GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Do ta mësojmë ndonjëherë se nga erdhi realisht koronavirusi?

Jemi të sigurt që e infektoi njeriun përmes një kafshe, por ende nuk e dimë se cila dhe mund të mos e zbulojmë kurrë

Edi DELIU – Më 19 maj, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) miratoi një rezolutë për të filluar një hetim të pavarur për administrimin e epidemisë së koronavirusit, me vëmendje të veçantë për mënyrën origjinën e dhe se si u përhap ai në Kinë dhe pjesën tjetër të botës. Kërkimet mbi origjinën e pandemisë do të zgjasin me muaj, por sipas disa ekspertëve, mund të rezultojë jokonkluziv, me një mundësi mjaft reale për të mos e zbuluar kurrë në çfarë rrethanash koronavirusi aktual (SARS-CoV-2) është transmetuar te njerëzit, duke shkaktuar miliona infeksione dhe qindra mijëra vdekje.

Virologë dhe ekspertë të ndryshëm besojnë se virusi është i natyrshëm dhe se e ka origjinën nga lakuriqët, duke kaluar tek ne përmes ndërmjetëm të të paktën një specie tjetër kafshe. Mirëpo, prej muajsh, teoritë e komplotit argumentojnë se pandemia aktuale ishte rezultat i një gabimi (në disa raste e një akti të qëllimshëm) në një laborator në Kinë. Deri më tani, nuk është gjetur asnjë provë në këtë drejtim dhe analizat e koronavirusit duket se tregojnë një origjinë natyrore, por teoritë për prodhimin e saj në laborator vazhdojnë të qarkullojnë dhe janë cituar në mënyrë të qartë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke implikuar një përgjegjësi të drejtpërdrejtë të rëndë nga ana e qeverisë kineze.

Tema e origjinës së koronavirusit diskutohet nga grupe të shumta kërkimore në të gjithë botën, dhe është sigurisht shumë e ndjekur në Kinë, ku edhe filloi pandemia. Një studim i ri i botuar kohët e fundit në versionin e tij paraprak, pra për t’u marrë me pak kujdes, ka zbuluar se SARS-CoV-2 duket se është i lidhur ngushtë me viruset e një grupi të njohur për infektimin e gjinisë së lakuriqve Rhinolophus. Studiuesit kinezë arritën në këtë përfundim duke analizuar sekuencat gjenetike të koronavirusit të gjetura në mbi 1.200 lakuriqë.

Studimi ofron disa elemente të përbashkëta me kërkime të tjera, të cilat kanë evidentuar se një koronavirus specifik (RATG13) i gjetur në disa lakuriqë kishte 96 përqind karakteristika gjenetike të përbashkëta me ato të SARS-CoV-2. Në kërkimin e ri, citohet zona Yunnan si zona e mundshme e përhapjes së dy llojeve të virusit, por është sidoqoftë e vështirë të thuhet me siguri nëse ishte ajo zona origjinore e infeksioneve. Rhinolophusët janë shumë të pranishëm në Myanmar dhe Laos: ekzemplarë të infektuar mund të kenë ardhur nga ato dy vende, duke infektuar të tjerët si ata në Kinë.

Studimi i ri është nënshkruar, ndër të tjerë, nga Shi Zheng-Li, virolog nga Instituti i virologjisë në Wuhan (WIV), i famshëm për aktivitetin e tij studimor mbi marrëdhëniet midis lakuriqëve dhe coronavirus. Fakti që laboratori ndodhet në qytetin nga i cili filloi epidemia ka kontribuar në teoritë mbi origjinën “artificiale” të SARS-CoV-2. Në realitet, WIV ka qenë aktive prej shumë viteve dhe ka marrë çmime të shumta për aktivitetet e kryera nga studiuesit e saj. Vetë Shi gjithmonë ka hedhur poshtë çdo akuzë ose hipotezë për një bashkëpërgjegjësi të WIV në përhapjen e epidemisë. Prej kohësh virologologia ka raportuar për kohë rreziqet e larta të infektimeve midis lakuriqëve dhe njerëzve.

Megjithatë, kërkimet e kryera deri më tani mbi koronavirusin, iu është dashur të përballen me të njëjtin problem: asnjë nga viruset e gjetura në lakuriqë nuk është i ngjashëm sa duhet me SARS-CoV-2 për të thënë me siguri se është një paraardhës i tij, më pas i mutuar duke iu përshtatur organizmit nejrëzor. Prandaj besohet se ka pasur të paktën një hap të ndërmjetëm midis lakuriqëve dhe njeriut, i cili mund të ketë prekur kafshët e një specie tjetër. Hipoteza të ngjashme ishin formuluar edhe në të kaluarën për sëmundje të tjera: koronavirusi që shkakton SARS ka ardhur tek njeriu fillimisht duke kaluar nga lakuriqët tek cibetët (kafshë të ngjashme si nuselalat, ketrat eetj.), ndërsa ai i MERS nga lakuriqët tek devetë.

