në politikën amerikane.

Por Harris, mes kandidatëve që deri në fund u përmendën si favorite, si senatorja Elizabeth Warren dhe ish këshilltarja e Sigurisë Kombëtare, Susan Rice, mund të kompletojë kandidaturën e Bidenit edhe për aspekte që nuk kanë lidhje me çështjet identitare dhe racore. Është shumë më e re se Biden, i cili nga ana tjetër është shumë i vjetër për të qenë kandidat për president; dhe vjen nga West Side, ndërsa Biden vjen nga Delaware. E mbi të gjitha, ishte zgjedhja më pak e diskutueshme, dhe për këtë arësye përmbushte kërkesën kryesore për një kandidat për zëvendëspresident: të mos dëmtojë presidentin, siç ka shkruar Dan Balz në Washington Post.

Shpesh, në narracionin politik, rëndësia e kandidatëve për zëvendëspresidentë në të vërtetë mbivlerësohet: studiuesit e politikës amerikane pajtohen në faktin që jo vetëm nuk janë kurrë zëvendësit ata që fitojnë zgjedhjet, por pothuajse asnjëherë nuk kanë një ndikim të vërtetë në rezultatin zgjedhor. Kjo kjo ka vlerë veçanërisht pozitive: rrallë, dhe kurrë kohët e fundit, ata kanë kontribuar në mënyrë domethënëse në fitoret e kandidatëve kryesorë; por ka ndodhi në fakt që të kenë dëmtuan mjaftueshëm rëndë fushatat e tyre elektorale. Një nga shembujt më të famshëm është Sarah Palin, e kritikuara kandidate si zëvëndëse e John McCain: që megjithatë, edhe pse rezultoi të ishte një zgjedhje shumë e keqe, nuk ishte aspak vendimtare në humbjen e tij.

Por, edhe pse shpesh zgjedhjet e zëvendësve për këtë arsye janë të kujdesshme, ato sërisht mund të përdoren për të dhënë impuls, entuziazëm dhe identitet në një fushatë elektorale, duke pasuruar propozimin me kandidatë që janë komplementarë dhe të ndryshëm nga kryesori. Si në rastin e Harris dhe Biden.

Harris është 55 vjeç, vajza e një endokrinologeje që emigroi nga India dhe një profesori të ekonomisë që emigroi nga Xhamajka, ka qenë gjatë prokurore pari për San Franciskon dhe më pas për Kaliforninë, dhe që nga viti 2016 është senatore. Politikisht e konsideruar një moderatore pragmatiste, si Biden, me të cilin gjithashtu ndan edhe lidhje të ngushta me estabilishmentin e Partisë Demokratike. Ashtu si Biden në mos më shumë që vjen nga një shtet progresist si Kalifornia, ajo është një politikane shumë më e majtë sesa një demokrate e moderuar e dhjetë ose njëzet vjet më parë. Shkurt, ajo pasoi atë që ka qenë një trend i madh gjatë viteve të fundit në parti, e ndikuar nga liderë si Bernie Sanders dhe Warren. Por nuk është një politikane radikale, dhe për këtë arsye është më e mbrojtur nga sulmet e republikanëve, të cilët deri më tani kanë insistuar shumë në sulmet ndaj figurave të majta të demokratëve si Sanders apo Alexandria Ocasio-Cortez.

E kaluara e saj si prokurore e përgjithshme në fakt është kritikuar dhe sulmuar shpesh nga e majta: pavarësisht qëndrimeve të saj që atëherë progresiste për shumë çështje, Harris është akuzuar se ka penguar apo se nuk ka mbështetur sa duhet reformat për çështje të tilla si policia dhe dënimet për shpërndarjen e drogës dhe për kontributin në disa dënime të cilat më vonë u vërtetuan të padrejta. Por në të njëjtën kohë, kjo e kaluar – që e ka bërë të marrë pseudonimin poshtërues të “polices” në të majtë – mund ta bëjë më tërheqëse për elektoratin centrist dhe republikan, historikisht të ndjeshëm ndaj çështjeve të rendit dhe sigurisë. Disa analistë kanë theksuar se, në një politikë ende maskiliste, një karrierë si magjistrate është një nga mënyrat më të mira për një grua politikane për të fituar autoritet dhe besueshmëri.

Siç shkruan New York Times, zgjedhja e Harris konfirmon faktin se në zgjedhjen e zëvendëspresidentit aspektet identitare janë bërë shumë më të rëndësishme sesa ato politiko-gjeografike. Në të shkuarën, në fakt, zëvendësat janë zgjodhur edhe mbi bazën e origjinës dhe veprimtarisë së tyre politike për të siguruar fitoren në ndonjë shtet të ekuilibruar: por Harris vjen nga Kalifornia, një nga shtetet më thellësisht demokratë në Amerikë.

