- SPONSOR -






- SPONSOR -

Çlirim KOKONOZI – Jashtëtokësorët dhe pavetëdija

Ndërkohë që shfaqja e jashtëtokësorëve bëhet gjithnjë e më e shpeshtë në vise të ndryshme të botës, gjithashtu dhe kontakti i tyre me individë të tokës, asgjë përfundimtare s’mund të thuhet rreth natyrës së tyre, vendbanimit dhe qëllimit të dukjes së këtyre vizitorëve misteriozë

Hipoteza psikoanalitike i trajton ato, UFO – t, si “projeksione”, apo forma fillestare të një vetëdije kolektive, si arketipa ku unifikohet shpirti individual me atë universal, apo si pika takimi të frymës individuale me atë universale. Ky përkufizim përkon me imazhin e vjetër të njerëzve për Zotin, i cili përfaqësohet nga një rreth, qendra e të cilit është kudo dhe dimensionet e tjera asgjëkund. Ky projeksion, i përbashkët për të gjithë individët e çdo vendi dhe të çdo kohe, një eksperiencë universale e njerëzimit, është i kudondodhur dhe zgjon te njeriu modern ëndrra, vizione, parandjenja. Paraqitet si një rreth, një simbol modern, që formatizon, ruan dhe rregullon tërësinë psikike të individit, njëson kuptimet themelore të mbarë njerëzimit. Pra është uniteti i kuptueshmërisë njerëzore, i cili zë fill me vetëdijen e tij fillestare, kur njeriu nisi të perceptojë, të kuptojë, të mendojë. Të perceptuarit, të ndijuarit, të menduarit, te njeriu i parë kanë ndodhur të mbështetura dhe të inspiruar nga një frymë rregullatore ose nga një matricë dhe jo në mënyrë anarkike. Individi tokësor është i vendosur në një model të përcaktuar kuptueshmërie dhe sipas këtij modeli tek ai merr vlerë, mbi të gjitha, vetekzistenca normale e vetëdijshme e dalluar dhe e ndarë nga ajo anormale. Në të kundërt, njeriu nuk do të mund të kryente edhe veprimin më të thjeshtë, p.sh. një lëvizje krahu, kjo atij do t’i dukej e pakuptimtë. Po ashtu, nuk do mund të ndodhte dhe të konceptohej gjithë rrjedhshmëria e natyrshme dhe e vijueshme, si një zinxhir i pandërprerë i aktivitetit të tij në ambjentin rrethanor. Ky model i kuptueshmërisë së vetvetishme, vetëvepruese te njeriu, i jep kuptim të natyrshëm perceptimit, ndijimeve, instinkteve, besimit dhe të menduarit. Në këtë rast mund të thuhej – Unë kam vetvetiu vetëdijen e normalitetit të vetekzistencës, prandaj dhe mundem të perceptoj dhe të mendoj. Është dituria e fshehtë që lind bashkë me njeriun, qartësia intuitive e fuqisë së lëndës jetësore që vepron te njeriu në mënyrë të vijueshme dhe pandërprere, themeli i njeriut që mendon. Vizioni ufologjik, sipas konceptit të shkollës psikanalitike jungiane (Karl Gustav Jung), është shenjë e një transformimi në pavetëdijen mbarënjerëzore, e cila parandien dhe parashikon ndonjë ngjarje të ardhshme dhe kërkon ta përfshijë në koshiencën dhe kuptimet e vetëdijshme të kohës së sotme. Këto ngjarje të ardhshme, paralajmëruese të të cilave janë shfaqja e UFO-ve, sipas konceptit të psikanalizës jungiane, do të përbënin një transformim total, një përmbysje të traditave të deritanishme të njerëzimit dhe do të krijonin kuptime të reja. Një tronditje të paimagjinueshme të ideve dhe institucioneve të sotme. Modeli i kuptueshmërisë fillestare i trajtësuar, apo i simbolizuar nga dukja e pjatave fluturuese, paraqitet si rifillimi i një stadi, niveli të ri psikik.

Një hipotezë tjetër, ajo përtejtokësore, i konsideron pjatat fluturuese, UFO-t, jashtëgalaktike, manifestim i qenieve inteligjente ndryshe nga lloji njerëzor, për nga natyra psikike dhe fizike. Me një nivel intelektual shumë më të lartë se njeriu i tokës. Nëpërmjet kësaj hipoteze shpjegohet dhe sjellja e tyre prej turisti soditës, të painteresuar të krijojnë marrëdhënie me njeriun tokësor. Kjo hipotezë nënkupton, se në galaktika të tjera dhe në sisteme të tjera yjore, gjenden qytetërime shumë më të përparuara se qytetërimi i botës sonë. Sipas të dhënave që trajtohen si të vërteta, vendbanimi i tyre janë planetët dhe yjësitë e largëta, çfarë deponojnë dhe vetë jashtëtokësorët.

