GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Hans-Joachim Lanksch – Rose Auslender, një zemër mendimtare që këndon

Në fillim të viteve të 80-ta, i zhgënjyer nga poezia llafazane gjermane e viteve të 70-ta e cila ilustronte dhimbshëm boshllëkun që e kishte lënë vdekja e të madhit Paul Celan (1920-1970), hasa në krijimtarinë poetike të Rose Ausländer. U dashurova spontanisht, thellësisht dhe pashërueshëm në vjershat e saj të kristalizuara nga fjalë yjesh, fjalë fryme, fjalë lulesh, fjalë engjëjsh … Më 1984-1985 merresha me përkthimin e 50 poezive të Rose Ausländer. Përkthimet i kontrollonte Martin Camaj duke propozuar ndërhyrje fare të vogla që pothuaj nuk binin në sy por kishin efekt të madh. Kështu, ai hiqte konstruksione tipike sintaksore të gjermanishtes me fjali të varura që s’i shkojnë fjalës poetike shqipe ku e zëvendësoi p.sh. përemrin lidhor “që” a “të cilin” etj. me një “e” të thjeshtë ose ai propozoi që të hiqej ndonjë atribut që nuk ishte absolutisht i domosdoshëm dhe që do ta kishte rënduar së tepërmi tekstin shqip. Me lëmime të këtilla, mjeshtri i fjalës së gdhendur shqipe më tregonte se si mund e duhet të përkthehet poezi në shqip. Aty-këtu, Martin Camaj i jepte përkthimit një element tonaliteti të gegnishtes së tij, fjalën “lëpêth” në vjershën Të huajt ma propozoi Martin Camaj pa të cilin nuk do ta kisha ditur fjalën. Në tri poezi (A dëgjon; Dhuratë; Harro) Martin Camaj ndërhyri aq shumë me stilin e vet saqë duhet thënë se i përktheu ai. Asokohe, ndonëse gjendesha nën ndikimin e leximit dhe përkthimit të vjershave të Martin Camajt dhe të gjuhës së tyre, nuk dija të flisja gegnisht kështu që e përktheja poezinë e Rozës në gjuhën e njësuar. Tash dy vjet, duke iu kthyer dashurisë së vjetër për poezinë e R. Ausländer, e peshoja mundësinë që t’i përktheja krijimet e saj në gjuhën e Migjenit, Koliqit, Camajt, në gegnishte letrare pra, por nuk kam bërë një gjë të tillë sepse isha i mendimit se poezisë së Rozës i shkon fort mirë gjuha e njësuar me ngjyrosjen dhe natyrën e saj jugore. Fjala poetike e Rose Ausländer (jo tematika e saj) më duket se shquhet për lehtësi, tejdukshmëri, kristalinitet, një si natyrë të ajërt, sikur ta kishte origjinën në qiell dhe në trupa qiellorë dhe jo në lëndën dhe peshën e rëndë të tokës e të rrënjave të trasha nën dhé. Simbolet e ajrit, frymës, qiellit, diellit etj., besoj, lidhen më tepër me atmosferën e idiomës së Jugut se sa me atë të Veriut që dallohet më tepër për simbolet e dheut, gurit, shkëmbit, gjarpërit, rrënjës.

Jeta

Rose Ausländer (Roze Auslender) u lind si Rosalie Beatrice Ruth Scherzer më 11 maj 1901 në Czernowitz (Çernovic) resp. Cernãuþi (Çernëuc), kryeqytet i Bukovinës (= dheu i ahëve) në Republikën e sotme të Moldovës (Moldavisë) që i përkiste herë Austrisë, herë Rumanisë, herë Rusisë. Ishte një trevë ku “jetonin njerëz dhe libra”, siç tha poeti Paul Celan, i lindur dhe i rritur në Çernëuc. Çernëuci ishte vendshkrirje shumë popujsh e kulturash tek bashkëjetonin banorët rumunë, çifutë, austriakë, ukrainas, polakë dhe magjarë. Ngërtheheshin kulturat e tyre, fliteshin rumanishtja, gjermanishtja, jidishtja, ukrainishtja. Te popullata çifute, që përbënte më se një të tretë të afro 160 000 banorëve të qytetit në pejsazhin idilik rrëzë Karpateve, ishte e gjallë tradita e lashtë gojore e urtisë çifute, e gojëdhanave hasidike. Çernëuci ishte “një botë idesh dhe idealesh” siç do ta quante më 1977 poetja Rosa Ausländer në “Kujtimet për një qytet” ku shkruante mes të tjerash: “Lexohej shumë. Jo vetëm gazeta, revista, libra informativë dhe letërsi argëtuese, por letërsi e mirë, e dorës së parë. Diskutohej me plot zjarm, bëhej muzikë, këndohej. Teatri i qytetit vizitohej rregullisht. Një pjesë e konsiderueshme e rinisë shquhej për mendjegjerësi dhe kërshëri të pangishme. Kur takoheshin miqtë, filluan të diskutonin me afsh për çështje filozofike, letrare, artistike – deri në agim.”

