GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Greva e naftëtarëve, historia e mashtrimit nga Taulant Balla

Vendimi i naftëtarëve për të hyrë në grevë urie u mor pas një sërë përpjekjesh për të gjetur të drejtën që iu ka dhënë gjykata për pagat e prapambetura. Fillimisht ata negociuan me kompaninë private Allum Energy, e cila i premtoi dhënien e disa pagave dhe rifillimin e punës. Kompania nuk e mbajti fjalën dhe naftëtarët protestuan në Ballsh dhe në Tiranë. Dyert e qeverisë ishin të mbyllura dhe greva e urisë mbeti rruga e vetme, pas pritjes disavjeçare për pagat.

“Ne këtë grevë do ta çojmë deri në fund. Dy janë kërkesat tona, marrja e pagave dhe rifillimi i punës. Përveç mediave askush tjetër nuk ka ardhur. Do vazhdojmë deri në zgjidhjen e kushteve tona” tha një prej tyre. “Në ditën e katërt më kanë filluar dhimbjet e stomakut, nuk kanë marrë masa, nuk e kuptoj neglizhencën” u shpreh një tjetër. “Në takim na u premtuan 7 paga dhe rifillimi i punës. Na flakën në punë, na hodhën në rrugë. As asistencë nuk na ofruan” tregoi një tjetër prej tyre për mediat lokale.

Pagat e prapambetura të naftëtarëve mendohet se ato arrijnë deri në 5.7 milion euro, të shpërndara në disa vite nga kompani të ndryshme që kanë pasur në përdorim rafinerinë e naftës. Shteti i ka larë duart nga kjo aferë dhe nuk lë asnjë shteg për ndërmjetësimin e një zgjidhjeje. “Në vendin tonë falimentojnë dhe ngrihen biznese çdo ditë dhe unë nuk di ndonjë rast që shteti të ketë marrë përsipër të paguajë pagat e punonjësve” ishte mesazhi i fundit që i erdhi naftëtarëve nga qeveria nëpërmjet zv.ministrit të Energjisë, Ilir Bejtja.

E çuditshme është se në muret e dhomës ku po kryhet greva, thirrjet i janë drejtuar të njëjtëve persona që as nuk denjojnë të shfaqin interesin më të vogël për këta njerëz, apo më keq akoma i kanë gënjyer disa herë.

Në ambjentet e grevës gjen thirrjen për Edi Ramën “Z.Rama! Na punëso, mos na dëbo!” shkruhet në një prej pankartave të varur në mur. “Z.Kryeministër, jepini zgjidhje problemit tonë! shkruhet në një tjetër.

Sado e pabesueshme të duket, shpresat janë edhe te Gramoz Ruçi, që në fushatën e 2013 i premtoi parajsën naftëtarëve dhe që atëherë nuk u bë më i gjallë në Ballsh. “Z. Ruçi ju mund t’i jepni zgjidhje” shkruhej në një pankartë tjetër të varur në mur.

Naftëtarët shohin shpresë edhe te Belinda Balluku, Ministrja e Energjisë që as nuk i takoi kur erdhën të protestojnë në Tiranë. “Znj. Balluku, na lejo të rrisim dhe të arsimojmë fëmijët tanë këtu” shkruhet në një letër tjetër të varur në mur.

Në grevë janë edhe 10 punonjës të nënstacionit elektrik dhe hidrik të Poçemit, të cilët kanë pa marrë 27 rroga. Në shenjë solidariteti më naftëtarët e Ballshit një prej këtyre punonjësve është zhvendosur në grevën e urisë bashkë me ta. Dy grupet e grevistëve kanë qëndruar të ndarë për shkak të mungesës së ambjenteve.

Gjendja shëndetësore vjen duke u përkeqësuar dita-ditës, ndërkohë që asnjë mjek dhe asnjë infermier nuk po qëndron në monitorim të grevës së urisë. I vetmi komunikim ka qenë me shefin e komisariatit të Ballshit deri më tani.

Mashtrimi për grevën e parë nga Taulant Balla

Kjo nuk është greva e parë e urisë për naftëtarët. Në shkurt të këtij viti ata rezistuan për 10 ditë në një grevë urie tjetër për të njëjtin qëllim. Atëherë kur zhurma në media nisi të intensifikohej, në Ballsh u shfaq Taulant Balla. Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste i bindi ta lënë grevën me premtimin se do të merrnin fillimisht tre paga e më pas të tjerat. Në fakt u mor vetëm një pagë dhe Taulant Balla që fliste çdo ditë në telefon me naftëtarët, nuk u bë më i gjallë. Këtë fakt e tregoi për abcneës, një prej naftëtarëve, pas grevës së urisë.

Gazetarja: Ju thatë që ju keni komunikuar me Taulant Ballën.

Julian Yzeiraj, naftëtar: Po kemi komunikuar, përditë.

Gazetarja: Çfarë ju tha?

Julian Yzeiraj, naftëtar: Edhe mbrëmë, para disa ditësh na tha që do të merrem me këtë punë. Tha që është kaluar një rrogë, ndërkohë që ne i kemi thënë për tre rroga, të paktën për ato që na ka paguar sigurimet shoqërore, deri në dhjetor. Dje tha: Pse nuk i kanë hedhur akoma e? Të shikoj se do pyes unë prap. Asgjë. Një papërgjegjshmëri totale.

Gjendja shëndetësore e naftëtarëve ka shfaqur komplikacionet e para, ndërkohë që asnjë mjek dhe asnjë infermier nuk po qëndron në monitorim të grevës së urisë. I vetmi komunikim ka qenë me shefin e komisariatit të Ballshit deri më tani.

