GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Glorifikimi i antifashizmit si rehabilitim publik i Enverit

Nga Sulejman GJANAJ

Skandali i stërpërdorimit dhe i afishimit të Enverit nga deputeti socialist i radhës me rastin e “29 nëntorit”, rikonfirmoi nostalgjinë majtiste për “Komandantin legjendar” të ushtrisë partizane, dy herë “Hero i Popullit shqiptar” dhe një herë “Hero i Popujve të Jugosllavisë”.

Ky akt i paramenduar shpjegoi gjithashtu edhe prapavijën politike të debatit të pambarimtë mbi figurën e Enver Hoxhës, debat publik në të cilin, jo rastësisht, janë përfshirë dikur deri edhe edhe personazhe tejet të rëndësishëm të letrave dhe politikës nga të dy anët e kufirit ndërshqiptar, sikurse Jakup Krasniqi, Rexhep Qosja e Kristo Frashëri, që asokohe u shprehën me superlativa për ish diktatorin.

Janë pikërisht këto vlerësime e qëndrime të këtyre personazheve në adresë të diktatorit, (të gjithë simpatizantë të Ramës), që më bëjnë të besoj se, jo rastësisht, është shfaqur e rishfaqur portreti i Enverit në “Varrezat e Kombit” dhe deri në fotot që kryesocialisti e deri deputeti i tij Bujar Çela fuste, futin dhe shpërndajnë ende nëpër rrjetet sociale.

Ndaj dhe kryeministri Rama nuk përton të bëjë çdo vit homazhet e 29 nëntorit në emër të shallkuqave pionerë dhe fatosë të dikurshëm të Enverit, bash për yllkuqat që dhanë jetën me emrin e Stalinit dhe Titos në gojë. Por ai shkon gjithashtu t’i bëjë homazhe edhe vetë monumentit “Nënë Shqipëri”, realizuar nga Kristaq Rama sipas modelit rus, imituar prej tij nga veprat skulpturore që i ishin fiksuar qysh kur studionte në Rusi, e ku gruaja-simbol ngren lart, me dorën e djathtë, simbolin yll me 5 cepa, që sipas Kristaqit na qënkesh simboli i Shqipërisë dhe i të rënëve për nder të saj.

Padyshim që skulptorët realizues të këtij monumenti ishin frymëzuar nga Enveri në vitet 70’, që la flokët e gjata sapo iu faneps ëndrra për të imituar rilindësit e mëdhenj, teksa era i merrte leshrat sa herë që shkonte në kodrat e Fuat beut për të vënë kurora mbi eshtrat e atyre që e sollën në pushtet.

Ndaj dhe, në imitim të leshrave erëflladitur të Enverit, skulptorët e Realizmit komunist me shkollim rus, nën drejtimin e Kristaqit realizuan draperinë valëvitëse të palave të fustanit të gruas-nënë shqiptare, e cila edhe kur ishte Shotë, Norë apo Tringë Smajli, kish ngritur lart veçse flamurin kuqezi, por kurrë yje të kuq.

Enveri me shokë e dinin mirë se, ata që ishin kallur në varreza nuk ishin veçse komandantët dhe komisarët e “Akademisë” së Dushanit dhe Miladinit, të shoqëruar nga “Herojtë e Popullit shqiptar” të rënë në Spanjë për Republikën komuniste spanjolle, apo nga ata 600 partizanët e rënë për çlirimin e Malit të Zi dhe Bosnjes, gjatë inkursionit të brigadave shqiptare në Jugosllavi, sikurse thotë edhe kënga komuniste: “Nga Kuçi në Vishegrad / rrugën e lamë me gjak…”.

