Kishte djalin e sëmurë: të gjithë mbijetuan, përveç martesës
Edi DELIU – Disa prej jush me siguri po durojnë bashkëjetesa të pakëndshme dhe të lodhshme, duke qenë të detyruar të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi për të limituar infeksionin nga koronavirusi. Për t’ju ngushëlluar, mund të lexoni kur shkrimtari Ernest Hemingway u gjend në karantinë me djalin e tij të sëmurë, gruan e tij me të cilën ishte në krizë dhe me dashnoren. Mund ta ngushëlloheni edhe më shumë kur të mësoni se, vite më vonë, ai e përshkruan atë mjedis si “një vend të shkëlqyeshëm për të shkruar”, dhe ishte pikërisht në atë periudhë kur ai korrigjoi dhe përfundoi veprën ‘Fiesta’ (The Sun Also Rises).
Historia tregohet në faqen e internetit Town and Country nga Lesley Blume, shkrimtare dhe gazetare, autore e librit Everybody Behaves Badly, në të cilin tregon historinë e ideimit dhe publikimit të Fiesta. Ah, nëse këto ditë keni hasur në një letër qesharake, të shkruar për Hemingway nga shkrimtari dhe miku i tij Francis Scott Fitzgerald, në të cilën tregonte se si përballej me izolimin për shkak të gripit spanjoll në vitin 1920, dijeni që ajo është kaluar nëpër mediat sociale si autentike por në fakt është një parodi e shkrimtarit Nick Farriella të botuar në faqen letrare McSweeney’s.
Në verën e vitit 1926 Hemingway, 27 vjeç, ishte i martuar me të parën nga katër gratë e tij, Hadley Richardson, me të cilën kishte një djalë tre vjeç, John Hadley Nicanor, me nofkën Bumby. Richardson kishte tetë vjet më shumë se ai dhe vinte nga një familje e shquar e St. Louis, në Misuri: babai i saj ishte vetëvrarë pas një krize financiare ndërsa e ëma kishte kaluar pjesën tjetër të kohës duke e mbrojtur, duke e gjykuar shumë të brishtë për çdo gjë. Ajo e kaloi jetën duke u kujdesur për nënën e saj deri sa vdiq; disa muaj më vonë ajo shkoi për të takuar një mikeshë në Çikago e cila e prezantoi me Hemingwayn. Ai u magjeps pas saj dhe pas një viti që i vinte rrotur, në 1921, u martuan.
Richardson kishte një trashëgimi të vogël dhe pas dasmës të dy u shpërngulën në Paris, ku Hemingway shpresonte të fillonte një karrierë të shkëlqyeshme të shkrimit. Këtu u njohën dhe frekuentuan shumë artistë dhe shkrimtarë të tjerë të mërguar, si James Joyce, Ezra Pound, Gertrude Stein, Fitzgerald dhe gruajan e tij Zelda dhe të gjithë ambientin e librarisë Shakespeare & Co. Hemingway po merrej me dorëshkrimin e ‘Fiesta’-s dhe kishte harxhuar një pjesë të mirë të pasurisë së Hadley, kishte zënë gjithashtu edhe një të dashur, Pauline Pfeiffer, një gazetare Vogue.
“Hadley ishte një vajzë me burime modeste, Pauline ishte trashëgimtare; Hadley ishte një amvise dhe tip i butë, Pauline ishte një gazetare e rafinuar e Vogue me personalitet të fortë”, shkruan Blume. Richardson e zbuloi tradhtinë në pranverë dhe i kërkoi llogari Heminguejt për atë gjë, i cili u tërbua me të duke i thënë se nuk do të kishte qenë fare problem nëse ajo nuk do ta bënte këtë gjë të merrej vesh prej të gjithëve. Vendosën të vazhdojnë më tej por Hemingway nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga dashnorja, e cila u bë një figurë gjithnjë e më e pranishme.
