“Në 400 vjet nuk kemi gjetur vaksinën kundër racizmit” ka shkruar aktori dhe regjisori duke folur për përplasjen e hapur në SHBA
George Clooney ka qenë gjithmonë ndër yjet më të përkushtuar në frontin e politikës dhe të të drejtave. Zëri i tij nuk mund të mungonte në ditët e protestave për vdekjen e George Floyd, afroamerikan, i vrarë nga dora e një polici të bardhë. “Në 400 vjet, nuk e kemi gjetur vaksinën kundër racizmit”, shkroi aktori dhe regjisori për përplasjen e hapur në SHBA.
Fjalët e Clooney, të botuara në Daily Beast, janë gjithashtu një sulm politik. “Ka vetëm një mënyrë për ta mbajtur shpresën të hapur: votën”, shton ylli i Hollivudit.
Kërkesa e tij është për një ndryshim në sistemin amerikan me peshë më të madhe për ligjin, drejtësinë madje edhe për lidershipin politik.
“Nuk ka dyshim se George Floyd u vra. E pamë duke nxjerrë frymën e fundit në duart e katër policëve”, shkruan Clooney i cili më pas lartëson reagimin e madh të demonstruesve në rrugë. “Nuk e dimë se kur këto protesta do të ndalen. Shpresojmë dhe lutemi që askush të mos vritet. Por dimë, gjithashtu, që kësaj rradhe shumë pak ose asgjë mund të ndryshonte. Zemërimi dhe zhgënjimi që shohim në rrugët tona është edhe një herë një shenjë se sa pak kombi ynë ka evoluar nga mëkati i tij origjinal i skllavërisë. Kjo është pandemia jonë. Na infekton të gjithëve dhe për racizmin nuk kemi gjetur vaksinë 400 vjet histori”.
Konkluzioni është i gjithi politik, dukshëm kundër estabilishmentit të gatshëm për të dërguar ushtrinë në rrugë. Kërkesa e aktorit është: “Ne kemi nevojë për politikanë dhe administratorë që trajtojnë të gjithë qytetarët në të njëjtën mënyrë. Jo liderë që nxisin urrejtje dhe dhunë sikur ideja për të qëlluar kundër grabitësve të mos ishte gjë tjetër veç një nxitje për urrejtje racore”.