“Gati-aleanca” mes Kinës dhe Rusisë për Ukrainën
Alexey Muraviev, profesor në Universitetin Curtin të Perthit (Australi) dhe specialist në studimet strategjike ruse, shpjegon forcën e kësaj marrëdhënieje dhe pse kriza aktuale mund të rezultojë e rrezikshme edhe për Tajvanin
Në reagim ndaj ofensivës së Rusisë në Ukrainë, Kina i është përgjigjur me një ftesë për qetësi, për vetpërmbajtje, por njëkohësisht nuk flet për pushtim dhe i kupton motivimet e Moskës. Pas reagimit në dukje të kujdesshëm të Pekinit, Alexey Muraviev, profesor në Universitetin Curtin në Perth (Australi) dhe specialist i studimeve strategjike ruse, nuk ka dyshime për qëndrueshmërinë e “gati-aleancës” midis Kinës dhe Rusisë, as në faktin presidenti kinez mund të mësojnë nga homologu rus për qëllimet strategjike në Tajvan.
Në një intervistë për gazetën franceze Le Point, eksperti ka theksuar se duhet parë përtej neutralitetit të fasadës së Xi Jinping, i cili në fakt mbështet Vladimir Putin. Në fakt, vetëm 20 ditë më parë, të dy liderat nënshkruan një deklaratë të përbashkët që i siguronte Moskës një klient për hidrokarburet e saj, pra një linjë kredie për t’i mbijetuar sanksioneve të ardhshme perëndimore. Për të mbërritur në komunikatën e përbashkët, Kina i ka bërë të sajat shqetësimet ruse kundër zgjerimit të NATO-s, preteksti i luftës në Ukrainë.
Rusia, nga ana e saj, ka njohur pretendimet e Kinës ndaj Tajvanit, në emër të parimit të një Kine të ribashkuar. Të dy fuqitë kanë marrë edhe një pozicion për Indo-Paqësorin, me një referencë të qartë në marrëveshjen Aukus, pakti trepalësh i sigurisë i nënshkruar shtatorin e kaluar midis Australisë, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, karshi të cilit Moska mori anën e Pekinit.
Në marrëveshjen historike të 4 shkurtit, në një perspektivë të përbashkët për të ardhmen, të dy fuqitë deklaruan synimin e tyre për të ndërtuar një rend të ri botëror dhe për të reformuar sistemin aktual ndërkombëtar. Në këtë pikë, sipas Muraviev, lufta që po ndodh në Ukrainë dhe reagimet e para të Pekinit janë dëshmi e kësaj perspektive, por edhe e natyrës së marrëdhënieve dypalëshe midis Rusisë dhe Kinës, bazuar në një qasje që konsiston në mbrojtjen e njëra-tjetrës për zgjedhje politike të 15 viteve të fundit, duke u mbështetur reciprokisht si politikisht edhe ekonomikisht.
Më konkretisht, kjo nuk do të thotë që trupat kineze të bashkohen me trupat ruse në pushtimin e Ukrainës as që rusët të marrin pjesë në një aneksim të mundshëm të ardhshëm të Tajvanit, por është një “marrëdhënie interesi” e ndërtuar mbi baza serioze.
Kështu, përqendrimi i trupave ruse në Bjellorusi, ftyt i transferimit të elementëve të rëndësishëm deri më tani të përcaktuar në rrethin ushtarak lindor në Lindjen e Largët Ruse dhe në Siberi, kryesisht rreth kufirit kino-rus, “u bë i mundur nga besimi strategjik i Rusisë karshi Kinës dhe reciprokisht”, thekson analisti. Përveç kësaj, Shteteve të Bashkuara iu kanë dashur të investonin shumë për të kundërbalancuar Kinën në Paqësor, duke arritur kështu të dislokonin vetëm 8000 njerëz në Evropën Lindore.
Në bazë të formës së re të marrëdhënieve mes dy fuqive, të cilat sidoqoftë nuk kanë asnjë detyrim ligjor, ekziston një pozicion barabartësie si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me mundësinë e abstenimit ose përdorimit të së drejtës së vetos kundër njëri-tjetrin. Dhe pastaj është marrëveshja gjigante e energjisë prej rreth 104 miliardë eurosh e nënshkruar së fundmi.
Një shtyllë tjetër e asaj që Muraviev e quan “gati-aleancë” mbështetet mbi simbolizmin, me të cilin kinezët janë shumë të lidhur. Emblematike ka qenë shkëmbimi i ftesave si i dtuar nderi në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit për Putinin, pasi presidenti kinez pati qenë i tillë në Lojërat e Soçit më 2014.