Sipas një hipoteze tjetër, hipotezës ultradimensionale, mendohet se ekziston një univers ekstrakohor dhe ekstrahapësinor paralel me universin tonë të kondicionuar nga hapësira dhe koha. UFOT-t realizojnë një “kapërcim”, “dalje” prej universit të tyre, duke u manifestuar në perceptimet tona dhe përsëri depolarizohen, duke “u futur” në dimensionin e tyre. Kjo hipotezë qëndron në harmoni me zbulimet në fushën e subatomikës në lidhje me jo-kohën dhe jo-hapësirën.

Hipoteza tjetër është ajo paranormale. Sipas kësaj hipoteze UFOT-t janë lëndë psikike të pajisura me trup fizik. Ato, kështu, nga objekte prej materie psikike apo frymore, janë të afta të vetëpajisen me trup fizik, pra në objekte të dukshme prej shqisave tona. Si objekte prej lënde frymore, ato janë të afta të influencojnë në psikikën e individit tokësor, duke i diktuar mendime, ndijime, fantazi, parandjenja, ëndrra.

Hipoteza teologjike, është një tjetër hipotezë që është e përafërt me atë paranormale. Sipas kësaj hipoteze UFO-t janë fuqi kozmike, apo autoritete qiellore të padukshme, të afta të marrin pjesë direkt në mendimet e njerëzve. Ato janë ego-ja dhe imagjinata njerëzore, gjithçka që përfshin dituria njerëzore, sido që të jetë e përftuar ajo. Duke folur për këto fuqi kozmike, Pali, njëri nga apostujt e Krishtit tregon se ato, ndërkohë që kanë pushtet mbi njerëzit, ai i cilëson “fuqi ndërhyrëse”, që shfaqen si fuqi imagjinuese, ëndërruese, si fuqi që kanalizojnë synimet e ego-s, nuk kanë të bëjnë fare me Mesinë. Është interesant fakti se një shkencëtar amerikan, i pyetur rreth fenomenit të jashtëtokësorëve thotë se, pikësëpari ato duhen pyetur se çfarë mendimi kanë për Jezu Krishtin. Sipas hipotezës teologjike, UFO-t kanë veti të shndërrohen nga qenie me trup frymor në qenie me trup material.

Në përgjithësi, qëndrimi i masës së njerëzve ndaj jashtëtokësorëve mbetet jo reagues ndaj informacioneve lidhur me to. Disa grupe njerëzish parashohin te shfaqja UFO-ve shenjat dhe simbolikën e përfundimit të kësaj epoke, ashtu siç flitet në veprën e famshme të Gjonit, APOKALIPSI. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e njerëzve e përjeton faktin e UFO-ve në mënyrë kalimtare dhe krejtësisht jashtë interesave të përditshmërisë, njëlloj si ndaj ëndrrave, vizioneve, shpirtrave, fenomeneve të tjera paranormalë, si dhe ngjarjeve e dukurive metapsikike (fenomeneve psikike dhe dukurive fizike që s’i përmbahen logjikës shkencore). Këto, të evidentuara dhe trajtuara në mënyrë të pakundërshtueshme edhe prej shkencëtarit dhe fiziologut të shquar frances Sharl Rike, i lauruar me çmim Nobël në mjekësi dhe fiziologji, në veprat, “Traktat metapsikik” dhe “Shqisa jonë e gjashtë”.

