Dardan MITROVICA – Një vaksinë kineze për Kim
Diplomacia kineze e vaksinave godet përsëri. E etur për të ndarë me botën ilaçet e saj koronavirus, shpesh të përkufizuara si “të mira publike globale”, Kina ka shënjuar një objektiv 100 pikësh. Këtë herë Pekini nuk ka lidhur marrëveshje me ndonjë vend të botës së tretë afrikan, të juglindjes aziatike apo të Azisë Qendrore. Për të marrë vaksinën e çmuar u zgjodh Koreja e Veriut, një aktor politik që, pavarësisht problemeve të tij ekonomike dhe izolimin e (vetë) imponuar, luan një rol të zëshëm në skakierën gjeopolitike globale.
Parë nga jashtë, veçanërisht me sytë e Uashingtonit, Pyongyang është një fosil i gjallë që evokon, sipas rregullit, skenarë të Luftës së Ftohtë, spektrin e komunizmit, ndarjen e botës në blloqe dhe një tensioni shqetësues të përhershëm. Presidenti aktual i vendit, Kim Jong Un, i mbetur jetim nga “miku” Donald Trump, është rikthyer në vëmendje duke u përshkruar si një gjë e çmendur. Cilat do të jenë marrëdhëniet e tij me Joe Biden? A do të rifillojë të lëshojë raketa për t’i dërguar mesazhe të koduara Shteteve të Bashkuara? A do të ketë samite të mëtejshme paqësore midis përfaqësuesve të koreanoveriorë dhe administratës Biden? Pikërisht mbi këto pyetje, momentalisht pa përgjigje të qarta, Kina ka filluar një lojë të re me Korenë tjetër.
Kim i vaksinuar?
Në Pyongyang vazhdojnë të përsërisin, me një përzierje krenarie dhe mburrje, që jo, përtej paralelit të 38-të, nuk janë raportuar raste me koronavirus. Megjithatë, disa zëra, të pakonfirmueshëm dhe as të vërtetueshëm, tregojnë për një skenar krejt të ndryshëm. Nuk e dimë nëse Koreja e Veriut ka mbetur vërtet imune ndaj Covid-19 siç pretendojnë burimet zyrtare koreanoveriore (edhe këto zëra të pakonfirmuar apo të paverifikueshëm). Sidoqoftë, mund të përqendrohemi në marrëdhëniet e ngushta tregtare midis Koresë së Veriut dhe Kinës, duke shtuar hijen e tregut të padukshëm përgjatë kufirit kinez dhe të përfshijmë në këtë kuadër dëshmi të ndryshme pak a shumë të besueshme.
Duke i konsideruar të mirëqenë të gjitha hipotezat e ngritura, ashtu si dhe lajmet që rrjedhin nga Koreja e Veriut, duke marrë parasush gjithashtu edhe ashpërsinë maksimale të vendosur nga autoritetet e Koresë së Veriut për parandalimin e virusit dhe izolimin e vendit, është e vështirë të besosh në narrativën e një Koreje Veriore “Covid free”. Për të shtuar më tej dyshimet mbi këtë version jo bindës, ka një fakt që duhet pasur në konsideratë. Sipas raporteve nga Reuters, Kina i ka siguruar Kim Jong Un dhe familjes së tij një vaksinë eksperimentale kundër koronavirusit. Një hap i thjeshtë parandaluese nga Udhëheqësi i Madh apo shenjë e një situate shëndetësore të paqëndrueshme? Dimë vetëm se Harry Kazianis, një analist think tank i Center for the National Interest në Uashington, ka thënë se “Kimët dhe disa zyrtarë të lartë të Koresë së Veriut janë vaksinuar”.
Diplomacia kineze
“Kim Jong Un dhe shumë zyrtarë të tjerë të rangut të lartë brenda familjes Kim dhe rrjetit pranë udhëheqjes janë vaksinuar ndaj koronavirusit gjatë dy-tre javëve të fundit falë një lloj vaksine të siguruar nga qeveria kineze”, ka shkruar Kazianis duke cituar dy burime të inteligjencës japoneze. Nuk është e qartë se cila vaksinë është – ndoshta eksperimentale – ajo që është marrë nga Kim. Për momentin janë tre kompani kineze që zhvillojnë një ilaç anti Covid. Këto janë Sinovac Biotech Ltd, CanSinoBio dhe China National Pharmaceutical Group (Sinopharm). Por asnjëra nga kompanitë e përmendura nuk i ka treguar për momentin rezultatet e provës klinike të fazës 3 të vaksinave të tyre eksperimentale që janë duke u zhvilluar jashtë Kinës.
Duke iu kthyer vaksinës, disa ekspertë dyshojnë që Kim në të vërtetë të mund të ketë përdorur një vaksinë eksperimentale. Në të vërtetë, pse do të duhej që Udhëheqësi i Madh të rrezikonte ndonjë efekt anësor eventual kur mund të mbrohet në rifuxhiot e shumta që mund t’i garantojnë, atij dhe të gjithë familjes së tij, një izolim të plotë nga virusi? Zëra të tjerë, si ai i Mark Barry, analist i International Journal on World Peace thonë që Kim do të preferonte vaksinat evropiane të provuara sesa ato të falura nga Pekini. E qartë është që nëse Kim Jong Un, një president i konsideruar pothuajse gjysmëperëndi, ka zgjedhur vërtetë të injektojë një vaksinë eksperimentale, kjo do të thotë se ajo vaksinë nuk paraqet ndonjë rrezik shëndetësor. Në të gjith këtë ngjarje është interesante të analizohet roli i Kinës, e gatshme për të rivendosur ndikimin e saj diplomatik mbi Korenë e Veriut pas muajsh të tërë apatie thelbësore. Pekini mund të rindezë fillin e kuq me Pyongyang duke përdorur vaksinën. Dhe propozon një marrëveshje të favorshme: rezervat e ilaçeve në këmbim të mbështetjes strategjike të Koresë së Veriut në funksion të një përplasjeje të mundshëm përfundimtare me Amerikën e Joe Biden.