Mendoj se ka të drejtë një miku im hokatar, kur thotë se procesionet e përvitshme në të ashtuquajturat “Varrezat e Kombit”, po t’i mbivendosësh dhe t’u heqësh vetëm cepat, pra veteranët e larguar nga jeta për arsye biologjike, apo nga lufta e klasave, si dhe tek-tuk ndonjë rishtar të hierarkuar në pushtet, kanë pothuajse të njëjtën përbërje në 40 vjetët e fundit. Dhe kjo sepse shallkuqat e dikurshëm janë bërë pushtetarë apo politikanë, ndërsa ish pushtetarët janë vetëshpallur veteranë, duke regjistruar paradoksin e qindra ish korrierëve partizanë, nga 5-12 vjeç, apo të “veteranëve” të sotshëm 75 vjeçarë e kusur, që kanë lindur kur ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Çka do të thotë se, sërish sipas mikut tim hokatar, në Shqipëri është krijuar një grupim procesionarësh profesionistë, aspak idealistë, që bëjnë sikur besojnë se tek “Varrezat e Kombit” prehen frymorët që bartin shpirtin e lirisë dhe martirizimit të këtij vendi. Takëm ky, që po t’u shtosh edhe interesaxhinjtë politikë, krijon populacionin qesharak të “antifashistëve shqiptarë”.

Fantazistët më të guximshëm e konsiderojnë risjelljen e fotove të Enverit nga Rama dhe deputetët e tij si një provokim të qëllimshëm për të nxitur debate që do ta mbanin “komandantin legjendar” të Rilindistëve në qendër të vëmendjes, ngjashëm me përmbushjen e kërkesave të përsëritura të tij ndaj libretistëve të skeçeve të “Portokalli”-së, të cilëve u kërkonte çdo javë çfarëdolloj talljeje apo banalizimi të figurës së tij dymetroshe në politikë, të mjaftueshme për ta mbajtur atë gjithmonë në qendër të vëmendjes publike, sipas një skeme të njimendtë Piari dhe Marketingu politik modern.

Ndërsa analistët më të përkorë të Ramës e konsiderojnë risjelljen e Enverit prej tij dhe vartës-deputetëve si kënaqje e porositur e “hermafroditëve” majtistë shqiptarë, që paradoksalisht bashkojnë enverizmin me social-demokracinë europeiste në amalgamën PPSH-PSSH, vetëm e vetëm për të qenë kurdoherë në pushtet. Sikurse veprojnë edhe me antifashizmin, që e përdorin thjesht për të legjitimuar pushtetin e djeshëm, atë të sotëm e atë të ardhshëm… Pushtet për të cilin një eksponente e së Majtës shprehej dikur se “do ta marrim dhe do ta mbajmë deri atëherë kur askush nuk do të mund të kujtohet se kur e kemi marrë për herë të fundit”.

Kurse takëmi tjetër i analistë-pretendentëve për radiografë e skaneristë të Ramës, e lidh futjen në skenar të fotos së Enverit me synimet e kryesocialistit shqiptar për të joshur majtistët e Kosovës e për t’ua bashkuar ata majtistëve shqiptarë, në përmbushjen e kahershme të ambicjes për të qenë lideri i shumicës së shqiptarëve, këtej e matanë kufirit. Qëllim të cilin, sipas tyre, e shpjegojnë të gjitha lëvizjet politike dhe ecejaket e panumërta të tij në segmentin Tiranë-Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas.

Ndoshta kjo është pasojë e këshillave të Shkëlzen Maliqit e Baton Haxhiut, që besohet se i njohin jo pak kosovarët dhe liderët serbë, por ndoshta është edhe imitim i skemës së Berishës në grahjen epike të kryeliderëve të Tiranës, që tashmë të jetë Rama ai që duhet të bëhet dhe të mbëtet strumbullari i faktorit politik dhe i mbarë shqiptarëve në Ballkan, çka do ta rriste fuqimisht peshën e kryesocialistit në sytë e ndërkombëtarëve, krahas mbështetjes dhe jetëgjatësisë në pushtet.

***

Se për çfarë “antifashizmi” flet Rama kur reciton sa herë i jepet rasti, mjafton të shohësh lugatin e bojatisur, që e shesin për “Partizan-luftëtar të Panjohur” në mes të Tiranës, e që u hakërrehet gojëshqyer bashkëqytetarëve që medemek “çliroi” – për të kuptuar simbolikën dhe gjëmën e çizmes dhe dyfekut të tij për 50 vjet. Sepse është pikërisht ky “partizan Meke” që la shkopin e dhive dhe mori “skeptrin e Mbretit dhe Perandorit”, për t’u shtrirë sa gjatë-gjerë në krevatin e të gjithëpushtetshmit dhe mbi kurrizin e shqiptarëve.

