GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Edi DELIU – Çfarë po bëjmë me Liritë tona?

Demokracitë në shumë vende Perëndimore po shihet se janë gjithnjë e më shumë në krizë identiteti. Duken pa vizion e pa drejtim, politikisht po kontrollohen nga interesa gjithnjë e më tregtare, interesa dhe afera që përfaqësojnë degjenerimin më të madh dhe më të rrezikshëm të asaj që demokracia duhet të jetë: qeverinë e popullit, jo atë të Lobeve. Dhe, në një skenar të ngjashëm, gjithçka duhet rivënë në diskutim.

Jemi bërë një populli i çorientuar, në kërkim të identitetit, që ka harruar sesi jetohej në komunizëm, por më e keqja pa nocionin e plotë se si jetohet në demokraci, në kuptimin e saj më autentik të fjalës. Një çorientim që përforcohen nëpër kanalet mainstream, nga rrjetet sociale, në një moment jashtëzakonisht delikat historik përsa i përket demokracisë tonë dhe ku të gjithë ndihen të detyruar të rievokojnë lirinë dhe ndjeshmërinë e tyre.

Një situatë që rrezikon të gjenerojë një kaos i cili do të bënte copash një pjesë të madhe të të drejtave universale. Paradoksalisht, në fakt, do të rrezikonim të gjendeshim në një situatë ku edhe racistët mund të pretendojnë ndjeshmëritë e tyre, ashtu si shovinistët, apo ku çdo lëvizje populiste mund të sulmonte gjendjen e demokracisë.

Por liri, në një shtet demokratik, do të thotë të jesh i lirë në një hapësirë të kufizuar, një hapësirë që nga njëra anë është e rregulluar nga vetë vlerat tona (etike dhe morale) dhe nga ana tjetër diktohet nga ligjet që rregullojnë që rregullojnë një hapësirë të tillë. Një nga vlerat më fisnike të përbashkëta në një demokraci është të mos dëmtosh të tjerët, një koncept shpesh i ritheksuar nga aktivisti i njohur i të drejtave civile Martin Luther King – “Liria ime përfundon aty ku fillon e jotja”.

Askush, pra, nuk mund të konsiderohet kujdestar i një lirie absolute dhe të pakushtëzuar, askush nuk mund të injorojë plotësisht asnjë normë apo vlerë të sjelljes. Një tjetër konsideratë për t’u bërë është se liria nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e një veprimi të caktuar, por shtrihet edhe në mendime dhe emocione: me fjalë të tjera, si individë, kemi një liri që na bën të mundur të zgjedhim çfarë të mendojmë apo çfarë të provojmë.

Është pra një liri zgjedhjeje, megjithëse e kufizuar në caqe të caktuara. Nga ana tjetër, çfarë kuptimi do të kishte ndryshe demokracia apo të njëjtat rregulla dhe ligje që ndëshkojnë pikërisht mungesën e përgjegjësisë të lidhur me lirinë? Përgjegjësia jonë është ta ndalim që të tjerët të na e marrin, por njëkohësisht duhet ta ndalojmë edhe vetveten që t’ia heqim atë të tjerëve, sepse të gjithë kanë të drejtë të mbajnë të tyren.

Siç thashë në fillim, na mungon një identitet kolektiv dhe të shkarkojmë fajin tjetërkund për këtë fundosje të ngadaltë por të papërmbajtur të modelit tonë, në fakte dhe vendime që ne nuk mund t’i kontrollojmë, apo, më keq, të mjaftohemi me konstatimin e fakteve ose vendimeve të marrë nga ata që na qeverisin, mendoj se janë mënyra mjaft të poshtra për të shpëtuar nga përgjegjësitë që secili prej nesh duhet të marrë përsipër karshi tjetrit. Qeveria vërtetë ka përgjegjësinë e saj, por më duket se edhe ne kemi harruar që kemi përgjegjësitë tona.

Prandaj, ajo që më vjen të pyes secilin prej jush është: a mendoni se e meritoni lirinë që ju është besuar? Çfarë bëni për t’i dhënë nderin, vendin që meriton? Çfarë bëni për të qenë në lartësinë e kërkuar? Ndryshe thënë, çfarë po bëni me liritë tuaja?

Pyetje të tilla nuk janë retorikë. Përkundrazi, ato duan të jenë seriozisht konkrete në tonin e tyre, quajeni po të doni edhe provokues. Në fakt, qëllimi i tyre është të stimulojnë atë që tek ju do të doja të ishte, më shumë sesa një koshiencë introspektive, një autokritikë e fortë dhe e sinqertë individuale dhe civile. Sipas fjalëve të të madhit Carmelo Bene, “Nëse vërtet dëshiron të ndryshosh diçka, duhet të fillosh të ndryshosh vetveten, duke shkuar kundër vetvetes deri në fund. Angazhimi maksimal civil është protesta ndaj vetes”.

