GAFË? Rama e pranon. Si u manipulua me videon e dhunës në Spanjë?
Kryeministri Edi Rama publikoi të shtunën paradite në Facebook një video ku sipas tij policia spanjolle kishte reaguar ashpër ndaj qytetarëve që kishin thyer masën e karantinës dhe kishin dalë në rrugë. Nisur nga ky precedent, kreu i qeverisë paralajmëroi shqiptarët se i pret i njëjti fat, duke shkruar se “forcat e rendit e kanë ndarë mendjen”. E shoqëruar me daljen e ushtrisë në rrugë dhe me kërcënimet se ndaj shkelësve të shtetrrethimit do të përdorej gazi lotsjellës kjo u pa si një rritje e masave represive nga kreu i qeverisë.
Por në fakt, nga një kërkim i thjesht, zbuloi tjetër gjë. Turma e njerëzve që vrapojnë dhe forcat e policisë që i ndjekin nga pas duke i goditur me shkop gome, janë shkëputur nga një protestë antiqeveritare në Algjeri. Policia ka ndërhyrë duke e shpërndarë dhunshëm turmën. Videoja është publikuar në youtube në datën 8 mars.
Me njëherë pas kësaj reagoi PD-ja e cila e konsideroi këtë si një thirrje që përhap panik.”Në Spanjë situata është e rënduar, por një shtet demokratik i Bashkimit Europian nuk vepron kurrë me dhunë ndaj shtetasve të vet, siç gënjen dhe mashtron Edi Rama. Ai është sot burimi kryesor i panikut dhe pasigurisë në Shqipëri.
I gjendur i papërgatitur, pa ide dhe në majë të një qeverie të kalbur nga skandalet dhe korrupsioni, ai ka dështuar të qetësojë dhe të kompensojë njerëzit, si dhe të menaxhojë një karantinë të efektshme” deklaroi PD-ja.
Pasi e pa që videoja po krijonte një efekt boomerang, si shembull, sa i amatorizmit profesional aq dhe i frikës ankthit dhe psikozës personale, kryeministri e pranoi që kishte bërë një gafë. “Rashë edhe unë njëherë viktimë e “qytetarit dixhital” shkroi më pas ai duke shtuar: “Videon e postuar diku më parë, ku shkruhet se ka ndodhur në Spanjë, ma dërgoi një mik shqiptar nga Italia, i cili padiskutim ashtu e dinte dhe i dëshpëruar me ca pamje sot paradite në tregjet e Tiranës, më shkruante “Shikoje ç’bën policia në Spanjë”!
E postova jo pa qëllim pas mesazhit tim të sotëm, ku ju thashë hapur se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga forcat e rendit dhe tani mora vesh që qenkan pamje nga Algjeria”!
Por ky incident me shumë sesa problemin e panikut dhe frikës apo sjelljes së shtetit me qytetarët ngre problemin e amatorizmit të kryeministrit dhe stafit që e mbështet për ato që i komunikojnë publikut në këtë kohë kaq delikate krize.
Ai jo vetëm që tregon se qeveria nuk e ndjek hap pas hapi gjenjen në njërën prej vatrave më të rënda të Covid 19 si Spanja, por se ajo e bazon vendimmarrjen përmes videove që i dërgojnë miqtë.
Ky lloj amatorizmi nuk la indiferent as mbasadorin spanjoll në Shqipëri, Vicente Canelles i cili reagoi ndaj videos skandaloze të kryeministrit shqiptar.
Megjithëse Ambasada e Spanjës është krejtësisht dakord me rekomandimet e Kryeministrit mbi nevojat e respektimit të masave kufizuese për të mirën e shëndetit të të gjithëve, më vjen shumë keq që janë shpërndarë disa imazhe që nuk kanë të bëjnë fare me Spanjën’, shkruajti ambasadori.