Fatos KOLA – Perandoria ilirike me Epidam-Durrahun si kryeqendër
Afera korruptive në miliarda euro, për përvetësimin prej një privati arab të Portit të Durrësit dhe akua-parkut arkeologjik të bregdetit durrsak, gjoja në emër të një investimi zhvillimor prej 2.5 miliardë $, rizgjoi furishëm tek unë instiktin e intelektualit antikonformist, tashmë në kushtet e heshtjes së habitshme e të frikshme të të paktëve intelektualë publikë të mbetur në këtë vend.
Mendoj se janë të shumta arsyet e shurdhërisë, mekjes deri në heshtje dhe pakësimit të zërave mospajtues të intelektualëve tanë publikë… Por kam bindjen e patundur se arsyeja kryesore e dukurisë shokuese të heshtjes së intelektualëve publikë është lodhja deri në rraskapitje e tyre në kushtet e varfërisë së projektuar e të presionit ekonomik të mbijetesës.
Loja e nervave e imponuar nga pushteti politik për të topitur dhe thyer vullnetet intelektuale, arrin kulmin kur mendon se mënxyrës së mjerimit ekonomik të intelektualëve tanë, aktualisht u ndajshtohet strategjia e stërmundimit sistematik të tyre me anë të rrengjeve të panumërta të neokomunistëve-kapitalistë intrigantë… Kleptomanë e kleptokratë këta që, në pafuqinë dhe paaftësinë proverbiale për të projektuar dhe zbatuar politika zhvillimore, shpikin pafundësisht marifete prej kopukësh fshati, për të lodhur kundërshtarët klasikë të bëmave dhe gjëmave të tyre, dhe për t’i detyruar të dorëzohen, krahas synimit të spostimit të vëmendjes së opinionit publik nga aferat korruptive rrënuese.
Ndërkaq ne vijojmë t’u paguajmë haraçe komunistëve më barbarë, më trutharë, më tradhtarë e sharlatanë-apatridë që ka njohur planeti, e që vazhdojnë ta lënë atdheun në vendin e fundit në botë, teksa shesin pambarimisht interesin publik dhe interesat kombëtarë tek shumëkombëshet dhe armiqtë historikë, gjithmonë përkundrejt garantimit të pushteteve dhe mbushjes së xhepave vetjakë.
***
Rritur dhe edukuar në familje me parimin se kategori të tilla si E Vërteta, E Drejta, E Mira, Morali dhe Virtyti duhen mbrojtur pavarësisht kostos, qysh në rininë e hershme dhe më pas formësova konceptin arketipal të intelektualit antikonformist nën ndikimin e fortë të dy idhujve të mij intelektualë dhe mendimtarë të shquar të racës shqiptare: profesorëve Ramadan Sokoli dhe Petro Zheji.

Profesor Sokoli me shembullin dhe veprën e tij (që zhdanovistët ia përçmonin si “folklorizëm”), rebelohej në mënyrën e tij të sofistikuar kundër zhbërësve politizues të kulturës kombëtare, por nuk arriti t’i shpëtojë syrit vigjilent të kryezhdanovistit-censor Alfred Uçi, që e kërcënoi: “Pse neve kërkon të na e hedhësh ti me priftërinjtë që na i sjell dhe na i shet si majë e kulturës kombëtare?! Të çojmë prapë atje ku ke qënë dhe ku ke vëllezërit e tu (në burgun politik)”.

Prof. Sokoli nuk mund të dorëhiqej prej adhurimit të kryeheroit të tij antikomunist rebel, intelektualit brilant Patër Pjetër Mëshkalla, që si askush tjetër sintetizonte vokacionin intelektual të mbarë klerit shqiptar të të gjithë besimeve. Klerit që për lavdinë e përjetshme të tij dhe për interesin e grigjës shqiptare refuzoi të konformohej me sllavo-komunizmin dhe haraçin e pagoi me jetë të panumërta e me persekutimin shtazarak gjysëm-shekullor.
Prof. Sokoli nuk mund të dorëhiqej prej adhurimit të Kryeheroit të tij, teologut atdhetar Hafiz Ibrahim Dalliut.

Gjithashtu Prof. Sokoli nuk mund të dorëhiqej prej adhurimit të Kryeheroinës së tij, bashkëstudente në Firence, intelektuales magjepsëse dhe mendimtares së pamposhtur Musine Kokalari, që pavarësisht torturave të xhelatëve, burgimit, internimit dhe trajtimit çnjerëzor gjatë afro 40 vjetëve, nuk hoqi dorë nga bindjet ideopolitike, idealet humaniste dhe kauzat kombëtariste e kulturologjike.

Edhe Prof. Zheji u rebelua hapur dhe me zë të lartë kundër tradhtisë antishqiptare që po institucionalizohej mbi gjuhën shqipe.