Kuptimi i këtij shkrimit dhe ngacmimi që sjell me vete nuk është aq për të kuptuar metafizikisht se çfarë është “Liria”, por një përpjekje për të nxjerrë në pah formën historike dhe konkrete që Ajo ka zënë në bashkëkohoren tonë. Do të përpiqem ta bëj këtë duke dhënë tre ide që kanë të bëjnë me këtë vlerën tonë themeluese e që kanë të bëjnë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë. Për t’i bërë sa më të drejtpërdrejta, këto tri ide do të formulohen në formën e pyetjeve. Nëse dikush ndjehet i përfshirë do të thotë që provokimi i ka lënë vendin një forme të shëndetshme vetë-protestuese.

PYETJA 1: A mund të themi se jemi të barabartë me etërvë tanë themelues? Të atyre që kanë luftuar, dhe shpesh kanë paguar me jetën e tyre (!), Për të ndërtuar një botë të lirë? Botën e lirë në të cilën ne të gjithë ende banojmë?

PYETJA 2: A mund të themi se jemi në nivel me shokët tanë të udhëtimit? Me ata që, shpesh në heshtje, por gjithnjë në ballë, në fushat nga më të ndryshme të veprimit njerëzor, përdorin qenien e tyre të lirë për t’u përpjekur të ndërtojnë mundësi të reja për të gjithë ne?

PYETJA 3: A mund të themi se jemi në lartësinë e fëmijëve tanë dhe ëndrrave të tyre? Me fjalë të tjera, a po i përdorim energjitë dhe kohën tonë për të ndërtuar, ndoshta edhe vetëm përmes shembullit të mirë, një të ardhme më të mirë, më njerëzore?

Këtyrë tre pyetjeve dua t’i shtoj një të katërt, që dëshiron të synojë diçka që në ditët e sotme duket se po bie gjithnjë e më shumë në harresë: Liria si Ideal.

Edhe pse tashmë jemi mësuar ta konsiderojmë me vlerë vetëm atë që mund të matet, besoj fort se duhet të kthehemi te besimi te Idealet si burime të pashtershme frymëzimi. Dhe nga burime të tilla duhet të përdorim çdo herë që marrim përsipër të ndërtojmë atë që, në mënyrë naive, zakonisht e quajmë “të vërtetë”.

Më vjen të parafytyroj Idealin e “Lirisë” si një Perëndeshë e bukur, e fortë dhe bujare, e cila, megjithatë, duhet vazhdimisht të rifitohet prej nesh. Për këtë pyes: a jemi të denjë për sytë e Perëndeshës?

Duhet ngulitur mirë ndër mend se momenti aktual është një moment historik kthese dhe transformimi. Të jesh dhe të duash të jesh i lirë nënkupton ndërmarrjen e rreziqeve, liria kërkon që t’i dalësh zot peshës së vendimeve, në përpjekje, ndoshta, me ndërgjegje të plotë t’i përgjigjesh pyetjeve të lartpërmendura. Liria nuk është thjesht të bësh atë që do në një moment të caktuar, liri është edhe të mundesh të shkatërrosh zhgënjimin dhe pakënaqësinë e të mundesh akoma të shkosh e të votosh, liri është edhe ndjenja e limitit, liri është pjesëmarrje dhe mbi të gjitha, liria është hartimi dhe ndërtimi i rrugëtimit tënd duke vendosur si, ku dhe me kë ta bësh.

“Njeriu mendon se e do lirinë. Në realitet ka shumë frikë prej saj. Pse?
Sepse liria e detyron të marrë vendime,
dhe vendimet përfshijnë rreziqe “.

(Erich Fromm – “Guximi për të qenë”)

Bota e të ardhmes nuk është përshkruar ende, por do të jetë së shpejti. Në Demokraci kemi privilegjin, por edhe barrën dhe përgjegjësinë, për të disponouar liri civile dhe individuale. Si synojmë t’i përdorim? Pa minuar të drejtat universale që janë në thelb të njerëzimin tonë, sepse ato përfaqësojnë nevojat parësore të qenies njerëzore si të tilla: të vërtetën, lirinë, drejtësinë. Ndoshta kjo është pikërisht baza për një krahasim vërtet gjithëpërfshirës, ku të gjithë kuptojmë se jemi të barabartë edhe pse të ndryshëm. Përndryshe do të jetë vetëm dhe gjithmonë një luftë mes të shurdhërve.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More