GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Demokracitë kundër autokracive: më 2022 nis rrugë sfida finale SHBA-Kinë

Demokracitë në rënie, të paide dhe të paafta për të ofruar përgjigje konkrete ndak problemeve të reja të qytetarëve, kundër autokracive në rritje, gjithnjë e më tërheqëse dhe të gatshme për t’u konsideruar si modele politike alternative. E kemi mbyllur 2021 me një përplasje kokë më kokë, gjithnjë e më të dhunshme, midis dy koncepteve të kundërta. Është folur shumë për krizën që po kalojnë qeveritë demokratike, duke luftuar me një klimë mosbesimi të përgjithshëm, të rënduar nga reagimet jo gjithmonë efektive kundër pandemisë dhe plot me fenomene populiste e rezultate të paparashikueshme. Është folur shumë edhe për atë që ndodh në anën tjetër të fushëbetejës, ku imazhi i autokracive ka shijuar momente të mira fame dhe ku figura e njeriut të fortë ka tërhequr kureshtjen e një pjese të madhe të elektoratit demokratik, të bindur se vetëm një lidership i tillë do të mund ta kthente botën në rrugën e duhur.

E gjitha kjo, për lehtësi, është shkrirë në dy sfida paralele. Nëse kontejneri bazë na tregon për një sfidë midis demokracive dhe autokracive, brenda saj, ashtu si në një matrioshkë, gjejmë edhe dy përballje të tjera. Së pari: ai mes Perëndimit, atdheut të demokracive liberale, dhe Lindjes, pjesa më e madhe e të cilës është e prirur ndaj sistemeve politike dhe kulturore krejt të ndryshme. Së dyti: Shtetet e Bashkuara, vendi më i fortë demokratik në botë, që prej vitesh ka dominuar planetin me fuqinë soft power dhe ekonominë e tij, kundër Kinës, një fuqi në rritje, me qëllim zëvendësimin e Uashingtonit si qendër të aferave globale.Më 2022, kur ka të ngjarë të fillojmë të hyjmë në botën e re post-pandemike, këto tre përballje do të bëhen të prekshme prej të gjithëve ne. Dhe, në atë moment, do të kuptojmë se kush do të gëzojë shëndet më të mirë.

Demokracitë kundër autokracive

2022 do të shënohet nga disa evende të rëndësishme politike që pasqyrojnë përballjen demokraci-autokraci. Në Shtetet e Bashkuara, në nëntor do të mbahen të famshmet mid-term elections, zgjedhjet e mesmandatit, që do t’i thirrasin amerikanët të rinovojnë plotësisht Dhomën e Përfaqësuesve dhe, për një të tretën, Senatin. Bëhet fjalë për një takim të rëndësishëm edhe sepse qytetarët do të kenë kësisoj mundësinë të shprehen për punën e Joe Biden. Presidenti demokrat e mbylli 2021-in me një përqindje miratimi prej 42%; një rezultat jo tamam ngushëllues, duke qenë se vetëm Donald Trump pati bërë më keq. Nës rast se Dem humbasin shumicën në njërën prej dy dhomave, administrata amerikane do të rrezikonte paralizën dhe Biden do të duhej të rishikonte programin e tij. Në atë pikë, demokratët do të duhet t’ia nisnin një negociate komplekse me konservatorët, të cilët, me shumë mundësi, do t’i hidhnin në kosh çështjet kryesore të axhendës presidenciale.

Sa për të dhënë një shembull, Biden ka ripërsëritur angazhimin e tij për të miratuar planin e madh të shpenzimeve sociale dhe klimaterike prej 2 trilion dollarësh, të quajtur nga  administrata e tij Build Back Better, por ka vënë në dukje se negociatat me Kongresin që duhet të gjejnë një akord mbi projektligjin, janë të destinuara të vazhdojnë vitin e ri, duke parë rezistencën ende të rëndësishme nga eksponentët centristë të Partisë Demokratike si senatori Joe Manchin. Në një deklaratë të gjatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka thënë se ishte gati të vazhdonte takimet me vetë Manchin dhe të punonte mbi tekstin e projektligjit “në ditët dhe javët në vijim”.