Çernëuci ishte qytet i skulptorëve, piktorëve, muzikantëve, poetëve. Ishte edhe qytet i entuziastëve dhe idhtarëve që hallin e kishin te “interesi i mendimit dhe jo te mendimi i interesit”. Qytetarët jepeshin pas mendimeve të mendimtarëve Schopenhauer, Nietzsche, Spinoza, Kant, Marx, Freud, Karl Kraus, Constantin Brunner dhe digjeshin për poetët dhe shkrimtarët Hölderlin, Rilke, Stefan George, Trakl, Else Lasker-Schüler, Thomas Mann, Hesse, Benn, Brecht si dhe për letërsitë klasike dhe moderne në gjuhët frënge, ruse, angleze. Çernëuci është “një qytet i perënduar, një botë që shkoi” (siç e ka quajtur Rose Ausländer) që përftoi një sërë shkrimtarësh të shquar si Alfred Margul-Sperber – përndryshe përkthyes i pashoq i klasikut të pozisë rumune, Mihai Eminescu (Eminesku), dhe i poetëve të tjerë të mëdhenj rumunë – Alfred Kittner, Moses Rosenkreuz, Immanuel Weissglas, Elieser Steinbarg, Paul Celan, Itzig Manger etj. Në qytetin e brumosur nga aso atmosfere, njeriu i kultivuar, tha R. Ausländer, ishte “pothuaj i detyruar” të merrej me probleme të filozofisë, politikës, letërsisë a të artit. Ashtu dhe e reja Rosalie Scherzer e cila studionte filozofi e letërsi në universitetin e qytetit të saj dhe merrte pjesë në qarqe të ndryshme letrare e filozofike ku merrej sidomos me filozofinë e mendimtarit çifut Spinoza dhe me atë të filozofit bashkëkohas Constantin Brunner si dhe me veprën e edhe një dijetari çifut, Sigmund Freud. Mendësia e filozofit C. Brunner, më vonë, do të linte gjurmë të thella në krijimtarinë poetike të Rose Ausländer.

Emigrimi në Amerikë

Rreth vitit 1920 vdiq babai i Rosalie Scherzer, tregtari Sigmund Scherzer. Një vit më pastaj, e shtrënguar nga skamja ekonomike, Rosalie Scherzer emigron në SHBA, bashkë me mikun e saj Ignaz Ausländer me të cilin martohet më 1923. Krahas me punën në një bankë në New York, Rose Ausländer punon edhe si redaktore në periodikun letrar gjermanofon në të cilin fillojnë ta shohin dritën e botimit, për herë të parë, disa vjersha të saj. Rose Ausländer mban letërshkëmbim me filozofin C. Brunner dhe është ndër themeluesit e një qarku që merret me filozofinë e tij. Martesa me Ignaz Ausländer dështon pas 3 vjetësh. Më 1927, poetja e re udhëton në Europë për t’u takuar me C. Brunner në Berlin, kalon edhe afro një vit në Çernëuc për t’u kujdestuar për nënën e sëmurë, pastaj kthehet në New York. Më 1930 divorcohet martesa me Ignaz Ausländer. Prapë merr pjesë në një qark filozofik për veprën e C. Brunner dhe mban letërshkëmbim intensiv me shkrimtarin Margul-Sperber. Më 1939, miqtë e Rose Ausländer nga Amerika i mundësonin asaj të shkonte në SHBA për t’iu shpëtuar rrezikut nazist. Sapo mbërriti poetja në New York, nëna e saj përsëri u sëmur rëndë.

