Edi DELIU – Tre arsyet që mund ta rizgjedhin Trampin
Sot amerikanët shkojnë në qendrat e votimit për të zgjedhur presidentin e ri, domethënë për të konfirmuar Donald Trampin për katër vjet të tjerë ose për ta zëvendësuar atë me demokratin Joe Biden, ish-zëvendësin e Obamës
Presidenca Tramp ka qenë sigurisht më anormalja në historinë moderne amerikane. Sidoqoftë, na duhet të biem dakord mbi konceptin e anomalisë, dmth anomali për kë dhe sa anomal në lidhje me rezultatet e marra?
Shumica dërrmuese e atyre që gjatë këtyre viteve kanë folur për Amerikën trampiane nuk kanë pasur pikë dyshimi: ka qenë një katastrofë për t’u dënuar, pa apel. Por, pak vëmendje, një gjykim i tillë vjen për shkak të shikimit të SHBA me lentet e deformuara të ideologjisë së majtë dhe kanuneve të ndenjura të estabilishmentit, evropian dhe jo vetëm. Me pak fjalë, është pjellë e një paragjykimi të madh politik dhe shoqëror që nuk na ka lejuar të përshkruajmë ashtu si duhet dhe donim fenomenin në kompleksitetin e tij (mea culpa).
Le të reflektojmë pak. Para emergjencës Kovid, domethënë, pas tre vjetësh presidencë, rizgjedhja e Trump konsiderohej pothuajse e mirëqenë pavarësisht gjithçkaje që është bërë dhe shkruar kundër tij. Kjo do të thotë që shumica e amerikanëve nuk ishin aq të pakënaqur me presidentin e tyre, apo (për të mos thënë më të keqen), aq të tmerruar sa media na ka bërë të besojmë.
Keqmenaxhimi i Kovidit prej administratës Tramp sigurisht është një fakt. Por padyshim që gabimet e tij ishin të ndryshme – dhe po aq serioze – se ato të bëra prej Makronit, Kontes, Xhonsonit e ndonjë tjetri, përndryshe Franca, Italia, Anglia e të tjera shtete nuk do të ishin në kushtet në të cilat ndodhen.
Por ka edhe më shumë. Strabizmi i interesuar i vëzhguesve majtistë na ka ndaluar që të përqendroheshim sado pak në tre pikat kryesore të presidencës Trump.
E para, është se kjo është presidenca e parë amerikane e shekullit të fundit që nuk e tërheq Amerikën në ndonjë luftë apo ndonjë aventurë të improvizuar ushtarake për të riafirmuar rolin e xhandarit të botës.
E dyta është se Trampi është lideri i parë botëror që ka guximin dhe forcën për t’iu kundërpërgjigjur problemit kinez, domethënë atij të një superfuqie komuniste qëllimi i së cilës është të hegjemonizojë Perëndimin përmes levave të ekonomisë dhe teknologjisë (të vjedhur!?).
E treta ka të bëjë me punët e brendshme amerikane: të gjithë treguesit ekonomikë thonë pa frikë se mund të përgënjeshtrohen se nën Trampin mirëqenia e amerikanëve dhe kompanive amerikane është rritur në një mënyrë që nuk ka ndodhur prej goxha kohe.
“Amerika së pari”, motoja me të cilën u zgjodh Trampi, ishte pra një premtim i përmbushur, dhe kjo nuk është diçka e vogël, përkundrazi, në politikë është një gjë e rrallë. Le të shohim, është e kotë të bësh parashikime, por nuk do të çuditesha nëse amerikanët rikonfirmojnë besimin e tyre ndaj një njeriu që të paktën nuk i talli ata.