Të akuzuarit prej tij në pushtet nuk guxuan të përballen me të në një debat akademiko-shkencor publik, por me fuqinë e regjimit e dhunuan, e ndëshkuan dhe ia nxinë jetën, duke e shpallur “të çmendur” dhe duke e shtruar përdhunshëm në Spitalin psikiatrik nr. 5 të Tiranës, ku e trajtuan me substanca psikotrope dhe me elektroshok, për t’ia shkatërruar pakthim trurin brilant. Por Zoti ia shpëtoi trurin, për fatin e tij, për fatin tonë, të Gjuhësisë, Albanologjisë dhe të Kulturës kombëtare.
Mirëpo, teksa vetë sadistët u shpërfaqën si “shpirtmëdhenj plot mëshirë” ngaqë e lanë gjallë, harruan se intelektualët e kërcënuar tërthorazi e lexuan qartë se në cilën anë qëndronte e Drejta, e Vërteta shkencore, interesi publik dhe ai kombëtar.
E lexuan dje, por e lexojnë edhe sot e gjithë ditën, teksa shumica e kundërshtarëve të tij ende gjallë, heshtin pas botimit të veprës madhore të Zhejit gjenial.
***
“Unë akuzoj!”, e titullonte apelativin dhe letër-protestën e tij drejtuar Presidentit të Francës shkrimtari i madh Emil Zola, pas të cilit u rreshtuan si firmatarë 2400 intelektualët më të shquar të planetit, me kazus mbrojtjen publike të Alfred Drejfusit, e që ka hyrë në histori me emrin “Çështja Dreyfus”.
“Unë akuzoj”, thërriste e gjithë vepra dhe veprimtaria e Sokratit (Kryeheroi i Zhejit filozof dhe i Sokolit-universalist të Kulturës), që nuk u zbraps edhe kur armiqtë e tij të pushtetshëm e kërcënuan me vdekje dhe më pas e mbytën.
“Unë akuzoj”, aludonte hapur Jezu Krishti (Kryeheroi tjetër i Prof. Zhejit), teksa fshikullonte me predikimet e Tij tradhtinë e farisejve të vënë në shërbim të romakëve dhe Pons Pilatit.
“Unë akuzoj”, nënkuptoi Xhordano Bruno, që pranoi të digjej në turrën e druve e të mos hiqte dorë nga bindjet e tij shkencore dhe filozofiko-morale.
Dhe kësisoj apelativi “Unë akuzoj!” erdhi deri në ditët tona si sintezë e rebelimit dhe e qëndresës së intelektualit para regjimeve dhe pushteteve tiranike e okulte, gjithmonë në mbrojtje të së Vërtetës, të Interesit Publik dhe Interesit Kombëtar.
“Unë akuzoj…”, i shkroi Patër Mëshkalla kryeterroristit antikulturë Mehmet Shehu, që me zell kish marrë kryesimin e fushatës së rrënimit të objekteve të kultit pas 6 Shkurtit 1967.
Dhe kur mendon se ky Kryehero i Prof. Sokolit sapo kish dalë nga burgu politik, ku shkoi sërish krenar dhe pa pendesë, i bindur se ia vlente theroria prej intelektuali të vetësakrifikuar në emër të idealeve dhe interesave sublime të kombit dhe racës – qëndresa intelektuale sot në Demokraturë shndërrohet në brerore nderi dhe lavdie.
***
“Këta janë të gjithë tradhtarë, obskurantë dhe atdheshitës! Madje pushtetin e kërkojnë vetëm e vetëm që të jenë ata, dhe jo pala tjetër, sekserët e noterizuar me ‘zgjedhje…’, e që do ta shesin interesin publik dhe interesin kombëtar në këmbim të marrjes së përqindjes që u takon si sekserë”, – më thoshte baca mendjendritur (Sokoli), duke iu referuar mbarë klasës politike të Pularizmit, që po sundon Shqipërinë prej më shumë se 3 dekadash.
Komunistët tanë në pushtet janë vite-dritë larg rentabilitetit ekonomik të modelit të zgjedhur prej tyre – komunisto-kapitalizmit kinez – që e nxori Kinën nga mjerimi dhe brenda 3 dekadave e dërgoi në majë të zhvillimit botëror. Liderët komunistë kinezë me Xi Pingun në krye, ndonëse abuzojnë me interesin publik për t’u pasuruar vetë, kurrë nuk e tradhtojnë interesin kombëtar! Por neve fatkeqësisht na ranë për pjesë dhe na mbetën mbi krye injorantë, sharlatanë, harbutë dhe tradhtarë, si baballarët dje, ashtu edhe bijtë e tyre katovicianë sot, që po na rrënojnë e shpopullojnë…
***
“Shitësi i gurëve të varrit”, ishte titulli profetik që miku im, shkrimtari dhe kritiku i shquar i letërsisë, Behar Gjoka, vendosi mbi librin e tij para më shumë se 2 dekadash. Çka më kujton banditët e sotëm në pushtet, që po shesin gurët-prova të qytetërimit dhe të varreve të stërgjyshër-baballarëve tanë gjenialë, që themeluan, drejtuan dhe e lulëzuan plot lavdi Epidamn-Durrahun tonë qysh prej 3 mijë vjetësh.
“Rama e do Durrësin vetëm për vete, siç edhe e mori, dhe nuk denjoi ta ndajë me ne…”, paskësh thënë një politikan i opozitës së Shqupit pas shpalljes së aferës dhe miratimit të ligjit korruptiv me ndihmën e kartonave të fundërrinave të opozitës… Këtë fakt e dekonspiroi publikisht në studio deputeti Dash Shehi, që me dhimbje akuzoi kolegët e tij “opozitarë”, me fjalët: “megavjedhjen për privatizmin e Portit të Durrësit, në vend që ta shndërronim në kryetemë të fushatës, ata e qajnë sot si rast i humbur për të ndarë plaçkën e vjedhur me Ramën, që refuzoi ta ndante…”.