Po për çfarë “antifashizmi” flet Rama, që ka si krenari të elektoratit veteranët ribentropo-molotovca të LANÇ-it, që dikur glorifikonin Hitlerin dhe mburrnin Duçen?! Pra bash ata që, si prekursorë të dikurshëm të freshistëve aktualë, asokohe frekuentonin dopolavorot e Xhovani Xhiros dhe shanin atdheun e prapambetur dhe “mbretin anadollak e shakaxhi të përparimit”, e që u veshën balila për të parë Romën perandorake e për t’u bërë me gazmend nënshtetas të mbretërisë-perandori të Viktor Emanuelit III. Veprime e mendime të cilat vetëm gjysma syresh i braktisën kur Hitleri theu paktin Ribentrop-Molotov dhe sulmoi Rusinë, kurse gjysma tjetër mbetën anëtarë të Partisë Fashiste Shqiptare që duatrokisnin Ettore Muti-n, Galeazzo Çiano-n e Francesko Jakomoni-n, për t’u bërë më pas komunistë. Dhe këto që po ndërmend janë akuza të vetë Enverit për gjysmën e lidershipit të PKSH e të ushtrisë partizane, të cilin e eleminoi gjatë luftës për pushtet, natyrisht duke kursyer ca kokrra sa për farë, ngaqë në të vërtetë nuk kishte gjë me fashizmin korporatisto-kooperativist që kolektivizonte pronat private dhe që kishte si moto trekëndëshin revolucionaro-fashist “bukë, litarë, festa”.

Enveristët “antifashistë” të sotëm bëjnë sikur harrojnë se antifashistët e parë të Shqiptarisë ishin zogistët dhe jo komunistët, të cilët i pritën me lule, si “çlirimtarë”, Çianon dhe Parianin, dhe shpallën se “fashizmi nuk po e pushtonte Shqipërinë por po e begatonte dhe nëpërmjet industrializimit po krijonte proletariatin që do të mundësonte krijimin e partisë komuniste”. Parti që, sipas tyre, “do të bashkëjetonte në demokracinë fashiste, sikurse PKI dhe krerët e saj (Luixhi Longo, Palmiro Toliati e Pietro Neni) në Itali, të cilët më pas Duçe-socialisti i internoi si “antifashistë prorusë”.

Ky takëm deformuesish të historisë bën sikur harron se ishin vetëm legalisto-zogistët ata që iu kundërvunë me armë fashistëve nga 6-9 prill 1939, ndërkohë që komunistët u tubuan në dyert e burgjeve për të pritur “heronjtë” komunistë, që dilnin triumfatorë të çliruar nga vëllezërit fashistë, teksa këmbeheshin me mijëra antifashistët zogistë që u arrestuan menjëherë, u dënuan me burgime të gjata dhe u internuan në ishujt e shkretuar të Italisë.

***

Legalistët zogistë nuk mburren me luftën kundër fashizmit, sepse nuk mund ta konsiderojnë meritë detyrën ndaj atdheut dhe as si gjobëvënie pushteti, gjakun e derdhur. Për kombëtaristët i ashtuquajturi “antifashizëm” është më shumë ideologji sesa vlerë, është thjeshtë pozicionim i detyruar dhe jo lajtmotiv e detyrim madhor i përjetshëm, sikurse janë dhe mbeten kombëtarizmi, Shqipëria Etnike dhe shqiptarët.

Fashizmin e Nazizmin nuk i shpikëm ne shqiptarët dhe nuk i ftuam ne në atdheun tonë. Nuk e shpallëm dhe nuk e filluam ne luftën e Dytë Botërore, por e filluan nazi-fashistët dhe më pas e shpallën me buje bash “plutokracitë” europiane që flirtuan deri në lodhje me Hitlerin, Duçen dhe Hirohiton, që bënë pakte me ta në emër të “ekuilibrave të rinj europianë e botërorë dhe në emër të ndarjes së kolonive e zonave të influencës”. E filluan dhe e shpallën ata që u prishën në pazaret e tyre të ndyra e shekullore, nga të cilat shqiptarët ngaherë kanë dalë të humbur.

