GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Edi DELIU – “Biden me siguri do të fitojë…”. Antitrampistët e mashtruar nga Trampi

Prej javësh të tëra “bombardimi” mediatik elegant antitrampist ka qenë i pandërprerë. Por realiteti paska qenka paksa ndryshe …

Revanshi i Trampit në Election Day  ia mbërriti bashkë me stuhinë e sikletit. Jo të manjatit sigurisht (ai tashmë ka njoftuar fitoren që në takimin e parë me gazetarët këtë mëngjes), por të të gjithë atyre “profetëve” të politikës dhe një lloj shtypi edhe të shtëpisë sonë që për ditë, javë dhe muaj kërkuan të bindnin veten dhe opinionin publik për humbjen shurdhuese të presidentit, që do mbytej nga vala blu (amerikane të kuptohemi).

Epo, siç dihet, vala është kthyer në një gotë ujë dhe mirazhi i kuq i republikanëve është kthyer në realitet. Nuk dua të flas këtu për sondazhet apo sondazhistët e “mëdhenj”, do të ishte shumë e lehtë. Përkundrazi, nëpërmjet këtyre rreshtave dua këtu thjesht të evidetntoj rënien bllofin e madh të atyre që besuan verbërisht (duke harruar mësimin e madh të vitit 2016) të zhurmës dhe budallallëqeve majtiste u zeruan menjëherë nga faktet.

As me Trampin, as kundër Bajdenit

Që në krye të herës dua të theksoj se qëndrimi im personal nuk ka lidhje fare me politikat apo veprimtarinë e presidentit amerikan, për të cilat në shumë raste nuk kam qenë dakord.

Nuk jam as kundër Bajdenit, sikundër mund të aludohet nga ndokush në rreshtat e mëposhtëm. Jo. Kam kërkuar të ngre zërin për disa fenomene të caktuara dhe për mënyrën e ndyrë majtiste se si u luftua, si u paragjykua dhe si po veprohet sot (dhe dje), ndaj Presidentit Tramp. Ai mund të humbasë, ashtu sikurse edhe mund të fitojë. Por si dhe me ç’lloj mënyre?

 “Amerikanët tani e dinë kush është ai”

Profecitë për katastrofën elektorale të Trampit u ushqyen nga qëndrime të hidhura dhe shpesh herë shumë të ashpra. Vetëm një ditë më parë titujt e shumë mediave që kur shihen sot, sinqerisht, më bëjnë minimaliht të buzëqeshësh, për të mos thënë më shumë flisnin se “Trump është më i dobët se kurrë më parë dhe, ndryshe nga 2016, sot të gjithë e dinë kush është”. Mjafton t’u përmend lexuesve të mi, analistët që pushtuan thuajse të gjitha ekranet e televizioneve mbrëmë (dhe që sillen akoma vërdallë) me parashikimet (totalisht të vërtetuara jo të vërteta) dhe analizat thelbin e të cilave më lejoni ti rendis më poshtë, sipas të cilave:

  • ‘më 2016, të pavendosurit kaluan në krah të Trampit në minutën e fundit, duke i dhënë fitoren’,
  • ‘Këtë vit gara është më e qëndrueshme dhe vështirë të ketë ndryshime nga ajo që kemi parë gjatë vitit të fundit (a thua se kishin parë qametin dhe faktikisht nuk rezultoi asgjë)’,
  • ‘Bajden nuk është Hillaria, ai është më i pëlqyeri (arsyetim që në fakt ka pas mbizotëruar gjerësisht edhe pjesërisht për shkak të kontraversitetit të politikës majtiste amerikane),
  • ‘sulmet e e Trampit ndaj demokratëve – për gjininë, racat (gjithnjë sipas majtistëve)- dhe etiketimi i tyre si “socialistë” – thjesht nuk funksionojnë kur garon kundër një centristi mashkull, të moshuar dhe të bardhë”.

Pra analiza dhe teza që u mohuan fjalë për fjalë nga rezultati i votimit amerikan. Amerikanët me sa duket “e dinin vërtetë shumë mirë kush është Trump” deri në pikën e revotimit të tij pas katër vitesh në Shtëpinë e Bardhë. Por amerikanët gjithashtu e dinë mirë edhe se kush është Biden, i cili me sa duket nuk është aq “i pëlqyer” sa mendonin dhe analizonin analistët ndonjëherë jo vetëm majtistë.

“Militantët e djathtë të revoltuar”

Por në ditët që i paraprinë votimit në Shtetet e Bashkuara vlen për t’u theksuar edhe vala e zakonshme antitrampiste mbizotëruese edhe nëpër posrtalet informative dhe mediat e shumta online. Mua, besoj edhe shumë prej jush i kujtohen mirë titujt e mëdhenj ditës përpara dhe të mëngjesit pak përpara fillimit të votimit amerikan sipas të cilëve:

  • në Nju Jork, si në shumë qytete të mëdha amerikane, vitrinat e dyqaneve, nga butikët luksozë të Madison Avenue të Manhatanit e deri tek lokalet familjarë të Bronksit, janë të mbyllura me dërrasa të mëdha prej druri, nga frika e trazirave dhe dhuna, pas atyre të muajve të kaluar (çuditërisht dhunë dhe trazira të shkaktuara nga lëvizjet majtiste)
  • Militantët e djathtë, të armatosur janë gati të dalin nëpër rrugë, duke i bërë karshillëk policisë…

E pra, vetëm në një pikë patën të drejtë. Natën e zgjedhjeve në SHBA vërtetë pati përpjekje për trazira dhe . Po, por vetëm nga fronti i Blacks Live Matters, afër demokratëve, afër ekstremit të majtë. Nuk ka asnjë gjurmë të trazirave nga “militantët e djathtë” siç pretendonin. Por nuk mbaron me kaq.

