GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Do të funksionojnë këto sanksione kundër Rusisë?

Është herët për ta thënë, por një gjë është e sigurt: nuk do të ndryshojnë mendjen e Putinit mbi pushtimin dhe do të duhet pak kohë për t’i bërë efektive

Ditët e fundit, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar sanksione të reja të rënda ekonomike kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës nga ushtria ruse. Elementi kryesor i masave të reja është vendimi i paprecedentë për të sanksionuar drejtpërdrejt presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e tij të jashtëm, Sergei Lavrov. Sanksionet synojnë gjithashtu të izolojnë shumë institucione financiare ruse, duke komplikuar apo duke i bërë të pamundur operacionet e tyre jashtë vendit, të paktën në Perëndim. Kufizime të tjera kanë të bëjnë me eksportin në Rusi të materialit teknologjik, si kompjuterët dhe mikroprocesorët, të cilët mund të dëmtojnë seriozisht sektorë të ndryshëm, përfshirë atë të mbrojtjes.

Por sanksionet deri më tani nuk kanë ndikuar në platformën e transaksioneve bankare SWIFT, e as nuk janë drejtuar në mënyrë eksplicite drejt eksporteve të gazit, nga të cilat varet shumë Bashkimi Evropian. Sidoqoftë, analistët bien dakord për ndikimin e fortë që masat e reja mund të kenë në Rusi, edhe pse për një kohë afatshkurtër shumë efekte do të jenë të tolerueshme dhe nuk do të ndikojnë në operacionet ushtarake që po zhvillohen tani në Ukrainë: Sanksionet perëndimore janë një mënyrë për të ndëshkuar Rusinë për shkeljen e sovranitetit ukrainas dhe të të drejtës ndërkombëtare, dhe ka shumë pak gjasa të kenë një efekt të menjëhershëm në llogaritë politike të Putinit, të paktën në afat të shkurtër.

Bashkimi Europian

Pas dy ditë negociatash, Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të ashpër sanksionesh që përfshin, ndër të tjera, ngrirjen e aseteve të Putinit dhe Lavrovit jashtë vendit. Liderët evropianë kanë vendosur gjithashtu të imponojnë pezullimin e një pjese të madhe të transaksioneve ekonomike midis bankave evropiane dhe atyre ruse, për të penguar shumë kompani ruse të kontrolluara nga shteti të ndërhyjnë në tregjet financiare evropiane, si dhe kanë vendosur limite të reja për depozitat e parave në Bashkimin nga qytetarët evropianë.

Janë vendosur gjithashtu edhe kufizime të ndryshme për eksportin e materialeve teknologjike në Rusi, përfshirë ato informatike dhe për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e avionëve, si dhe kufizime të tjera në shitjen e materialeve që përdoret për përpunimin e hidrokarbureve.

SWIFT

Sanksionet e vendosura në nivel evropian kanë të bëjnë me përafërsisht 70% të tregut bankar rus, por do të kenë ndikim edhe në sektorë të tjerë, përfshi sektorin e energjisë. Megjithatë, masat nuk përfshijnë kufizime në SWIFT, sistemim e përdorur ndërkombëtarisht nga bankat për të shkëmbyer shpejt informacionin për të certifikuar transaksionet ekonomike.

Pezullimi nga platforma u mbështet fuqimisht të enjten e 24 shkurtit nga kryeministri britanik Boris Johnson gjatë një mbledhje në videokonferencë me liderët e tjerë të G7. Sipas njoftimeve të shumta të agjencive të ndryshme ndërkombëtare dhe gazetave ekonomike, propozimi do të ishte hequr për momentin, veçanërisht pas kundërshtimit të Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë. Megjithatë, gjërat janë në lëvizje dhe liderë të ndryshëm evropianë kanë thënë se bllokimi i SWIFT mund ende të ndodhë.

Deri më tani, qeveritë kundër kanë argumentuar se përjashtimi nga SWIFT do t’i linte shumë më pak fuqi negociuese Bashkimit Evropian në fushën diplomatike, duke hequr shumë shpejt një levë të rëndësishme për t’u përdorur me Rusinë për të vendosur kushtet për një armëpushim ose për t’i dhënë fund pushtimit në Ukrainë. Sipas vëzhguesve të ndryshëm, arsyet janë më shumë praktike dhe lidhen me varësinë nga gazi rus, veçanërisht nga Gjermani. Pa SWIFT-in, mund të ketë probleme të mëdha në pagesën e furnizimeve me gaz nga Rusia, për të mos përmendur rrezikun e hakmarrjes nga pala ruse.