Pas këtij demaskimi që zbuloi një Megavjedhje, heshtën: pushteti, opozita, mbarë media, SPAK-u dhe Akademia e Shkencave. Heshtën sepse tremben nga akuza ngaqë të gjitha palët, me lugë në brez, presin ta ribëjnë Durrësin sërish plënc e plaçkë.
***
Mjaftoi tërmeti i nëntorit 2019 për të mësuar se shumica e politikanëve të opozitës kish marrë leje ndërtimi nga Gjushi i përbashkët dhe ishte bashkëfajtore në rroposjen e pallateve të ndërtuara jashtë kushteve dhe standardeve teknike, ndonëse askujt syresh nuk i hyri gjemb në këmbë nga “Drejtësia e Ramaformës”, pavarësisht tragjedisë që groposi nën rrënoja vetëm mjeranët dhe pasurinë e tyre.
Pse heshtën SPAK-u dhe opozita për mosfunksionimin e Drejtësisë për zbulimin dhe ndëshkimin e fajtorëve të katastrofës së tërmetit??!
***
Por kur evokoj raportin monstruoz pushtet-intelektual, më ndërmendet tërbimi i “intelektualit”-kryeministër Rama ndaj profesorëve të shquar që mbështetën protestën studentore para dy vitesh.
E si mund ta harroj tallje-cinizmin poshtërues të Kryeministrit që, pasi u tha studentëve se po të kish qenë ai drejtuesi dhe formuluesi i nëntë (9) kërkesave të tyre, do të kërkonte me të drejtë dyfishin (pra 18 kërkesa)…, porse pasi e mbyti protestën me mjetet më të ndyra, s’u plotësoi studentëve asnjërën prej “18 kërkesave” edhe sot, pas 2 vjetësh!!!
Pasi sokëllinte e shkumbëzonte nëpër studio e konferenca shtypi kundër profesorëve Arlind Qorri e Mark Marku, që donin t’u shtonin kërkesave të studentëve jo 18 sa Rama, por edhe 50 të tjera – ish-pedaguaku që braktisi profesionin për pushtete dhe afera…, nuk guxoi të përballej me akademikun mendjendritur Hysamedin Ferraj. Autor ky i një platforme konceptualo-doktrinare prej 40 faqesh, që hidhte në hale Anti-ligjin “socialist” për Arsimin e Lartë. Ligj që normalisht duhet të përbushë kushtet për një universitet bashkëkohor.
Rama asokohe reagoi me censurë për zhdukjen nga mediat të profesorëve Hysamedin Ferraj e Elvis Hoxha, dhe i lemeritur u arratis deri në Prishtinë për të gjetur kodoshë që të ndërhynin tek këta profesorë, që të mos i përkrahnin studentët e të mos e masakronin nëpër media… Por përgjigjen e mori nga Albin Kurti, që erdhi në Tiranë enkas për të takuar studentët dhe për t’i garantuar për mbështetjen e Vetëvendosjes.
E ku ta dijë autokrati ish-pedaguak i Pikturës se Universiteti dhe Universitarizmi janë vetë Demokracia, janë principialiteti, standardi, fytyra dhe garancia e saj.
***
“Polisi ynë po mbetet pa filozofët e tij, pra pa profesorët e shquar Hysamedin Ferraj, Elvis Hoxha, Gjergj Sinani dhe Artan Fuga. Po ikën këta, nuk ka më polis dhe agorë…, do të mbetet vetëm një fjetore gjigante, ku shtrihemi natën bashkë me errësirën që na ka mbuluar…”, – trondiste me shkrimin e tij plot dhimbje Prof. Arjan Curri. Dhe kish të drejtë, sepse ata janë filozofë-intelektualët tanë. Janë mendimtarët që kanë autoritetin dhe legjitimitetin për të mbrojtur interesin e qytetarëve shqiptarë në sferën publike.
Zëri i tyre i protestës intelektuale ka rëndësi jetike në betejën për të mbrojtur nga grabitja pa kthim Durrësin dhe qytetërimin tonë tremijë-vjeçar… Për të ndalur zhdukjen e akua-parkut arkeologjik durrsak që mbart artefaktet qytetërimore në breg dhe brenda detit, e që ndërtimet e planifikuara në projektin shkallmues do t’i betonojnë përjetësisht.
***
Krerët e të Majtës sonë një-shekullore kanë 100 vjet që gërmojnë në varrin e Shqipërisë londineze dhe janë zhytur në batakun e tradhtisë, në krah të armiqve dhe padronëve historikë.
Ka ardhur koha t’i ndalojmë, madje edhe me kontributin e socialistëve të thjeshtë jo-Rilindistë.
Globalizmi, shumëkombëshet, perandoritë, neoliberalizmi, liberalizmi, libertarianizmi dhe Imperializmi Kulturor (ky armik i identiteteve kombëtare), nuk mund të jenë mburoja dhe platforma për pushtetmbajtje dhe grabitje rrënuese që thajnë përjetësisht burimet tona të zhvillimit dhe skualifikojnë shqiptarët në garën e tregut global ku mungon profiti ynë dhe ne shndërrohemi përjetësisht në skllevër modernë brenda atdheut tonë… Atdheut të stërgrabitur sot e mot dhe të planifikuar për t’u grabitur edhe në ardhmëri.

