Edhe inteligjenca artificiale ka nevojë për gjumë
Rrjetet nervore artificiale me impulse kanë nevojë të pushojnë për të rikuperuar stabilitetin e humbur gjatë kohës në aktivitet. Ashtu si truri i njeriut
Edi DELIU – Në të ardhmen, robotët mund të marrin disa sy gjumë: në fakt, rrjetet e tyre nervore artificiale, kanë nevojë të pushojnë për të rikuperuar stabilitetin e humbur gjatë kohës në aktivitet, pikërisht si truri i njeriut. E kanë zbuluar studiuesit e laboratorit amerikan të Los Alamos, në New Mexico falë një studimi që do të prezantohet në Seattle, me rastin e konferencës Women in Computer Vision.
“Ne studiojmë rrjetet nervore artificiale me impulse, sisteme që kuptojnë si truri ynë”, shpjegon studiuesja Yijing Watkins. “Ishim të magjepsur nga perspektiva e trajnimit të një procesori neuromorfik në një mënyrë të ngjashme me atë se si njerëzit dhe sistemet e tjera biologjike mësojnë nga mjedisi gjatë zhvillimit të fëmijërisë”. Megjithatë, eksperimentet laboratorike kanë treguar që pas periudhave të vazhdueshme të të mësuarit të pakontrolluar, rrjetet nervore artificiale bëhen të paqëndrueshme. Studiuesit, menduan pra, t’i linin ‘të pushonin’ duke i ekspozuar ata ndaj llojeve të ndryshme zhurmash (të ngjashme me ndërhyrjet që mund të dëgjohen në radio duke kaluar nga një stacion në tjetrin).
Pas disa përpjekjeve, vërejtën se truri artificial rikuperonte një stabilitet të mirë kur ekspozohej ndaj një zhurme të ashtuquajtur ‘gausiane’, që përfshin një spektër të gjerë frekuencash dhe amplitudash. Këtu e ka bazën edhe hipoteza se ky lloj zhurme gjeneron të njëjtën input që neuronet e trurit tonë marrin gjatë fazës së gjumit të ngadaltë.
Hapi tjetër i studiuesve do të jetë përsëritja e eksperimentit me Loihi, me çipin e Intelit të frymëzuar nga truri i njeriut: objektivi është të verifikohet nëse disa periudha pushimi mund ta ndihmojnë atë të jetë më i qëndrueshëm në përpunimin e informacionit në kohë reale që vjen nga një videokamera.