Por edhe përtej mospërjashtimit nga SWIFT, sanksionet e shumta të vendosura ndaj institucioneve kryesore financiare ruse do t’i shkaktojnë shumë vështirësi Rusisë për të vazhduar biznesin me Bashkimin Evropian dhe jo vetëm.

Shtetet e Bashkuara

Edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka prezantuar një seri të re sanksionesh të ashpra ekonomike kundër Rusisë, të cilat janë plotësuar me përfshirjen e Putinit dhe Lavrovit në listën e të sanksionuarve. Masat janë të ngjashme me ato të shpallura nga Bashkimi Evropian dhe kanë si objektiv kryesor goditjen e institucioneve të mëdha financiare ruse dhe bllokimin e eksporteve drejt Risisë të të materialeve dhe sistemeve teknologjike.

Njoftimi i sanksioneve ka provokuar efekte të mëtejshme të rënda mbi rublën, monedhën ruse, vlera e së cilës është ulur më tej ndaj dollarit. Megjithatë, analistët besojnë se masat do të kenë efekte të prekshme, por ende të qëndrueshme për sektorin financiar të Rusisë. Në afat të mesëm, mund të rezultojnë më të dëmshme sanksionet lidhur me eksportet e teknologjisë në shumë sektorë.

Pamundësia për të importuar me lehtësi mikroçipe, kompjuterë dhe pajisje të tjera nënkupton jo vetëm pamundësinë e kompanive për të blerë pajisje të reja, por edhe për të pasur burimet dhe aftësinë për të mirëmbajtur sistemet tashmë në përdorim. Rusia mund të kufizojë dëmin duke rritur importet nga vende të tjera, përfshirë Kinën, por shkelja e sanksioneve mund të shtyjë Shtetet e Bashkuara të vendosin kufizime edhe ndaj ekonomisë kineze.

Sanksionet në fushën teknologjike mund të kenë pasoja edhe në sektorin e mbrojtjes, duke reduktuar mundësinë që ushtria ruse të përditësojë pajisjet e saj dhe të prodhojë gjenerata të reja. Sidoqoftë, kjo rrethanë nuk do të kishte efekte të drejtpërdrejta mbi atë që po ndodh në Ukrainë, por në kohë afatmesme mund të kishte pasoja të rëndësishme në avancimin teknologjik të ushtrisë ruse.

Energjia

Ashtu si Bashkimi Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të kujdesshme në miratimin e sanksioneve të reja që mund të ndikojnë në furnizimet me naftë dhe me gaz, veçanërisht drejt Evropës. Kufizimet e shpallura nga Biden tani për tani nuk do të prekin Gazprombank, banka e tretë më e madhe në Rusi e lidhur me Gazpromin shtetëror, që eksporton gaz në shumë vende të Bashkimit Evropian. Sanksionet ndaj kësaj banke do të kishin vështirësuar transaksionet lidhur me kontratat e furnizimit me gaz, me rreziqet e larta për vendet më të varura nga gazi rus.

A do të funksionojë?

Sanksionet e aplikuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian javët e fundit nuk kanë penguar dhe sigurisht nuk kanë qenë të mjaftueshme për të parandaluar pushtimin e Ukrainës, ndaj për këtë arsye vëzhgues dhe analistë të ndryshëm besojnë se edhe masat e reja të shpallura së fundmi nuk do të bëjnë të ndryshojnë planet e Putinit. Ushtria ruse po i vazhdon aktivitetet e saj në Ukrainë dhe ka ende për objektiv primar të pushtojë sa më shpejt kryeqytetin Kiev.

Për momentin, pra, është e vështirë të bëhën parashikimi përmbi dobinë e sanksioneve ekonomike, edhe pse precedentët historikë tregojnë se si këto mjete janë shpesh joefektive në parandalimin e avancimit të konflikteve. Në një periudhë afatmesme, institucionet financiare ruse mund të ushtrojnë ndonjë presion mbi Putinin nëse stabiliteti i tyre ekonomik përkeqësohet më tej, por presidenti rus ka treguar në më shumë se një rast se çdo vendim e merr vetë, duke marrë vetëm pjesërisht në konsideratë këshillat e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Megjithatë, ditët e fundit, Putin ka organizuar takime dhe mbledhje me oligarkët, duke i bërë thirrje për unitet dhe bashkëpunim.

Në këtë kontekst, dobia e sanksioneve mund të shihet gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, veçanërisht nëse ekonomia ruse fillon të pësojë vërtet dëme serioze dhe pakënaqësia të përhapet në mesin e popullatës. Por shumë do të varet edhe nga situata në Ukrainë./ Përgatiti Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More