Grusht shteti kundër Vladimir Putin në Rusi? Çfarë dihet deri tani
Kontradiktat e presidentit rus kanë bërë që një grup zyrtarësh të lartë të Kremlinit të shqyrtojnë opsionin e rrëzimit të tij me anë të përdorimit të forcës
Pavarësisht se avancimi i trupave ruse në territorin ukrainas nuk ka asnjë shenjë ndalimi, në Moskë perceptohet një atmosferë e hidhur. Sipas lajmeve të ndryshme të raportuara gjatë fundjavës nga media të shumta perëndimore, midis rradhëve të besnikëve të Vladimir Putinit ndjehet një atmosferë e tensionuar.
Shumë prej tyre, të mbajtur në padije për sulmin në Ukrainë dhe të nënshtruar ndaj sanksioneve gjithnjë e më të rënda prej Perëndimit, kanë humbur tashmë durimin me liderin rus dhe qëndrimet e tij. Bëhet fjalë për një grup të madh zyrtarësh – “mbi një e katërta e totalit të anëtarëve të stafit presidencial që zënë poste të larta” – raportojnë mediat – të cilët po mendojnë madje edhe të dorëhiqen në shenjë proteste.
Vendimet e nxituara dhe mungesa e përfshirjes: konsensusi i i Carit po konsumohet?
Megjithatë, duhet thënë se është e vështirë të kuptohet se çfarë po ndodh realisht në zemrën e pushtetit rus. Sipas zërave, korridoret e Kremlinit janë të tronditura nga një pakënaqësi e përgjithshme. Dhe jo vetëm për shkak të një operacion ushtarak të vendosur nga Putin i cili, ndoshta, e ka ndarë këtë hap vetëm me disa miq të ngushtë. Por edhe (dhe mbi të gjitha) për kundërgoditjen ekonomike që rrjedh nga izolimi progresiv i Rusisë nga blloku ekonomik perëndimor. Burime ruse pohojnë se madje edhe njerëzit më të afërt me Carin nuk kanë qenë të informuar për operacionin në Ukrainë ndaj për këtë arsye ndjehen të mashtruar nga presidenti.
Oligarkët dhe manjatët rusë, të njohur jashtë vendit për pasurinë e tyre, po shohin tashmë perandoritë e tyre që të avullojnë si bora në diell. Thuhet gjithashtu se shumë njerëz të pushtetit do të donin të përplasnin grushtat në tavolinë dhe të largoheshin në shenjë proteste. Megjithatë, nuk mund të bëjnë asgjë të tillë, vetëm nëse do të duan të bëjnë llogaritë me akuzën për tradhti të rëndë.
Censura e informacionit për të bllokuar daljen e lajmeve
Me sa duket, shumë pak kanë qenë në dijeni të vullnetit të Putinit për të lëvizur figurat e tij në skakierën ukrainase; mes tyre ministri i Mbrojtjes, Serghej Shojgu, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Valerij Gerasimov dhe drejtues të kundërspiunazhit. E të mendosh se kryeministri Mikhail Mishustin dhe zëvendësi i tij, Andrei Belousov, kishin kaluar javët e fundit duke takuar guvernatoren e Bankës së Rusisë, Elvira Nabiullina. Arsyeja? Përgatitja e Rusisë për sanksione të mundshme që Perëndimi mund t’i japë Moskës për njohjen e Republikave Popullore të Luganskut dhe Donjeckut. Në fakt, askush nuk e priste një sulm në shkallë të gjerë.
Për pushtimin e Ukrainës Putini nuk do t’i kishte informuar as analistët e FSB-së, apo shërbimeve sekrete ruse. Rrjedhimisht, është e vështirë të imagjinohet që presidenti të përfshijë njerëz të tjerë në vendimet e tij: as njerëzit më të pranishëm e të futur në botën e financave dhe ekonomisë ruse nuk mund ta prisnin diçka të tillë.
Kështu pra, në Kremlin atmosfera është shumë e rëndë. Megjithë kontrollin e rreptë mbi burimet e informacionit në vend (gazeta “Eco di Mosca”, portali “Meduza” dhe websiti online “Mediazona” janë errësuar, ashtu si edhe të gjitha rrjetet sociale), lajmet rrjedhin në kanale të tjera paralele: “Do të ketë një grusht shteti shumë të shpejtë, ashtu si ai i largimit të Nikita Hrushovit më 1964, ai i Car Palit I, apo vdekja e çuditshme e Josip Stalinit në mars 1953”, arrin të hipotizojë historiani Andrei Zubov.