Por nuk është një zgjedhje e rrezikshme: historia e kohëve të fundit ka treguar që thuajse asnjëherë kandidatët për zëvendëspresidentë nuk janë vendimtarë për fitoren në shtetet e tyre. Në 2004, John Kerry humbi në Karolinën e Veriut, në vendin e zëvendësit të tij John Edvard; në vitin 2012, Mitt Romney humbi në Wisconsin, nga vinte Paul Ryan. Në vitin 1996, Jack Kemp nuk i mjaftoi republikanit Bob Dole për të fituar në New York dhe në vitin 2000 Al Gore humbi madje në shtetin e tij, Tenesi. Sipas Patrick Murray, drejtor i Monmouth University Polling Institute, zëndëspresidenti i fundit që ka siguruar fitoren në ndonjë shtet ishte Lyndon Johnson me Texasin më 1960.

Origjina e Harris që ka rëndësi nuk është ajo kaliforniane, por indiane dhe xhamajkane (rrjedhimisht afrikane, andej nga nga kanë ardhur skllevërit e zinj të dëbuar për në Karaibe). Partia Demokratike nuk bëri shumë presion mbi Bidenin për të zgjedhur një kandidate jo të bardhë, por ndjeshmëria amerikane ndaj çështjeve racore, dhe veçanërisht mes demokratëve, e bënë zgjedhjen e një kandidati të bardhë të vështirë për t’ia shpjeguar zgjedhësve të tyre. Elektorati afroamerikan – dhe veçanërisht gratë afroamerikane – konsiderohet segmenti demografik më i rëndësishëm për demokratët dhe për Biden, kandidat i bardhë që, ndryshe nga Hillary Clinton, është shumë i popullarizuar midis pakicave.

Përzgjedhja e Harris ishte pra një njohje e rëndësisë së votuesve afroamerikanë, të cilët mund të jenë vendimtarë në zgjedhjet e nëntorit, kanë shkruar Jonathan Martin dhe Astead W. Herndon në New York Times . Nuk do të jetë vetëm kjo e mjaftueshme, por një tjetër zgjedhje do të kompromentonte mbështetjen e minoriteteve, që Klintonit faktikisht i mungoi në një pjesë vendimtare në shtetet që përcaktuan humbjen e tij.

Një argument i ngjashëm vlen edhe për çështjen gjinore: shumica e elektoratit të Partisë Demokratike janë gra, dhe zgjedhja e një zëvendësi mashkull për një kandidat mashkull do të ishte jo e mirëpritur në bazën e partisë. Jo rastësisht, menjëherë pasi mori nominimin Biden pati thënë se do të zgjidhte një grua si zëvendëse. Sipas Perry Bacon të FiveThirtyEight, është shumë e pamundur që në të ardhmen të ketë më një ticket demokrat, i përbërë prej dy meshkujsh të bardhë, apo ndoshta nga dy persona të bardhë në përgjithësi.

Përtej çështjeve etnike dhe gjinore, shumë e rëndësishme është edhe mosha. Bideni është gati 78 vjeç, dhe nëse do të fitonte zgjedhjet, do të ishte presidenti më i vjetër i Shteteve të Bashkuara. Shumë e vënë në dyshim mundësinë që, nëse rast fitoreje, ai mund të rikandidojë për një mandat të dytë në moshën 81 vjeçare: dhe në këtë rast, me përjashtim të surprizave të mundshme, Harris do të ishte kandidatja e favorizuar demokratike për ta atë. Në rast të kësaj hipoteze, katër vjet si zëvendëse do t’i jepnin një shtytje të madhe karrierës së Harris, për sa i përket autoritetit dhe përvojës. Dhe edhe për këtë arsye, zgjedhja e Harris plotëson kërkesën e rëndësishme: një zëvendëspresidente që të jetë “presidenciale”, domethënë, e besueshëm si presidente.

Deri më tani Trump dhe republikanët kanë pasur një farë vështirësie për të sulmuar Biden, duke çaluar në evidentimin dhe goditjen e dobësive të tij. Për këtë Harris mund të bëhet një objektiv i Trump, megjithëse për momentin nuk është e qartë se si. Duke iu përgjigjur një pyetjeje menjëherë pas njoftimit të Bidenit, Trump tha se Harris ishte “zgjedhja e tij numër një”, duke sugjeruar se është një kundërshtar që di të përballet dhe ta diskreditojë. Duke ecur më tej, megjithatë, ai ka qenë mjaft i paqartë në kritikat e tij ndaj Harris, duke u përpjekur ta përshkruajë si një kandidate radikal për çështje të tilla si taksat, shëndetin dhe sigurinë: akuza që nuk janë shumë të besueshme, ashtu si nuk kanë qenë deri më tani ndaj Biden.

Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More