Elon Musk gjithnjë e më i pasur, është i katërti në botë
Tesla fluturon në Wall Street dhe Ceo i saj ekzaltohet: tani Elon Musk tani ka një pasuri në vlerë neto prej 84.8 miliardë dollarësh sipas Bloomberg Billionaires Index
Bloomberg Billionaires Index, indeksi që regjistron 500 njerëzit më të pasur në botë dhe të gjitha ndryshimet në pasurinë e tyre në krahasim me një vit më parë, ka një yll të ri: është Elon Musk, bosi i Teslas, i cili ka kërcyer në vendin e katërt në klasifikim sipërmarrësin francez Bernard Arnault (atë të Louis Vuitton dhe Christian Dior, për t’u kuptuar).
Arnault ka sot një pasuri që vlerësohet 84.6 miliardë dollarë, ndërsa Musk e parakalon për një qime floku (nëse qime mund të quhen 200 milionë dollarë): 84.8 miliardë. Në krahasim me vitin e kaluar, pasuria e Musk u rrit me 7.78 miliardë, rritja më e madhe e të gjithë Bloomberg Billionaires Index 2020. Si ia arriti? Falë rritjes në bursë të aksioneve Tesla, natyrisht.
TESLA VRAPON
Historia më e fundit e vlerës së Teslës në bursë është emblematike dhe tregon rrugën e marrë tanimë nga industria e re globale e automobilave, ajo e orientuar gjithnjë e më shumë për të kënaqur së pari nevojat “tech” së drejtuesve të makinave dhe pastaj të tjerat.
Vlera e aksioneve Tesla është rritur 339% këtë vit dhe, këto ditë, i ka tejkaluar 1800 dollarët. Ka bërë zhurmë të madhe javët e shkuara lajmi që Tesla tani vlen në bursë më shumë se Toyota, më shumë se Volkswagen, më shumë se General Motors dhe më shumë se çdo kompani tjetër automobilistike globale. Për ata që merren me makina dhe jo me financë edhe vetëm kjo është një gjë e çuditshme për t’u kuptuar.
Akoma më shumë është fakti që një pjesë e mirë e rritjes së vlerës së aksioneve të Tesla varet nga fakti se kompania ka të ngjarë të hyjë në indeksin S&P 500 të Wall Street, domethënë në atë që bashkon 500 ndërmarrjet më të kapitalizuara amerikane. Perspektiva për t’u anëtarësuar në klubin financiar, pra, ka rritur edhe vlerën e Tesla dhe kjo po e ndihmon atë të futet në këtë klub.
TESLA SHET
Duhet thënë, megjithatë, se nuk ka vetëm financa pas momentit aktual pozitiv të Teslës dhe Elon Musk. Përveç të menduarit për bursën dhe për krijimin e telashe në Twitter, në fakt, sipërmarrësi afrkanojugor i natyralizuar amerikan, në 12 muajt e fundit ka treguar se ai mund të ndërtojë makina elektrike dhe të dijë t’i shesë ato.
Teksa të gjithë prodhuesit e makinave u gjunjëzuan, gjatë lockdownit, Tesla rritej: në gjashtë muajt e parë të vitit 2020, nëse të dhënat e bazës së të dhënave globale EV Volumes janë të sakta, 28% e makinave elektrike të shitura në të gjithë botën ishin makina Tesla.
Kompania e Musk, në fakt, e mbylli gjysmën e parë të 2020-ës me 179.050 makina të shitura, kundrejt 65.521 të Aleancës Renault-Nissan-Mitsubishi dhe 64.542 makina elektrike të grupit Volkswagen. Ndjekin kinezët e BYD (46.554 makina elektrike) dhe Koreane e Hyundai-Kia (43.683 EVS të shitura). Të dhëna që, veç të tjerash, përfshijnë edhe rënien e fundit të shitjeve të Tesla në Evropë, ku konkurrenca tani është tejet e ashpër.
TESLA FLUTURON
Por, nëse Tesla vlen kaq shumë, kjo nuk është vetëm për shkak të makinave elektrike që shet sot. Ajo që bën t’u shkëlqejnë sytë e investitorëve, në fakt është portofoli i konsiderueshëm i patentave të prodhuara nga grupi i shkencëtarëve Tesla i Halifax, në Kanada, i drejtuar që nga viti 2016 prej profesorit të Fizikës së Dalhousie University, Jeff Dahn.
Kontrata e Dahn skadon në vitin 2021 dhe profesori po bën gjithçka për ta rinovuar atë. Pas blerjes së Maxwell Technologies vitin e kaluar, Tesla bëri një hap të madh teknologjik përpara dhe Dahn sapo ka botuar (më 10 gusht në revistën Nature) një paper të ri mbi qelizat e baterive litium-metalike pa anoda, të cilat kanë një densitet energjie shumë të lartë dhe kushtojnë pak, por që kanë edhe huqin e keq për të marrë zjarr dhe shpërthejnë.
Por, nga botimi në Nature, duket se Tesla po gjen mënyrën e zgjidhjes së këtyre problemeve. Vetë Dahn thotë se këto zbulime mund të çojnë tek një produkt i ri: aeroplani elektrik Tesla.