Në fillim të majit Hemingway shkoi në Madrid për të parë garat me dema dhe Richardson u nis nga Parisi për në Cap d’Antibes, në jug të Francës, mysafire e Sara dhe Gerald Murphy, dy amerikanë të pasur që i jepnin frymëmarrje jetës kulturore të Rivierës Franceze duke pritur dhe financuar shkrimtarë dhe artistë të tillë si Fitzgeralds, Pablo Picasso, John Dos Passos, Jean Cocteau dhe shumë të tjerë. Bumby kishte prej disa ditësh ethe dhe një kollë të keqe dhe prindërit ishin të bindur se pak ajër i shëndetshëm nga jugu i Francës do t’i bënte mirë.
Në fakt, kolla u përkeqësua dhe Murphy-t, që kishin tre fëmijë, të merakosur thirrën mjekun e tyre: ai zbuloi se Bumby kishte kollën e mirë, një sëmundje bakteriale shumë ngjitëse që shkakton një kollë shumë të fortë, deri në të vjella dhe vështirësi në frymëmarrje. Me urdhër të mjekut, Richardson dhe Bumby duhej të largoheshin nga ajo shtëpi e të karantinoheshin dhe Fitzgeralds-ët, që ishin në Cap d’Antibes, u ofruan atyre një shtëpi të cilën ata e kishin marrë me qira aty pranë. Gerald Murphy i çoi lajm Hemingway-t për ta qetësuar ndërsa Richardson i ankohej nëpërmjet një letre se ata dhe Fitzgeralds “mbajnë një distancë të madhe nga ne”, por se dërgonin gjithnjë furnizime për t’i ndihmuar ata.

Dadoja e Bumby-t u nis nga Parisi dhe disa ditë më pas mbërriti edhe një shpqëri tjetër e papritur: E dashura e Hemingway, që e kishte pasur kollën e mirë që fëmijë dhe për këtë arsye ishte imune. Në një letër Richardson i shkruante Hemingway se ajo vetë e kishte ftuar Pfeiffer “të qëndronte nëse ajo dëshironte”, dhe se do të ishte “një histori e mrekullueshme për të gjithë nëse ti, unë dhe Fife do ta kalojmë verën së bashku në Riviera”. Heminguej u detyrua ta linte Madridin dhe më 27 maj i shkruajti se do ta arrinte sa më shpejt që të ishte e mundur.
Kështu Hemingway u gjend në një shtëpi me dy shtretër së bashku me gruan, djalin e sëmurë, dashnoren dhe dadon, të shoqëruar nga vizitat mbrëmjeve të Murphys-ëve dhe të Fitzgeralds-ëve. Në kohën e aperitivit ata mbërritën me makinat e tyre, sistemoheshin në buzë të kopshtit dhe pinin diçka së bashku, ndërsa Hemingway dhe pjesa tjetër e familjes me të bënin të njëjtën gjë nga veranda. Mbrëmja përfundonte duke i ngulitur kokat e shisheve të konsumuara me kokë poshtë nëpër vrimat e gardhit: në fund të karantinës, gardhi ishte bërë njësh mes shishesh dhe bimësh.
Pas disa javësh Bumby u shërua dhe të gjithë u transferuan në një hotel. Vogëlushi dhe dado u dërguan në një shtëpi të vogël, ku t’i jepte fund kovaleshencës ndërsa Hemingway, gruaja dhe dashnorja e tij vazhduan të jetonin së bashku: Blume shkruan se «Pfeiffer futej në shtrat me to për të drekuar së bashku. Disa kohë më vonë Hadley kujton që kishte këmbëngulur t’u jepte një mësim zhytjeje në që gati e kishte vrarë atë”.
Pas kthimit në Paris, Hemingway dhe Richardson u ndanë dhe në vjeshtë ajo i kërkoi divorcin. Në tetor, u publikua në Shtetet e Bashkuara ‘The Sun Also Rises’ (një vit më pas u botua në Mbretërinë e Bashkuar me titullin Fiesta) me përkushtimin për të birin dhe gruan e tij. Hemingway i ofroi Richardsonit të drejtat e autorit të librit. Ata u divorcuan në janar 1927 dhe në maj Hemingway u martua me Pfeiffer; në vitin 1937 ai filloi një histori me gazetaren Martha Gellhorn, me të cilën u martua në Dhjetor 1940, një muaj pasi u nda edhe nga Pfeiffer.