Kthimi në Çernëuc dhe persekutimi nazist

E bija e braktis vendstrehimin e sigurtë dhe kthehet në Çernëuc. Disa muaj më parë, në Çernëuc e kishte parë dritën e botimit libri i parë i Rose Ausländer, Der Regenbogen (“Ylberi”). Kritika letrare e Bukovinës, shtypi rumun si dhe ai zviceran, e priti vëllimin me entuziazëm, ndërsa Gjermania nën zgjedhën fashiste nuk e mori dot në dijeni librin e autores me prejardhje çifute. Gjermania dhe Rumania u bënë aleatë, filloi terrori nacionalsocialist kundër çifutëve në Rumani (pas Luftës së Parë Botërore, Bukovina, deri më atëherë nën Austri, iu ishte bashkëngjitur Rumanisë). Me okupimin e qytetit nga ushtria e Gjermanisë naziste në verë të vitit 1941, ia behu hataja e persekutimit të egër të afro 60 000 çifutëve të Çernëucit. Një lagje e vogël u shpall geto në të cilën u futën 45 000 shpirt. Aty rrinte e ngujuar edhe familja e R. Ausländer. Gjatë 18 muajve që pasonin, deportoheshin afro 55 000 çifutë në Transnistri në kampe shfarosjeje. Dimri i ashpër në fillim të 1942-shit e ndërpreu deportimin – dhe e shpëtoi Rose Ausländer me nënën dhe vëllaun e saj. Më 1962, ajo do të shënojë: “Në Czernowitz kam pësuar vuajtje të rënda nga persekutimi i çifutëve. Jo vetëm që u isha e nënshtruar kufizimeve të njohura çnjerëzore, por detyrohesha edhe për punë tepër të rënda të detyrueshme. Në geto në Czernowitz më mbanin në kushte të llahtarshme dhe johigjienike. Puna e detyruar që e ushtroja në punë kanali, në punë ngarkim-shkarkimi etj. ishte tepër rraskapitëse, ndërkaq trajtohesha në mënyrë mizore dhe çnjerëzore. Shpeshherë më keqtrajtonin rëndë dhe më kërcënoheshin me vdekje. Jetoja në mjerim të papërfytyrueshëm dhe me frikë nga fati im i mëtejshëm dhe nga deportimi në Transnistri me të cilin më kërcënoheshin gjithnjë .”

Pasi ishte ish-shtetase amerikane, poetja përpiqej më 1942 të merrte leje emigrimi për në SHBA. Ambasada e Zvicrës që përfaqësonte SHBA-të, iu përgjigj: “E vetmja mundësi verifikimi të shtetësisë suaj amerikane nga autoritetet amerikane është të paraqitni kërkesë për kthim në SHBA, kërkesë kjo që duhet ta parashtroni në moment tek do të jetë përsëri i mundur një udhëtim i tillë gjë që sipas gjasës vallë nuk do të jetë para përfundimit të luftës. Me keqardhje se nuk mund t’ju përcjell njoftim më të mirë po ju tërheq vëmendje se pyetje të tjera nga ana juaj do të jenë të tepërta. Me respekt të veçantë.”

Ndër ata afro 5000 çifutë që mezi mbijetonin ferrin nazi-fashist, ishin Rose Ausländer me nënën dhe vëllaun e saj. Forcën shpirtërore për të mbijetuar ia jepnin marrja me filozofinë dhe krijimi letrar. Marsin e vitit 1943 Roza dhe nëna e saj e kalonin të fshehura në bodrume të ndryshme sepse iu tërhoq leja e punës, gjë që zakonisht paralajmëronte deportimin e shpejtë në Transnistri – në fund marsi ushtria ruse e çliroi Çernëucin. Okupatori rus e shpalli gjermane familjen Scherzer – Ausländer e cila i shpëtoi deportimit për punë të detyruar në minierat e Ukrainës lindore vetëm për shkak se të dyja femrat ishin aq të sëmura saqë ishin të paafta për punë.

Qysh në vitet e persekutimit, Rose Ausländer u njoh me poetin e ri Paul Antschel (Ançel) që e njohim më mirë me pseudonimin e tij të mëvonshëm, Paul Celan, dhe angazhohej për poezinë e tij. Disa prej poetëve që e kishin mbijetuar llahtarin nazist, themeluan një qark letrar ku takoheshin edhe Immanuel Weissglas, Paul Antschel dhe Rose Ausländer për të lexuar e shqyrtuar krijimet e tyre.

Në Amerikë për herë të dytë

Më 1945, Çernëuci dhe një pjesë e Bukovinës u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Më 1946, Rose Ausländer me gjithë nënën dhe vëllaun e saj emigron në Rumani. Sapo mbërriti në Bukuresht, miqtë e saj amerikanë ia mundësuan emigrimin në Amerikë. Me shpresë se do të mund shpejt ta marrë edhe nënën, Roza udhëton në SHBA. Për shkak të shëndetit të saj të prishur, nuk mund të punësohet me punë të përhershme. Më 1947 vdes e ëma, e bija pëson një kolaps të rëndë psikik që zgjat më se gjysmë viti. Ngadalë fillon të riorientohet dhe të marrë pjesë në jetën kulturore të komunitetit gjermanishtfolës në New York. Prej vitit 1947 merret prapë me shkrimin e poezisë, kësaj radhe në gjuhën angleze. Më 1948 e rimerr shtetësinë e Amerikës, punësohet si përkthyese në një ndërmarrje ndërkombëtare transporti deri më 1961, me ndërprerje të gjata si pasojë e shëndetit të lig. 1949-1956 shkruan poezi vetëm në anglishte. Fillon ta braktisë formën konvencionale të poezisë. Në New York Rose Ausländer nuk ka banesë të vet, shpërngulet shpesh nga një dhomë të marrë me qira në tjetrën, gjithnjë në kushte fukarallëku. Më 1957, një shoqe ia dhuron një biletë anije për të shkuar në Europë.