Ishin dhe mbetën komunistët e internacionalistët e këtij vendi ata që, për dekada, u janë qepur pas ndërkombëtarëve në blloqe e aleanca, vetëm e vetëm për të marrë e trashëguar pushtete, duke bërë pazar me trojet dhe interesat shqiptare.

Kombëtaristët bashkojnë kontribute dhe vlera me Fuqitë që u duan të mirën shqiptarëve dhe bëjnë aleanca që gjithmonë në fundore respektojnë dhe mbrojnë interesat e shqiptarëve.

Kombëtaristët kërkojnë partneritet, respekt të ndërsjelltë dhe reciprocitet në vlerësime e qëndrime. Ata nuk flejnë nëpër çartera e nuk i zejnë derën askujt, ndaj dhe nuk këndojnë hosanara majekrahi dhe nuk lypin miqësi e dashni me zor, por janë dinjitozë, respektojnë vetveten, miqtë e sinqertë dhe vlerat tona.

Ndaj nuk e kanë problem nëse nuk i llogarisin tek “antifashistët”. Madje do t’u bënin nder, pasi nuk kanë ndërmend që për ideologjira të pranojnë që dashakëqinjtë cinikë t’i fusin në një vathë me Stalinin, Titon, Rankoviçin, Napolon Zervën, Millosheviçin e Sheshelin, e aq më pak me Enverin dhe bandën e gjakatarëve të tij.

Komunistët shqiptarë janë më unikalët në botë, teksa shpallën heroj dhe dëshmorë të shqiptarëve ata mjeranë që u vranë në toka të huaja, duke luftuar për kauza dhe popuj të huaj, apo ata që u vranë në luftën civile me bashkatdhetarët, thjesht në kacafytjen për pushtet. Të vrarë këta që në të gjithë botën quhen veçse viktima lufte civile, pra “vëllavrasëse”.

Tragjedinë shqiptare të Luftës Civile e ka pranuar dikur edhe Edi Rama, teksa e ka stigmatizuar saktësisht në librin e tij “Refleksione…”, me bashkautor Ardian Klosin, në vitin 1991.

Pikërisht vlerësimi real i Luftës Antifashiste si Luftë Civile gjatë LDB, u dha atij dhe Klosit mungesën e komplekseve për të shkuar në Paris e për të takuar pa drojë kryeballistin Abaz Ermenji, i cili i priti mjaft mirë këta djelmoshë, të cilëve u ofroi ndihmë dhe miqësi të pakushtëzuar, paçka se Ardian Klosi ishte nipi i dëshmorit komunist të Pojskës, Ptoleme Xhuvani, si dhe nipi i gruas së diktatorit të fundit komunist, Ramiz Alisë, kurse Rama ishte biri i hierarkut më të lartë për artet dhe kulturën në Kuvendin Popullor (kryetar i Komisionit përkatës), dhe nip i Spiro Kolekës.

Por sot Edi Rama ka ndryshuar qëndrim dhe bindje nga koha e “Refleksioneve…” për LDB, ngaqë është bërë kryetar i partisë së trashëguar nga Enveri e Ramizi.

Sa për të ashtuquajturën “Luftë Atifashiste Nac-çl.” do të mjaftonte emërtimi dhe bilanci qesharak i saj për ta harruar heroikën e pretenduar. Sepse në asnjë vend nuk ka luftë Nac-çl. (pra komb-çliruese) triumfuese e që duhet kremtuar përjetësisht si e tillë, kur më shumë se gjysma e kombit, jo vetëm që mbetet jashtë kufijve shtetërorë e kombëtarë, por ripushtohet nga pushtuesit që morën arratinë për 4 vite pas shembjes së Jugosllavisë mbretërore nga Gjermania gjatë LDB. Dhe ajo që është më e keqja, ripushtohet pasi çarmatoset në mirëbesim nga vëllezërit yll-kuqë të një gjaku, të cilët ndihmojnë pushtuesit duke i vrarë bashkë me ta.