Naftëtarët thonë se në ditët në vazhdim radhët e grevistëve do të shtohen, ndërsa mbeten në pritje të një ndërhyrjeje nga shteti për rrogat e tyre. Gjasat janë që qeveria të dërgojë dikë tjetër për t’i gënjyer dhe për t’i nxjerrë nga greva e urisë. Përjashtohet në këtë pikë Taulant Balla që e ka konsumuar rolin e tij.

Historiku

Përpara privatizimit të vitit 2008, ARMO nuk kishte borxhe ndaj bankave dhe furnitorëve dhe përveçse punësonte mijëra punëtorë mbi organikë, i paguante shtetit rreth 30- 35 milionë USD në vit nëpërmjet taksave të akcizës, tatim-fitimit, sigurimeve shoqërore dhe taksës së karbonit.

Ajo u privatizua në vitin 2008 nga Rezart Taci për 128 milionë euro nëpërmjet kompanisë të regjistruar në Zvicër, AMRA Oil. Operacioni i privatizimit u financua nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit.

Kur kompania u shit në vitin 2013 tek një fond azer investimesh, Heaney Assets Corporation e regjistruar në Ishujt Britanik Virgjin – një parajsë fiskale e njohur, detyrimet ndaj tatimeve arrinin në 73.2 milionë USD dhe kompania ishte e koletarizuar për rreth 47.5 milionë USD në banka. Në momentin e shitjes tek azerët, ARMO kishte më shumë se 100 milionë USD të pashlyera ndaj palëve të treta.

Megjithë borxhet e ARMO-s, 70% të aksioneve të Rezart Taçit në AMRA Oil iu shitën Heaney Assets Corporation për 35 milionë euro. Pasi mori kontrollin e kompanisë ARMO në gusht 2013, kompania azere e pezulloi punën për 1 vit dhe më pas lidhi dy marrëveshje kontraktuale me kompanitë Deveron Oil dhe TP&D Oil, për dhënien me qira të rafinerisë së Ballshit dhe asaj të Fierit.

Pas dhënies me qira të dy rafinerive, për shkak se kompania ARMO mbarte të gjitha detyrimet fiskale, ato ndaj punëtorëve dhe koston për energji elektrike dhe ujë, borxhet e saj u rritën në mënyrë eksponenciale pas vitit 2014.

Një raport i Ministrisë së Energjisë i shkurtit 2016, një kopje të cilit është siguruar nga BIRN, tregon që deri në janar 2016, ARMO kishte për të paguar ndaj kreditorëve një shumë prej 595 milionë USD gjithsej.

Ngjashëm me ARMO-n, edhe Deveron Oil edhe TP&D Oil akumuluan borxhe ndaj buxhetit të shtetit. Sipas Ministrisë së Energjisë, në janar 2016 kompania “Deveron” ka pasur për të paguar borxhe prej 81.2 milionë USD. Ndërsa TP&D Oil ka pasur për të likuiduar në atë periudhë 55.2 milionë USD borxhe.

Në një ankand të dyshimtë në tetor 2016, Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh i kalon Bankës, për shlyerjen e një kredie. Banka nga ana e saj ia jep me qira kompanisë Ionian Refining and Trading Co, IRTC.

E regjistruar në Ishujt Virgjin Britanikë, IRTC kishte në krye të Këshillit Mbikëqyrës Mustafa Abu Naba’a- biznesmen domenikan i njohur në arenën ndërkombëtare të tregtisë së naftës dhe Harry Sargeant IV, një biznesmen amerikan nga Florida. Që prej dhjetorit 2016, administratori i IRTC në Shqipëri është emëruar Mitat Sulaj, vëllai i pronarit të kompleksit ‘Taiëan’ në Tiranë, Besnik Sulaj.

Pasi menaxhoi rafinerinë për gati një vit, edhe IRTC u tërhoq si paraardhësit e saj duke akumuluar dhjetëra miliona euro borxhe ndaj shtetit. Pas tërheqjes së IRTC, si pronar i rafinerisë shfaqet një tjetër kompani e regjistruar jashtë vendit, Allum Enterprises.

Nga ana e saj, Allum Enterprises ia kalon në mars 2018 administrimin rafinerinë së Ballshit kompanive Tosk Energji dhe Bylis Energji, të cilat janë në pronësi të dy kompanie zvicerane, CFD Conseils Sarl dhe PGFS Pilotage & Gestion S – të dyja të lidhura me avokatin Christophe Darbord.

Darboard nuk është një emër i panjohur në fushën e industrisë së naftës në Shqipëri. Nga viti 2013 deri në vitin 2015, ai ka shërbyer si administrator i kompanisë ARMO, në periudhën kur kjo e fundit kontrollohej nga fondi i investimeve nga Azerbajxhani – Heaney Assets Corporation.

Operacionet e kompanisë Tosk Energji në rafinerinë e Ballshit – nga marsi 2018 në tetor 2019, janë financuar nga kompania Gunvor, së cilës më vonë i kanë kaluar 50 % të aksioneve të Tosk Energji. E themeluar në vitin 2000 nga oligarku rus, Genady Timchenko dhe biznesmeni suedez Torbjorn Tornqvist, Gunvor është kompania e katërt më e madhe në botë e tregtimit të naftës bruto. Në vitin 2014, për shkak të sanksioneve të vendosura nga SHBA ndaj Timchenkos, ai ia shiti aksionet e tij partnerit suedez, Torbjorn Tornqvist.

You might also like