GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Edi DELIU – Mos ta kujtojmë Marian vetëm për bukurinë

Rusja Sharapova u tërhoq nga sporti duke lënë pas bindjen se ka qenë kampionia më e bukur e historisë së sportit. Por ajo duhet kujtuar parasëgjithash për rezultatet, përtej një rasti dopingu mjaft të dyshimtë

Edhe pse bukuria në thelb është çështje e shijes personale, unë ju sfidoj të më kundërshtoni konstatimin se Maria Sharapova ishte kampionia më e bukur në historinë e sportit. Madje kjo dhunti mund të shërbejë edhe për të konfirmuar më tej meritat e saj konkurruese, siç ndodhi në futboll me David Beckhamin, i cili konsiderohej aq i bukur sa befasonte gjithnjë kur hidhej në aksione vendimtare për skuadrën e tij, a thua se fytyra e bukur duhet ta dënonte atë me një rol dekorativ, larg nga aksionet plot vendosmëri.

Tani që ajo është tërhequr nga sporti, duke iu dorëzuar dhembjeve në shpatulla, me të cilat ka luajtur për vite me rradhë, Maria meriton të vlerësohet jo vetëm për një rrugë të gabuar (skualifikimi për doping, për shkak të substancës që merret gjithmonë – meldonium – e cila në një moment të caktuar u konsiderua e paligjshme por që ajo nuk hoqi dorë), por edhe për rrugën e gjatë të përshkuar në sport. Një vajzë e bukur e aftë për të fituar Wimbledonin në moshën 17 vjeçe, që mund të kishte mbizotëruar edhe faqet gossipeve siç kishte bërë Anna Kournikova disa vjet më parë, tenistikisht e talentuar edhe pse jo aq shumë (por sidoqoftë kishte arritur deri në vendin e 8 në top klasifikimin botëror).

Por Maria, substancialisht nuk e vrau ndonjëherë mendjen për këto gjëra, ajo përjetoi nja dy lidhje sentimenale shumë normale me atletë të tjerë – me kolegun Dimitrov dhe basketbollistin Vujaçiç – dhe i mbylli ato pa thirrur fotografët për të pavdekësuar skenat e ndarjes. Nuk ia ndjente nevojën këtyre lojrave. Sigurisht, duke luajtur në kombinimin talent-bukuri Maria ka fituar qindra miliona duke qenë pjesë në reklama të shumta. Por këtu nuk ka asgjë të gabuar, përkundrazi, e lumja ajo.

Por kur ishte momenti për të zbritur fushë, dhe të tillë kishte shpesh sepse Sharapova ka luajtur dhe fituar shumë, hijeshia e saj e lindur shndërrohej në një vendosmëri të ashpër për të luftuar. Po të shohim shifrat, mes saj dhe Serena Williams nuk ka pasur rivalitet: 20 fitore kundër 2 në favor të amerikanes, pra po flasim për asgjë.

Mirëpo ato dy fitore janë triumfi i Marias në Wimbledon dhe, në të njëjtin sezon, edhe në fitoren e Masters. Mjaftueshëm, sepse Serena, që prej atyre dy ndeshjeve e tutje, do të përballej me Sharapovën me intensitetin e gjithnjë në shkallën më të lartë. E mjaftueshme sepse Maria, ndërsa ishte e vetëdijshme për inferioritetin e saj, e provonte çdo herë, e gatshme të përfitonte qoftë edhe nga ndonjë lëshim sado i vogël i numrit një. Edhe kjo është një bukuri, dëshira për të luftuar deri në ekstremin e forcave. Madje Maria Sharapova ka qenë më tepër madhështore se e bukur.

You might also like