GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

“E pamë të Përtejmen dhe u kthyam përsëri”

Pjesa II

Është ajo që pohojnë të famshmit, aktorët, atletët, figurat politike dhe shkencëtarët – disa prej të cilëve janë akoma gjallë, që kanë përjetuar pasvdekjen në lëkurën e tyre dhe i kanë treguar publikisht detajet: të gjithë deklarojnë se kanë dalë të forcuar dhe kanë ndryshuar qasjen e tyre në jetë. Më poshtë kemi mbledhur dhjetë dëshmi të jashtëzakonshme.

Sharon Stone: “Pashë një një rreth drite të bardhë”

Në 2001 aktorja amerikane e lindur në 1958 u prek nga një aneurizëm cerebral që gati e çoi atë drejt vdekjes. E ndërsa ishte e pavetdijshme dhe gjendej brenda një makinerie për rizonancën manjetike, ajo kujton se kishte takuar njerëz, më të dashurit për të, në vende “jashtë kësaj bote”. Siç më pas i tregoi të përhavshmes amerikane Closer Ëeekly, “ndjeva se isha e vdekur. Ishte kjo vorbull gjigante me dritë të bardhë sipër meje dhe … poof. E pashë veten brenda në një dritë të bardhë të ndritshme! Fillova të shikoja disa miq të vjetër të mi, u mirëprita prej tyre… njerëz që ishin shumë të dashur për mua. Njerëz të vdekur. Por ishte një udhëtim i shpejtë. Papritur një shushurimë dhe isha përsëri në trupin tim. Ishte një eksperiencë që ka ndikuar thellësisht jetën time, e cila nuk do të ishte më kurrë e njëjtë. Tani nuk kam frikë të vdes. Në fakt ua them të gjithëve se është diçka përrallore: vdekja është një dhuratë”.

Ronald Reagan: “U shpëtova dy herë nga engjëjt”

Dy herë presidenti amerikan, i lindur në 1911, ka qenë në rrezik për jetën dhe dy herë ka treguar se ka pasur takime me qenie misterioze engjëllore. E para daton në 1947 kur ai ishte aktor. Në xhirimet e filmit “That Hagen Girl”, u sëmur nga pneumonia. Në librin e tij Ëhere’s the Rest of Me? tregon se, i munduar nga ethet, i kishte thënë infermieres se ishte shumë i lodhur për të marrë frymë dhe se do të ndalet. Por ajo e kishte bindur për të kundërtën duke i folur me aq përkëdheli sa ai ishte bindur. Pasi i zbritën ethet, ai kishte shkuar ta kërkonte atë, por nuk e kishte gjetur, gjë që e kishte bindur përfundimisht se ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një engjëll që e kishte ndihmuar. Ndërsa episodi i dytë ndodhi në vitin 1981 kur Reagani u plagos nga atentatori John Hinckley. Në pamundësi për të marrë frymë dhe gati i pavetëdijshëm, ndjeu se dikush po i mbante dorën. “Ishte një dorë e butë, femërore”, shkroi më pas në autobiografinë e tij An American Life. “E ndjeja teksa prekte dorën timen dhe e shtrëngoja atë fort. Është e vështirë të shpjegohet se sa siguruese ishte. Edhe këtë herë një engjëll duhej të kishte ardhur për shpëtimin tim”. Reagan vdiq në 2004 nga pneumonia. Ai ishte 93 vjeç.

Peter Sellers: “Një zë më tha që nuk ishte koha ime”

Në 1964 aktori britanik i lindur në 1925 ishte praktikisht i vdekur nga një atak kardiak. E ndërsa po transportohej i pavetëdijshëm për në spital, kishte ndjerë veten duke rrëshkitur jashtë trupit të tij. “Pashë përreth,” tha ai, “dhe vërejta një dritë të bardhë, jashtëzakonisht të bukur sipër meje. Doja të shkoja drejt asaj drite më shumë se gjithçka tjetër. E di që në anën tjetër kishte dashuri të vërtetë dhe mbaj mend që mendoja “Ky është Zoti”. Pastaj pashë një dorë që vinte përmes dritës. Ndërsa po përpoqesha për ta kapur, dëgjova një zë që më thoshte “nuk është kjo koha” dhe dora u tërhoq”. Në atë çast zemra e Sellersit kishte filluar të rrahë përsëri. Aktori vdiq në 1980 nga një atak kardiak. Ishte 55 vjeç.