Durrësi, kryeqendra qytetërimore mijëra-vjeçare dhe kryeqyteti ynë me universitet qysh në vitin 1380 është pronë e mbarë Shqiptarisë dhe nuk mund t’ia falim një Jevgu të ardhur nga shkretëtirat e Arabisë.
Për fatin e projektit antishqiptar të sipërcituar dhe të vetë Durrësit, duhet të vendosin me referendum shqiptarët e trojeve etnike, bashkë me ata të diasporës.
***
“Nuk e dua mandatin e tretë për vete, po për ju…, se kam lënë në mes projektet…”, – ulërinte në fushatën zgjedhore për 25 Prillin ish-pedaguaku i Pikturës. Dhe ne e mësuam shpejt prej tij se për kë e donte mandat-pushtet-mandatën dhe për çfarë projektesh e kish fjalën…
Të njejtin projekt grabitqar të pasurisë kombëtare kurorëzoi Ramë-rrënuesi nëpërmjet miratimit të “Ligjit të amenduar për pasuritë minerare…” para disa ditësh në parlamentin me legjitimitet të cunguar dhe me kartonat e opozitës së blerë, teksa opozita tjetër gjoja e pablerë, bën shurdhin dhe hesht paturpësisht, sikurse heshti për zhdukjen e 7 miliardë eurove të buxhetit (zhdukur në 8 vitet e kaluara) gjatë fushatës soroisto-“pozitiviste”.
***
Ne intelektualët e moshës së tretë, që nuk do ta marrim atdheun me vete në botën e përtejme, duhet ta themi fjalën tonë tani, sot dhe fort, kundër atdheshitësve gjakshprishur.
Ja pra përse na duhen intelektualët… Na duhen për t’i hapur sytë popullit të tyre, që shkollimin dhe jetesën komode ua pagoi me para gjaku, duke hequr kafshatën nga goja, ndërkohë që ne të shkollepsurit e tradhtojmë paq duke bashkëpunuar me armiqtë historikë e me hajdutët ndërkombëtarë të shumëkombësheve, duke u vjedhur fëmijëve ardhmërinë dhe duke i shqepur atdheut të shqyer nga armiqtë copa trojesh në formë shkëmbimi territoresh “shqiptare”!!?
Intelektuali i përshkruar shkurtimisht
Përkufizimi i intelektualit lundron në ujërat e mitizimit dhe statusi i tij lëkundet midis ekstremeve: a duhet që Ai të jetë: autsajder, apo i integruar në shoqëri; i angazhuar apo i vetizoluar; konformist apo rebel; disident apo anëtar i ndonjë elite; domosdoshmërisht i orientuar në mënyrë kritike, apo jo…
Në thelb, intelektuali ndryshon nga individi shoqëror i përgjegjshëm dhe aktiv, pasi ky i fundit është veçse një person i aftë ta prodhojë të mirën publike dhe t’ia ofrojë atë shoqërisë në një mënyrë të dobishme…
Ndërsa intelektuali është ai individ që ndan dhe kapërcen kufijtë dhe horizontet e kohërave. Është individi që gjithmonë ushqen dhe shpërfaq mendimin kritik dhe analitik, pavarësisht rreziqeve dhe pasojave.
Intelektualët janë një kategori e ndërtuar socio-historikisht, dhe karakteristikat e kësaj kategorie varen nga traditat kulturore të një shoqërie të caktuar.
Marrëdhënia me intelektualët është epistemologjikisht problematike, sepse teoricienët që përpiqen të shkatërrojnë intelektualin janë më së shpeshti vetë intelektualë që përballen me problemin e vetë-përmbushjes, vetë-realizimit.
Shpesh termi “intelektual” është abuzuar konceptualisht dhe është ngarkuar me kuptimësi që i afrohen atyre të një “profeti”, nëpërmjet karakteristikave morale të idealizuara.
Të jesh intelektual do të thotë ta vendosësh të Vërtetën mbi të gjitha interesat e tjera.
Angazhimi intelektual duhet të dallohet nga ai politik, që ka si qëllim ardhjen në pushtet dhe mbrojtjen e interesave të partisë ose të elitës së pushtetit.
“Intelektuali” në fillimshekullin XX
Në gjysmën e parë të shekullit XX dalja e fashizmit në skenën politike e bëri të zakonshëm dhe tejet familjar termin “intelektual”, ngaqë kjo dukuri (pra dalja e fashizmit dhe më pas marrja e pushtetit prej tij) provokoi mobilizimin dhe rreshtimin e intelektualëve publikë: pro dhe kundër fashizmit.
Mirëpo disa mendimtarë të shquar të gjysmës së parë të shekullit XX me në krye filozofin Benedeto Kroçe, e refuzuan përdorimin e termit “intelektual” në luftën politiko-propagandistike që sapo kishte nisur midis fashizmit, komunizmit dhe liberalizmit.
Por me zhvillimin e shkencave shoqërore, koncepti i intelektualit bëhet gjerësisht i pranuar dhe i përhapur nëpërmjet një korpusi termash sociologjikë të përdorur në analizat shoqërore.
Tashmë nëpërmjet sistemeve arsimorë tejet të zhvilluara, fasha e intelektualëve-bartës të dijes dhe kulturës mund të zhvillohet dhe rritet numerikisht si një grup i ngushtë qytetarësh që sociologu i shquar gjerman Karl Manheimi i quajti “bartës të humanizmit”.
Madje Manheimi na mëson se “Shfaqja e intelektualëve si fashë sociale lidhet drejtpërsëdrejti me zhvillimin e qytetarisë moderne si një masë sociale me dy rrënjë shoqërore: 1-si zotëruese e kapitalit material dhe 2-si zotëruese e dijes si kapital.
Kësisoj, në periudhën e diferencimit të lartë dhe kompleks të shoqërisë ekziston një mënyrë e veçantë organizimi e veprimtarive njohëse, e cila mbart një strukturë gjithëpërfshirëse shoqërore prej nga lind intelektuali.
“Intelektualët” sipas Pier Bordië
Filozofi frëng Pierre Bourdieu e përbalti ndër të parët puritanizmin dhe antikonformizmin e intelektualit, teksa thekson se “intelektualët pothuajse gjithmonë kanë kontribuar në mirëmbajtjen e forcave dominuese në pushtet, duke mos i parë marrëdhëniet e vërteta shoqërore të pushtetit me popullin.

