GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Enrico RUGGERI – Transgresioni është një art që duhet paguar personalisht

Në ditët e sotme është shumë e vështirë të gjesh një artist i cili, të paktën një herë në jetën e tij, nuk është ndjerë i detyruar t’i atribuohet patenta e “transgresionit”: pas vitesh ku transgresionit, ai i vërteti, kishte tronditur ndërgjegjen dhe ndihmuar shoqërinë për të dalë nga paragjykimet dhe frenimet, sot mjafton një postim i mbushur me retorikë në një media sociale, një foto, një deklaratë për të shndërruar një bashkudhëtar të muzikës ose spektakli në një revolucionar.

Enrico RUGGERI

Në këto kohë, të dominuara nga “mendimi unik” është shumë e thjeshtë të gjesh konsensus duke bërë sikur je “kundër” kur, në fakt, po ecën në anën e sigurt…

Tashmë kemi harruar që t’u konsideruar një transgresor i vërtetë nevojiten të paktën dy gjëra: bëni një tufë armiqsh dhe të paguani personalisht një çmim shumë të lartë!

Një nga shembujt më me zë në këtë fushë është padyshim Oscar Wilde, i cili në dyzet e gjashtë vitet që ishte në botë i skandalizoi bashkëkohësit e tij, futi në krizë Anglinë viktoriane dhe tërë botën, me veprat e tij por mbi të gjitha me sjellja e tij e papranueshme (për ato vite).

Martohet me Konstancën për dy arsye, një afëri të madhe intelektuale dhe trashëgiminë e rëndësishme të saj, lind edhe dy fëmijë, por nuk e fsheh homoseksualitetin e tij as nga e shoqja, e aq më pak nga e gjithë bota.

Kur shkruan është zbavitës, por i mprehtë si teha e thikës, përdor paradoksin për ta bërë publikun të reflektojë, tregon se në çdo aspekt të jetës ka gjithmonë një anë të dytë, nuk i kursen kritikat për një botë tani të mykur dhe të papërgatitur për ardhjen e shekullit të ri.

Kritikët e urrejnë, duke e treguar me gisht si shenja e dekadencës dhe e shpërbërjes morale, ai duket se nuk merret me ta, as me publikun, por është i kënaqur me rolin e tij të “subversivit”, që e ushtron kryesisht nëpër sallone, sepse e do luksin: vepra e tij më e mirë është pikërisht tek ato që ai thoshte midis fisnikëve dhe të pasurve, nëpër konferenca apo nëpër hotele të mëdha: “në veprat e mia kam vënë talentin tim, në jetën time kam vënë gjeniun”, përsëriste shpesh …

Përçmimi i tij për të zakonshmen e bën të ngrejë gjithnjë stekën, derisa ngatërrohet në një dashuri që do të jetë fatale: prindërit e Alfred Douglas, një djalosh i borgjezisë së mirë, i shpallin luftë, duke pretenduar se djali i tyre është plagjuar nga shkrimtari.

Në gjyq do të dëgjohen nga të gjitha, dhe do të përfundojë me një dënim për Wilde, dy vjet punë të detyruar. Që nga ai moment e tija do të jetë një luftë kundër pjesës tjetër të botës, do të udhëtojë, do të ketë të dashur të rastit dhe të tjerë që nuk do ta braktisin kurrë (përfshirë Douglas), do të arrijë të skandalizojë Amerikën, e cila do ta presë nëpër xhiro konferencash të falimentuara, dhe të gjithë Evropën e vjetër.

Do të jetojë gjithnjë në limit, duke shpenzuar para që nuk i kishte, pa kursyer kurrë asgjë: proza e tij do të ketë gjithnjë një emërues të përbashkët, dëshirën për të stigmatizuar hipokrizinë e shoqërisë.

Do ta bëjë me “Portretin e Dorian Grey”, kryeveprën e tij, me një “De profundis” të dhimbshëm të viteve të tij të robërisë, dhe me vepra të tjera në për të ngashëryer, ndonjëherë edhe argëtuese.

Tek “The Canterville Ghost” (Fantazma e Canterville) Oscar Wilde ia del që me një goditje të vetme të tallet me dy kundërshtarë: nga njëra anë traditat e palëkundshme të fisnikërisë anglo-saksone, të përfaqësuar nga Sir Simon, një fisnik i fundviteve Pesëqind që jeton prej shekujsh në një kështjellë të vjetër pranë Ascot duke i terrorizuar gjithnjë banorët e zonës, nga ana tjetër pragmatizmin e ashpër amerikan, të përfaqësuar nga banorët e rinj, familja e ambasadorit Otis.

Rezultati do të jetë komik, me binjakët e tmerrshëm Stars dhe Stripes(!) që do të përfundojnë duke shkatërruar reputacionin dhe sistemin nervor të fantazmës së shkretë, deri në një finale që do të jetë satira e të gjitha tregimeve horror që i pëlqenin aq shumë publikut. Autori godet me lehtësi, ironizon mbi dallimet kulturore, luan dhe tallet me mospërputhjet e dy popujve, atëherë shumë të ndryshëm, për mos të thënë krejt të kundërt.

Ky është Oscar Wilde: sfida e inteligjencës, e antikonformizmit, provokimi dhe transgresioni, ai që do të vijë, ai që, po të jetonte sot, do t’i sillte mijëra haters, me buonistët dhe mendimdrejtët, të gatshëm për t’i lëshuar stuhi nga tastiera!

Në vitet e fundit të jetës do të paguajë edhe një çmim të lartë për intemperancat e tij të të sjellurit dhe kulturore, do të udhëtojë shumë, deri në epilogun e rrugëtimit të tij tokësor, që do të zhvillohet në Paris, disa muaj pas fillimit të shekullit të ri, pak para se dritat e Belle Époque të ndriçonin horizontin e Kontinentit të Vjetër për disa vite të papërsëritshme.

I zhytur në borxhe, i detyruar të kërkojë para nga të gjithë, i mohuar nga shumë dhe i mbrojtur vetëm nga disa besnikë, do të jetë në gjendje të mahnisë edhe në ditët e tij të fundit të jetës, duke alternuar morfinën që i ishte e domosdoshme me kupat e shampanjës! “Po vdes përtej mundësive të mia” ishte një nga fjalitë e tij të fundit të mrekullueshme.

Ata që e njohën e quajtën veten me fat, veçanërisht pas një rehabilitimi të pashmangshëm post mortem, mbi të cilin ai së pari do të kishte ironizuar: aforizmat dhe batutat e tij u bënë legjendë. Ky, miqtë e mi, ishte një personazh i vërtetë transgresiv.

Mos u mashtroni nga truket e heronjve të rinj të vegjël të një sezoni: këta të fundit kanë lypur vetëm përfitime të përkohshme: të mëdhenjtë, dhe Wilde ishte, janë të gatshëm të paguajnë personalisht.

You might also like