GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Harry&Meghan / Do të fitojnë një milionë dollarë për çdo fjalim publik

Sussexët janë lidhur me të njëjtën agjenci prestigjioze që organizon pjesëmarrjen nëpër evente dhe konferenca të personazheve si Barack&Michelle Obama. Një hap që do t’u mundësojë të ndërmarrin një tjetër hap të madh drejt të shumëkërkuarës pavarësi financiare

“Kemi ndërmend të tërhiqemi si anëtarë senior të familjes Mbretërore dhe të punojmë për t’u bërë të pavarur financiarisht,” patën thënë Harry i Anglisë dhe Meghan Markle kur janarin e kaluar njoftuan lamtumirën e tyre nga Kurora Britanike. Dhe tani që jetojnë në Los Angeles po përpiqen të realizojnë ëndrrat e tyre. Për hir të së vërtetës, lançimi i fondacionit të tyre të ri bamirës, «Archewell», ecën shumë ngadalë. Për arsye të ndryshme.

Pas emergjencës shëndetësore të lidhur me koronavirusin dhe shpërthimit të protestave anti-racizëm që ngrinë për mbi dy muaj planet e punës së një kontinenti të tërë, Sussexët tani po përballet me një pengesë tjetër: zyra e patentave paskësh refuzuar kërkesën për regjistrimin e markës “Archewell”. Vështirë se projekti mund të jetë funksional para vitit 2021.

Megjithatë, Harry dhe Meghan nuk dekurajohen lehtësisht. Sipas Los Angeles Times, princi dhe ish-aktorja për të mbushur ca në llogarinë e tyre bankare janë lidhur me Harry Walker Agency, një agjenci prestigjioze me bazë në New York që krenohet me klientë si Barack&Michelle Obama (por edhe Oprah Winfrey, Serena Williams, Bill&Hillari Klinton). Të cilët, duke folur në publik gjatë ngjarjeve dhe konferencave të organizuara nga kompania, do të mund të fusin në xhepa, deri në një milionë dollarë për fjalim.

Harry&Meghan, duke folur në publik për tema si barazia gjinore, racizmi dhe mjedisi, sipas ekspertëve mund të fitojnë “mbi një milionë dollarë”. Duke ndjekur hapat e Obamës, duket se Sussexët do të ndërmarrin një hap të madh drejt pavarësisë së shumëkërkuar financiare.

You might also like