Në të vërtetë, pavarësisht nga ekzistenca, nuk njihen prejardhja dhe arsyet e vërteta të shfaqjes së jashtëtokësorëve, ashtu sikundër nuk njihen shkaqet e vërteta të ëndrrave dhe dukurive të tjera përtej diturisë së natyrshme njerëzore. Mos ndoshta jashtëtokësorët janë aspekti i dukshëm i atij aspekti të padukshëm dhe të panjohur, që është pavetëdija jonë dhe si të tillë kanë të drejtë të shfaqen, sepse janë të pranishëm te njeriu tokësor, pavarësisht se ky s’është i vetëdijshëm për këtë fakt ?. Jashtëtokësorët, në kontaktet me njerëzit, rrëfejnë se vijnë nga planetë të tjerë dhe yjësi të largëta, duke treguar shpesh dhe emërtimin e tyre. Ky duket si një truk i tyre, për të ruajtur psikologjinë e njerëzve nga paniku dhe alarmi, duke e ambientizuar atë gradualisht. Gjithashtu, për të krijuar një numër përkrahësish dhe dishepujsh, të cilët praninë e tyre do ta paraqitnin si më të pranueshme dhe më pak konfliktuoze ndaj masës tjetër të njerëzve. Bargav Shri Razhnish në veprën e tij «Unë jam Pragu”, tregon se të padukshmit i zgjedhin individët me të cilët kontaktojnë, sipas treguesve psikikë dhe fizikë, që këta të përballojnë normalisht dhe pa çrregullime psikologjike ndërhyrjen e tyre. Për aq sa thonë dhe bëjnë, jashtëtokësorët krijojnë te njerëzit bindjen për supremacinë e tyre në të gjitha fushat, brenda sistemit të dijes dhe imagjinatës së mendjes të njeriut të tokës. Ata vazhdimisht lënë të kuptohet, se kanë pushtet mbi fatin e njerëzve dhe se mund ta drejtojnë atë sipas dëshirës së tyre. Dihet se, në shumë raste, ëndrrat janë të afta të parathonë të ardhmen e një personi, shpesh ato paraqiten si një program i përpiktë dhe i detajuar i së ardhmes. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me parandjenjat, telepatinë, halucinacionet e vërteta, (që nuk kanë të bëjnë me fantazitë dhe përfytyrimet delirante), me parashikimet e individëve të caktuar, nëpërmjet një mekanizmi psikik, tashmë një fakt i vërtetuar pa mëdyshje si ekzistues te njeriu, që është quajtur “ndjeshmëri e fshehtë” (cryptesthésié), ende e pa kategorizuar dhe që nuk i njihet prejardhja.

A kanë lidhje metapsikika mendore, ( aftësia për të marrë njohuri me anë të “ndjeshmërisë së fshehtë”, në lidhje me ngjarje të ardhshme ), si dhe metapsikika fizike (dukuri dhe ngjarje fizike jo të zakonshme, jashtë logjikës shkencore) me aktivitetin e jashtëtokësorëve ? Gjithashtu, a është e mundur që njeriu t’u shmanget këtyre parathënieve, të cilat veprojnë në psikologjinë e tij në mënyrë terrorizuese, si veprim i fatalitetit ? A gjendet në psikikën e njeriut një vend, që të jetë i pa sundueshëm dhe i pacenueshëm, prej fuqive mbinjerëzore të panjohura, ose prej fatalitetit ?

Këto pyetje shqetësojnë me të drejtë çdo shpirt njerëzor të kohës së sotme, që gjithnjë e më tepër pllakoset nga diktatet e parathënieve dhe nga frika e ngjarjeve të tjera jo të zakonshme. Në rrethanat aktuale të botës së sotme, që vlon më tepër se kurrë nga konfliktet, fatkeqësitë e natyrës, sëmundjet e pashërueshme, prostitucioni dhe krimi, ideali i njerëzve dhe aspiratat e tyre janë të prirura të përqafojnë atë çfarë aludojnë replikat sporadike të jashtëtokësorët për zhvillime të reja, fe globale, etj.