Madje Bourdieu fshikullon se “mosnjohja e mekanizmave kolektivë të nënshtrimit politik dhe etik të popullit, si dhe mbivlerësimi i lirisë individuale të intelektualëve, çuan në situata paradoksale në të cilat intelektualët u shpërfaqën si bashkëpunëtorë të forcave që ata pandehnin se po i luftonin si tiranike, në emër të popullit të tiranizuar”.
Intelektuali sipas Eduard Said-it
Në dekadat e fundit, shumë mendimtarë në mbarë botën kanë shprehur publikisht shqetësimin për pakësimin e frikshëm të intelektualëve, madje janë vetëshpallur si dëshmitarë bashkëkohorë të “zhdukjes së intelektualëve…”.
Në vitin 1983 ishte akademiku i shquar Eduard Said që në një cikël prononcimesh tek BBC i përshkroi intelektualët si “një shtresë sociale në nevojë të jashtëzakonshme për rehabilitim moral dhe ripërcaktim të pozicionit të tyre shoqëror”, teksa sipas tij kjo shtresë po pluskonte në grahmat e fundit para zhytjes përfundimtare në ujërat e “shenjtërores utopike”.

Prof. Saidi argumentonte asokohe se jeta intelektuale ishte profesionalizuar aq shumë saqë intelektuali “i vërtetë” pothuajse ishte zhdukur dhe “skena intelektuale” ishte dominuar nga “intelektualë të orientuar drejt politikës”, të cilët përdornin pushtetin politik për arritjen e objektivave që s’kishin të bënin aspak me idealet dhe vokacionin e fashës sociale të cilës ata i përkisnin.
Sipas Saidit, çështjet madhore si luftërat, konfliktet, uria dhe mjerimi, injoranca dhe analfabetizmi, varfëria pa rrugëdalje, katastrofat mjedisore dhe sëmundjet e rënda e shfarosëse – nëpërmjet censurës, hileve dhe trysnisë së gjithanshme, pushtetarët i kishin nxjerrë gradualisht nga fushëpamja dhe agjenda shoqërore e intelektualëve, të cilëve ua paskëshin “hequr dhëmbët” dhe angazhimin social ua paskëshin reduktuar thjesht në “prodhimin e pëlqimit”, (kuptohet – pëlqimit për mënyrën e qeverisjes dhe për politikat e pushtetit).
Asokohe vlerësohej se Saidi po risillte si ligjërim konceptet dhe përkufizimin klasik të intelektualit, huazuar prej filozofit frëng Julien Benda, sipas të cilit intelektuali është kujdestari, bartësi dhe shërbyesi i gjykimit të pavarur, besnik ndaj asgjëje tjetër përveçse ndaj të Vërtetës.
Për Eduard Saidin “intelektuali është autori i një gjuhe që përpiqet t’u thotë autoriteteve të vërtetat”.
Ndaj dhe Prof. Saidi pohoi pa droje se intelektuali portretizohet si dikush që është në gjendje të thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën…, se Ai është një individ trim dhe i zemëruar, për të cilin asnjë fuqi e kësaj bote nuk është aq e madhe dhe e frikshme saqë Ai të mos e kritikojë e të mos i kërkojë llogari në emër të interesit publik… Se intelektuali flet veçse për publikun, në emër të publikut, dhe, domosdoshmërisht në publik; Ai mbështet gjithmonë viktimat e padrejtësisë dhe rreshtohet në krah të atyre që askush nuk i përfaqëson, që janë margjinalizuar dhe harruar prej të gjithëve. Dhe në fund Prof. Saidi përmbyll: “Intelektuali nuk është tjetër veçse zëri publik i të pazëshmit me gojë të mbyllur, apo zëri i atij me zë të shuar, si në shoqërinë e lire, edhe në shoqërinë e robëruar”.
Prof. Saidi demaskoi grabitjen prej shumëkombësheve të kolonive, ndër të cilat bënte pjesë edhe atdheu i tij, Palestina. Madje ai posaçërisht theksoi rëndësinë e rolit të intelektualëve në luftën për paqe, për drejtësi shoqërore dhe për rishpërndarjen e burimeve të zhvillimit ekonomik.
Sipas tij “Intelektualët duhet të shprehen në një mënyrë që siguron arritjen e mesazheve të tyre tek publiku dhe këto mesazhe doemos duhet të provokojnë polemika”.
“Intelektuali bën pyetje me spec, bën dallime, kujton ngjarje e dukuri ekstreme dhe tenton të dekonstruktojë gjuhën politike që Xhorxh Oruelli e përshkruan si të krijuar enkas për të bërë që gënjeshtra të duket e vërtetë”, – shprehet ai.
Prof. Saidi drejtoi rrymën e mendimit që e përcaktoi intelektualin në mënyrë normative, si një kategori pozitive e idealizuar.
Pas prononcimeve të ashpra të tij, analistët dhe kritikët e Saidit, lehaqenë zyrtarë, ose jo, konkluduan se thelbi i qëndrimit të tij ishte konstantja konceptuale sipas së cilës intelektuali, për të qenë i tillë deri në fund, para së gjithash duhet të shmangë bindjen e verbër dhe të palëkundur ndaj pushtetit politik, e sidomos ndaj regjimit autoritarist të çfarëdolloj forme.
Kundërvënia e pushtetit politik ndaj Saidit
Për të relativizuar ashpërsinë, rëndësinë dhe ndikimin e fortë të apelit të Prof. Saidit, skribë të porositur fabrikuan dhe hodhën menjëherë në mediat angleze togëfjalëshin “Intelektualë me shumë qëllime”, e që paskeshin “prapavija…”, “mllefe personale, frymëzime…” dhe “agjenda të porositura e të stërpaguara”.
Një ndër ta do të ishte historiani anglez Norman Stone, që shkroi se “Intelektuali është një nga dhëmbët më të mëdhenj të epokës moderne, që kafshojnë vend e pa vend…”.
Por pati edhe apologjetë pesimistë ndaj kurajos së intelektualëve, sipas të cilëve “Përballë një përçmimi dhe bllokazhi total intelektuali shpesh bie në dëshpërim kulturor, gjithmonë tejet i zhgënjyer, duke kultivuar paskëtaj një antipati të thellë ndaj asaj që ai e konsideron Civilizim Egoist”.
Të shumtë ishin “neutralët” stigmatizues të intelektualëve antikonformistë gjatë këtij debati publik, e që revokuan se “Në shekullin XIX shumë intelektualë luanin rolin e Moralistëve Publikë” dhe se “Intelektualët viktorianë në vetëmburrje e deri në vetëglorifikim alla-mesianik e bindën veten se ishte misioni i tyre i veçantë t’u kujtonin bashkëkohësve më egoistë detyrimet që buronin nga parimet kristiane dhe vlerat morale të ngulitura në ligjërimin publik të shoqërisë ku ata jetonin”.
Por kulmin e absurdit ndër qortuesit e pushtetshëm, apo pranë pushteteve, e shenjuan ata që i akuzuan intelektualët jo vetëm për “hipokrizi”, por edhe për “despotizëm dhe tirani të ideve…”.
Margaret Theçer kundër intelektualëve

Qysh kur erdhi në pushtet në zgjedhjet e vitit 1979, Margaret Theçer i quajti intelektualët anglezë me përbuzje si “klasa bisedore”. Si kundër-reagim, me përjashtim të një shumice të konsiderueshme psudointelektualësh puthadorë, që doli në krah të kryeministres dhe tregoi gatishmëri për të bërë një betejë ideologjike në favor të saj, ajka e intelektualëve anglezë e konsideruan Theçerin “borgjeze të vogël periferike, vulgare, me shije mediokre dhe në thelb thjesht e pakultivuar”. Ndaj jo rastësisht pas njërës nga disfatat e pakta zgjedhore që pësoi Theçeri në vitin 1985, Profesorati i Universitetit të Oksfordit votoi në unanimitet për të mos i dhënë asaj një doktoraturë nderi (Doctor Honoris Causa), siç kërkohej nga praktika dhe tradita…
Intelektualët nën grushtet e pushtetit
Pas kësaj sfide të Profesoratit të Universitetit të Oksfordit ndaj Theçerit të gjithëfuqishme, klika pushtetore angleze vendosi se intelektualët rebelë duheshin ndëshkuar e diskredituar publikisht, dhe këtë mision e mori përsipër këpucëfshirësi i pushtetit në fuqi Paul Johnson me librin e titulluar “Intelektualët”, botuar në vitin 1988, ku autori ndër të tjera shkruan: “Mendoj se sot po përjetoj njëfarë skepticizmi publik kur shoh sesi intelektualët ngrihen për të na predikuar e për të na treguar sesi të sillemi dhe si të drejtojmë punët tona, sa kohë që intelektualët janë poaq të paarsyeshëm, të palogjikshëm, egoistë dhe bestytë si kushdo tjetër”.
Më tej ky shkarrashkrues që tërthorazi e pranonte me krenari se nuk bënte pjesë tek intelektualët, vazhdon me pohimin absurd se “Një nga mësimet kryesore të epokës sonë tragjike, gjatë së cilës kemi parë kaq shumë miliona jetë të pafajshme të flijuara në projekte për të përmirësuar fatin e njerëzimit – është të ruhemi fort nga intelektualët!”, – çka na ndërmend fjalimet plot mllef të Gebëlsit kundër “intelektualëve të degjeneruar e kokë-vezë”… Athua se intelektualët antikonformistë e humanistë ishin ideues, zbatues dhe rrjedhimisht edhe fajtorë për projektet gjenocidale dhe luftërat rajonale e globale!!?
Madje Paul Johnson shkon deri aty sa të deklarojë se “idetë e Rusoit për edukimin duhet të hidhen poshtë, duke marrë parasysh sesi ai i keqtrajtoi fëmijët e tij”, apo se “Punimet e Marksit nuk kanë asnjë vlerë dhe duhen hedhur poshtë gjithashtu, madje pa kurrfarë ngurrimi dhe shqyrtimi, ngaqë Marksi kishte një fëmijë jashtë martese!!?”.
Ndaj jo më kot Umberto Eko pohoi se “Mosbesimi dhe urrejtja ndaj intelektualëve ka qenë dhe do të mbetet në të gjitha rastet simptomë e proto-fashizmit”.