Le të pyeten kryeveteranët e LANÇ dhe historianët komunistë se çfarë ka bërë Divizioni i komanduar prej Hysni Kapos, Ramiz Alisë dhe Shefqet Peçit, gjatë qëndrimit afro 18 mujor në Metohi e Kosovë, deri në mesvitin 1946, përveçse çarmatosjes në mirëbesim dhe më pas masakrimit të bashkatdhetarëve krahas rankoviçëve serbo-malazezë, për ta kurorëzuar vëllavrasjen me Masakrën e Tivarit.

***

Për afro 3 dekada, dhjetëra ndihmësit e Ndreçi Plasarit nuk gjetën më shumë se 2800 personazhe për t’i futur në kolanën e famshme “Yje të pashuar” e për t’i shpallur “dëshmorë”, ndonëse çereku kishin vdekur në krevat nga sëmundjet, ishin viktima të rastit, të gjendur në vendin e gabuar e në momentin e gabuar, pra pa armë në dorë dhe aspak në formacione luftuese, apo ishin jetëhumbur në aksionet për rindërtimin e vendit pas luftës, për çka kolana u bë objekt talljeje, sidomos për jetëshkrimet e sajuara, qesharake, stereotipe e të mbushura me heroika në adresë mjeranësh të pafat që i kapi plumbi, apo që kishin vdekur nga tifo e marrë nga konservat e skaduara italiane.

Sa për okupatorët e vrarë italianë e gjermanë, do të mjaftonin deklarimet e oficerëve britanikë Dejvid Smajli, Bill Maklin, Xhulian Emeri dhe Piter Kemp, në librat e tyre, ku dëshmojnë se u kishin dalë rrylat e fytit për të bindur edhe më trimat e komunistëve, Mehmet Shehun e Nexhip Vinçanin për të ndërmarrë operacione sulmuese, apo për të bindur Shtabin aleat në Bari që të mos dërgonte ndihma për partizanët, sa kohë që nuk i vërtetonin “betejat dhe okupatorët e vrarë” me medalionet e marra prej tyre, që ishin edhe parakushti për furnizime ushtarake.

Sipas këtyre britanikëve, nëse bëhet fjalë për ndoca qindra okupatorë të vrarë, më shumë se gjysmën i kishin vrarë ballistët dhe zogistët, krahas britanikëve, në aksione të përbashkëta apo të përveçme.

Madje këta oficerë të misioneve aleate, këmbëngulin se nga ky numër duhen përjashtuar italianët dhe gjermanët e vdekur në Shqipëri pas plagosjes në frontet e luftës italo-greke, apo në përbërje të formacioneve që vinin nga Greqia pas pushtimit gjerman dhe pas luftimeve të tyre me britanikët, në ishuj dhe në stere.

Gjithashtu këta hierarkë britanikë të misioneve aleate pretendojnë se nga numri real i okupatorëve të vrarë duhet të zbriten robërit e dorëzuar e të masakruar më pas nga komunistët, sikundër vepruan Mehmet Shehu dhe Kadri Hoxha me shokë, që i vranë robërit e gjorë italianë për t’u grabitur rrobat, këpucët, orët, unazat dhe dhëmbët e florinjtë, në kundërshtim edhe me Konventën e Gjenevës për Robërit e Luftës. Fakt ky që i rrezikoi jetën Kadri Hoxhës gjatë misionit në Bari si përfaqësues i Shtabit komunist aleat shqiptar, teksa kolegët e tij perëndimorë e akuzuan për krime lufte dhe urdhëruan arrestimin e tij, çka e detyroi Kadri-enver Hoxhën t’ia mbathte nga Bari e të kthehej në Shqipëri, duke i shpëtuar dënimit.

***

E nëse i rikthehemi enverizmit të ditëve të mbrame të enveristëve në pushtet, duhet pohuar se Ramizi u tregua tejet dinak teksa ndërseu njerëzit e tij që u prinin turmave të revoltuara, për t’i drejtuar kah sheshet e për të rrezuar e hequr zvarrë bronxet dhe mermerët e monumenteve kushtuar diktatorit, duke shpëtuar paq familjen e tij, të Enverit dhe ato të bllokmenëve.