Psikika e njeriut, nga natyra e saj, është vazhdimisht në një pritje të përhershme të një shpëtimtari, të një mbinjeriu, të një “diçkaje”, si një vetëpërmbushje dhe vetëplotësim, si një arritje përfundimtare. Në analizë të fundit, kjo kërkesë ka të bëjë me prirjen e përhershme të njeriut për kënaqësi e vetëshijim, me inaktivitetin dhe praninë e një psikike të paarrirë, që kërkon përjetësisht vetëpërmbushje. Kjo gjendje modulon vetvetiu kureshtjen dhe pritjen e përhershme. Pritet gjithmonë një realitet i ri vetëplotësues, një sundimtar fuqiplotë, një «zot mitik». Synimi i përhershëm për kënaqësi dhe kureshtje të papërballueshme, është motivi dhe mbështetja psikologjike e idhujtarisë dhe e nevojës për vetësundim, për kapje shijimarrëse. Në këtë natyrë të psikikës, apo të shpirtit natyror të njeriut, qëndron kërkesa e pavetëdijshme për një fytyrë unike, shprehëse e karakteristikave më universale e më të plota, simbolike, të thellësive të parrëfyeshme të shpirtit ; plotfuqishmëri, dituri, intimitet, ngjashmëri, jehonë, siguri, forcë. Shpesh përmbajtjen e kësaj fytyre, apo imazhin kozmik, ndërhyrës në pavetëdije, njeriu, instinktivisht, ia bashkëngjit prindërve, të dashurve të tij, individëve që adhuron, etj. Ndonjë religjion, këtë imazh, si figurë e gjallë dhe e pushtetshme në pavetëdijen e çdo individi e identifikon gabimisht me figurën e Jezu Krishtit, ose të Zotit. Gabimisht, sepse një imazh apo figurë e tillë, vetvetiu do të jetë ndërhyrëse te personi i njeriut, do të jetë diktuese për të, do të shndërrohet detyrimisht në një idhull skllavërues, do të cenojë instinktin e jetës së lirë e të pakapur, duke e kthyer këtë në instikt kënaqësi-marrjeje dhe shijim-marrjeje nëpërmjet një marrëdhënieje prostitucionale. Në këto kushte psikologjike të njeriut tokësor, dukja e jashtëtokësorëve shikohet si një thirrje burimore e pavetëdijes për vetëkapje dhe vetësundim. Trajtohet si arritja e një realiteti parapërfytyrues, përtej vetëdijes dhe vetëpërmbushës, ose e një “zoti”. Padyshim që jashtëtokësorët e njohin shumë mirë psikologjinë, egon dhe imagjinatën e njeriut të tokës, gjithashtu iluzionin dhe pasigurinë e tij ndaj të ardhmes, frikën ndaj vdekjes dhe ndjenjën e tij të fatalitetit. Përveç kësaj, në kohën e sotme, njerëzimi nëpërmjet stadit të arritjeve në fusha të ndryshme të dijes ka ravijëzuar në mënyrë të dukshme drejtimet e proceseve të njohjes, njeh mundësitë dhe pamundësitë e tij dhe është në gjendje, nga kjo, të jetë i vetëdijshëm për inferioritetet e tij. Ka një koncept të qartë për rrugët e befta dhe shkallëzimet e errëta e të paklasifikuara të njohjes, pavarësisht nga bollëku i saj aktual. Kështu, nga njëra anë, kontakti më i gjerë me jashtëtokësorët në të ardhmen do të jetë më i kuptueshëm dhe më i realizueshëm nga ana psikologjike dhe nga ana tjetër do të sigurojë supremacinë dhe diktatin e tyre të padiskutueshëm. Arritjet e derisotme të njerëzimit, si dhe çfarëdolloj arritje kulturore qoftë, s’mund të dalë kurrë jashtë metrit, njësisë matëse, të imagjinatës, fantazisë, të asaj që përftohet në ëndrra apo halucinacione, pra jashtë mundësisë së mendjes të vetëdijshme apo të pavetëdijshme njerëzore. Ky fakt do të vendoste një emërues të përbashkët të njerëzimit me jashtëtokësorët dhe do të paraqitej si një përmbushje e ëndrrës, si një mundësi e pavetëdijes për t’u shndërruar në një realitet të vetëdijshëm dhe të dukshëm. Në këtë kuptim nuk do të ndodhte asgjë që të mos ishte paraparë nga mendja njerëzore edhe pse nëpërmjet pjesës së saj të pavetëdijshme. Është fjala për një masë psikike gjithmonë të njohur dhe të konceptueshme për njeriun, e cila dikur në fillesë ka qenë e vetëdijshme dhe e dukshme, ndërsa më vonë është përçuar në pavetëdije dhe qëndron aty si një kërkesë instinktive, e pavullnetshme, dhe që tani del përsëri në formën e dukshme. Është jehona e lashtë, kënaqësia e imazhit përmbushës. Bashkëbiseduesi i fshehtë, diçka e përafërt me atë që Zhak Lakan (psikanalist i shquar francez) e emërton l’Autre (Tjetri), si vendi simbolik, si një figurë kriter, përngjasuese, që vlerëson e magjeps dhe njëkohësisht idhujtaria totale. Shpesh ky imazh trajtohet si imazhi i Zotit. Është më se e vërtetë, se në thellësitë e pavetëdijes, një figurë e tillë është e pranishme dhe se psikanaliza jungiane e ka emërtuar “Plaku i ditur”, të cilin njerëzit e shohin në ëndrra, halucinacione, ose përfytyrime të pavullnetshme të ngulitura, që mëson, vlerëson e udhëzon. Pra midis njeriut dhe vetes së tij të natyrshme gjendet një mospërputhje, një mosvijueshmëri, pra, një konflikt. Në të vërtetë midis njeriut dhe zotit nuk krijohet as mospërputhje, as konflikt, as mosvijueshmëri. Përkundrazi, vijueshmëria, integriteti, pacenueshmëria prej çdo fuqie tjetër ndërhyrëse tokësore e jashtëtokësore, realizohet nga Zoti. Gjoni, autori i Apokalipsit, në Zbulesën e tij bën një karakterizim të tillë : «Ai ishte, tani nuk është më, ndonëse është, papritur do të shfaqet përsëri, e nuk do të jetë më». Aludon kështu për një personazh, i cili dikur njihej prej njeriut në mënyrë të dukshme e të vetëdijshme, që më vonë s’ishte më, por që vepronte nëpërmjet pavetëdijes e që pak kohë para fundit do të shfaqet përsëri si i dukshëm dhe nuk do të jetë më.

Ju mund të pëlqeni edhe