“Tani sondazhistët janë më të kujdesshëm dhe amerikanë më mendjehollë”

Në këtë ushtri “kujitësish” mbi disfatën e Trampit, ishin pafundtë ata që analizonin, të gjithë i pamë nëpër televizione, apo i lexuam nëpër media-të shkruara apo online që ishin të bindur se:

  • Donald Trump – sipas sondazheve, unanime – nuk do të zgjidhet përsëri. E vërtetë: edhe në vitin 2016 ai nuk ishte favorit, por fitoi. Mirëpo sondazhistët janë bërë më të kujdesshëm dhe amerikanët më të zgjuar.
  • Në katër vjet presidenti i 45-të ka treguar papërgjegjshmërinë e tij – politike, ekonomike, kulturore, morale, psikologjike për një rol kaq të rëndësishëm
  • Gjithkush mund të bëjë gabime. Të gabosh është njerëzore. Por të ngulmosh në gabim nuk është amerikane (i referohen këtu humbjes së sigurtë dhe të shpejtë të Trampit???)
  • Joe Biden nuk është një super-hero. Por ai është një njeri i besueshëm…

Por mesa duket sondazhistët përsëri nuk rezultuan edhe aq “të vëmendshëm” dhe një pjesë e madhe e amerikanëve (pak më shumë se gjysma mesa duket ndoshta kanë qenë gjithmonë mendjemprehtë, dikush t’ua shpjegojë) thjesht kanë zgjedhur, siç zakonisht bëhet në një demokraci të madhe si ajo amerikane, për t’i besuar presidentit të tyre. Është e e kotë të shtoj që shumica e amerikanëve nuk e konsideruan Biden aq “të besueshëm” sa të meritonin selinë e Shtëpisë së Bardhë.

“Mbetje të kulturës majtiste”

Akoma më shumë? Epo, kësaj here pati edhe nga ata ‘ujq’ që çuditërisht iu shmangën dhënies së një parashikimi siç bënë më 2016. Por që në fakt e kanë shënjestruar manjatin amerikan pafundësisht në analizat e tyre, edhe pse nuk janë shprehur fjalë për fjalë kundër tij, disa herë duke folur për “performaca të dështuara” dhe duke e etiketuar Trampin si “i vetmi njeri i aftë për të shkatërruar kulturën liberale”. Edhe këta, me siguri janë keqkuptuar. Shyqyr që në Amerikë nuk i kanë dëgjuar këta lloj parashikuesish.

Dhe në fund, në panairin e presingut mainstream (deri në dhimbje koke) pro-Bajden, është zallamahia e disa gazetave dhe mediave online që të mërkurën në mëngjes iu desh që megafonin që i jepnin fitoren e sigurtë brenda disa orëve Bajdenit, ta zëvendësonin menjëhere, e të flisnin për një valë të kuqe trampiane e duke “teorizuar” një rezultat “jo aq të papritur”. Çdo koment tjetër është i tepërt duke parë rezultatin e votimeve që (për momentin) ka aromën e një rixhirimi të vitit 2016.

“Mos e dashtë Zoti që Amerika ta zgjedhë Trump për president”

Së fundmi, të gjithëve na kujtohen qëndrimet e kryeministrit tonë të gjatë e të mprehtë në vitin 2016. Për asnjë qëllim tjetër përveçse për rifreskimin e memories sonë kolektive dua ta risjell edhe një herë në kujtesë, teksa theksonte se: “Trampi është një fatkeqësi për Amerikën dhe një kërcënim për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Mos e dhëntë Zoti që ta zgjedhin President se ky do të ishte një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”. Madje lideri global surrelian shkoi edhe më tej kur ka thënë se do të ishte i lumtur që deklaratat e tij poshtëruese ndaj Donald Trampit të merrnin dhenë. “Do të isha shumë i lumtur që kjo deklaratë të merrte dhenë”, deklaroi Rama në intervistën për “Klan Kosova”, i cili më pas bojkotoi edhe pritjen e ambasadorit amerikan për shpalljen e fituesit të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara atëherë.

Përpikmërisht të njejtën gjë ai do deklaronte edhe për CNNnë duke thënë se “thjesht thashë diçka që kuptoj”:

CNN: Nëse do të ndodhë që Donald Trump të fitojë emërimin e Partisë Republikane, atëherë do të bëhet shumë më e ndërlikuar për të gjithë ata që kanë shprehur këtë frikë?

Rama: Larg qoftë! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai, në fund të ditës do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme.

Jo më kot i dhashë këto qëndrime të Liderit suprem të gjatë të Surrelit. Janë këto qëndrime që në një mënyrë apo në një tjetër i kanë shprehur të gjithë puthadorët e tij në prag dhe gjatë votimeve amerikane. E kishte pak gabim besoj, apo jo?

E pra, tani, sot e gjithë ditën por edhe për shumë-shumë kohë më  pas do të na duhet të mbajmë gjithmonë parasysh se këta amerikanët, në anë anën tjetër të Atlantikut, me sa duket qenkan bërë “të pahijshëm dhe të pakuptueshëm”.

Por asnjëherë aq shumë sa fyerjet e drejtuara ndaj një populli që nuk përputhet me parashikimet radikale të analistëve dhe liderëve pa të ardhme.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More