Dukej qartë që përvoja rumune i kish shërbyer si mësim, ndonëse Nexhmija bëri gjoja “të xhindosurën” duke e akuzuar se ishte bashkërrëzues i Enverit, pasi sipas saj kish çmontuar bullonat e bazamenteve të monumenteve.

Por edhe për bronxet dhe mermeret Ramizi u hakmorr ndaj shqiptarëve, teksa nxiti falangat enveriste të ndëshkojnë shqiptarët e rebeluar e të paarmatosur, gjatë terrorit që pasoi për 48 orë 20 shkurtin 1991, ku u masakruan mbi 20 të pafajshëm.

Komunistët që dijnë të luajnë mjeshtërisht me simbolikat, i përdorën ato mjeshtërisht për të kumtuar mesazhet e zeza për shqiptarët dhe ndërkombëtarët në fillimet e pluralizmit dhe sidomos në ngajrjet e shkurt-marsit të vitit 1991, kur rezistonin të hiqnin simbolet dhe emrin e diktatorit nga sheshet, institucionet dhe kudo ku e kishin vendosur në mbarë vendin.

Do të mjaftonte rasti i 14 vjeçarit Spartak Deliu, ekzekutuar me snajper në kokë, si kumt gjakatar mbarsur me simbolikën se ata shqiptarë që guxuan të rebelohen kundër diktaturës do të merrnin si ndëshkim vrasjen e ardhmërisë me plumb në ballë, gjë që më pas nuk rezultoi aspak e rastit dhe e pabazuar, sidomos gjatë vitit 1997.

***

Pas pushtimit të 7 Prillit, të trembur nga kryengritjet e mundshme të matjanëve zogistë, fashistët ndërtuan në vendlindjen e Mbretit Zog (në qytetin e themeluar prej Tij, Burrelin kryqendër e krahinës), garnizonin më të madh të përqendruar në sheshe dhe kazerma që zinin një sipërfaqe prej 30 hektarësh. Garnizon ky tejet i fortifikuar, e ku ishin instaluar 5 mijë trupa dhe armatime të rënda, shoqëruar me njësi shtesë për mbrojtjen e burgut të tejmbushur me zogistë dhe njësi të tjera që ruanin kampin stërmadh të Përqendrimit në Komsi, 10 kilometër në periferi të qytetit, ku ishin burgosur mijëra antifashistë nga gjithë Shqipëria e Ballkani, çka e kishte shndërruar Matin në një burg gjigant. Por më 31 korrik 1943, tre mijë zogistë matjanë sulmuan garnizonin fashist dhe njësitë shoqëruese në të gjitha drejtimet, duke i shpartalluar dhe duke mundësuar çlirimin e mijëra të burgosurve e të internuarve, të cilët i strehoi populli nëpër fshtra e male.

Fashistët nuk mund ta toleronin këtë sfidë të zogistëve dhe ndonëse ishin në prag të kapitullimit të plotë (që u shpall 40 ditë më vonë), vendosën ta ndëshkonin Matin zogist, të cilin e sulmuan me tre autokolona prej mijëra trupash të shoqëruara me mjete të blinduara, nga tre drejtime të ndryshme. Në këtë përballje të pabarabartë me aviacion dhe mjete të blinduara, fashistët arritën t’i zhvendosin kryengritësit në male dhe të djegin thuajse gjithë krahinën.

Pas “çlirimit” komunistët që kishin shtënë vetëm në ajër me bataretë e fitores së përkohshme tre-ditore, (ku u martirizuan me dhjetra zogistë atdhetarë), e përvetësuan 31 korrikun e zogistëve matjanë, pa harruar të zinin vendin e fashistëve në garnizonin e gatshëm, ku instaluan Korpusin më të madh ushtarak të vendit, me mijëra trupa dhe armatime, nga frika e ndonjë kryengritjeje zogiste.