Referuar këtij konkluzioni shokues të Umberto Eko-s, kemi të drejtë të pohojmë se përvoja jonë e kohës së protestave studentore të vitit 2019, kur kryeministri Rama shpërtheu sulmet e egra deri edhe me emra kundër profesorëve të shquar që dolën hapur në mbështetje të kërkesave të studentëve tanë varfanjakë, sulme të cilat i vazhduan shkarrashkruesit dhe klakerët (duartrokitësit e zjarrtë) e tij nëpër gazeta dhe ekrane – na çon tek proto-fashizmi i ish socialistit Benito Musolini.
Alan Bennett për intelektualët

Aktori dhe skenaristi anglez Allen Beneti (Alan Bennett) shkruan se aq e madhe ishte neveria e stimuluar dhe atmosfera mbytëse ndaj intelektualëve në Anglinë e katër dekadave të fundit të shekullit të kaluar, saqë një ditë, teksa po bisedonte në trotuar me një mik, një burrë që po tërhiqte një valixhe me rrota, ulëriti: “Lëvizni, ju të ashtuquajturit intelektualë, se na keni bllokuar këtë dreq rruge e nuk na lini të kalojmë ne të tjerët që shyqyr Zotit nuk jemi intelektualë si ju…”.
Sipas Benetit, intelektuali është ai që shqetëson dhe është bërë figurë bezdisëse, ndaj dhe sa herë flitet apo shkruhet për të, kurrë nuk quhet apo referohet thjesht “intelektual…”, por gjithmonë “titullimi” i tij merr parashtesën “pseudo”, ose “i ashtuquajturi”, dhe se vetëm në Angli ndodh që fjala “intelektual” të përdoret si fyerje.
Anti-intelektualizmi i bolshevizmit lindor
Në fillimshekullin e kaluar, radikali majtist polak Stanislav Bzozovski (1878-1911), shkruajti: “Shpirtërisht, intelektualët polakë, kolektivisht janë asgjë dhe askushë, janë res nullius. Dhe nuk mund të jetë ndryshe sa kohë që intelektualët janë thjesht paradoks dhe absurditet biologjik në raport me klasën punëtore, që është Prometeu Kolektiv plot virtyte heroike…, pozicionuar gjithmonë kundër egoizmit dhe dobësisë e kotësisë së intelektualëve mendjengushtë… ”.
Stalini rekrutoi një lloj të ri “intelektualësh”, që i quajti “punëtorët jo-manualë në ndihmë të partisë, për ndërtimin e socializmit”. Por kur në fillimvitet ’30-të kërkoi mbështetje të pakushtëzuar për linjën zyrtare dhe ndeshi ftohtësinë e intelektualëve, Stalini akuzoi se “këta të ashtuquajtur intelektualë borgjezë nuk kishin qëllime socialiste, por ëndrra anarkiste e romantike të krimbave dhe llomotitje pa ndonjë rëndësi për realitetin revolucionar”.
Intelektuali dhe filozofë perëndimorë…

Sipas sociologut gjerman Karl Mannheim, “Tashmë nuk është pranuar vetëm ideja se intelektualët veprojnë dhe ndërhyjnë në sferën publike, porse ata e bëjnë këtë nga një pozicion i Autonomisë Relative”.
Mannheimi i quante intelektualët “lundrues të lirë”, gjithmonë “të ankoruar” dhe “të palidhur”.
“Autonomia Relative” e tij nënkuptonte njëfarë imazhi klasik të një intelektuali të pavarur, jo domosdoshmërisht i mbyllur në një kullë të fildishtë, por që gëzon liri dhe autoritet të mjaftueshëm për të shfaqur publikisht pikëpamjet e tij për të gjitha çështjet që shqetësojnë shoqërinë.
***

Timothy Garton Ash pohoi se “… është detyra e intelektualit të kërkojë të vërtetën dhe pastaj ta paraqesë atë sa më të plotë, sa më të qartë dhe në mënyrën më interesante të mundshme”. Madje ai më tej i cakton intelektualit rolin e një mendimtari të përfshirë në debatin publik për çështje të politikave publike, por që asnjëherë nuk kërkon të fitojë pushtet politik.
Sipas tij, “duhet domosdoshmërisht të ekzistojë një marrëdhënie kundërvënëse e kundërthënëse midis një intelektuali të pavarur dhe një politikani profesionist, dhe kjo duhet të ndodhë si në një shtet liberal, demokratik, ashtu edhe në një diktaturë”.
***
Duke vlerësuar maksimalisht rolin e intelektualit në shoqëri, Maks Veberi ndërtoi konceptin e dy standardeve morale që ai i cilësoi me termin “etikë”, e që sipas tij janë “Etika e besimit parimor” dhe “Etika e përgjegjësisë”.
Si ilustrim i këtij kualifikimi veberian, mendimtarë-ithtarë të këtij kolosi të mendimit pohojnë se pikërisht mungesa e “etikës së përgjegjësisë” qëndron në themel të mbështetjes që Ezra Paund dhe Martin Heideger dhanë për nazistët.
***
Filozofi gjerman Ludvig Markuze vlerëson se “Intelektuali është heroi i ri mitik i kohës sonë, është profeti i Edenit të ri, është poeti i Arkadisë antike dhe zbuluesi i Eldorados së panjohur”.

Sipas tij, “Intelektualët gëzojnë reputacion të madh në shoqëri dhe shpesh njerëzit e fuqishëm luftojnë për siguruar mbështetjen e tyre duke i mbuluar me privilegje dhe premtime. Koha tregoi se një pjesë e intelektualëve u josh nga autoritetet dhe nga pozicionet e privilegjuara në sistemin politik, por pjesa tjetër ishte dhe mbeti kundërshtare e pamposhtur me sistemin apo regjimin. Megjithatë, në disa shoqëri ekziston edhe një pjesë e tretë syresh, që mbetet politikisht neutrale dhe jashtë sistemit”.
***
Sociologu bashkëkohor francez Edgar Morin, na mëson se intelektualët përfaqësojnë më shumë një lëvizje sesa një bashkësi statike individësh.
Sipas tij, “Intelektuali shpërfaqet në shoqëri kryesisht me veprime të natyrës socio-politike dhe me akte politike që kanë peshë në kornizën shoqërore të kohës dhe të hapësirës”.
Morin e konsideron intelektualin si një individ “ndryshe nga të tjerët, me aftësi për të shprehur një mendim dhe për të zënë e mbajtur një pozicion etik, moral dhe politik në çështje që qëndrojnë jashtë sferës së specializimit dhe kompetencës së tij, dhe gjithmonë brenda kufijve të humanizmit”.
Haveli për intelektualët
Vaclav Haveli e përcakton një intelektual si “një person që i ka kushtuar gjithë jetën e tij të menduarit për këtë botë dhe për kontekstin e gjerë të dukurive dhe problematikave me rrezatim të fortë shoqëror”.
“Edhe njerëz të tjerë e bëjnë këtë, – shkruan Haveli, – por intelektualët shquhen se e bëjnë këtë në mënyrë thellësisht profesionale dhe me një ndjenjë përgjegjësie maksimale për shoqërinë dhe ardhmërinë e saj”.