Ndryshimet mbeten, por besimi rritet
Midis Pekinit dhe Moskës, përtej një konvergjence interesash, ekziston gjithmonë zona gri. “Përparësitë midis të dyjave janë të qarta, por besimi i tyre nuk është i pakufishëm. Rusët nuk marrin gjithçka për mirë dhe kanë ende një instrument parandalues kundër një aksioni të mundshëm ushtarak kinez: armët bërthamore taktike dhe strategjike”, vë në dukje eksperti.
Megjithatë, këto dyshime nuk mund të hipotekojnë aleancën e re, ashtu siç sanksionet e Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi nuk e kanë penguar Rusinë të afrohet gjithnjë e më shumë me Kinën. “Tashmë është vonë për t’i larguar. Kinezët dhe rusët e kanë rindërtuar besimin e ndërsjellë. Mes tyre dhe perëndimorëve është krijuar një mosbesim vërtetë shumë i thellë”, vazhdoi Muraviev.
Në këtë pikë, kriza në Ukrainë duhet të konsiderohet si një lloj bankoprove për “gati-aleancën” kino-ruse. Në një mënyrë strategjike, për të justifikuar disi veprimet e Moskës, Pekini i është referuar shqetësimeve ruse të sigurisë, duke u kujdesur që të mos komentojë të drejtën për vetëvendosje të republikave të Donetskut dhe Luganskut, për të shmangur të njëjtin motivim për Tajvanin.
Dhe për një zgjedhje imazhi – për t’u ruajtur në Azi dhe Afrikë – deri më tani Kina nuk e ka mbështetur shumë hapur Rusinë, duke mos dashur të shfaqet si ekspansioniste apo shumë agresive. Edhe pse kanë shumë interesa ekonomike për të mbrojtur në Ukrainë, kinezët tashmë kanë hyrë në një kurs përplasjeje me qeverinë Zelensky për blerjen e kompanisë ushtarake ukrainase Motor Sich, prodhuese motorësh për helikopterë. Shtetet e Bashkuara i detyruan autoritetet e Kievit ta shtetëzojnë për të penguar Kinën të transferojë teknologjitë e saj.
Me sytë nga Tajvani
Sipas analistit, skenari i hapur në Ukrainë dhe përshkallëzimi që pasoi, përfaqëson edhe një “mundësi që Xi Jinping do të dijë ta kapë dhe ta shfrytëzojë për vete”. Në vazhdën e sipërmarrjës ruse të saponisur, Tajvani mund të jetë “preja e radhës pas recetave eksperimentale të Putinit” në Ukrainë.
Një sinjal të parë të një lidhjeje të mundshme midis dy krizave de facto ka patur: në lidhje me tensionet në rritje në Ukrainë muajin e kaluar, Forcat Ajrore Kineze rifilluan sulmet e saj në shkallë të plotë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore përreth në Tajvan. Përveç kësaj, një luftanije kineze drejtoi një lazer luftarak mbi një aeroplan australian në zonën ekskluzive ekonomike të Australisë.
“Nëse kinezët mendojnë se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i vijnë në ndihmë Tajvanit, ata ndoshta do ta shfrytëzojnë mundësinë”, parashikon Muraviev. Ndërkohë, Xi po nxjerr mësime nga menaxhimi i krizës ukrainase prej Rusisë dhe mund të përdorë të njejtën strategji të Moskës për ta zbatuar në Tajvan: të grumbullojë trupa, të rrisë tensionin, të ndalet përpara pushtimit të drejtpërdrejtë për të detyruar më pas kampin tjetër të nënshtrohet.
“Deri më tani, Rusia ka mundur të luajë shumë mirë, duke arritur të fitojë territore pa një goditje të vetme, ndërsa Perëndimi ka mbetur absolutisht i paralizuar”, ka rikujtuar eksperti, duke iu referuar një krize të së shkuarës së afërt. “Shembulli rus i tregon Pekinit se për sa kohë që ke aftësi ushtarake dhe bërthamore, mund të jesh i guximshëm, agresiv dhe më pas t’ja hedhësh. E gjitha kjo mund t’i hapë oreksin Kinës, qoftë edhe për arsyen se gjigandi aziatik është shumë më i fuqishëm se Rusia”, përfundoi Muraviev./ Përgatiti Dardan MITROVICA