***

Pikërisht në këtë korpus, ku mbi 95 % e efektivit ishin jo-matianë, komunistët kishin vendosur një bust të Enverit, që pas rënies së komunizmit mbrohej 24 orë me mitrolozë të rëndë “gulinov” dhe ushtarë të shumtë, në ndërresa të pandërprera.

Jo rastësisht në Matin zogist, me ruajtjen e bustit të Enverit edhe pas 20 shkurtit 1991 me oficerë enveristë, që ishin betuar të ekzekutonin jo vetëm demokratët që do të tentonin ta rrëzonin bustin, por edhe ata që do të guxonin t’i afroheshin këtij reparti ushtarak më i madhi në vend, Ramaiz Alia shpërndante kumte, simbolika dhe mesazhe domethënës. Dhe ky takëm oficerësh enveristë rezistoi e qëndroi në detyrë deri në fund të gushtit 1991, bashkë me bustin, kur demokratikasit mezi arritën t’i shkarkonin enveristët me anë të një urdhëri special të ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Stabilitetit.

***

Padyshim që Enveri rron në zemrat e enveristëve, rron në mendjet e rehabilituesve që glorifikojnë 29 nëntorin e antifashizmin, duke u përcjellë shqiptarëve mesazhin e koduar se “ushtria e lavdishme nacional-çlirimtare kishte një komandant që e udhëhoqi drejt fitores dhe u çliroi juve mosmirënjohësve…”.

Enveri rron në zemrat dhe mendjet e të gjithë atyre bashkëpunëtorëve të tij që u vetërehabilituan teksa e lanë vetëm dhe ia faturuan për nja dy dekada, atij dhe sistemit, të gjitha të këqijat. Enveri rron në zemrat e ushtarakëve vrasës të kufirit, që ekzekutuan qindra djem e vajza që synonin të shpëtonin nga “parajsa” komuniste. Enveri rron në zemrat dhe mendjet e gardianëve dhe xhelatëve të qelive, rron në mendjet dhe zemrat e gjakatarëve të Sigurimit e ish hetuesve, që janë shndërruar më së shumti në juristë instutucionesh, në gjyqtarë, prokurorë e avokatë të Ramaformës, duke i lënë pakicën e pensionuar për shkak të moshës së shtyrë në “shoqatat e ushtarakëve të liruar”, që kërkojnë pensione të majme për hiç-luftërat, por vetëm për gjakun e derdhur të shqiptarëve, si dhe medemek për “angazhimin e mundshëm si rezervistë të ushtrisë anëtare të NATO-s, kur ta lypë nevoja…”.

Shenjat e para të rehabilitimit publik të Enverit filluan me këmbënguljen për të ruajtur 29 nëntorin, për të përfunduar ironikisht tek pretendimi i një enveristi se të gjitha fajet i paskësh pasur sistemi, se i tillë ishte, dhe se edhe vetë Enveri ishte përndjekur hapur dhe fshehurazi nga Koçi dhe Kadriu në emër të sistemit, duke rrezikuar madje deri edhe me jetë si kunati i Bahri Omarit. Thënë shkurt, sipas këtij takëmi edhe Enveri dhe Nexhmija, tashmë pas vdekjes, duhet të regjistrohen në shoqatat e ish të persekutuarve nga regjimi komunist!!!

Komunistët dhe më pas socialistët si trashëgimtarë ideologjkë të aseteve materiale dhe të elektoratit ish-komunist, edhe sot e kësaj dite nuk kanë kërkuar ende falje publike dhe nuk kanë shfaqur pendesë institucionale për krimet barbare ndaj bashkatdhetarëve, gjatë dhe pas luftës vëllavrasëse, për gjysmë shekulli.

Sa kohë që viktimat nuk u hakmorrën, vrasësit nuk shfaqën pendesë dhe asnjëanësit mbetën soditës pasivë, asgjë nuk ndryshoi dhe shqiptarët mbetën po ata në bilancin dhe kahjet e jetës së tyre nën diktaturë, apo jashtë kufijve, në mërgatë.

Të papenduarit le të mbajnë antifashizmin, Enverin dhe damkën e Kainit, si për të vërtetuar thënien se “gungaçin e drejton veç tabuti”.

You might also like