Erl KODRA – “Rithemelim apo shkrirje” – teori komploti kundër Partisë Demokratike

Nëse ka një të vërtetetë që duhet pranuar pa mëdyshje është fakti se Partia Demokratike ka 8 vite që gjendet nën agresion nga të katër anët, e akuzuar në shumicën e herëve pa të drejtë. Sulmet kundër saj kanë ardhur nga jashtë, por ato më të egrat janë gjeneruar nga brenda saj, nga figura politike të rëndësishme. E çuditshme është se legjendat urbane rreth opozitës shqiptare shumicën e herëve gëlojnë me të njëjtën gjatësi vale me nevojat dhe interesat e Edi Ramës.

Megjithatë, kësaj rradhe duhet pranuar se sulmet kundër Partisë Demokratike janë ndryshe – pjesërisht sepse Edi Rama ia doli t’ia vjedhë për herë të dytë fitoren opozitës shqiptare, dhe këto janë arsye të mjaftueshme për disa aspirantë që të mprehin thikat – dhe pjesërisht se këtë herë sulmet vijnë edhe nga jashtë, domethënë ndërkombëtarisht dhe të kordinuara.

Nuk besoj se ka ndonjë lexues të këtyre rradhëve që nuk e ka provuar t’i kthejnë shpinën në ditë të këqija. Madje, këtë e them nga përvoja personale, mua më është krijuar përshtypja se njerëzia rrinë në përgjim – duke të ndjekur me bindje në ditët e lavdishme, dhe duke të braktisur në rastin më të parë që të rrëshqet këmba. Kështu, ata të kanë përgjuar gjithmonë, për të parë nëse ti po mbahesh akoma – je rrëzuar përgjysmë apo përfare.

Partia Demokratike nuk është një parti e përsosur, ashtu siç nuk është e përsosur shoqëria shqiptare. Megjithatë, Partia Demokratike padyshim është pjesa më e ndritur e shoqërisë, përfshirë anëtarët dhe mbështetësit e saj. Padyshim që shumica e qytetarëve të vendit edhe sot e mbështesin Partinë Demokratike, por është histori tjetër pse ajo nuk arriti ta formalizojë fitoren përballë një hajduti delikuent me mbështetje ambasadorësh. Historia do të shkruhet – dhe secili do të marrë hisen e tij të përgjegjësisë.

Partia Demokratike ka bërë një opozitë të fortë, të mbushur plot akte të larta morale, duke luajtur në teh të legjitimitetit kushtetues. Por me sa duket, përballja me Edi Ramën brenda rregullave kushtetuese nuk mjafton, prandaj qartësisht, kjo është arsyesja e “humbjes” së Partisë Demokratike.

Realiteti i ri politik është i zymtë – sepse shoqëria gjendet nën pushtetin e një demagogu mafioz, që për fat të keq gëzon edhe mbështetje ndërkombëtare. Kriza e thellë ekonomike dhe kriza e gjatë politike e ka bjerrë besimin e qytetarëve, për më tepër në rrethanat kur propaganda qeveritare bëhet edhe nga Ambasadorja Yuri Kim. Rrethanat politike janë të pazakonta, sepse të pazakonta janë edhe ngjarjet – siç është rënia e plotë e shtetit në duart e Edi Ramës.

Lufta politike kundër Partisë Demokratike nuk ka pushuar ndonjëherë – përveç rasteve kur ajo nuk është sulmuar për arsye pragmatike. Por realiteti i ri politik, i prodhuar nga masakra zgjedhore e 25 prillit, ka intensifikuar luftën kundër saj. Arsyet janë të thjeshta për t’u kuptuar – PD duhet të përçahet, të dobësohet, dhe mundësisht të shpërbëhet, sepse vetëm kështu Edi Rama mund të vazhdojë mbretërimin pa kokëçarje.

Përndryshe, është e pakuptueshme që flitet për gjithëçka, por jo për pushtet të vjedhur përmes mafias dhe krimit të organizuar.

“A mbaroi misionin e saj Partia Demokratike?!” – është pyetja një milion dollarëshe që qarkullon në opinion.

“Të rithemelojmë Partinë Demokratike” – është kërkesa tjetër, e shtruar në Kuvendin e Partisë.

“Lulzim Basha është Kryetari i partisë së Sali Berishës” – vjen përcaktimi në formë aksiome, thua se ky është një mëkat i patolerueshëm. Po Edi Rama, kryetar i cilës parti është? Vërtetë, çfarë është Partia Socialiste, përveçse ish-partia e Enver Hoxhës, sot e zotëruar nga mafia?!

E thash edhe në krye, se Partia Demokratike nuk është parti e përsosur, ashtu siç nuk është shoqëria shqiptare e përsosur. Ne jemi një vend i vogël dhe i kriminalizuar rëndë, që sot qeverisemi nga mafia lokale e përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama. Nëse ka një parti që duhet të rithemelohet, për t’u shkëputur përfundimisht nga mafia politiko-ekonomike, por edhe nga trashgimia e të kaluarës gjakatare – është Partia Socialiste e Shqipërisë. Ata që ia duan të mirën vendit mund ta artikulojnë këtë tezë – sepse realisht shoqëria ka nevojë uluritëse për të rikthyer legjitimitetin politik, ekonomik dhe social. Shkëputja e vendit nga kthetrat e një organizate politiko-mafioze – siç është sot Partia Socialiste e Edi Ramës, duhet të jetë misioni i shoqërisë.

Mundet – për njëqind arsye komplekse dhe rrugësh të padukshme që vetëm Zoti i di – dhe gjërat të përmbysen shpejt në favor të Partisë Demokratike. Asgjë nuk mund të merret e mirëqenë, sidomos pushteti i vjedhur përmes mafias. Mbështetja e dyshimtë ndërkombëtare nuk mund të vazhdojë pafund, përndryshe kjo do t’u kthehet në bumerang. Me shembuj të tillë është e mbushur historia.

Partia Demokratike vetëm duhet t’u qëndrojë fort interesave të vendit. Përndryshe – vërtetë – ç’kuptim do të kishte ekzistenca e saj? Ajo nuk është aty për të përmbushur interesat e askujt, përveçse interesat e popullit shqiptar. Dhe interesat e shqiptarëve janë të qarta:

Rrëzimi i Edi Ramës nga qeverisja e vendit.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.