Enton PALUSHI – Gratë e Ramës, rekordet e Ruandës, Toni Bleri dhe Mini-Shengeni

Para do ditësh, Organizata e Kombeve të Bashkuara publikoi një listë të vendeve me numrin më të lartë të grave në nivele përfaqësuese. Paradoksalisht, përkrah vendeve të Europës veriore, që udhëheqin në çdo fushë, në listë kishte edhe disa vende nga krahu i kundërt, me kredencialet më të këqija demokratike dhe me renditjen më të ulët në çdo drejtim. Çfarë mund të ketë ndodhur që krahas vendeve më të pasura dhe më demokratike në planet të renditen edhe Shqipëria dhe Ruanda? Çfarë e bën bashkë Edi Ramën dhe Pol Kagamen, presidentin e vendit afrikan? Përgjigjia ndoshta duhet kërkuar te ish-kryeministri britanik, Tony Bler, që i këshillon të dy dhe që pati deklaruar para disa kohësh se Kagame është një lider vizionar. Në listën e tij ka edhe të tjerë drejtues të ngjashëm si Rama dhe Kagame, përfshi këtu presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Bler mund t’u ketë thënë shumë gjëra, por ndër mësimet kryesore duhet të jetë ai: merrni parimet që ka për zemër Perëndimi dhe përdorini për interesat tuaja.

“Kagame e ka marrë me mjeshtëri axhendën e Perëndimit dhe e ka përdorur atë për të minuar qëllimet e Perëndimit,” thotë politologu Brian Klaas. Parlamenti i këtij vendi ka në përbërje 64 përqind femra, duke shënuar një rekord në botë. “Mënyra korrekte për ta parë këtë përfaqësim të grave në Ruanda është kështu: është e mrekullueshme që një parlament i dobët ka shumë gra brenda, por sërish është një parlament i dobët që i përkulet një despoti të vetëm mashkull. A është progres? Ajo që ka rëndësi ëshët nëse parlamenti ka një zë, jo gjinia e personave të heshtur brenda tij”, shkruan Klaas.

A ka funksionuar kjo skemë? Sigurisht. Teksa Kagame flet për arritje dhe Perëndimi i jep miliona dollarë për qeverisjen e mirë, opozita masakrohet dhe zgjedhjet manipulohen.

Kështu është edhe historia e grave të Edi Ramës në qeverisje. Rekordi i tij botëror është vetëm një makijazh për të kënaqur Perëndimin dhe për të fituar ndonjë intervistë në rrjetet e mëdha botërore. E kundërta ndodh në realitet, kur qeverisjen e ka në dorë vetëm një njeri, që nuk këshillohet me askënd dhe që nuk ka prodhuar asnjë figurë femërore në politikën e majtë gjatë këtyre dy dekadave në pushtet. I vetmi emër që u vjen ndërmend njerëzve kur i pyet për gratë e Ramës në politikë është ai i Elisa Spiropalit, por edhe ajo, jo për mirë, por vetëm për keq. Arsyeja është më e thjeshtë se kaq: nuk mund të pretendosh për përparim real të grave në një vend me ekonomi të drobitur, me një krim të shumëpërhapur, me një korrupsion masiv, me një administratë të mbaruar, me një arsim të rrënuar, me një shëndetësi të kapitulluar.

Sa për sjelljen e Ramës me gratë, sikur të mos mjaftonin zërat që kanë qarkulluar vazhdimisht për sjelljen e tij të dhunshme, mjafton agresiviteti që ka treguar ndaj tyre publikisht, qofshin politikane apo gazetare, për të kuptuar se ajo që ndodh larg syve të medias është shumë, shumë më e rëndë.

Por skema djallëzore e përdorimit të axhendës së Perëndimit për të minuar zhvillimin real të vendit nuk ka funksionuar vetëm në këtë drejtim. Thuajse çdo dështim i madh në vend ka pasur sipër një logo perëndimore.

Çfarë kërkon Perëndimi? Duan përfaqësim gjinor? Ua japim në nivele rekord, mjafton që askush të mos sfidojë pushtetin e njishit.

Çfarë kërkon Perëndimi? Duan që të respektohet opozita? Shpikim jo një, por pesë-gjashtë opozita dhe bëjmë sikur po dëgjojmë atë që na shkon për shtat më shumë.

Çfarë kërkon Perëndimi? Duan reformë në drejtësi? Atëherë vëmë në funksion krejt makinerinë e OJQ-ve dhe sigurojmë që reforma të duket sikur po bëhet, teksa vendosim nën kontroll plotësisht gjyqësorin.

Çfarë kërkon Perëndimi? Duan që të punojmë për integrimin? Atëherë shpikim bashkë me Vuçiçin një Ballkan të Hapur dhe sakatojmë Kosovën e vogël, duke e sulmuar hapur se ajo nuk e do integrimin, teksa Serbia e madhe merr rolin e fuqisë bashkuese në rajon.

Çfarë kërkon Perëndimi? Duan që të kemi bashkëpunim rajonal? Atëherë shpikim bashkë me Vuçiçin një Mini-Shengen dhe i japim Serbisë rolin kryesor për të dominuar rajonin në çdo aspekt ekonomik, në kurriz edhe të Kosovës së brishtë.

Çfarë kërkon Perëndimi? Duan një pajtim rajonal? Atëherë shpikim historinë me pajtimin gjermano-francez dhe e barazojmë agresorin serb me viktimën kosovare. Dhe kur Kosova të ankohet publikisht, i themi që janë të prapambetur, që nuk duan përparimin, shoqëruar me një lumë fyerjesh.

E kështu lista mund të vazhdojë e gjatë. Dikush mund të pyesë me të drejtë se përse i intereson kaq shumë Ramës se çfarë mendon Perëndimi? Sepse shqiptarët nuk i duhen më, tani që e pranon edhe vetë se ka ngritur një makineri votash për të manipuluar zgjedhjet. E vetmja gjë që shpreson është se mes tij dhe shqiptarëve do të qëndrojë vazhdimisht si mur një tufë ambasadorësh perëndimorë. Mendon se do e mbrojnë përgjithmonë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.