Elizabeth Taylor: “Takova burrin tim të tretë që më shtyu për t’u kthyer”

Në intervista të shumta Elizabeth Taylor, e lindur në 1932, ka thënë se gjatë një operacioni në shpinë në 1962 ajo kishte ndaluar së marri frymë për disa minuta. Kishte ndjerë shpirtin e saj të linte trupin dhe kishte parë mjekët që po përpiqeshin ta ringjallnin ndërsa ajo ishte nisur drejt një tuneli, ku kishte parë burrin e saj të tretë, Mike Todd, i cili vdiq në një aksident ajror katër vjet më parë. Liz ishte ndjerë e lumtur që po e shihte përsëri Todin dhe dëshironte të qëndronte me të, por ishte ndalur. “Duhet të kthehesh mbrapa”, i kishte thënë bashkëshorti. “Ke ende edhe shumë gjëra për të bërë”. Aktorja pra ishtë kthyer në trupin e saj dhe u zgjua teksa mjekët ishin gati të shpallnin vdekjen e saj. Ajo vdiq disa vjet më vonë, saktësisht në vitin 2011, nga insuficienca kardiake. Ishte 79 vjeç.

Larry Hagman: “Më përshkoi një ndjenjë lumturie e pamatë”

Në autobiografinë e tij Hello Darlin’ të botuar në 2001, aktori amerikan i lindur në 1931 dhe i famshëm për interpretimin e J.R. të Dallasit, përshkruan eksperiencën e vitit 1995, kur ai u përball me betejën më të vështirë të jetës së tij: kancerin e mëlçisë për shkak të konsumit të rëndë të alkoolit. I transplantuar nëpërmjet një operacioni që zgjati mbi 13 orë, tregon: «E ndjeja atë që do të vinte më pas. Nuk e kam parë dritën e përshkruar nga disa njerëz, por kam ndjerë një ndjenjë të mrekullueshme lumturie dhe ngrohtësie. Kam pasur konfirmim për atë që kam dyshuar gjithmonë, domethënë që ekziston një numër i pafund niveleve, ekzistencash, secila prej të cilave shton një murmuritje në orkestrën kozmike derisa mbërriti një gjendje lumturie të përsosur ”. Lagman vdiq nga leuçemia në 2012. Ai ishte 80 vjeç.

Donald Sutherland: “Ndjehesha si në placentën e një goce deti blu”

Gjatë xhirimeve të filmit The Warriors, i xhiruar së bashku me mikun e tij Clint Eastwood në 1970, aktori kanadez i lindur në vitin 1935 vuajti nga një formë e rëndë e meningjitit kurrizor. “Më çuan në spital”, tha ai gjatë një interviste, “por unë tashmë isha në koma. Mbaj mend se e lash trupin për disa sekonda dhe fillova të rrëshqas brenda një tuneli të gjatë larg shtratit. Papritur u hap një derë e madhe e bardhë. Ndjehesha brenda placentës së një gocë deti blu. Kurrë nuk ka qenë më mirë”.

Ernest Hemingway: «Shpirti im ndryshoi si në një shami mëndafshi»

Më 1918, në Luftën e Parë Botërore, shkrimtari amerikan i lindur në 1899 u plagos në brigjet e Piave, Itali. Gjatë qëndrimit në Milano, në një letër për familjen e tij, ai shkruan: “Të vdesësh është një gjë shumë e thjeshtë. Unë e pashë vdekjen dhe e di”. Vite më pas i tregon një miku: “Atë natë shpërtheu afër meje mortaje austriake. Mbeta sikur kisha vdekur. Ndjeva shpirtin ose diçka të tillë të dilte nga trupi im, sikur të kisha nxjerrë një shami mëndafshi nga xhepi. Fluturoi përreth, pastaj u kthye sërish aty ku ishte më parë dhe nuk isha më i vdekur”. Hemingway e rijetoi eksperiencën e tij nëpërmjet personazhit të Frederic Henry në romanin “Lamtumirë Armë”. U vetvra në vitin 1961 në moshën 62 vjeçare.

George Foreman: “Nga një pus i errët më nxorri dora e Zotit”

I hyrë në histori si kundërshtari legjendar i Muhamed Aliut në sfidën në Kinshasa të 1974, boksieri amerikan i lindur në vitin 1949 pati një përvojë premortore që i ndryshoi jetën. Në 1977, menjëherë pas takimit me Jimmy Young, Foreman u bë viktimë e një episodi hipertermik dhe humbi ndjenjat. Sipas asaj që ai tregon në autobiografinë e tij God in my corner, ai u ndje i dëshpëruar dhe i vetëm në një pus të errët e pa fund. Boksieri ka shkruar se pasi mendoi se “nuk më intereson nëse kjo është vdekje, unë ende besoj në Zot”, një dorë gjigante e tërhoqi atë lart. Mbi të ishte Jezusi me kurorën e gjembave mbi dhe gjakun që i pikonte. ” Çdo emocion armiqësor ishte larguar nga unë dhe rubineti i dashurisë së Zotit ishte hapur dhe shtrirë ndaj meje”. I pajisur me këtë përvojë, ai bëri një ndryshim rrënjësor në jetën e tij: pushoi së ndeshuri në ring, u shugurua ministër kulti i një kishe në Hjuston të Teksasit dhe hapi në të njëjtin qytet Qendrën Rinore George Foreman, një qendër asistence për të rinjtë problematikë.