Haveli ka deklaruar se kur kryente funksionin e Presidentit të Çekisë i dëgjonte intelektualët me kujdesin më të madh, pavarësisht nga fakti nëse ata veprojnë si kritikë të pavarur, apo janë të përfshirë direkt në politikë.
Ai përfundon: “Në fund të fundit, kush më shumë se intelektuali është kaq i aftë dhe i ditur për të vendosur fatin e këtij qytetërimi të ndërlidhur globalisht, teksa të gjithë jemi të bindur se intelektualët janë bash njerëzit që kanë një vetëdije të qartë për lidhjet e brendshme të shoqërisë, qytetërimit… dhe botës si një tërësi?”.
Debrë për intelektualët francezë

Filozofi dhe gazetari francez Jules Regis Debray (Debrë), është sigurisht analisti dhe kritiku më i famshëm i intelektualëve.
Në librin e tij “Le pouvoir intellectuel en France-Fuqia intelektuale në Francë (1979)”, ai e ndërton argumentin e tij kritik mbi një ndarje të thjeshtë me tre pjesë të jetës intelektuale franceze në shekullin XX: 1-Periudha nga viti 1900 deri në vitin 1930, ku sipas tij intelektuali arketip ishte një mësues që nxitoi të rreshtohej në mbrojtje të Drejfysit dhe Republikës; 2-Periudha nga viti 1930 deri në vitin 1960, kur intelektuali kryesisht ishte një “shkrimtar i pavarur”, dhe; 3-Periudha nga viti 1960 e deri më sot, kur në përgjithësi “intelektuali”, sipas tij, është veçse një “yll televiziv”.
“Pas epokës së artë të mendimit intelektual francez, – shkruan Debrë, – pasoi degradimi thelbësor i rolit, funksionit dhe kontributit shoqëror të intelektualit”.
Sipas tij, “Masmediat bazohen më shumë tek individi sesa tek kolektivi. Bazohen më shumë mbi të bujshmen, sesa mbi racionalen, të arsyeshmen, të nevojshmen dhe të kuptueshmen. Bazohen më shumë në të veçantën, specifiken dhe fragmentaren, sesa mbi të përgjithshmen dhe universalen”.
Debrë fshikullon se “Fuqia e vërtetë për të vendosur se cili do të ketë një shans për t’u dëgjuar publikisht në Francë, qëndron në duart e gazetarë-moderatorëve dhe manjatëve të medias. Janë këta që vlerësojnë aftësinë e ndokujt apo të gjithëkujt që konsiderohen prej tyre si gjoja intelektualë, për të folur plot pompozitet për tema për të cilat nuk dijnë asgjë. Për rrjedhojë, për të mbijetuar në këto kushte, një intelektual i vërtetë detyrohet të përshtatet dhe të konformohet me pushtetet politike dhe, në fundore, detyrohet të braktisë punën dhe qëndrimet intelektuale për shkak të korrupsionit, injorancës, moskompetencës dhe zvetënimit moral të pushteteve në fjalë. Ndaj dhe rezultati, – sipas Debresë, – është i frikshëm, sepse të vetëquajturit ntelektualë të gazetarisë franceze e vënë theksin tek buzëqeshja, flokët me brilantinë dhe frizura moderne e intelektualëve dhe politikanëve të ftuar në media, si dhe tek lehtësia, papërgjegjshmëria dhe guximi i tyre për të thënë broçkulla dhe budallallëqe adoleshentësh”.
Intelektualët sipas Bernard Henri Levy