Shpërngulja në Europë

Në Paris, rrugës për në Vjenë, takohet me poetin Paul Celan që e njofton me poezinë moderne gjermane kështu që përforcohet prirja e saj për të zhvilluar dhe më tej stilin e saj të ri në frymën e modernes. Roza udhëton nëpër disa vende të Europës, duke evituar hyrjen në Gjermani dhe duke u entuziazmuar veçanërisht për Italinë. Pas gjysmë viti kthehet në New York ku merr pjesë aktivisht në jetën kulturore dhe letrare. E rigjen gjuhën amtare dhe shkruan vetëm në gjermanishte. Më 1963 kthehet definitivisht në Europë, në Vjenë ku has në antisemitizëm të hapur. Më 1965 shpërngulet në qytetin e poetit Heinrich Heine, në Düsseldorf (Dyseldorf) të Gjermanisë. Prapë jeton pa banesë të vet, nëpër dhoma në hotele të lira ose te miq. Më 1966 shteti gjerman ia njeh një pension modest si viktimës së regjimit nazist kështu që poetja 65-vjeçare është në gjendje t’i plotësojë vetes ëndrrën për të udhëtuar dhe udhëton në Francë, Itali, Zvicër. Në qytete të ndryshme të Gjermanisë fillojnë ta ftojnë për takime letrare. Rose Ausländer merr disa shpërblime letrare. Më 1968 e viziton vëllaun në Amerikë e kthehet pas një viti.

Më 1972 thyen këmbën aq keq saqë i duhet përkujdesje e vazhdueshme, ajo pranohet në azilin e pleqve të komunitetit çifut në Düsseldorf. Prej 1978-shit nuk e braktis më dhomën e saj. Më 1981 dhe 1982 nuk ishte më në gjendje as të shkruante. Vjershat, tani, i diktonte … Pastaj e mori veten në mënyrë që vazhdonte së shkruari. Gjithnjë e më shumë zhytej në izolimin e vetdëshiruar dhe në krijimin e poezisë. Çmime të larta letrare, si ajo e Akademisë së Arteve të Bukura të Bavarisë, e gëzonin poeten vetëm pak – ajo dëshironte ta vazhdonte punën e vet krijuese në qetësi … Më 1986 e përfundoi dhe e rrumbullaksoi veprën e saj letrare, la amanet çfarë mund të botohet në të ardhmen dhe tha: “Mjaft.” Pastaj, me qetësi të madhe, e priste vdekjen. Më 3 janar 1988 poetja ndërroi jetë.

Vepra

Poetja Rose Ausländer është ndër rastet e rralla krijuesish që i janë ngjitur majës më të lartë të Parnasit jo në rini, por në pleqëri të thellë. Vajza erudite dhe elegante kishte filluar si poete e talentuar vjershash sipas mostrave konvencionale metrike e të rimës, e ndikuar, siç ka thënë ajo vetë, nga Goethe e Heine dhe, më vonë e më fort, nga Hölderlin, Rilke, Trakl, Kafka. Stili i Rose Ausländer është i veçantë. Kontakti me rrymat e ndryshme letrare i jeptë shtysa poetes sonë. Kështu, fryma e poezisë gjermane të viteve të 50-ta pasqyrohej në vjershat e Rozës dhe konciziteti i vjershërimit të fazës së saj të pjekurisë poetike mund të duket sikur jehonë e largët e vargjeve lapidare të Marianne Moore, William Carlos Williams a të autorëve të tjerë të Modernes amerikane. Megjithëkëtë, R. Ausländer kurrë nuk imitonte autorë të tjerë, por ishte poete plotësisht më vete dhe poezitë i thoshte gjithnjë me zë të pangatërrueshëm. Marie Luise Kaschnitz, njëra e poeteve më të njohura të letrave gjermane të pasluftes, kur u njoh me Rozën, i tha asaj të fundit: “Rose Ausländer, shih, ju shkruani vjersha shumë më të mira se unë.”

You might also like