Për dhjetë vitet e ardhshme ai iu përkushtua vetëm familjes së tij të madhe, famullisë së tij, studimit të Ungjillit dhe predikimit.

Carl Gustav Jung: “E pashë gjithë Tokën nga lart të shkëlqyer e plot dritë”

Më 1944, psikiatri i njohur zviceran i lindur në 1875 i cili pas një infarkti kishte humbur vetëdijen, pati një përvojë të jashtëzakonshme jashtë-trupore të përshkruar në librin e tij Kujtime, ëndrra, reflektime. Jung thotë se i dukej sikur ishte pezull në hapësirë. Poshtë tij shikonte globin tokësor të mbështjellë me një dritë të shkëlqyeshme blu dhe mund të dallonte kontinentet dhe blunë e detit. Pamja e tij përfshinte gjithë Tokën, forma sferike e së cilës ishte qartësisht e njohur dhe konturet e së cilës shndërrinin me një shkëlqim të argjendtë. “Më vonë,” shkroi ai, “u informova për lartësinë në të cilën duhet të qëndrosh në hapësirë për të pasur një pamje kaq të gjerë: rreth 1500 km. Pamja e Tokës nga kjo lartësi është gjëja më e mrekullueshme që kam përjetuar ndonjëherë. Isha pezull në hapësirën kozmike madje unë po lundroja rreth kozmosit … Është e pamundur të krijosh një ide mbi bukurinë dhe intensitetin e ndjenjave gjatë këtyre vizioneve. Ishin gjëja më drithëruese që kam përjetuar ndonjëherë”. Kjo përvojë mbaroi kur Jung u ndje i “thirrur mbrapa” nga mjeku që po e trajtonte dhe u kthye në ekzistencën e tij tokësore, në trupin e tij. Për tre javët e ardhshme ai vazhdoi të kishte të njëjtat vizione dhe më në fund, kur u përmirësua plotësisht, ai tha se nga ajo eksperiencë ai kishte fituar sigurinë se qëndrimi në trup është vetëm një “fragment i ekzistencës” dhe se realiteti në të cilin jetojmë është një burg i bërë për qëllime misterioze. Jung vdiq në 1961 i sëmurë prej zemrës. Ai ishte 86 vjeç.

Eben Alexander: “Isha bërë një flutur dhe po fluturoja midis miliona fluturave”

Neurokirurgu i Lynchburg General Hospital në Virxhinia, SHBA, i lindur në vitin 1953, hasi në një formë të rëndë të meningjitit në vitin 2008. I shtruar në spital, në gjendje kome të thellë i menduar si i mbaruar, jetoi për shtatë ditë në një gjendje vegjetative. «Përkundër kësaj», ai thotë në librin Miliona flutura, që shkroi menjëherë sapo u shërua, «vetja ime e brendshme vazhdonte të ekzistonte. Isha i vetëdijshëm se ndodhesha në një gjendje primordiale dhe primitive, sikur të isha varrosur në tokë. Por nuk ishte një tokë e zakonshme, pasi unë perceptoja dhe ndonjëherë dëgjoja dhe shikoja qenie të tjera rreth meje. Pjesërisht ishte e tmerrshme, pjesërisht e njohur dhe ngushëlluese. Pyesja: Kush? Çfarë? Ku? Dhe nuk pati kurrë ndonjë përgjigje. Sidoqoftë, pas një farë kohe, një dritë zbriti ngadalë nga lart, duke hedhur rreth e qark fije të mrekullueshme të argjendta dhe shkëlqimi të artë. Ishte një qenie rrethore, që lëshonte një muzikë të mrekullueshme qiellore, që e kam quajtur “Melodi Roteante”. Unë isha si një pikë ndërgjegjësimi në krahët e një fluture, midis miliona fluturave të tjera. Mund të shihja qiejt e kadifenjtë të mbuluar me një blu të pabesueshme, me sfera drite të shkëlqyeshme që lodronin, me kore engjëllore që linin gjurmë ndixixëlluese nëpër retë lundruese. Këto kore prodhonin himne të llojeve të ndryshme, shumë më lart se gjithçka që kisha dëgjuar në Tokë “.

Sot Aleksandri drejton një shoqatë bamirëse që promovon kërkimin shkencor dhe atë shpirtëror.

Materiali është përgatitur nga stafi i GT- Dardan MITROVICA

You might also like