Filozofi bashkëkohor francez Bernard Henri Levy, në librin e tij “Lavdërimi i intelektualëve” thekson ndër të tjera se “Një intelektual është, mbi të gjitha, një fenomen modern që shquhet nga guximi për të ndërhyrë dhe marrë pjesë në debatin e madh të polisit, sikurse ishte Çështja Dreyfus. Por që kjo situatë (pra një debat i madh në polis) të jetë e mundur – sipas B.H. Levit – duhet të ekzistojnë disa kushte themelore, që sipas tij janë: 1-Në shoqëri duhet të ekzistojë doemos Besimi në Arsyen dhe Besimi në Fuqinë e saj. Duhet të ekzistojë besimi se nuk ka gënjeshtra, gabime e të këqija me të cilat arsyeja nuk mund të përballet; 2-Në shoqëri ekziston e Vërteta, që është kushti i dytë themelor për ekzistencën e intelektualit. Dhe këtu kemi parasysh se duhet të ekzistojë ‘E vërteta në vetvete’. Çka do të thotë se ka shumë rëndësi të ekzistojë gjithashtu edhe Ideja se e Vërteta ekziston në shoqëri, se ajo nuk është një mashtrim, dhe se roli i intelektualëve konsiston në dëshmimin e saj; 3-Kushti i tretë pa të cilin askush nuk mund dhe kurrë nuk do të jetë në gjendje të justifikojë ekzistencën e Besimit në Arsyen dhe Besimin në Fuqinë e saj është Drejtësia. Dhe këtu nuk flasim për drejtësinë relative, për drejtësinë speciale, për drejtësinë e klasave, për drejtësinë e racës apo të kombit, por për Drejtësinë Abstrakte që është e vlefshme për të gjitha kohërat dhe për të gjitha vendet, pavarësisht nga rrethanat e zbatimit eventual të saj; 4-E katërta është kushti i ekzistencës së vlerave që jo vetëm janë të vendosura, janë statike, janë të pavarura nga vendi dhe koha, por janë akoma në hierarki dhe metodologjikisht të akorduara me njëra-tjetrën. Dhe kjo sepse nuk ka dhe nuk mund të gjenden intelektualë pa tabu dhe pa një numër vlerash që janë ngritur në dinjitetin e absolutes e që nuk diskutohen publikisht; 5-Kushti i pestë është ekzistenca një mirënjohjeje publike për intelektualin, çka e shtyn atë që të dalë nga kulla e tij e fildishtë për t’u përfshirë në çështje që ndofta nuk e shqetësojnë atë personalisht, por që shqetësojnë shoqërinë, pasi intelektuali është gjithmonë bashkë-pjesëmarrës në dhimbjen njerëzore…”.
Sipas B. H, Levit, “shekulli ynë i plotëson të gjitha kushtet e sipërcituara”.
Intelektuali sipas Fichte-s
Sipas filozofit Fichte “Në kohë lufte (si dhe në kohëta të atmosferës anti-intelektuale, është e lehtë të merresh me normat më të larta morale, teksa jeta njerëzore është dhe mbetet municioni më i lirë në luftë. Ndaj dhe sundimtarët totalitarë kërkojnë të kompromentojnë çdo mendim kritik e me prejardhje të mirëfilltë intelektuale, duke e thjeshtëzuar vazhdimisht nocionin e intelektualit. Këta sundimtarë manipulojnë me konceptet ‘liria e zgjedhjes’, ‘shoqëria civile’, ‘të drejtat e njeriut’, ‘liria e medias’, ‘intelektualët’, ‘feja’, ‘kombi’, etj., duke i zvogëluar ato vazhdimisht në horizontin e politikës ditore.
Njerëzit e shkolluar që nuk shoqërohen me të vërtetën, nuk mund të jenë intelektualë. Kjo është arsyeja përse bëhet e nevojshme dhe imperative të dallojmë intelektualët nga njerëzit e shkolluar, që janë veprimtarë në art, kulturë dhe në jetën publike, por që etikisht janë të paqëndrueshëm, ndaj dhe bash për këtë arsye nuk mund të klasifikohen në grupin e intelektualëve”.
Sipas Fihtes, “Intelektualët janë persona me individualitet të fortë dhe me identitet kulturor të shpërfaqur ose jo në publik. Ata e vendosin kulturën dhe ndriçimin e tyre mendor në themelet e vënies në dyshim të absurdit, e vendosin në funksion të kuptimit të jetës, në shërbim të së Vërtetës e të mbarë njerëzimit, duke mos u pajtuar me mashtrimin zyrtar, propagandën dhe mitet ekzistuese”.
Autoriteti dhe legjitimiteti intelektual
Pyetjes se cilat janë burimet e autoritetit intelektual dhe të legjitimitetit intelektual, mendimtarët perëndimorë pothuajse njëzëri i përgjigjen se këto burime-premisa janë rrënjosur thellë në traditën filozofike perëndimore dhe, sidomos gjatë shekujve të fundit, kanë gjetur mbështetje në projektin e iluminizmit.
Idetë e iluminizmit kulmuan si ide të ndritshme gjatë një periudhe në të cilën arsyeja u vendos në piedestalin e rendit shoqëror.
Iluminizmi, i njohur gjithashtu edhe si “mosha e arsyes”, konsolidoi kuptimin e njohurive si një komponent që është baza e rendit shoqëror, i cili krijoi kushtet për t’ua njohur autoritetin publik bartësve të dijes.
Pikërisht kjo bazë filozofike e lejoi dhe e ndihu intelektualin të pretendonte të drejtën për shqyrtimin dhe konkludimin e një bilanci në çështjet dhe problemet mbarëshoqërore, si dhe të pretendonte që shoqëria të gjykohej nga “larg”, nga “lart” dhe gjithmonë nga një “këndvështrim vleror”.
Po cilat janë burimet e autoritetit dhe të legjitimitetit të intelektualit? Cilat janë mekanizmat që i mundësojnë një intelektuali (shkencëtar, shkrimtar ose artist), të kombinojë njohjen që ka fituar në profesionin e tij, me gjetjen e audiencave që janë të interesuara për çështje me interes të përgjithshëm?
Në një shoqëri që është krijuar dhe ndërtuar në mënyrë strukturore dhe ku ekspertiza dhe specializimi konsiderohen të nevojshme për funksionimin, intelektualët kanë krijuar parakushte për të vepruar dhe për t’u dëgjuar.
Një intelektual i vërtetë përcaktohet kryesisht si një “person i zhvendosur”, si dikush i tjetërsuar, pa rrënjë dhe periferik në lidhje me kulturën nga e cila atij i burojnë zakonet dhe vlerat.
Krijimtaria intelektuale dhe informacioni i përgjithshëm janë disa nga burimet kryesore të autoritetit të intelektualit, ngaqë supozohet se ai mund të ligjërojë për një gamë të gjerë temash, duke reflektuar mbi aspektet e tyre të ndryshme.
Një intelektual publik nuk është vetëm një person që informon publikun, por ai gjithashtu promovon mendimin politik dhe i ofron publikut ide krijuese që zgjerojnë kuptimin e realitetit dhe mundësojnë përfitimin e mirëqenies shoqërore.
Para kauzave të mëdha intelektualët mendojnë se janë të aftë dhe të duhurit për t’u thirrur që të flasin në emër të vlerave të së vërtetës dhe të drejtësisë universale, sipas tyre “falë autonomisë profesionale dhe autoktonisë kulturore” që gëzojnë.
Intelektuali i vërtetë nuk është banor i një bote përrallore, apo njohës i “të vërtetave ezoterike”, por ai është bashkëjetues i botës tonë reale dhe nuk di të bëjë tjetër përveçse t’i përkushtohet me zell triumfit të të vërtetave që të gjithë i dijmë por i heshtim, ndërkohë që intelektuali bën të kundërtën: i pohon këto të vërteta publikisht dhe me zë të lartë.
Sapo t’i mohohet apo t’i “thahet” burimi i autoritetit dhe i legjitimitetit intelektual që konsiston në sensin e fortë konstruktiv, kritik dhe kundërshtues, pozicioni dhe integriteti moralo-shoqëror i intelektualit bëhen të vështirë për t’u ruajtur. Kësisoj, sipas Zigmund Baumanit, intelektuali pushon së qeni “ligjvënës moral” dhe bëhet thjesht dhe vetëm një “përkthyes” i rëndomtë teksa ai vetë e zëvendëson “autoritetin sipëror për të arbitruar… dhe legjitimuar nga pozitat e njohurive superiore (objektive)”, me detyrën e “përkthimit të deklaratave dhe mesazheve publike të pushtetarëve politikë…”.
(Vijon)