Në anën tjetër të botës, në Kinë, ka shumë kuriozitet për të kuptuar se si Partia Komuniste Kineze, e sapo dalë nga Kongresi, do ta nxjerrë vendin nga pandemia. Modeli demokratik amerikan apo ai kinez: cili nga të dy do të jetë në gjendje të garantojë më shumë stabilitet, rritje dhe inovacion? Ky rivalitet do të shtrihet në të gjitha vendet dhe të gjitha fushat e mundshme, nga tregtia te rregullimi i teknologjisë, nga gara për të pushtuar hapësirën te zbatimi i fushatave vaksinuese. Ndërkohë, e zakonshmja, përballja e vjetër mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të mbushë faqet e gazetave edhe përgjatë gjithë vitit 2022. Më shumë madje: nuk është për t’u përjashtuar që mund të ndodhë diçka në gjendje të rrisë temperaturën deri në një pikë pakthim. Mendojmë për çështjen tajvaneze apo për tensionet në rritje midis ujërave të Detit të Kinës Jugore. Që do të thotë, nuk mund të përjashtohet plotësisht as edhe një luftë midis dy superfuqive të planetit. Është po aq e vërtetë që presidenti kinez Xi Jinping vazhdon të përsërisë se Kina do të punojë me të gjithë, ndërsa Biden nuk ka ndërmend të ulë stekën përsa i përket çështjes së mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Perëndimi kundër Lindjes

Gjatë Nëntëqindës – dhe ndryshe nga shekujt e kaluar – Perëndimi e dominoi në mënyrë të pakontestueshme skenën ndërkombëtare, duke u mbështetur në një fuqi më të madhe ekonomike dhe ushtarake. Përtej efekteve të shkaktuara nga dy luftërat botërore, në fakt, nuk ka pasur kurrë një besim të vërtetë midis demokracive të mëdha perëndimore dhe një Lindjeje në krizë identiteti. Konteksti ka ndryshuar pas ringjalljes së Kinës, forcës lëvizëse të një kontinenti të tërë. Me Japoninë ende të djegur nga katastrofat e dyfishta bërthamore të Hiroshimës dhe Nagasakit, në kapërcyellin midis viteve ’60 – ’90  patëm një vrullin e parë me daljen në skenë të të ashtuquajturve Tigrat aziatikë (Tajvani, Koreja e Jugut, Hong Kongu dhe Singapori), të ndjekura nga ringjallja e Tokios dhe, mbi të gjitha, nga rizgjimi i Pekinit.

Reformat hapëse të nisura nga Deng Xiaoping e shtynë Kinën në rrugën që, nga ai moment e disa dekada më pas, do ta transformonin një vend të pamasë të Botës së Tretë në një kolos ekonomik, teknologjik, politik dhe ushtarak. Nëse shekulli XIX ishte shekulli evropian dhe i XX ai amerikan, ka shumë të ngjarë që shekulli XXI të jetë shekulli aziatik. E thonë treguesit kryesorë ekonomikë, por e thotë edhe qasja më e mirë e përdorur nga Lindja për të frenuar pandeminë Sars-CoV-2. Teksa vendet perëndimore janë detyruar të zbatojnë lockdown të shumllojshme për të frenuar infeksionet, disiplina e qytetarëve aziatikë, e kombinuar me një sistem të shkëlqyer gjurmimi të pozitivëve, i ka mundësuar këtyre kombeve të bashkëjetojnë me virusin pa probleme të veçanta. E pamundur ta injorosh: Azia ka arritur ta përmbajë Covid-in më mirë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Kemi të bëjmë me një fitore të parë të modelit aziatik? Do ta kuptojmë më mirë më 2022, kur e gjithë bota do të mund të rizgjohet nga gjendja e jashtëzakonshme. Në atë pikë, kush do të vrapojë më shpejt midis Lindjes dhe Perëndimit?/ Përgatiti Dardan MITROVICA

Ju gjithashtu mund të pëlqeni