Studiuesit duhet pra të gjejnë një koronavirus me karakteristika thuajse identike me SARS-CoV-2 tek një specie të ndërmjetme: do të ishte prova më indikative për të rikonstruktuar kalimin e virusit te njerëzit. Sidoqoftë, arritja e një rezultati të tillë nuk është e thjeshtë dhe kërkon analizimin e një numri të madh kafshësh. Vëzhgime të këtij tipi aktualisht janë duke u zhvilluar, por deri më tani qeveria kineze nuk ka dhënë shumë detaje as për mënyrën se si po kryhen kërkimet në mostra, dhe as për rezultatet e iniciativës.

Faqja web e revistës shkencore Nature i ka kushtuar një artikull të thelluar kohët e fundit mbi kërkimet rreth origjinës së koronavirusit, duke trajtuar edhe hipotezat mbi origjinën në laborator. Aktualisht nuk ka as prova e as indicie që sugjerojnë se SARS-CoV-2 ishte rezultat i ndonjë ndotjeje laboratorike. Por demonstrimi në mënyrë të pakontestueshme se WIV nuk ka asnjë lidhje me të do të jetë akoma e vështirë dhe do të zgjasë një kohë të gjatë (sipas më skeptikëve mund të jetë e pamundur).

Qendra e Wuhan ka në laboratorët e saj mostra të koronaviruseve të ndryshëm. Edhe pse nga informacionet e marra deri më tani duket se nuk ka të ngjarë, një rrugë e hapur infeksioni mund të ishte sikur ndonjë operator të mund të ishte infektuar aksidentalisht, duke e transmetuar më pas koronavirusin tek individë të tjerë jashtë laboratorit.

Drejtori i WIV e mohon këtë mundësi, edhe sepse qendra vazhdimisht mban gjurmët e të gjitha eksperimenteve të kryera në laboratorët e saj. WIV gjithashtu ka një laborator të biosigurisë të nivelit 4, një nga të paktët në botë dhe me masa kontrolli jashtëzakonisht të ngurta dhe pajisje sigurie, pikërisht për të shmangur ndotjen e operatorëve apo depërtimin e jashtëm.

Drejtori i qendrës e ka shpjeguar në disa raste këtë për mediat kineze, ndërsa nuk iu ka dhënë ndonjë deklaratë të veçantë mediave ndërkombëtare, sjellje e ndjekur edhe nga persona të tjerë brenda qendrës. Gazetarët e ‘Nature’ janë përpjekur të marrin ndonjë informacione, por pa sukses.

Vetëm një hetim i thelluar dhe i pavarur në WIV mund të përjashtojë çdo përgjegjësi eventuale të qendrës kërkimore ose të ndonjë operatori, por duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kërkimit të kryer brenda tij dhe ngurrimin e qeverisë kineze duket e vështirë që kjo mund të ndodhë. Bëhet fjalë për analizimin e të gjitha mostrave të përdorura gjatë muajt midis fundit të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020 nëpër laboratorë të ndryshëm, në kërkim të virusit me karakteristika të zakonshme ose identike me ato të SARS-CoV-2, duke rikonstruktuar pastaj aktivitetet e kryera nga operatorët në mostra individuale, në kërkim të ndonjë infeksioni të mundshëm. Por një aktivitet i këtij tipi mund të ketë një impakt të madh në tërë WIV, që, si shumë qendra të tjera kërkimore mbi agjentë infektues të rrezikshëm mban një konfidencialitet të caktuar për aktivitetet që zhvillon.

Megjithatë, gjatë këtyre muajve, SARS-CoV-2 është analizuar në laboratorë nga dhjetëra qendra kërkimore në të gjithë botën, të cilat kanë studiuar karakteristikat e tij gjenetike dhe kanë kryer simulime mbi evolucionin e tij. Analizat kanë treguar një origjinë natyrore të koronavirusit dhe nuk kanë zbuluar ndonjë element që do të sugjeronte krijimin e tij në laborator.

Zakonisht, për të krijuar artificialisht një virus, fillohet nga një strukturë ekzistuese, por në rastin e koronavirusit aktual, nuk ka struktura të njohura të agjentëve të tjerë infektues që mund të kishin shërbyer si pikënisje. Të tjera karakteristika, siç janë mekanizmat e përdorur nga SARS-CoV-2 për t’u lidhur me qelizat (të cilat i shfrytëzon për t’u riprodhuar) janë rezultat i një seleksionimi natyror përmes mutacioneve të rastit të ndodhura mes gjeneratave të ndryshme të koronavirusit.

Ekspertë të shumtë konkordojnë në faktin se mund të mos e dimë kurrë se cila ka qenë origjina efektive e SARS-CoV-2 dhe hapat që çuan në përhapjen e saj, nga lakuriqët në të paktën një specie tjetër të ndërmjetme dhe nga kjo e fundit tek njeriu. Sidoqoftë, ishte e ditur prej kohësh se një koronavirus mund të shkaktonte një pandemi dhe se secili vend do të duhej mbrohej, duke u koordinuar me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, për të zvogëluar ndikimin e kësaj sëmundjeje të re ende të panjohur. Analiza se si shkuan gjërat, nga këndvështrimi i menaxhimit të emergjencës shëndetësore, mund të ofrojë ide të rëndësishme për përmirësimin e përgjigjes në rast të pandemive të reja në të ardhmen.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More